Albspirit

Media/News/Publishing

Vonohen pagat e administratës, por s’ka asnjë protestë

Edhe pse data shënon 10 janar një pjesë e mirë e punonjësve të administratës ende nuk kanë marrë pagat. Janë rreth 36 mijë mësues që ende nuk kanë marrë pagat e dhjetorit, ashtu si edhe ata të shëndetësisë e albanologjisë. Ministria e financave shpjegon se nuk ka asnjë vonese në kalimin e fondeve nga thesari, por ngërçi qëndron në faktin se institucionet kanë dorëzuar me vonesë listat e punonjësve.

Punonjësit e administratës ende nuk kanë marrë pagat edhe pse duhej t’i merrnin ato në datën 3 janar.

Në këtë mënyrë një pjesë e institucioneve midis të cilëve punonjësit e arsimit, albanologjisë apo të policisë ende nuk janë paguar për muajin dhjetor. Ministria e Financave sqaron se problemi ka ardhur nga vetë institucionet të cilat për shkak të pushimeve kanë dërguar me vonesë listën e punonjësve.

Ndërsa sqaron se thesari funksionon normalisht dhe nuk ka asnjë problem me kalimin e fondeve. Vonesa në kalimin e pagave për administratën është një problem që përsëritet thuajse çdo vit në Shqipëri në janar. Por gjatë këtij viti problemi qëndron edhe në faktin se Ministritë e linjës nuk kanë përcjellë ndarjen e detajuar të buxheteve të tyre, çka pengon hedhjen e rrogave të punonjësve.

Sipas sqarimit të ministrisë thesari i shtetit nis punën menjëherë pas pushimeve zyrtare ku edhe nis hedhja e pagesave. Dy ministritë që kanë institucionet më të shumta pa marrë ende pagat janë shëndetësia dhe arsimi, por kjo vjen edhe si rezultat i numrit të lartë të punonjësve që ata kanë.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë bën me dije se në vend janë rreth 36 mijë mësues të cilët ende nuk kanë marrë pagat e dhjetorit ndërsa thekson se arsimtarëve nuk iu është dhënë asnjë shpjegim konkret.

Please follow and like us: