Albspirit

Media/News/Publishing

Gjendet një dorëshkrim i i rrallë dhe pabotuar më parë i nobelistit hebre, Elie Wiesel

Një dorëshkrim i panjohur i nobelistit të paqes Elie Wiesel është gjetur së fundmi. Dorëshkrimi i pabotuar është zbuluar pas një kërkimi 4-vjeçar dhe vjen pikërisht në përvjetorin e 90-të të lindjes së tij. Dorëshkrimi prej 22 faqesh është gjetur në Qendrën për Studime Hebreje, e themeluar nga vetë shkrimtari. Teksti prej 12 mijë fjalësh në total është shkruar kur Wiesel ishte 19 vjeç dhe sapo kishte dalë nga kampi i përqendrimit Buchenwald.

Në shkrim flitet për asketizmin. “Çfarë është asketizmi? A është të heqësh dorë nga vullneti apo nga fuqia e imagjinatës?”. Kështu nis dorëshkrimi, ndërsa më vonë shkrimtari konkludon se “jo refuzimi i jetës, por pastërtia e jtës është asketizëm”.

Leximi i tekstit të shkruar shumë vite më parë zbulon se Wiesel kishte njohuri të Biblës në përgjithësi dhe identitetit e personalitetit të figurave biblike, në veçanti, një ekspertizë që në vitet e mëvonshme do të ishte baza e gjashtë librave të tij.
Interesi për asketizmin vazhdoi të preokuponte Wiesel për shumë vite të ardhshme. Në pasazhin e parë të kapitullit “Udhëtimi” në autobiografinë e tij, ai shkruan: “Unë kisha ëndërruar të vizitoja Indinë, i tërhequr nga ajo, jo nga dëshira për të takuar ndonjë maharaxha, por njerëzit e mençuar, mjeshtrat e jogës dhe asketët, sepse kurrë nuk e kisha braktisur projektin tim për vitet e Shushanit, studimi im mbi  asketizmib hebraik. Pse të mos e krahasojmë atë me asketizmin hindu, duke e krahasuar idenë çifute të shpagimit me konceptin hindu të Nirvanës?”.

Eliezer Wiesel (30 shtator 1928 – 2 korrik 2016) ka qenë shkrimtar hebre, profesor, aktivist politik dhe një prej të mbijetuarit të holokaustit. Ai ka shkruar 57 libra kryesisht në frëngjisht dhe anglisht, përfshirë “Nata”, një vepër e bazuar në përvojat e tij si i burgosur në kampet e përqendrimit në Aushvic dhe Buchenwald.

Krahas krijimtarisë letrare, Wiesel ka qenë profesor i shkencave humane në Universitetin e Bostonit dhe ka themeluar Qendrën Elie Wiesel për studime hebraike. Ai ka dhënë kontribut në themelimin e Muzeut Memorial të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara në Uashington. Në aktivitetet e tij politike, ai gjithashtu bëri fushatë për viktimat e shtypjes në vende si Afrika e Jugut, Nikaragua, Kosova dhe Sudani. Ai e dënoi publikisht genocidin armen 1915 dhe mbeti një mbrojtës i fortë i të drejtave të njeriut gjatë jetës së tij. Los Angeles Time e ka cilësuar si “Hebreu më i rëndësishëm në Amerikë”.

Wiesel u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1986. Ai ishte anëtar themelues i Fondacionit të të Drejtave të Njeriut në Nju Jork dhe mbeti aktiv gjatë gjithë jetës së tij.

Please follow and like us: