Albspirit

Media/News/Publishing

Rumania bëhet vendi i parë i BE që ndjek shembullin e Trump, zhvendos ambasadën në Jerusalem

Rumania do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jeruzalem, duke u bërë kështu vendi i parë i BE-së që ndjek lëvizjen e presidentit Trump një vit më parë. Njoftimi erdhi nga vetë kryeministrja Viorica Dancila, gjatë samitit AIPAC në Uashington.

Në fjalën e saj në grupin lobues Komiteti i Marrëdhënieve Publike Izraelito-Amerikane, Dancila tha se Romania do ta zhvendosë ambasadën në Jeruzalem.

Shumica e vendeve që kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin i kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv, pasi, edhe pse Izraeli pretendon se Jeruzalemi është kryeqyteti i tij, ai nuk njihet si i tillë nga bashkësia ndërkombëtare. Palestinezët duan Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e tyre të ardhshëm, por kjo zonë është nën kontrollin e Izraelit, që nga lufta e vitit 1967, kur e aneksoi atë nga pjesa tjetër e Bregut Perëndimor.

Dancila është aktualisht kryetare e Këshillit të Bashkimit Evropian. Rumania, së bashku me Hungarinë dhe Republikën Çeke ishin tre vendet që bllokuan një rezolutë të BE mbi zhvendosjen e ambasadës amerikane, sipas të cilës Jeruzalemi duhet të jetë kryeqyteti i Izraelit dhe i Palestinës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, i kërkoi kryeministres Dancila të zhvendosë ambasadën e Rumanisë, kur ajo vizitoi Izraelin në janar. “Unë shpresoj se ju do të veproni për të ndaluar rezolutat e këqija kundër Izraelit në Bashkimin Evropian”, tha ai. “Dhe sigurisht, për të lëvizur ambasadën tuaj dhe ambasadat e tjera në Jeruzalem”.

Presidenti rumun, Klaus Iohannis, i kërkoi kryeministres Dancila të japë dorëheqjen në prill të vitit të kaluar, pasi ajo nxori një memorandum sekret për të zhvendosur ambasadën dhe vizitoi Izraelin pa u konsultuar me të. Si president, Iohannis është përgjegjës për politikën e jashtme dhe jep vendimin përfundimtar mbi lëvizje të tilla. (TemA TV)

Please follow and like us: