Albspirit

Media/News/Publishing

ILIR ÇUMANI: NJË TJETËR CIKLON I AFROHET URAGANIT TË PROTESTAVE!

 

Një tjetër ciklon i afrohet Uraganit të protestave të studentëve…. Ajo e jelek – verdhërve në lidhje me rritjen e çmimit të naftës. Kryeministrit Rama i ka dalë situata nga kontrolli, e ka të pamjaftueshme kohën për t’i dhënë zgjidhje gjendjes së krijuar për shkak të keqqeverisjes së tij.

Ai, e kishte shansin dhe mundësinë, të gjithë kohën e mjaftueshme për të reflektuar dhe arsyetuar në këto vite të qeverisjes, për të dëgjuar dhe vlerësuar seriozisht zërin qytetar dhe atë të grupeve të interesit.

Të qeverisës me arrogancë e mëndjemadhësi duke e shpërfillur sovranin me cinizëm, është një shaka që nuk mund të përtypet lehtë, është një lojë e rrezikshme për çdokënd që mendon se ka fuqinë e një demoni dhe e ndjen veten i ZOT e të paprekshëm….!

Protesta e studentëve në vetvete, nuk është vetëm një revoltë e pakënaqësisë dhe e kushteve të vështira ekonomike që ata kanë, e jetesës mizerabël nëpër konvikte, e tarifave të larta të shkollimit të tyre, e korrupsionit dhe e mitmarrjes në universitete.

Është shumë më tepër se kaq! Është protesta e lakut të varfërisë që qeveria i’a ka hedhë në qafë popullit duke e rrjepur deri në qindarkat e fundit
.
Është protesta e prindërve, baballarëve dhe nënave, e gjysheve dhe gjyshërve, e motrave dhe vëllezërve të tyre, e të drejtave dhe lirive themelore që u janë shkelur e nëpërkëmbur hapur, për një jetë të dinjitetshme, për të cilat nuk kanë mundur tu dëgjohet zëri prej verbërisë dhe arrogancës së pushtetit dhe një qeverisje luksokrate.

Kjo që po ndodh sot, është protesta më e pastër dhe më e vërtetë, e një gjenerate të re, që i përket së ardhmes evropiane, kundër një të shkuare kriminale dhe nepotike, kundër një sistemi shoqëror të vjetër e të degraduar, e kalbëzuar nga krimi dhe korrupsioni politik dhe administrativ.

Studentët, sot janë grupimi më i madh komunitar që gëzojnë simpatinë dhe respektin e të gjitha shtresave të shoqërisë, ngase ata janë të pastër si kristali, janë të zhveshur nga të gjitha interesat e ngushta, nga kompleksit e inferioritetit dhe meskinitetit që i pjell një shoqëri dhe një politikë e bërë pisë dhe e korruptuar.

Ndaj, të dashur student, mos lejoni të përdoreni politikisht, shtrëngoni fortë njëri tjetrin dhe çojeni deri në fund kauzën tuaj të drejtë.

Askush nuk do të ketë fuqinë ta ç’bëj atë që sapo keni nisur. Askush nuk do të mund të shuaj dritën që do të ndriçojë të ardhmen tuaj të sigurtë, gjithmonë nëse ju do të rezistoni deri në fund të vendosur! Zoti Ju Bekoftë!

Please follow and like us: