Albspirit

Media/News/Publishing

Nga një tmerr pa fund, në një fund të tmerrshëm

 

Bedri Blloshmi

Ish i burgosur politik

16 marsi do mbetet i pashlyeshëm si për mua, por edhe për shumë ish të burgosur politikë të regjimit diktatorial. Një telefonatë e bërë nga miku im Agron Hoxha, por edhe nga shumë të tjerë më ka tronditur jashtëzakonisht. Agron Hoxha më pyet:

-Ku je?

Zëri i dridhej dhe unë e kuptova se diçka e rëndë duhet të kishte ndodhur.

-Po shkoj në shtëpi, i përgjigjem, po përse je kaq i tronditur?

-Bedri, jam para ekranit dhe televizioni po jep një lajm të tmerrshëm, ndoshta nuk është i vërtetë.

– Çfarë ka ndodhur, më thuaj, i them.

– Diçka i ka ndodhur Xhikes, ka qenë xhiro me djalin e vogël…Kanë vrarë Haxhinë…fliste i mbytur mes lotëve e dhimbjes.

Nxitova për në shtëpi, televizioni jepte me iniciale ngjarjen, por asgjë nuk kuptohej qartë, orën e jepte 18.15 dhe mbas pak e dha më të plotë kronikën e vrasjes: Tek Kodrat e Liqenit Artificial, duke bërë xhiro me djalin e vogël, vritet Haxhi Baçinozi.

Vura të dy duart në kokë, u ngrita tërësisht i tronditur, vijë vërdallë si i pamend, lexoja sërish dhe nuk doja ta besoja. Megjithatë lajmi i kobshëm ishte i vërtetë: Haxhi Baçinozi nuk jetonte më.

U nisa menjëherë në morg, telefoni nuk pushonte, të gjithë më pyesnin nëse ky lajm ishte i vërtetë apo jo. Të gjithëve u përgjigjesha me po.

Telefonova një mikun tim, Haki Hoxha, ku ishte dhe a e kishte dëgjuar këtë lajm të kobshëm. Po, më tha, është i vërtetë dhe ai ndodhej te drejtoria e policisë së Tiranës sepse kishin marrë me vete edhe djalin e Haxhiut për ta marrë në pyetje.

Kush ishte Haxhi Baçinozi?

Lindi në Fier në 4 korrik 1957 nga prindërit Shefqet dhe Dinora, ishin 4 vëllezër dhe 1 motër. Babai dhe nëna kanë lindur në Llapashticë në Kosovë. Në 1923 erdhën në Shqipëri dhe u vendosën në Fier. Gjyshi i Haxhiut, një familje nacionaliste, kishte luftuar krah për krah me Shote e Azem Galicën kundër serbëve. Në 1947 babai i Haxhiut arrestohet nga sigurimi i bandës komuniste me akuzën bajate “agjent i UDB” dhe dënohet me 12 vjet heqje lirie.

Haxhi Baçinozi e ka kryer shërbimin ushtarak në 1980 në Xhyrë të Librazhdit. Gjatë kësaj kohe e arrestojnë duke e akuzuar me të njëjtën akuzë si edhe babain e vet. Dënohet me 10 vjet heqje lirie dhe dërgohet në burgun e Spaçit dhe më pas e transferojnë në burgun e Qafë Barit. Më 22 maj shpërtheu revolta ku Haxhiu ishte në krah të miqve të tij, Sokolit dhe Tomës, që ishin së bashku më të panënshtruarit ndaj terrorit të ushtruar nga falangat e diktaturës dhe kryepolici Edmond Caja. Pas revoltës ai ridënohet me 21 vjet burg, Sokoli dhe Toma pushkatohen, ndërsa të tjerët ridënohen me vite të tjera. Nga torturat dhe dhuna e tmerrshme Haxhiut i thyejnë këmbën dhe dorën e majtë dhe e marrin dhe e mbyllin në burgun famëkeq të Burrelit. Më kujtohet kur rrinte shtrirë, dergjej në burgun e Burrelit dhe të gjitha shërbimet ia bënin shokët e qelisë. Pikërisht në këtë gjendje të vështirë ai guxoi t’i shkruante gruas së diktatorit dhe të denonconte krimet që bëheshin nga klika komuniste. Nga ky burg ai lirohet më 29 mars 1991. Më pas krijon familje dhe lind dy djem si pëllumba, Henrin dhe Eliotin. Ky djalosh me guxim dhe karakter të pakrahasueshëm, ky burrë i qetë, i dashur, shumë i komunikueshëm, i largohej përherë konflikteve.

Unë e kam njohur nga afër këtë burrë të palëkundur dhe me një karakter të fortë në burgjet e Spaçit, Qafë Barit dhe Burrelit. Nuk e mbaj mend asnjëherë që ky njeri të humbte arsyen apo që të bëhej shkaktar i ndonjë veprimi të pahijshëm. Akoma vazhdoj të besoj se me Haxhiun do komunikojmë sërish në telefon, do të ulemi dhe të bisedojmë me një kafe përpara dhe do të flasim për tmerret e komunizmit që na rëndojnë ende mbi shpinë.

Varrimi në Tufinë

Të gjithë sa erdhën për të bërë homazhe futeshin brenda kokëulur, të përlotur, përkuleshin, puthnin trupin e pajetë. Ashtu shtrirë e gjithë nure, me një pamje fisnike, të jepte përshtypjen se është duke fjetur. Haxhiun e përcollën dhjetra njerëz nga Fieri, Vlora, Durrësi, Tirana, Shkodra, Laçi, Kukësi, nga gjithë Shqipëria, madje edhe nag Kosova, nga Prizreni. Profesor Gashi e Paçarizi, të mbytur në lot, duke u dridhur thoshnin se si ndodhi kjo gjëmë?

Haxhi, nuk mund të më rezistojë më dora, më derdhen lotët e më rrjedhin mbi letër, kam shumë për të thënë, por nuk mundem. Familjes tënde i them të bëhet e fortë, ta duan njeri-tjetrin; e ndjej dhimbjen e tyre për humbjen tënde, por në këto raste Zoti të jep fuqi për ta përballuar.

Lamtumirë mik, vëlla.Të qoftë i lehtë dheu që të mbuloi në moshën 62-vjeçare.

 

Më poshtë letra që Haxhi Baçinozi i shkroi Nexhmije Hoxhës, në vitin 1990

Znj.kryetare!

Një kosovar i dënuar në Shqipëri me burg të përjetshëm kërkon përgjigje. Quhem Haxhi Baçinozi, pinjoll i një familje luftëtarësh që qëndruan në malet e Kosovës 15 vjet me radhë me armë në dorë, më hollësisht shih Enciklopedinë Shqiptare!

Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin 1981 krimi agjitacion e propagandë, paragrafi nr.55 i Kodit Penal dhe duke vuajtur dënimin në burgun skëterrë të Qaf Barit. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare, fantazia e bandës kriminale të Sigurimit të Shtetit nuk njeh kufi, imagjino organizatë kundërrevolucionare e krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitralozave dhe me këtë mora një dënim të përjetshëm e gjendem në burgun mesjetar të Burrelit, natyrisht mbas një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura dhe në mbarim të gjyqit më merret akt-akuza me dhunë nga inkuizitorët e mi, e të dhjetëra-mijëra të pafajshmëve si unë, këto ishin një e qindta e atyre që unë kam heq, e po heq aktualisht në burgun tuaj shfarosës të Burrelit.

Të përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi juaj rreth një gjysëm shekulli me radhë, duhen penat e sociologëve e shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e portretizuar realitetin tragjik të këtij populli të martirizuar. Por desha t’ju pyes ju çfarë i kam bërë unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju rrezikuar juve pushtetin.

Për të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial as që do të merrte mundimin me më pyetur dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi juaj gjakatar.

Ku keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni 46 vjet që torturoni një popull 3 milionësh që Shqipërinë e keni kthyer në burg 28 mijë km2. Mbasi nuk njeh historia që një vend të quhet shtet e të jetë i rrethuar me tela me gjemba. Ju arritët t’i shpërfytyroni shqiptarët duke i shkaktuar dëme shqiptarëve, si mund të flitni në mbrojtje të kosovarëve kur me qindra kosovarë që erdhën në Shqipërinë e pas luftës vdiqën ose u gjymtuan përjetë në kampet e burgjet shfarosëse të çifligut të burrit tuaj.

Kalaja e Gjirokastrës, Maliqi, Tërbufi, Thumana, Bedeni i Kavajas, Zadrima, Bulqiza, Spaçi, Batra dhe maja e ajsbergut të krimeve, Burreli, do të kujtohen brez pas brezi si varrezat e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në këto vende pellgje gjaku kufomash e gjymtimesh. Ka arritur të hajë të vjellat e shokut i burgosuri juaj, atëherë me ç’të drejtë flet për kosovarët kur sot e kësaj dite dergjen prej 3 dekadash me dhjetëra kosovarë, një përqindje e vogël e atyre që janë shfarosur nga banda kriminale e sigurimit të shtetit, me sloganin e njohur “agjentë të UDB-së” jugosllave. E atëherë si mund të flitni për kosovarët që jetojnë në Jugosllavi, kur ju s’keni lanë krim as poshtërsi pa ju bërë e që me dhjetëra si unë na mbani hala në burg, kur në Jugosllavi asht demokracia amerikane nëse mund të bëhet krahasim me terrorin që ekziston në burgun tuaj 3 milionësh.

Ju, me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për “vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai bën burg me çokollata dhe është politikan i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota dhe në rast sëmundje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë, njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq as farë e fis, vetëm familja në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj nëpërmjet një sporteli të blinduar ku nënat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i ushqimit në 2 kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim I tillë dhe kundër kujt pa? kundër njerëzve të pafajshëm, a mendon se nënat e motrat shqiptare këtu në Kosovë i ke veshë në të zeza, sa gra i ke lanë të veja dhe sa mijë jetimë. Për këto gjana nuk do të ketë as sociolog, as shkrimtar në glob t’i përshkruajë apo portretizojë realisht një gjenocide të tillë, që nuk njeh asnjë periudhë e historisë njerëzore. Ju kujtoj një thënie shqiptare se “met nana pa djalë, se nuk met gjak pa marrë”!

Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm.

S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kurajo me mekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara siç keni bat tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh.

I dënuari politik, Haxhi Baçinozi

18 shkurt 1990

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: