Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: MOXHAHEDINËT E FUNDIT

 

Sapo e pashë dokumentarin e Sokol Ballës “Moxhahedinët e fundit”

Dalëngadalë, qysh nga kuadrot e para të filmit e deri në fund, shikuesit arrijnë të krijojnë një tablo të qartë për atë çfarë ka ndodhur me disa mijra iranianë të cilët më shumë se 20 vjet nuk e kanë prekur më atdheun e vet.

Të ndarë nga familja, trojet e të parëve, pa shtëpi e pa katandi, ata u nisën jashtë Iranit, në kalvarin e gjatë të mundimeve.

Afro gjashtë vjet më parë, ata e ndalën rrugëtimin e tyre në vendin tonë të vogël, mikpritës e dashamirës si gjithmonë, për të gjithë ata që patën nevojë,  për dorën e ngrohtë të shqiptarëve…!

E unë si qytetar i këtij vendi ndjehem mirë, ndjehem krenar për të gjithë ata njerëz që bënë të mundur ardhjen e tyre në Shqipëri dhe u dhanë mbështetje, strehë e përkrahje të gjithanshme që ata të integrohen tek ne e të jetojnë si njerëz të lirë.

Vitet kanë bërë punën e tyre e shumë nga luftëtarët e lirisë nuk janë më të rinj si dikur por ata i mban gjallë e ardhmja, shpresa për një jetë më të mirë, ëndrra e tyre e përjetshme, për ta parë Iranin të lirë e në rrugën e pakthyeshme të demokracisë.

Moxhahedinët, tashmë e kanë qytetin e tyre, një qytet i vogël, krejt i ri që i shtohet hartës së Shqipërisë.

Në atë qytet, sot jeton një komunitet krejt i veçantë, jetojnë afro 3000 njerëz të cilët kanë patur shumë ëndrra për jetën e tyre, të ardhmen e familjen e vet dhe ata edhe sot, pas shumë e shumë vitesh vazhdojnë e ëndërojnë për vendin e vet, me kokën e kthyer nga Irani i tyre, i paharruar.

Vetëm të dëgjosh vuajtjet dhe sakrificat që kanë bërë në vite, me gojën e tyre dhe respekti të rritet gjithnjë e më shumë, për këto njerëz të mirë që u ndoqën e u persekutuan nga rregjimi i mullahëve së bashku me familjet e të afërmit e vet.

Shumë prej tyre u vranë e u burgosën, në kampet e rregjimit më antipopullor që ka patur ndonjëherë Irani.

Në pamjet e dokumentarit «MOXHAHEDINËT E FUNDIT» nuk ka vetëm vuajtje, por ka edhe shpresë.

Aty pasqyrohet hapur, ndihma e pakursyer e vendeve demokratike të botës e veçmas ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Aty mëson se në Iranin e sotëm, një popull i tërë është ngritur në këmbe dhe çdo ditë e më shumë, me të gjitha mjetet, po i kundërvihet regjimit gjakatar të mullahëve.

Një ditë, me siguri populli iranian do të fitojë, do të fitojë liria e demokracia në Iran, do të fitojnë idealet e moxhahidinëve, idealet e luftëtarëve të lirisë.

E ndjej thellë në shpirt se po vjen pranvera e fitores e Miriam Raxhavi do t’i flasë popullit të vet në sheshin qendror të Teheranit.

E ndjej se atë ditë, do të ketë shumë dritë e shumë lule e në mesin e tyre edhe një tufë e vogël me tulipana, kushtuar popullit tim, Shqipërisë sime bujare e fisnike që hapi dyert për luftëtarët e lirisë të Iranit.

 

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE-USHC.

Tiranë, 30 nëntor 2018.

Please follow and like us: