Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan DEMIRAJ: Pengmarrja totale e shtetit oligarkik

Ngjarjet e fundit politike dhe kriminale ne Shqipëri kanë treguar se ka rënë krejtësisht rendi publik, kjo si pasojë e kapjes së qeverisë, parlamentit, prokurorisë, policisë dhe gjithë strukturave të tjera të sigurisë nga krimi i organizuar. Kjo qeverisje është peng i krimit, pasi ligjin e bën paraja e drogës dhe oligarkët pranë qeverisë. E dinë të gjithë se ku janë, çfarë bëjnë e me kë merren, por që t’i ndëshkoj forca e ligjit as që nuk i shkon ndërmend asnjë strukture sigurie, pasi nuk guxojnë se janë peng i krimit.

Është emergjencë kombëtare gjendja e kriminalitetit dhe e sigurisë së qytetarëve, pasi policia dhe prokuroria nuk merren me këto banda, por merren dhe luftojnë qytetarët e thjeshtë që luftojnë për mbijetesë njëlloj si në kohën migjeniane. Sot “shtatlartësia” përdoret nga krimi dhe oligarkët për të kërcënuar këdo që denoncon krimin dhe mbron kriminelët nga hetimi, duke përdorur si mashë prokurorinë.

Është e turpshme, degraduese dhe e pafalshme që prokuroria dhe policia “socialiste” merren duke sajuar intriga dhe shantazhe, duke hapur hetime kundër denancuesit të çështjes “Babale” konkretisht të ish deputetit Salianji dhe jo vetëm, pasi skandalet e bashkëpunimit politik dhe strukturave të zbatimit të ligjit e sigurisë publike me krimin, janë si në Republikat e Bananes!.

Si trashëgimtarë të rregjimit diktatorial dhe të sëmurë mendor, për të gjetur alibinë e “armikut”, do të zbulohet gjithmonë konspiracioni, duke përdorur nga nivelet më të larta politike, tashmë të denoncuar dhe provuar në përgjimet në media deri me drejtuesit më të lartë të Policisë së shtetit si Drejtori i Policisë së Fierit, Albert Nushi dhe dëshmitarit të “vetëofruar” dhe të paguar Fredi Alizoti. Përgjimi i shfaqur në media këto ditë, ishte grotesk një poshtrim, qyravitje, jargavitje dhe përdhunim total i policisë së shtetit dhe strukturave të prokurorisë.

Ngjarjet e shumta në Tiranë, Vlorë, Durrës, Krujë, Lushnje, Shkodër, Lezhë dhe sidomos në Elbasan si ajo e 18 shtatorit 2017, ku lufta ndërmjet bandave kthehet në luftë kundër policisë me mjete të blinduara dhe policia e kapur dhe e paaftë nuk guxon të reagojë, pasi bandat kriminale kanë arritur formën më të lartë të organizimit dhe suportit politik. Rasti i Fushë-Krujës, ku nënkomisari Nuhu, kërcënohet me jetë haptazi në media nga nivelet politike (shtatlartësia e suita e tij) dhe policore, pasi tentoi të denoncoj ngjarjen tronditëse të Xhensila Malokut, ku arriti shpërfytyrimim e viktimës për shkak të dhunës, presionit dhe parave, duke e shndërruar viktimën përqafuese të përdhunuesit!. Ngjarje të tilla nuk imagjinohen as nga kinomatografia Bolluwiane për ti realizuar dhe jo një vend anëtar i NATO-s!

Policia është e shpartalluar, e kapur peng nga bandat dhe strukturat kriminale politike në pushtet. Të mos harrojmë gjysmën e kupolës së policisë, 128 persona drejtues të policisë (lista e Sherbimit Inteligjent) të cilët i denoncova i pari si të përfshirë në trafikun e drogës, nga Drejtori i Qarkut të Vlorës me bashkëpuntorët e tij, të cilët janë në kërkim ndërkombëtar dhe dhjetra të tjerë janë të kapur në përgjime nga agjencitë e huaja ligjëzbatuese si bashkëpuntorë me elementë kriminal në parlament dhe jashtë tij. Këto drejtues policie të politizuar dhe inkriminuar në mënyrë ekstreme, janë denoncuar dhe propozuar për shkarkim nga ana ime me emër dhe mbiemër gjatë ushtrimit të detyrës si Ministër i Brendshëm, por “padroni” i strukturave kriminale jepte udhëzimet të promovohen për shërbimet që i kanë bërë partisë në mbledhjen e të vjelave (kanabisit) dhe vjedhjes së votave. Është e habitshme dhe paradoksale që megjithëse denoncimet janë bërë publike dhe megjithëse janë ndërruar dy Ministra të Brendshëm, këto përfaqësues të policisë së shtetit vazhdojnë të militojnë dhe promovohen në karrierë, ku rrezultatet e sotme të gjendjes së kriminalitetit janë si balance lufte.
Ju “lumtë” kjo është Policia që duam!!!.

Vetëm në javën e fundit kemi patur plot 7 vrasje, ndërsa që prej fillimit të vitit e deri sot numri i të vrarëve arrin në 19-të dhe drejtuesit politik vazhdojnë të propagandojnë se po bëjmë shtet. Në fakt ky sekt i drejtuesve “Pink” shtet ka bërë! Pasuri miliardëshe nga trafiku i drogës (219 mijë hektar e mbjellë me drogë nga 350 mijë hektar tokë e punueshme ne vitin 2016) duke arritur gjysmën e buxhetin e shtetit, shkuarja me pushime e deputetëve “Pink” nën shoqërinë e gangsterrëve, kriminelëve, korruptimi dhe qyrravitja e policisë, të cilët janë në listat e pagesave të grupeve kriminale, marrja e aseteve dhe pasurive publike nëpërmjet PPP-ve, vrasjet në mënyrë mafioze për shlyerje hesapesh të cilat gjithmonë kanë ngelur pa autor (vetëm ne Vlorë mbi 80 të tilla), shkatërrimi dhe përdorimi politik i prokurorisë duke shkatërrruar apo vonuar provat dhe dosjet më të bujshme (dosja Habilaj-Tahiri, 339/1, 184 etj….) ku cënohen drejtëpërsëdrejti qeveritarët “Pink” si dhe bandat kriminale që u kanë shërbyer “dylberëve” politikë.

Lufta kundër krimit të organizuar është një nga kushtet që grupi parlamentar CDU/CSU, ka vendosur për Shqipërinë për të hapur negociatat e anëtarësimit në BE. Raporti i fundit i OKB-së mbi nivelin e korrupsionit e rendit Shqipërinë të 15-ën në botë, ku dhe vetë “shtatlartësia” e ka pranuar publikisht herë pas here, por ne kemi parë pak dëshmi se ai ka pasur për qëllim më shumë se një shfaqje publike të vendosjes dhe një pastrim periodik të zyrtarëve që shërbejnë si kokë turku të disponueshme, siç ishte rasti i ndërrimit të ¾ të qeverisë. Lidhja midis politikës “pink” dhe gangsterëve zakonisht lidhet me marrëdhëniet reciprokisht fitimprurëse. Me fjalë të tjera: punoni për ne që ta mbyllim njërin sy, nëse jo, do të kujtoni se shteti është banda më e madhe!!!

Bandat kriminale në këto vite përfitoi shumë nga privatizimi i pronës shtetërore apo koncesionet PPP, ku kriminelët janë bërë arbitra të mosmarrëveshjeve në mungesë të një shteti funksional. Me rimarrjen e “tepsisë së pushtetit” në vitin 2017 të sektit “Pink”, premtoi të rivendosë “autoritetin e shtetit”, pasi për katër vite i kishin prishur punë aleatët e LSI-së. Anëtarët e bandave të krimit të ndodhur në çdo institucion e deri në Parlamentin e Shqipërisë, u bënë më pak të rëndësishëm se oligarkët që ata kishin ndihmuar të ngjiten në pasuri dhe pushtet. Sot, “shtatlartësia” kontrollon oligarkët, dhe së bashku kontrollojnë dhe shfrytëzojnë botën kriminale në avantazhin e tyre të ndërsjellë.

Është fakt se Shqipëria nuk ka bërë dhe nuk bën nën drejtimin e rilindjes përpjekjet më minimale për të luftuar krimin e organizuar, pasi ata janë pengje të saj. Kriza ekonomike dhe politike pa dyshim e ka përkeqësuar situatën kriminale. Rinia e papune dhe e zemëruar me keqqeverisjen e rilindasve, janë të ndjeshëm ndaj bashkimit me bandat kriminale. Në sistemin financiar e bankar po depërtojnë grupet e krimit të organizuar të pasur me para, duke bërë pastrimin e parave nga trafiqet dhe mashtruesit ekonomik siç ishte rasti i fundit i vëllezërve Indianë, Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, e cila është maja e ajsbergut të një skandali gjigant financiar, të cilëve iu jepet shtetësia me ndërhyrje politike, si dhe pa asnjë investigim nga institucionet e sigurisë (SHISH dhe strukturat e Policisë) dhe akoma më keq dhe statusi diplomatik! Krimi i organizuar zakonisht zhvillohet dhe funksionon në shtete të dobëta, ku shoqëria civile është e formuar keq duke kamufluar zullumet e qeverisë dhe jo të ndërgjegjësoj e mbroj qytetarin e thjeshtë, pasi sponsorizimi finaciar e politik i kësaj shoqërie “civile”, vijnë nga fondacione të dyshimta.

Si përfundim, misioni i Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera ligjëzbatuese të sigurisë, është t’i shërbejë interesit publik nëpërmjet zbatimit efektiv të ligjit dhe jo programeve propagandistuese politike të qeverisjeve të papërgjegjshme. Mos zbatimi i këtij misioni do të vijë dita jo e largët, ku përgjegjësit do të përballen me ligjin.

Prandaj sot më shumë se kurrë, populli duhet të bashkohet me opozitën, shoqërinë civile ( jo atë që i shërben fugave & Co) dhe të gjithë ata që e duan vendin dhe të kontribojnë në largimin e kësaj klike monisto-bolshevike dhe kthimin e demokracisë në vend.

Please follow and like us: