Albspirit

Media/News/Publishing

Ditët e regjimit iranian janë të numëruara

Shahriar Kia

Kina dikur ka qenë importuesja më e madhe e naftës iraniane por, që kur hynë në fuqi sanksionet amerikane mbi eksportet iraniane të naftës, ajo po importon tashmë vetëm gjysmën e sasisë që importonte më parë.

Edhe pse Kina u duk se ishte kundër tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPoA) dhe rivendosjes së sanksioneve të rënda ekonomike, ajo ka vepruar vullnetarisht në përputhje me kërkesat e SHBA-së.

Është e qartë se kjo është një goditje e fortë ndaj regjimit iranian dhe ai po merr masa për t’i ruajtur marrëdhëniet me Kinën. Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi dhe homologu i tij iranian Javad Zarif u takuan rishtazi për të konsoliduar “besimin strategjik” midis dy vendeve. Kreu i Bankës Qendrore të Iranit, ministri i naftës, ministri i financës dhe kryetari i parlamentit Ali Larijani bënë gjithashtu një vizitë në Kinë.

Para se të hynin në fuqi sanksionet amerikane, Kina mbante fort vendin e një prej partnerëve më të çmuar të regjimit iranian. Në këmbim të eksporteve shumë të mëdha të naftës drejt Kinës, Irani importonte një sasi të madhe të mirash nga Kina.

Edhe pse kompanitë e mëdha shumëkombëshe në Kinë do të duan t’i shmangen tregtisë me Iranin nga frika se mund të ngatërrohen në sanksionet amerikane, ekziston mundësia që kompanitë e vogla dhe bankat do të kenë mundësi të tregtojnë me Iranin larg syve të amerikanëve. Nuk do të jetë një tregti aq e madhe sa do të donte Irani, por lypsarët nuk kanë vend për të përzgjedhur.

Gjithashtu, BE ka krijuar INSTEX – një mekanizëm, ose kanal pagesash, që po menaxhohet nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca. Qëllimi i tij është të anashkalojë sanksionet amerikane në mënyrë që të mund të vazhdojë tregtia me Iranin.

Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar BE-në që masa të tilla do t’i nënshtrohen një shqyrtimi intensiv, si dhe e kanë këshilluar që të mos vazhdojnë me këtë masë. Së fundmi, në një deklaratë, Departamenti amerikan i Shtetit tha: “Siç e ka bërë të qartë edhe presidenti, entitetet që vazhdojnë të përfshihen në veprimtari të sanksionueshme në lidhje me Iranin rrezikojnë pasoja të rënda që do të përfshinin humbjen e aksesit në sistemin financiar amerikan dhe të mundësisë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara apo me kompanitë amerikane.”

Është e vërtetë që Presidenti amerikan e ka bërë të qartë se Irani nuk i meriton përfitimet që korr nga JCPoA dhe është betuar ta vazhdojë fushatën e presionit maksimal kundër Iranit. BE e ka kritikuar Trump-in për tërheqjen nga pakti bërthamor, por ai nuk iu dorëzua presionit të aleatëve të tij. Ai tha që sjellja e Iranit duhet të ndryshojë.

Ky është gjithashtu mesazhi që po përçon populli i Iranit. Ai ka vuajtur nën këtë regjim për dekada të tëra dhe tani nuk mund të durojë më. Që nga fundi i 2017-ës, Iranianët kanë protestuar dhe zhvilluar demonstrata anti-qeveritare, duke e qortuar regjimin për korrupsionin, shtypjen, shkeljet e të drejtave njerëzore, veprimtaritë terroriste dhe ndërhyrjet vdekjeprurëse jashtë vendit.

Ndërkohë që regjimi gjendet nën një presion të pamasë nga populli i vet, presioni i ushtruar nga komuniteti ndërkombëtar po rritet gjithashtu. Megjithatë, nuk mjafton për të çuar në një ndryshim të madh.

Regjimi nuk është thjesht një kërcënim për popullin e Iranit dhe popujt e tjerë në rajon – ai është një kërcënim ndërkombëtar që nuk duhet të shpërfillet. Edhe pse zyrtarët e BE-së kanë shprehur shqetësimin e tyre për testimin e raketave balistike nga Irani dhe lëshimet e satelitëve, ata nuk po përçojnë mesazhin e duhur. Duke vazhduar të kërkojnë mënyra për të bërë tregti me Iranin, ata po i japin Iranit dritën jeshile për të vazhduar me veprimtaritë e tij malinje. Kur kjo gjë të ndryshojë, do të përfitojmë të gjithë.

Please follow and like us: