Albspirit

Media/News/Publishing

Pompeo: SHBA tërhiqet nga Traktati i Forcave Bërthamore

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara do t’i pezullojnë obligimet e tyre me Traktatin për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme, nisur nga 2 shkurti. Duke folur të premten, Pompeo tha se Uashingtoni do ta njoftojë zyrtarisht Moskën se SHBA-ja do të tërhiqet nga traktati për gjashtë muaj. Pompeo u tha gazetarëve në Uashington se SHBA-ja mbetet e hapur për negociata me Rusinë për kontrollin e armëve. Ai tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do një marrëveshje që është e verifikueshme dhe e zbatueshme. Pak kohë pas njoftimit të Pompeos, aleatët e NATO-s lëshuan një deklaratë, duke thënë se “e mbështesin plotësisht ” vendimin e SHBA-së për t’u tërhequr nga traktati. Uashingtoni ka paralajmëruar që disa muaj se do të dalë nga marrëveshja në fillim të shkurtit, nëse Rusia nuk e shkatërron një lloj rakete për të cilën SHBA-ja thotë se e shkel marrëveshjen. Rusia e mohon se raketa në fjalë, 9M729, e shkel Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme. Traktati SHBA-Rusi, i cili daton nga Lufta e Ftohtë dhe ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës./rel/

Please follow and like us: