Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-kryeministri i parë demokrat, Aleksandër Meksi mbush 80 vjeç

Aleksandër Meksi, mbush 80 vjeç. Ai është kryeministri i parë i një qeverie demokratike në Shqipëri.

U lind në Tiranë më 8 mars 1939, i biri i Gabriel Meksit (1894-1958) dhe Efigjeni Haxhistasës (1912-1983), i ati ishte nga Labova dhe ishte mësues historie ndërsa e ëma nga Berati.

Ka kryer studimet universitare në degën e ndërtimit në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetin Shtetëror të Tiranës (1955-1959). Në vitet 1960-1962 punoi në hidrocentralin e Shkopetit, ndërsa në vitet 1962 – 1987 punoi në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Në vitin 1965 ka kryer specializim (6 muaj) në “Scuola di perfezionamento per lo studio e il restauro dei monumenti” pranë fakulteti të arkitekturës të Universitetit të Romës. Në vitet shkollore nga 1974 -1977 ka dhënë lëndën e Historisë së arkitekturës në Degën e ndërtimit në  UT. Ndërsa në vitin shkollor 1989-1990 ka qenë pedagog për dy lëndë (ushtrime e seminare-në semestrin e parë) në Universitetin e Marburgut. Aktiviteti kërkimor dhe ai për gjurmimin dhe restaurimin e monumenteve është pasqyruar në dhjetëra artikuj dhe monografi si autor i vetëm apo dhe si bashkautor. Mban gradat shkencore Kandidat i Shkencave (1982) dhe Doktor i shkencave (1988) si dhe titullin Profesor (1995).

Karriera politike i fillon në dhjetor 1990 si bashkëthemelues dhe hartues i Programit minimal, i Statutit të Partisë Demokratike dhe anëtar  i Komisionit Nismëtarë të saj. Qysh atëherë e deri ne vitin 1997 ka qene anëtar i Kryesisë se PD dhe më vonë, me ndonjë shkëputje (1997- 2001), anëtar ex oficio i Këshillit Kombëtar.

Që nga zgjedhjet e para pluraliste është zgjedhur deputet për në Kuvendin e Shqipërisë (1991-2001). Pas fitores së Partisë Demokratike në 22 mars 1992, më 13 prill zgjidhet Kryeministër i Qeverisë Demokratike, post që e mbajti deri ne 13 mars 1997 (pasi dha dorëheqjen në 1 mars).

Qeveria Meksi ndërmori reformimin e shtetit shqiptar nga një shtet i diktaturës së proletariatit në një shtet demokratik të së drejtës, me ekonomi të tregut të lirë, ku respektohen të drejtat e njeriut. Detyra të vështira për një vend në krizë të plotë politike-ekonomike e sociale, në një vend të rrënuar nga marrëzia komuniste e diktatura e proletariatit. Me ndihmën e vendeve të Evropës së Bashkuar dhe Sh.B.A. u përmbys shteti komunist, u krijua një shtet i ri me Kode e ligje të reja, me ndryshime rrënjësore në sistemin politik dhe ekonomik që tjetërsuan në ato vite Shqipërinë.

Është i martuar me Dhurata Shala dhe ka dy djem Endri e Redon./Koha Jone/

Please follow and like us: