Albspirit

Media/News/Publishing

Po sikur FBI-ja të kërkojë testin e drogës për Ramën?

 

 

Një fjalë e urtë popullore thotë se duhet të bësh kujdes me atë çfarë dëshiron, sepse mund ta gjesh veten padashje me dëshirën e plotësuar. Kjo i ndodhi Edi Ramës pak kohë pasi u tregonte shqiptarëve histori me “të fortë” dhe FBI. Është kaq i keq në të treguarit e historive apo sajimin e tyre sa nuk arrin të kuptojë se dëshira për ardhjen e FBI-së në Tiranë është fillimi i fundit për atë vetë. Sipas Ramës, vëllai i një zyrtari të lartë të FBI-së që vizitoi Tiranën ishte në burg falë hetimit të Byrosë Federale Investigative Amerikane që në drejtimin e vet kishte vëllain polic. Pra vëllai kishte futur në burg vëllain sipas barcoletës së shkurtër të Ramës dritshkurtër. Mirëpo kjo barcoletë i doli shumë e vërtetë ndër radhët e veta, me pak ndryshim, ku njëri vëlla Ministër dorëzoi vëllain tjetër vetëm që të mbante postin e që si përfundim nuk e mbajti dot. Mirëpo Kryeministri duhet që të dijë se nëse kjo është një histori e thënë në prezencë të tij nga vetë FBI, atëherë nënteksti është se kur nuk pyes për vëllain tim, për ty dhe Ministrat e tu jo e jo. Sigurisht që edhe për prokurorët dhe gjykatësit afër Ramës vlen e njëjta fabul. Atëherë Rama e ka kuptuar apo jo se çfarë po i bën vetes dhe Partisë Socialiste apo për arsye të dëndjes me viza të bardha nuk di se cfarë thotë?

Sot Edi Rama ka një problem të madh pasi shpreson se duke vendosur gogolin e Byrosë së Hetimit si strukturë mbi të gjitha të tjerat, ai mund të drejtojë dhe kontrollojë operacione arrestimesh si të opozitës kryesore ashtu edhe të atyre që dikur i ka patur aleatë, pra e thënë më shkurt edhe të vetë krerëve të LSI-së. Një perspektivë e tillë është e mundshme pasi të ketë arrestuar të gjithë opozitën dhe duke qenë se nuk do ta ketë atë nëpër këmbë të kthehet pastaj edhe kundër atyre ish-aleatëve që i hapin probleme. Një skenar të tillë vetëm një i droguar mund ta mendojë, ndërkohë që binjakëzimi i Byrosë së Hetimit me FBI-në amerikane nuk është një cështje që mund të intimidojë amerikanët që për shkak se Rama do u thotë se u hapi këtë rrugë duhet ta tolerojnë dhe ta falin.

FBI-ja amerikane është kaq e zgjuar sa të kërkojë fillimisht nga Rama dhe njerëzit e tij të afërt provat e ndershmërisë dhe pakorruptueshmërisë. Mirëpo cfarë rekordesh mund të paraqesë Rama kur ai është i akuzuar për përdorim droge dhe shumë më tepër? Po sikur FBI-ja të kërkojë testin e drogës për Ramën dhe të gjithë onturazhin kryeministror që me drejtuesit e tij të gjoja antikorrupsionit që u kapën me drogë dhe makinë me targa false diplomatike duke shkuar për në Kryeministri dhe soj e sorrollop? A mund të iamgjinohet se FBI-ja është një strukturë klienteliste, siç përpiqet ta paraqesë Rama, që do të tolerojë pushtetarët dhe do përndjekë opozitën? A nuk është kjo një cmenduri e padëgjuar e një Kryeministri që rrallë e di se cfarë thotë dhe më rrallë akoma se cfarë bën?

Po sikur kjo puna e FBI-së të përfundojë si ajo me armët kimike dhe të detyrohet në fund që të kërkojë prej amerikanëve që të braktisin misionin sepse do ta shohë se do përfundojnë në burg të gjithë qeveritarët dhe në fund edhe ai vetë? A do të hetojë FBI-ja pasuritë e Ramës, të vëllait të tij, të familjes së tij? Po pasuritë e Ministrave të tij? Këto pyetje janë vetëm disa nga ato që mund të bëjë cdo njeri dhe do të shtohen me kalimin e ditëve. E duke u kthyer me këmbë në tokë në realitetin tonë, nëse vazhdon kështu gjendja e krimit të shfrenuar në vendin tonë, në pak kohë do të kemi një “ushtri të vdekurish” që kërkojnë gjeneralin e tyre “shpëtimtar”.

Sigurisht që çështja e dekriminalizimit në politikë është parësore dhe shumë e rëndësishme, por kemi edhe fëmijë të vdekur, të tjerë që hidhen nëpër kanale dhe vetëvrasje shokuese që fshihen nga statistikat e “rilindasve”. Gjithandej vendi sot ka kufoma që ulërasin të gjejnë Ramën. Një ushtri e tërë qytetarësh të vdekur në shumë pak kohë që udhëtojnë në botën e përtejme pa e ditur se përse dhe pa i ndaluar kush. Janë këto viktima që po kërkojnë dikë t’u sqarojë se përse ikën nga kjo jetë kur vetëm pak vite më parë u ishte premtuar “rilindje”, begati, parajsë ekonomike, çdo gjë falas dhe mirëqenie e shkollim dinjitoz për fëmijët. Mirëpo në vend të ëndrrës së bukur morën si shpërblim vdekjen pa patur ndonjë faj. Më kot u përpoqën “rilindasit” me Ramën në krye të qetësojnë shpirtrat e të vdekurve me arrestime politike, me akuza ndaj ish Ministrave të Berishës, me ndjekje e shpallje në kërkim të UFO-ve anembanë vendit.

Të vdekurit nuk i shpëtoi asnjë magji e asnjë magjistari dhe nekrofili mediatik pranë mazhorancës. Jetët e tyre u hoqën me lehtësi që me rregjimin policor të ish- Sa(I keq) Tahimmlerit e deri tek ky “tekniku” i fundit. Pas fytyrave të vrerosura të një qeverie që i ka shpallur jetës luftë, nuk ka asgjë që të ngushëllojë shpirtrat e qytetarëve shqiptarë që votuan dhe nuk votuan “rilindjen”. Shumë nga bashkëqytetarët tanë tashmë janë nën dhe. Ne të tjerëve na mbetet vetëm të lutemi që të mos përfundojmë para kohe si ata. “Rilindja” u kushtoi shqiptarëve jo më vetëm shkeljen e përditshme të lirisë së tyre e dinjitetit të tyre, por edhe humbjen e jetës. Ky është fati që u ka rezervuar Rama njerëzve të thjeshtë dhe qytetarëve të ndershëm që besuan në “rilindje”. Një situatë e turpshme për një qeveri, për një Kryeministër dhe një Ministrie të Brendshme që vështrojnë nga larg se si humbin cdo ditë nga krimi i organizuar dhe papërgjeshmëria e qeverisë, jetë të shqiptarëve. E ndërsa sa ishin gjallë nuk patën vëmendje, viktimat kanë filluar të kërkojnë Ramën të thotë ndonjë fjalë tani që nuk janë më.

Ashtu si gjenerali i ushtrisë së vdekur, shpirti i të vdekurve në qeverisjen e “rilindjes” po kërkojnë clirim që të prehen në botën e përtejme. Shpirtrat kanë ngecur në botën e gënjeshtërt që premtoi Rama sikur kanë dëshirë të rrinë edhe pak që të vërtetojnë se “rilindasit” do bëjnë ndonjë të mirë. Por sa më shumë që shpresojnë për clirim, aq më shumë zhgënjehen edhe për së vdekuri pasi një turmë frenetikësh e të pazotë për të qeverisur po u shesin vdekjen cdo ditë shqiptarëve. Tashmë vdekja është kthyer në simbol real të “rilindjes”. Droga është parajsa e gënjeshtërt për shqiptarët dhe Rama padroni i “parajsës” shqiptare me sfond hekurat e burgut.

Please follow and like us: