Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Babalet dhe bëmat e vërteta që socialistët bëjnë sikur harrojnë 

E gjithë e majta shqiptare ka hyrë në një spirale kundërmësymjeje duke iu referuar akuzave të opozitës për rastin e përgjimit të vëllait të Ministrit të Brendshëm. Qeveria që ka ‘edhe gurin dhe arrën’, pra edhe prokurorinë dhe policinë sigurisht që do e mbyllte me një fund tragjiko-komik historinë e padëgjuar të një Ministri që çoi në burg vëllain e vet për të mbajtur postin.
Po le të kujtojmë se çfarë ka ndodhur me socialistët dhe “babalet” e tyre që në momentin e parë të marrjes së pushtetit. Le të kujtojmë që të mos harrojmë e të mos bëhemi pre e propogandës së sëmurë majtiste që e ka në filozofinë e saj gënjeshtrën.
Kujtoni rastin e vendosjes së tritolit nën makinën e Besnik Dervishit, asaj kohe Prefekt i Vlorës që u kap në hyrje të Kryeministrisë e, siç u tha atëherë, u çaktivizua me shpërthim të kontrolluar në sytë e medias dhe qytetarëve. Sapo kishte filluar atëherë një baltosje e ndërsjelltë me spërkala krimi dhe vrasjesh. Lëmshi i ngatërruar i krimit që po çmbështillej, edhe pse fare rastësisht dhe në mënyrë të pavullnetshme të shtetit, u tregoi shqiptarëve llumin politiko-ekonomik ku ishte dhe është zhytur e majta shqiptare. Besnik Dervishi, Prefekti asokohe i Vlorës akuzoi Shpëtim Gjikën për vendosjen e tritolit tek makina e tij. Shpëtim Gjika me një deklaratë për shtyp akuzoi publikisht Dervishin për “autogol” në portën e socialistëve. Edi Rama pozoi me Shpëtim Gjikën pasi i kurdisi një padi për lejet e ndërtimit, ndërsa Saimir Sehiri i asokohe në rolin e Ministrit të Brendshëm, nuk gjeti dot kush kishte dekonspiruar operacionin e policisë për kapjen e vëllezërve Mëhillaj. Në mos qoftë ai vetë dekonspiruesi i aksionit, atëherë minimalisht doli si më i paafti i gjithë historisë. Dhe kjo, jo për shkak se dikush ka qejf të sulmojë Tahirin si mik të Ramës, por sepse zbulimet dhe arrestimet e bëra asokohe ndaj të ashtuquajturës ‘bandës së tritolit’ u bënë vetëm pas kërcënimeve mediatike të të penduarit N.Gj, i cili u dëbua nga rajonet policore të Durrësit ku ai shkoi të denoncojë krimenelët. Nëse ai nuk do të kishte shkuar tek mediat dhe nëse policia nuk do të kishte nuhatur skandalin që do përfshinte gjithë kupolën politiko-administrative të saj, nuk do të kishte vepruar kurrë. Madje, në atë kohë nuk ka qenë çudi që në radhët e kerrëve të lartë të policisë së shtetit ka patur të penduar që i akuzuari si vrasës me pagesë, J.S .u kap i gjallë dhe nuk u eleminua gjoja për rezistencë ndaj policisë, siç rëndom ka ndodhur me raste të tjera.Sigurisht që askush nuk e dinte në atë kohë se sa lart në kupolën socialiste do të mbërrinte filli i krimit dhe vrasjeve. Por tani, çdo ditë e më shumë po bëhet e qartë se oligarkët e mafies kanë kapur PS-në dhe kupolën politike të të majtës. Kjo ka qenë edhe një arsye madhore që Rama të bërtiste gjoja për korrupsionin, sepse po kërkohej të mbulohej aktiviteti kriminal deri edhe terrorist i elementëve të tillë të pajtuar nga e majta për të larë hesapet ekonomiko-politike mes vetes. E ndërsa lëmshi i ngatërruar i krimit çmbështillej, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Theodhori Sollaku, në atë kohë mori në mbrojtje profesionale të akuzuarin që kishte porositur vrasjen e një biznesmeni. Një prej pretendentëve të kryesimit të Byrosë Hetimore që kërkon të ngrejë Rama, shkon në krah të mbrojtjes së krimit për arsye që nuk u bënë kurrë publike nga Rama. Sigurisht që mediat kanë zbardhur edhe në këtë rast kapjen e ish-Prokurorit të Përgjithshëm nga interesat e oligarkëve ekonomikë e që po kthehen edhe në oligarkë të krimit për shkak të pasurisë së tyre që e kanë vënë me ndihmën e shtetarëve të majtë. Atëherë ku po shkon mazhoranca, Rama dhe miqtë e tij?

Vetëm pak ditë më parë se skandali i vënies së bombës në makinën e ish-Prefektit të Vlorës që sot është Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, një skandal tjetër kaploi policinë e shtetit me emërimet e antarëve të bandës së Zani Caushit në krye të antidrogës në Vlorë. E kapur në befasi dhe në panik profesional, braktiset i punësuari në polici nga vetë të majtët që të mbrohet vetë, duke shënuar kështu një rast të rrallë kur policia nuk mbrojti dot atëherë shefin e antidrogës në Vlorë, pra një efektiv që mbante uniformën e saj. Për të mos përmendur dhe ripërmendur bëmat që fëmijë të zyrtarëve të lartë të PS-së kishin dhe kanë me veprat kriminale, me trafiqet e drogës deri edhe plagosje e vrasje.

Kjo është qeverisja e PS-së dhe këto janë ngjarje që nuk harrohen për shkak të rëndësisë dhe shpeshtësisë së tyre në CV-në e socialistëve. Në fakt këto mënxyra nuk ua veshi opozita dhe as që mund të shkonet në mendjen e saj të thurte të tilla ngjarje të çmendura e që për hir të së vërtetës nuk dolën hiç dhe aq të çmendura, por të vërteta. Këto ngjarje janë e vetmja “medalje” që ka varur në gjoksin e saj “gropë” policia dhe qeveria e PS-së. Asnjë vepër, asnjë vend pune, asnjë shërbim i përmirësuar, asnjë reformë të rëndësishme, asnjë dialog dhe bashkëpunim për statusin e vendit kandidat. Vetëm skandale dhe vetëm përlyerje e vullnetshme me krimin e organizuar që po bashkëqeveris Shqipërinë. Bravo “çunave” të “rilindjes”…

Please follow and like us: