Albspirit

Media/News/Publishing

KEQKUPTIMET MIDIS SHKRIMTARIT DHE KOHËS SË VET

 

Varret me kurora lulesh
Libri “Ftesë në studio” është një hartë piratësh në kërkim të thesarit, ku autori shënjon gjithë paraardhësit e vet letrarë , të cilët janë edhe gjuhë, edhe  vend,  edhe kohë.

…Me idenë e vdekjes njeriu njihej herët në Gjirokastër, për shkak të zive të gjata që mbaheshin. Pothuajse çdo shtëpi kishte orën e vajit, kur kujtoheshin të ikurit.

Ngjyra e zezë dhe lulet e kanë shoqëruar këtë ide në mendjen time qysh në kohën që kuptova se njerëzit në këtë botë ishin të përkohshëm. Por lulet, ndonëse qenë të rralla në këtë qytet, qenë zotëruese kur flitej për vdekjen. Kjo vinte, me sa dukej, ngaqë varreza e qytetit thirrej “Vasilikua”, për shkak të borzilokut. Eh, siç duket, jam nisur për Vasilikua, thoshin plakat midis dy psherëtimave. Kur të vete në Vasilikua. Mos u mërzit, se do vete në Vasilikua. Do të shihemi në Vasilikua. Ishin fraza aq të zakonshme në jetën e përditshme, saqë, në fëmininë e hershme unë kujtoja se një pjesë e njerëzve shkonin vetë atje, me këmbët e tyre dhe pastaj se si ndodhte që mbeteshin midis luleve e s’ktheheshin më. Më pas kuptova se, ndonëse ashtu thoshin, askush nuk shkonte me këmbët e veta, por i çonin të tjerët.

Nganjëherë, në arkivol u vinin edhe dylbitë, dhe mua më dukej se që nga varret ata vështronin tani me dylbi qytetin, ashtu si të gjallët vështronin varrezën. Nganjëherë, kur në hapësirë kishte farfurima drite, më dukej se ato përthyerje s’ishin veç kryqëzimet e vështrimeve të të dyja palëve.
Kur isha katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vjeç, më dukej mosha mbi njëzet vjeç tepër e mërzitshme. Vetë fjala “njëzet” më ngjante se ishte ngjizur me mërzi dhe fillim pleqërie.
Kur isha njëzet e dy-njëzet e katër vjeç, ndonëse shqyhesha gazit me marrëzinë e parë, isha i bindur se, sidoqoftë, koha më e mirë për një shkrimtar për të vdekur ishte aty nga tridhjetë e një-tridhjetë e dy vjeç. Kur e mbërrita këtë kohë, ideja ime për moshën pësoi një trandje njëherë e përgjithmonë.

Ishte pak a shumë në atë kohë që e ndjeva së pari se shkrimtari ka dy jetë krijuese, një të gjatë e monotone e një tjetër të shkurtër si shkreptima. Që shkrimtari është, gjithashtu, dymoshës (mosha fizike e tij dhe mosha e famës ose, së paku, e kujtimit të tij, qoftë edhe me një famë gjysmë të shuar), këtë e dija qyshkur. Ajo që zbulova ishte tjetër gjë dhe pikërisht që kjo dymoshësi ose, më saktë, mosha e tij e dytë, ajo e madhja, është dhe një nga shkaqet e keqkuptimeve midis shkrimtarit dhe kohës së vet.
Keqkuptimet janë të pashmangshme, po të kujtojmë se kur një njëzetvjeçar e ka vështirë të merret vesh me një tetëdhjetëvjeçar, si do ta ketë të lehtë të kuptohet me një tetëqindvjeçar (që është mosha mesatare për shkrimtarin e shquar) e aq më shumë me një dymijëvjeçar (moshë mesatare e të mëdhenjve)?
E keqja është se qysh se është gjallë (domethënë në moshën e tij të parë), shkrimtari e ndien moshën e dytë. Ai ndien peshën e saj, lumturinë, trishtimet dhe gjithçka tjetër të saj, që, duke qenë të përmasave të tjera, ngjajnë të mbikësojetshme.
Ai është dyzet vjeç, por një zë i brendshëm i thotë: në të vërtetë, ti je ende dy vjeç, kështu që sipas kalendarit tjetër, atij të dytit, ti ke ende një mijë e katërqind vjet për të jetuar. Por në moshën e dytë të shkrimtarit kalendari mund të ecë mbrapsht, domethënë shkrimtari, me kalimin e viteve, në vend të plaket, mund të rinohet edhe më.
Të gjitha këto sjellin në jetën e shkrimtarit një tjetër ajër e tjetër klimë nga të tjera zona. Që e gjithë kjo të shëmbëllehet me punët hyjnore, çka edhe shpesh është bërë, gjithashtu është e kuptueshme. Më shumë se një vetëmburrje e shkrimtarëve, ky hyjnizim i punës së tij ka ardhur nga vështirësia për të shpjeguar të fshehtën e dy kalendarëve.
Shkrimtari, do ose nuk do, është detyrimisht një tjetër. Shqisa e dëgjimit të tij ka tjetër ndërtim, kështu që kur ajo shqisë kap më mirë fëshfërimën e barit, sesa zhurmën e një lufte që ndodh pak më tej, nuk duhet qortuar para kohe. Pas një mijë vjetësh (e ai është gjithmonë i gjallë e përgjigjet për të), ajo fëshfërimë bari mund të jetë më e fuqishme, më e kuptimshme, dhe mund të ketë arsyen e të qenit më të fortë se katastrofa që ndodhi aty pranë.
E njëjta gjë mund të thuhet për sytë e shkrimtarit, që herë janë më tejshikues se thjerrëzat e Galileut e dallojnë tmerre e mrekullira, që asnjë sy njerëzor s’i ka parë, e herë janë më të verbër se vështrimi i rapsodëve. Por shpesh qëllon që njerëzit rrotull shkrimtarit nuk duan të dinë për këto. Ata nervozohen, përpiqen t’i mbushin mendjen shkrimtarit se ai është si ata, se ka të njëjtët veshë, të njëjtët sy e, pa dyshim, të njëjtin tru. Ti je si ne, ulërin turma, kot përpiqesh të hiqesh si fantazmë, ndaj eja midis nesh, ulu, përulu!
Por shkrimtari, pavarësisht nga nervozizmi i turmës, është i vetëdijshëm se i përket një tjetër race. Ndaj, me mospërfillje dëgjon thirrjet, zhurmën, kërkesat dhe marrëzinë e saj.
Të gjithë kërkojnë prej tij të pamundurën. Koha i parashtron kërkesat e saj. Kombi lyp tjetër gjë. Gjysma e kombit matanë kufijve, tjetër. Viti 1999, të tjera. E kështu me radhë: brezat pas vitit 2200, një luftë e mundimshme e ardhshme dhe fatale, një tërmet, një provë e fundit.
Ata ia kërkojnë të gjitha këto, duke i ofruar atij sharje ose kurorë, dëshirojnë ta bëjnë hero, martir, skllav ose president të shtetit. Dhe kur ai bën “jo” me kokë, zemërohen më keq.
Është shumë i lodhur për t’u shpjeguar se për një njëmijepesëqindvjeçar të gjitha këto janë qesharake. T’u shpjegojë se barra e letërsisë ka qenë tepër e rëndë dhe plotësisht e mjaftë për ta kërrusur përgjithmonë. T’u thotë se shi për këtë e për asgjë tjetër kishte ardhur në këtë botë: të ruante tempullin.
Ndaj për atë tempull ai është gati të mos i bindet askujt.
Zhurmës së tyre së shumti nuk i përgjigjet, por kur qëllon që ata kapërcejnë çdo kufi, si murgjit e dikurshëm që përballë sulmit të satanait nxirrnin kryqin, ai nxjerr kalendarin e tij të dytë.
Në kalendarin e dytë ka tjetër qiell dhe të tjera stinë. Edhe brenga dhe lodhja, atje janë të tjetër përmase. Ndërrohet ujët në det e ti duhet të jesh po ai. Ndryshken thonjtë e tigrave, verbohen shqiponjat, dhe ti prapë je po ai. Një mërzi prej Agasferi të kap dhe ndoshta vjen një ditë që edhe ti si ai t’i lutesh Zotit të të japë pushimin. E nëse mëkati i të shkruarit gjykohet më i madh se ai i Agasferit, prapëseprapë edhe për të do të ketë një afat, sepse edhe ti, si gjithë bota, ke nevojë një ditë të pushosh…
Vizita në studio është në fundin e saj. I zoti i shtëpisë donte të tregonte, midis të tjerash, një copë hekur që gjendej midis rrangallave të tjera në bodrumin më të thellë të shtëpisë së lindjes, atë që quhej “hapsanë”. Thuhej se ajo masë hekuri në formë gjyleje kishte rënë nga qielli.
E ka kërkuar më pas dhe nuk e ka gjetur, madje do të besonte se ishte krijim i fantazisë së tij, nga ato lindje paradoksale që ndodhin sipas kalendarit të dytë. Mirëpo të gjithë njerëzit e shtëpisë dëshmonin se e kishin parë atë hekur.
Mendja atëherë i ka shkuar se mos ndoshta kjo ka qenë pjellë e përbashkët e fantazisë së fisit, qysh se njohja (fama) dërgoi shenjat e saj të para në këtë shtëpi, s’kishte rëndësi nëse ishin në formë çorapesh të bukura ose librash, që njëfarë Ismail Kadare do t’i vishte në vitin 1890, ose do t’i shkruante më 1990-n.
Kështu, pra, vizita në studio, e cila mund të quhej edhe ftesë në një seancë kryqëzimi, po merr fund. I zoti i studios beson se ka folur mjaft, por, me sa duket, jo aq sa muza ta ndëshkonte duke ia marrë gojën, siç bëri zana me malësorin e dikurshëm. Kjo do të thotë se nuk e ka shkelur paktin dhe se të fshehtat e thella, të fshehtat e tij të thella me të, nuk i ka zbuluar.
Ndoshta vizitorët mund të jenë jo fort të kënaqur. Kureshtja e tyre ndoshta mund të mos jetë plotësuar dhe, veç kësaj, në kokë mund të kenë një marramendje të lehtë, thua se në kafet e tyre është hedhur pak opium.
S’ka asgjë për t’u çuditur, sepse çdo gjë mund të ndodhë në studion e shkrimtarit.
Tiranë, pranverë 1990

(Pjesë nga: Kadare, “Ftesë në studio”)

Please follow and like us: