Albspirit

Media/News/Publishing

E Çmendura N vajton për serverin e Fevziut

E Çmendura N e kryeqytetit, vajtoi plot 33 minuta, në sheshin e rindërtuar Skënderbej, me një zë të dhimbshëm, që të këpuste shpirtin.

-Pse qan o e çmendur, – e pyeti nënkryetari i bashkisë, Arbër Mazniku, që mban arkën me kontribute të ndërtuesve oligarkë.

– Qaj o para-mbledhës, për Fevziun tonë të dashur, qaj se i ka ndodhur një gjëmë e madhe.

– Çfarë ka ndodhur? – pyeti Mazniku gjithë kureshtje.

– Si se ke marrë vesh o paralli?! Si se ke marrë vesh, se ka rënë serveri i opinion.al?! I madh dhe i vogël e di këtë gjë në Shqipëri. Fevziu mbushi tre ditë pa server. As ha, as pi, vetëm vjen vërdallë dhe i bie kokës me grushta. O server, o server, – thotë herë pas here dhe bam kokës.
Mos i bjer asaj koke ashtu, se e ke dhe lakuriq,- i thash o Maznik. I thash se mu dhimbs shumë.

– Po si ra? Kush e rëndoi këtë server që ra?! – pyeti Mazniku

– E mor Maznik, mor bir, paraja ti paska trashur të gjitha, të paska trashur dhe shqisat. Si ra thotë? Siç ra serveri i madh i llotarisë amerikane, ra dhe serveri i Fevziut.
Si mund të bjerë serveri i amerikës dhe të mos bjerë serveri i Fevziut o ditëzi?!
Amerikës vetëm një herë i ra, Fevziut i ra plot tri herë brenda një nate. Gjithë Klani kaloi në gadishmëri numër dy.
Në fillim unë mendova, se kur ra serveri i madh i llotarisë amerikane, llotokërkuesit e botës, ju lëshuan serverit të Fevziut…
Unë për ta ndihmuar, i thashë, – Dëgjo or mik! Shiko mos të ka hyrë llotaria amerikane në server dhe ta ka rënduar?

– Ç’flet o e çmendur, – më tha Fevziu, unë kam trafikun tim. Si mund të depërtojë llotaria amerikane, me atë trafik që kam unë? Pastaj ne kemi llotaritë tona, çdo të dielë. Ku të lë Sandri të hyjë llotaria e Amerikës në serverin tonë?

-Dëgjo o zonjë e çmendur! Lëre serverin, po mu përgjigj një pyetje të fundit që kam, – tha Mazniku.

– Hë, – i tha e çmendura, se vetëm me pyetje dhe para të është mbushur koka. Ç’pyetje ke?

– Di gjë ti e çmendur, kush është personi që, para disa vjetësh, i çoi valixhen plot me para Fevziut, për ta blerë për një televizion tjetër? Dëgjova dje Fevziun, që e tha këtë gjë në pasditen e Top Kanalit. Di gjë ti?

– Po ta them po mbaje për vete, – i tha e çmendura N. Fevziu tregon shumë të vërteta që kanë ndodhur me njerëz që kanë vdekur. I tregon me shumë ndershmëri këto të vërteta. Është shumë i lehtësuar se nuk ka edhe dëshmitarë. Valixhen me para, e ka për të ndjerin Tanin e Topit. Po të këtë vdekur tjetri, Fevziut i vjen një kujtesë e tmerrshme, që nuk e ka asnjë qënie njerëzore mbi tokë dhe kur i vjen, tregon jo vetëm ngjarje që kanë ndodhur, por edhe të gjitha ato ngjarje që s’kanë ndodhur dhe s’do të ndodhin kurrë.

– S’ka mundësi,- i tha Mazniku i Bashkisë.

– Ka, – i tha e çmendura N, nuk e ke parë sa shpejt i shkruan Fevziu biografitë e atyre që kanë vdekur? Thonë që ka mbaruar edhe nja dy të këtyre që nuk kanë vdekur akoma. Sapo të vdesin, ja kalon Henri Çilit për botim…

– Ika, se ti çmend dhe të çmendurit, – i tha Mazniku i kullave te oligarkëve dhe shpejtoi hapin drejt bashkisë…/TPZ.AL/ 

Please follow and like us: