Albspirit

Media/News/Publishing

Naum Prifti: Papa Kristo Negovani dhe gjuha shqipe në shërbesat fetare

Në një nga dosjet e Naum Priftit u gjet ky shkrim, që nuk ka datë të shkruar, por që nga përdorimi i disa fjalëve duket të jetë i viteve 60-70.

Në një bisedë shoqërore ra fjala sa e vështirë duhet të ketë qenë të folurit e të mësuarit e gjuhës amëtare, nëpër shkolla tona. Me të vërtetë, mësonjësit e parë duhen çmuar e nderuar shumë, për atdhedashurinë që kanë patur, për guximin e madh që kanë treguar.

Por akoma më e vështirë, ka qenë futja e gjuhës shqipe nëpër kishat e ndryshme të vendit tonë, se propaganda shoviniste e kishave të huaja, ka qenë e fortë dhe bënte çmos që ta pengonte. E megjithatë, u ndodhën njerëz patriotë, që i kundërshtuan me guxim dhe që pa marrë parasysh rrezikun që u kanosej, guxuan të përdorin shkronjat shqipe në kishë. Një nga këta, ndoshta i pari fare, ka qenë Papa Kristo Negovani.

Për Papa Kriston deri atë çast, dija shumë pak gjëra. S’ di sepse, imagjinata ime më sillte përpara një prift pak a shumë plak, i cili pat shkruar disa tregime e disa vepra kishtare. Dhe veç  të tjerave në mendje më vinin pa dashur vargjet e Loni Ligorit

“E vranë Papa Kriston, e vranë/

Dhe s’ra për të asnjë këmbanë…”.

Bashkëfolesi im më tregoi një histori të vogël, të cilēn po mundohem t’ua them shkoqur, me fjalë tê thjeshta ashtu sikurse e dëgjova.

Negovani, nga ana e veriut, është i rrethuar me disa kodra të larta, të veshura me pyje, të cilat i shërbejnë si mburojë, nga erërat e ftohta që fryjnë dimrit.

Në fshat n’atë kohë qenë dy priftër: Papa Kristo Negovani dhe një tjetër. Papa Kristo qe dorëzuar prift që kur ishte djalë i ri, 22 apo 23 vjeç. Ish një djalë i pashëm, i hollë e i gjatë, me supe të drejtë dhe rasua e zezë i rrinte e derdhur mbi trup, si atyre statujave prej mermeri. Fytyrën e kish të hijshme e të qeshur gati për të thënë ndonjë shaka të hollë dhe sytë i kishte të mëdhenj e ëndërrimtarë, po ajo që i pëlqenin më shumë gjithë ata që vinin në kishë, qe zëri i tij i mbushur, një zë prej baritori, sa që kur psallte a kur këndonte zëri i tij përshkonte si valë ajrin e rëndë të mbushur me aromën e qirinjve e të jepte përshtypjen sikur ndodheshe në një sallë të madhe e të gjerë.

Pleqtë vinin në kishë t’i faleshin zotit, kurse çupat e reja dëshironin më shumë nga çdo gjë tjetër të shikonin Papa Kriston, që i veshur me rroba të arta, dukej si ato ikonat e kishës të vizatuara prej duarve të mjeshtëve.

Në fshat që të gjithë flisnin shqip, edhe në shkollën fillore të fshatit qe futur mësimi shqip prej një kohe të gjatë. Në atë shkollë kish mësuar edhe Papa Kristua kur qe i vogël, veç në kishë i faleshin Zotit në gjuhë tjetër.

Papa Kristua më shumë nga çdo gjë tjetër, donte që Shqipëria të dilte zonjë më vete, të qe e pavarur dhe të lulëzonte e të përparonte si gjithë kombet e tjerë të qytetëruar. Mirëpo n’atë kohë kish shumë shqiptarë, njerëz fetarë, të cilët propaganda e kishave të huaja i gënjente duke u thënë se po të luftonin për Shqipërinë, do të hiqnin dorë nga rruga e zotit.

Dhe njerëzit fetarë nga fjalët e të huajve ngatërronin fenë me kombësinë. Ata shpesh dëgjonin prej gojës së të  huajve:

Juve në kishë faleni në gjuhë tjetër, e atëhere ç’u duhet të luftoni e të përpiqi që Shqipërija të dalë më vehte?

Ja, pikërisht për këta njerëz të gënjyer nga feja, mendoi Papa Kristua e tha:

– Po sikur në kishë, të flasim e të meshojmë në gjuhën tonë amëtare, atëhere çdo të thonë ata që s’na duan të mirën?

Dhe iu përvesh kësaj pune me dashuri të pakufishme. Mblodhi librat fetare që ishin përkthyer shqip dhe filloi të përkthente edhe vetë disa libra të shenjta.

Një ditë i thotë priftit tjetër të fshatit:

– More uratë, jam menduar me veten time, shumë vjetë me radhë e më duket çudi një gjë: ne flasim shqip, kuvendojmë shqip e vetëm në kishë e kthejmë në gjuhë tjetër. E pse vallë? Ne a jemi shqiptarë? Jemi!

– Tamam, – ia ktheu prifti tjetër.

– E po atëhere edhe në kishë duhet të fusim gjuhën tonë. Kështu kam vendosur. Unë këtej e tutje do të meshoj shqip.

– Mirë ti – ia ktheu prifti plak – që i di shkronjat shqip, po unë që s’i kam mësuar si t’ia bëj?

 Papa Kristua u mendua një hop pastaj i tha:

– Një mendje më thotë kështu: do të meshojmë me radhë, një javë ti, një javë unë. Kur ta kem radhën unë, do ta nxjerr meshën shqip. Kur të kesh radhën ti bëj si të duash.

– More uratë, mos na fut në gjynah tashti në pleqëri! A bën të meshosh shqip, ç’thotë Patriarkana e Stambollit, sikur ta pyesim një herë? Më mirë hiq dorë, dhe ktheje siç  e kishe…

Papa Kristua ish njeri me kulturë të gjerê dhe aty për aty ua kthente përgjigjen:

– Kushdo që beson duhet t’i falet Perëndisë në gjuhën që flet. Ne s’bëjmë ndonjë gjynah. Ja për shembull, rusët i falen Zotit rusisht dhe s’bëjnë nonjë gjynah, bullgarët bullgarisht, grekërit greqisht dhe ne shqiptarët duhet t’i falemi shqip. Çfarë të keqe ka në këtë mes?

– Po ja kemi hall, a e di Zoti shqipen? – e pyeti një plak.

Papa Kristua qeshi me këtë pyetje kaqë naive e gjithë duke qeshur i tha:

– Po deri sa di turqisht e greqisht do të dijë dhe shqip?

Kështu ngjau javët e para, por më vonë të gjithë u qetësuan dhe kur kishte radhën Papa Kristua, në kishë do të gjeje më shumë njerëz.

U hap fjala se Papa Kristo Negovani po meshonte shqip dhe gojë në gojë, arriti fjala gjer te Dhespoti i Kosturit, Karavangjelis.

Ky, kur e dëgjoi, u ngrit më këmbë dhe bërtiti:

– Veshët më bëjnë a po thoni të vërtetë?

– Vërtet, vërtet, – i thanë, – ay po meshon shqip.

Po ngjiste ajo që Dhespoti shovinist, kishte frikë më shumë se çdo gjë tjetër. Papa Kristua me anën e të futurit të gjuhës shqipe në kishë, po i rrëmbente edhe ata shqiptarë fetarë të cilët nuk luftonin për Shqipërinë, sepse çkëputjen nga influenca e kishës greke e quanin si dalje nga rruga e fesë dhe e Zotit. Kësaj propagande me futjen e gjuhës shqipe në kishë, i jepej një grusht i fortë.

Dhespoti nuk i zë besë asaj që dëgjon dhe kërkon ta dëgjojë me veshët e tij. E kështu përgatit karvanin dhe në mes të dimrit ngrihet nga Kosturi dhe shkon në Negovan. Dëbora kish mbuluar fshatit dhe degët e pemëve qenë kaq të rënduara, sa që dukeshin sikur ishin kërrusur nga barra e rëndë e frutave. Kuajve vende-vende, dëbora u arrinte gjer në brez dhe mezi çapiteshin.

Të nesërmen ishte e kremtja e Pashkës se Vogël dhe atë ditë për fat i bije radha Papa Kristos. Dhespoti hyri në kishë e ndenjti në vendin e caktuar, më të djathtë të psalltarëve. Dhespoti, Karavangjelis, dyshoi se mos Papa Kristua do të trembej e do të meshonte në gjuhë tjetër, po dyshimet e tij nuk dolën. Papa Kristua, as u tremb e as u tut. E filloi edhe e mbaroi meshën në gjuhën shqipe.

Kur dolēn nga kisha Dhespoti as nuk i vajti fare në shtëpi sikurse bënte herët e tjera, por e ndaloi Papa Kriston në rrugë dhe i foli rëndë-rëndë:

– Zoti do të dënojë për këtë që bëre!

– S’kam bërë ndonjë të keqe, Hirësi – ia ktheu Papa Kristua.

– Si guxon tē meshosh në një gjuhë që as dihet e as përmendet ndër të shënjtat libra?

– Zotit mund t’i falesh me çdo gjuhë, mjafton të kesh zemrën të pastër.

Dhespoti dinak ia ktheu me një zë të hollë e si duke qeshur:

– Po ti e di fare mirë se vetëm Greqishtja është gjuha e vërtetë e Perëndisë…

Atëhere Papa Kristua i tha një fjalë të madhe, e cila përmendet edhe sot e kësaj dite, me të cilën e mbërtheu Dhespotin.

– Po të falemi në gjuhën e vërtetë të Zotit, atëhere duhet të falemi në Hebraishten e vjetër, të cilën s’e dimë as ti as unë. “Eli, Eli Sabahana”! Vetëm këto tri fjalë dimë ne nga hebraishtja e vjetër. Me sa di unë Hirësi e nga sa thonë librat, Zoti më sa ka ditur shqipen, aq ka ditur edhe greqishten!

Dhespoti e pa se me fjalë e me dituri nuk e hante dot dhe pati cmirë të keq në zemër kur e pa se nuk mund e s’kishte si t’i kundërshtonte, po për të shpëtuar nga situata i bërtiti:

-Je Heretik, heretik! Antikrisht!

Dhespoti i bërë pikë e vrerë, mblodhi në Kostur disa andartë e u dha urdhër:

-Java e re të mos e gjejë Papa Kriston të gjallë.

Dhe për t’u mbushur mendjen atyre që s’dëshironin të vrisnin priftin u tha se ai kish dalë nga rruga e zotit dhe nuk meritonte të ishte më i veshur me rroben e priftit.

Atëhere në Negovan filluan të pëshpëriteshin plot fjalë. Papa Kristos i vinin në shtëpi si miqtë ashtu edhe njerëz të tjerë të cilëve s’ua kish parë kurrë surratin. Miqtë e lusnin të hiqte dorë nga gjuha shqipe, kurse armiqtë e kërcënonin duke i thënë se po guxove edhe një herë të përhapësh shkrimin shqip, do ta paguash me kokë.

Dhe Papa Kristua në këtë kohë, djalë i pjekur tridhjetë vjeçar u përgjigjej si të parëve ashtu dhe të dytëve:

-Të ishte ndonjë gjë për veten time megjithë qejf, do të hiqja dorë, po këtu është puna për gjithë popullin, për Mëmëdhenë, për gjuhën tonë e unë s’kam si të heq dorë.

– Po do të vrasin, – i thoshin miqtë me dhëmbje sepse diç kishin marrë vesh.

– Le të më vrasin, pas meje do të ngrihen edhe të tjerë.

Dhe kur e panë që s’hiqte dorë, vendosën ta vrisnin. Natën e 12 shkurtit 1905, andartët të dërguar nga Dhespoti Katavangjelis, e rrethuan fshatin dhe disa prej tyre i hynë Papa Kristos me forcë në shtëpi.

E gjetën duke punuar mbi disa dorëshkrime, nën dritën e një llambe vajguri. Nuk i thanë përse e donin. E nxorrën përjashta, duke mos e lënë të merrte as kambillafin dhe flokët e zezë e të dendur ia merrte era, po kështu edhe rasua i fryhej dhe i valavitej pas si një pelerinë dhe ai ecte krenar duke e mbajtur koken përpjetë…

Rreth e rrotull qe heshtje e thellë. Kishte rënë borë e cila nga të ngjeshurit me këmbë kërciste. Kur u afruan në një shesh më të dalë të fshatit, njerëzit e dërguar nga Dhespoti iu sulën me thika dhe e lanë të shtrirë mbi dëborë.

Kështu mbaroi Papa Kristua, kjo figurë e shquar patriotike, në moshën tridhjetë vjeçare. Ëndrra e tij, që shkrimi shqip, te përhapej e të lulëzonte në të katër anët e atdheut, u bë realitet.

Duke kujtuar atë, shkruajmë e flasim shqip, në gjuhën që ai donte me aq pasion e për të cilën dha jetën.