Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Ferri: Pa lejen e Zotit



1.
Në Ishullin e marrëzirave, të famës së rrejshme, shtrihet vendlindja e Bjeshkëve të Nemuna.
Aty rrufeja vret edhe pa lejen e Zotit.
Në krahun e ëndrrave mashtruese, duke pritur më shumë se dy mijë vjet, pse moj të besoj?!
Ekziston dhuntia e besimit.
Legjenda e Bjeshkëve të Nemuna është legjenda më e lashtë.
Brenda asaj legjende ka një magji dhe një të vërtetë.
Ndoshta është vetë natyra.
Gjatë rrotullimit të tokës, jeta është valë uji mbi det.
Shpresoj se fillimi na pëlqen.
Edhe kur jemi në qejf vazhdon qetësia.
Pritja është diçka tjetër.
Duke pikturuar natyrën, të mos harrojmë ku ishim.
Të zbulojmë se ku po shkojmë.
Ku të kthehemi.
Ku të ikim.
Këtë kërkesë shpirtërore e dija, por nuk i besoja.
Më mirë të mendoj diçka tjetër.
Nga goja ime nuk duhet te dalë kjo faqe e zezë.

2.
Lindja ime është diçka më shumë se një frymë-marrje.
Me të kaluarën që nuk harrohet çka të kërkoj kur asgjë nuk ka më vlerë.
Lindja ime ka qenë lindje nga gryka e pushkës.
Pas Luftës së Parë, pas Luftës së Fundit.
Nga Plava e gjysh pas gjyshit shkuam në Shkodër. Nga Shkodra në Tropojë. Nga Tropoja e nanës në Kukës. Nga Kukësi ku unë kam lindur, im atë, për ta hapur shkollën shqipe shkuam prapë në Plavë. Nga Plava, me nënën shkuam në katundin e tezës Razë, në Babaj të Bokës. Nga Babajt e Bokës në Gjakovë.
Duke kërkuar kohën time, shkova në Pejë. Nga Peja në Beograd. Nga Beogradi në Paris. Nga Parisi, ku nuk e gjeta veten si francez, zbrita në Prishtinë.
Aty u ndala.
Isha i ri.
Për të zbuluar e gjetur vetveten në Prishtinë takova një studenteshë.
E ndala.
Ajo vajzë nuk kishte shoqe të dytë.
As tani s’kam si të mendoj ndryshe.

3.
Për ta përjetuar ngrohtësinë e Atdheut, pas vdekjes së Enver Hoxhës kalova nëpër gegninë e gegëve.
Nëpër toskërinë e toskëve.
Të gjitha ato takime, histori, shëtitje tani a janë kujtimet e mia?!
Nga inati nuk po më vjen të them se të gjitha ato takime nuk e kishin ngrohtësinë e njëjtë.
Edhe pse të gjithë ishin lindur e rritur nga prindërit shqiptarë.
Në disa shtrirje atdheu për ta ishte pyetje e lehtë.
A ka kush të ma tregojë arsyen?
Nuk dua të çmendem.
Ishim ilirë.
A jemi ilir?
Ishim Albania Veneta.
A jemi Albania Veneta?
Ishim Albania Bizantine.
A jemi Albania Bizantine?!
Ishim Albania Turka.
A jemi Albania Turka?!
Ishim e ishim, e ishim…
A jemi e kush jemi e ku po shkojmë?!…
Për t’i shëruar plagët, njeriut nuk i duhet më shumë se kaq.
Kjo frikë vlen për të gjithë.
Për të shpëtuar nga vetvetja, përpara prapë më doli:
– Lumi.
– Deti.
– Oqeani.
– Dhe prapë lufta.
– Lakmia.
– Vrasja.
– Tradhtia.
Për t’i harruar kufijtë e paqartë të tragjedive të përditshme, dhimbja e njerëzve e humb kuptimin.
Në pasqyrën e fatit na del një zemër që hapet e mbyllet me çelës.

4.
Pse lehin qentë?
Kur nuk dijmë se çka të bëjmë.
Kush jemi?
Duhet të durojmë.
Edhe atëherë kur nuk jemi kurrkund.
Përse mos të bie nata.
Ndoshta nuk është keq.
Jeta është garë e një ëndrre të shkurtër.
Nëse nuk kemi kohë dikush tjetër mund ta ruajë qetësinë.
Në këtë botë të rrejshme gjithçka të bën për jetën.
– A ta vrasim naivitetin?
– Ndoshta nuk kemi të drejtë.
– Po të dalim nga lëkura, ku do të shkojmë?… – e pyeta veten.
Atdheu im torzo nuk mund të mendohet as si kohë e shkuar e as si kohë e tashme.
Koha e tashme nuk është aspak më e mirë se koha e shkuar.
Hap pas hapi prapë na vjen një luftë tjetër.
Për historinë e pashkruar ajo luftë peshon më rëndë se malet e Bjeshkëve të Nemuna.
Me nostalgji e pa nostalgji duke mos lënë asgjë pas vetes.
Jo me njerëz, por afër tyre.
Nuk shkohet më në luftë.
Gjatë luftës unë e kam luajtur rolin e humbësit.
Rolin e Don Kishotit.
Dhe rolin e zjarrfikësit në pension.
Mendoj se rolin e Don Kishotit e kam luajtur si të ishte Don Kishoti shqiptar.
Tani radhën e kanë artistët me zemër e pa zemër.
Fund e krye me famë të rrejshme.
Në fotografinë e parë i shohim krah për krah me armikun.
Në fotografinë e dytë, për një cigare drogë, kërkojnë një minutë pushim.
Në fotografinë e tretë, duke kaluar mbi Urën e Shenjtë, nga paturpësia e tyre thonë:
– Ura po dridhet!…

5.
Më lini pak vetëm.
Tani na doli një patriotizëm dinak.
Për njerëzit qesharak.
As të lindur, as të përgatitur për patriot sojli.
Duke mbledhur para me thes, të gjithë vrapojnë pas famës së rrejshme.
Takimet me ta nuk kanë kuptim.

Në ato takime ka vetëm gënjeshtra që janë të turpshme, që na shiten shtrenjtë.

Për vijën e hollë mes vetullave, me respekt për jetën, para zbritjes në Hënë, një këshilltar amerikan i oborrit tonë mbretëror, para dhjetë dite ka dhënë dorëheqje duke thënë se nuk dëshiron të jetë pjesëtar i tradhtisë historike që po e bëjnë patriotët shqiptarë.
Nga kjo etnografi kush mund të na sigurojë qetësinë e fjalës besnike.
Sot koha është një ditë me ngjarje të shpejta si magjia mashtruese me letrat e bixhozit.
Në të gjitha kombinimet çudia është magji. Unë i jam mirënjohës edhe kur e kam larg.
I kujt është ky varr? Zotëriu që nuk i bëhet vonë për asgjë më tha:
Kjo tokë është e gjithkujt dhe e askujt. E vërteta vetëm pas vdekjes flet.6.
Gjatë viteve kur isha student në Beograd, nga pyetjet që nuk mora përgjigje, shtatë vjet në ditarin e rinisë nuk kam shkruar asnjë poezi.
Ndërrimi i rrethit, ndërrimi i vendit më duket se për mua ishte me fat.
Një ditë profesori im Rajku më tha:
– Ferri, ju atje poshtë jeni kush jeni bashkë? Ju, shqiptarët me serbin lak rreth qafës. Serbi me ju shqiptarët lak rreth qafës. Ku ta di, ndoshta frymëmarrja bizantine po u mban gjallë.
Unë profesorin tim e shikova dhe qesha.
Ai sinqerisht vazhdoi rrëfimin:
– Këtë histori nuk e di sa e kupton? Më mirë është të besosh! Njeriu duhet të jetë mbrojtës i fatit të vet.
Tani po më vjen ta kuptoj shumë më qartë profesorin tim.
Historia nuk shihet dhe nuk lexohet menjëherë.
Më vjen keq që e humba përgjigjen.
Shtatoren e heroit të panjohur vetëm ne shqiptarët ende nuk e kemi.
Na duhet të presim.
Emrin e atij heroi e kemi nëpër shekuj të humbur.
Kjo vepër arti kërkon kohë.
Në Rrafshin e Kosovës, gjatë luftës së fundit, hasmi i droguar provoi ta dhunojë edhe një vajzë të vrarë.
Një virgjëreshë të vdekur.
Vajzat e gjalla kishin ikur.
Nuk kishin ku të kthehen.
– Hyr!
– Ku të hy?
– Në varr! – tha një vajzë me shtatë plagë te pragu i shtëpisë.
– Kush do të qajë për mua? – më pyeti!
Fati i saj i zi i kishte dy kohë…

7.
Për të ecur ku janë ligjet?
E mandej këmbët…
Hasmi është duke na shikuar.
Çfarë vlere kemi.
Për ne nuk ka as ligje as ndalesa. Prandaj po flasim për gjithçka. Mos harroni të përfshini në mesin e gjithçkaje emrat dhe eshtrat e të pagjeturve.
A ka edhe secrete që nuk do t’i kemi të njohura kush ka guxim të pyet.
Si ta kthejmë besimin?
Si ta shpëtojmë fytyrën?
“Po shkelim në gjak deri në gju dhe s’ka më lot”. Bekim Fehmiu e shprehu epikën: “Njeriu këndon pas luftës”.

8.
Duke luajtur e duke u tallur me errësirën, neve shqiptarëve kurrë nuk na bëhet vonë.
Vetëm ashtu mendojmë.
Ndoshta kemi të drejtë.
Asnjëherë nuk kemi qenë më të çmendur.
Me një të gjallë e një të vdekur, kur u ndala ishte vonë.
Më thanë:
Vizatoje një hartë me një të tretën e Bjeshkëve të Nemuna.
Thashë:
Jo!
As për mikun e as për hasmin, jo!
Për muhabetin në çarshi gjejeni dikë tjetër.
Nga e zeza që shkon vesh më vesh, pritni pak.
Dëgjojeni frymëmarrjen e hapave të heshtur.
Me të ardhmen e me të shkuarën përballuni çdo ditë.
Jo për ëndrrat e mia, por me vetveten.
Tani po më kujtohen gjërat që kanë ndodhur dhe ëndrrat që e kanë humbur rrugën.
Në ato ëndrra ka diçka shumë më të madhe se hëna e madhe artificiale.
Për të kisha dëgjuar edhe para lindjes sime…

9.
Me nëntë plagë të Gjergj Elez Alisë, shtatë vjet e shtatëdhjetë e tetë ditë luftë pa fitues, luftë pa humbës.
Flamuri i kujt po valon?
Ka mundësi të jemi edhe… edhe…
Koha nuk po pret që t’i themi të gjitha.
Në barakat e morgut të Spitalit të Prishtinës ende i kemi thasët e zi të plastikës me eshtrat e të vrarëve pa emra.
Pyetja e fundit është:
Edhe sa janë të pagjetur, të humbur e të pavarrosur, si njerëz?
Emrat e tyre dikund janë.
Jo të fshehur, por për arsye të turpshme një faqeziut i thashë:
– Ti je njeri i madh, por pse mban edhe kapelë me madhësi aq qesharake?!…
Ai më tha:
– Ndryshe nuk po ma qet! Edhe kur i hudhi plehërat dëshiroj të jetoj afër mbretit. Tani si shpëtohet fytyra as unë nuk e di. Nga zemra e plastë po më vjen e kaluara e humbur që po më mban gjallë. Për të mirë e për të keq. Para meje lakuriqët e natës fluturuan shpejt, edhe pse ata thuajse janë të verbër…
Duke menduar se kush jemi e ku e humbëm ëndrrën, rrëfimet e jetën i pashë si një shans që fillon dhe mbaron larg dhe afër.
Nga patologjia mashtruese nuk pashë asgjë më shumë se jetën tonë pikë e pesë.
Deri në perëndim të diellit futjani lapsin.
Askush nuk ju pyet për asgjë.
Mentaliteti ka lëvizur.
Mes shqiptarëve, pajtimi zgjati vetëm një ditë.
Le të paraqitet ai që pati sukses të na pajtojë.
Një ditë… Një ditë…
Kurrë nuke mora vesh pse i bëmë gjithë ato luftëra.
Në kërkim të njeriut, jeta të çon gjithkund.
Tani nuk ka rrugë që na merr, as valë që na kthen.
Rreziku po na pëlqen.
Edhe kur humbim nuk besojmë.
Në faqet e para të gazetave dhe në televizion.
Për ta fshehur historinë nga historia.
Atdheu im torso është adresa e gjakut të derdhur deri në gju.
Për ta kuptuar vajin e burrave.
Si mendim, vetëm si mendim është i tmerrshëm.
Sa është tragjike nuk mund të jetë e vërtetë.
Dhimbja të mbetet mes nesh.
Kuptojeni kohën dhe merrni aq sa e ardhmja juaj kërkon.
Vaji i burrave nuk është as teatër imitimi, as vaj me lot krokodili, as vaj me lot skleroze.
Mos më besoni!
Më lini vetëm.
Fytyrës i ka ikur ngjyra.
Syve u ka humbur shikimi.
Gojës ju ka mbyllur goja.
Pa ndonjë arsye tjetër.
Sa është tragjike vetëm shpirti e di!…

Please follow and like us: