Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: Një artikull që nuk do doja ta shkruaja kurrë

Image result for bedri blloshmi

Duhet të ketë qenë fundi i vitit 1981, kohë kur terroristët komunistë vazhdonin të vrisnin shokët e tyre. E kishin vrarë kryeministrin. Në kamp të Spaçit policët ishin dyfishuar, egërsuar më shumë se zakonisht. Autoburgu vinte edhe dy herë në javë me të dënuar, kampi qe mbushur plot e s’kishte më vend për të dënaur të tjerë. Një pjesë flinin tek krevatet e turnit të tretë, një pjesë në ballkonin e godinës. Nëpër dhoma kishte shpërthyer morri e pislliku i madh megjithatë uria ishte më e keqja ndër të gjitha, shoqëruar kjo me presionin dhe terrorin në kamp.

Në një radhë kur erdhi autoburgu, midis të tjerëve zbriti një djalë, i qethur zero, me pamje burrërore dhe me një trup të gjatë e muskuloz, dukej që ishte marrë me fiskulturë. Sapo u fut në kamp bashkë me të dënuar të tjerë u ulën të gjithë në disa stola përpara pallatit. Si gjithmonë kurioziteti më shtynte të merrja vesh nga ishin, sa ishin dënuar. Nga Librazhdi nuk kishte. T’i inkurajonin të mos mërziteshin dhe mos çanin kokën, Zoti na dhëntë shëndet e na ruajtë nga ndonjë rrezik në galeri. Në çdo radhë që vinin të dënuar së pari e afronin ata të burgosur të cilët ishin nga i njëjti rreth. Ky djalosh, u bashkua me të dënaur nga rrethi i Fierit, po ashtu dhe të tjerët u bashkuan më ata të rretheve të tyre. Pas disa ditësh siç ishte zakon i burgut e ftova për kafe pasi dhe unë kisha shokë nga Fieri. Më pyeti i pari sa isha dënuar, si e kisha emrin. Akoma pa e pyetur më tha që kam qënë ushtar në Xhyrë, ika pa leje dhe me arrestuan. Zotëri, si quheni i them. Haxhi Baçinoski mu përgjigj, jam dënuar 10 vjet për agjitacion dhe propagandë. U munduan shumë hetuesit duke më torturuar për të më dënuar për agjenturë por nuk ia arritën. Mos çaj kokë i them, vetëm ruaju në galeri se janë kushte të tmershme e megjithatë, të shkuara e mos u demoralizo.

Koha kalonte më monotoninë e saj e një ditë prej ditësh na hodhën hekurat gati 100 të dënuarve e na transferuan në burgun e Qafë-Barit, nga një rreth në rethin tjetër të Ferrit. Gjatë kësaj kohe nuk kam parë kurrë Haxhiun  të mërzitej me njëri, të shfaqë nervozizën apo të sillej pa edukatë. Ndodhi ajo që ndodhi në Qafë-Bari ku ky djalë u hodh në flakë krah shokëve dhe pse e dinte se do digjej. U ndamë 22 maj 1984 për t’u takuar përsëri në gusht të vitit 1985 në të njëjtin rreth të ferrit komunist, në Burrelin e tëmerrshëm. Fati na hodhi në një dhomë, akoma këmbën dhe krahun e thyer në revoltë nuk i kishte të shëruar. Kishte dhimbje po nuk ankohej, gjithmonë i qeshur për aq sa mund të jesh i qeshur në burgun e Burrelit. Kurajoz i papërkulur, përballoi me dinjitet gjithë ato të këqija që i kishin rënë mbi shpinë babait të tij qysh në 1923 duke luftuar dhëmb për dhëmbë me serbin e humbur gjithë ata luftëtarë burra dhe gra me armikun shekullor. Për të shpëtuar ata që mbetën gjallë nga kthetrat e përbindëshit serb, mori rrugën e erdhi në tokën amë, u vendosën në qytetin e Fierit. Këtu do të fillonte një tjetër persekutim më i keq se në Serbi. Terrori komunist i arreston babanë. Si gjithmonë akuza bajate, ke bërë agjenturë e je vënë në shërbim të serbit, duke e dënuar me 10 vjet burg për agjitacion dhe propagandë pasi nuk i provuan dot akuzën që dëshironin. Të përbashkët me Haxhiun unë kisha datën e lirimit, 29 mars 1991, me një ndryshim. Haxhiu me disa të tjerë ishte transferuar në burgun e Kosovës së Lushnjes, dy javë më parë ndërsa unë u lirova nga Burreli.

Image result for haxhi bacinovski

 

 

 

Fundi i luftës së ftohtë 1990

Kalbëzimi i plotë i “Kështjellës së komunizmit” dhe dorëzimi pa kushte solli shpërbërjen e BRSS, bëri që gjithë Europa Lindore të shkërmoqej. Komunistët edhe pse të përmbysur vazhduan derdhjen e gjakut, siç kishin bërë gati 50 vjet të shkuara. Në qershorin e vitit 1991 përpara se në Shqipëri të vinte sekretari i SHBA u liruan dhe të burgosurit e fundit. Megjithatë ne dolëm nga burgu siç dihet, të lodhur, të mjeruar, pa shtëpi e katandi. Shumë nga ne që kishin rënë herët në burg ishin në moshë të thyer edhe pa familje, pa përkrahje. Pati një përpjekje në fillim nga partia e sapokrijuar Demokratike poashtu pati dhe shumë premtime për integrimin tonë në shoqëri, por më shumë se ne pati sigurimi famëkeq, bijtë e komunistave, të cilët fillimisht ishin trembur e shumë nga këta ikën jashtë vendit nga propaganda që bëntë partia Demokratike. Por ata kur e kuptuan se kjo propagandë ishte për tu thënë ndërkombëtarëve se ne po shkatërrojmë sistemin e vjetër, e kjo që thoshin ishte vetëm një shaka, të gjithë të ikurit u kthyen e u futën në pushtet, u pasuran dhe të burgosurit politik u harruan. Ne me përpjekjet tona u munduam të rregullonim jetën disi. Një pjesë ikën në kurbet dhe nuk u kthyen më. Haxhi Baçinoski u kthye në vendlindje, në Fier ku punoi e jetoi disa vite. Përfundimisht vendoset në Tiranë dhe ne pothuaj takoheshin përditë me njëri-tjetrin. Dilnim xhiro nga liqeni, pinim kafe e bisedonim për hallet tona, për situatën dhe gjëndjen politike të vendit që sa vinte e rëndoheshe nga sundimtarët e sotëm, bijtë e atyre që shaktërruan këtë vend për 50 vite duke vrarë, burgosur e internuar dhe grabitur pasurinë për ata që i konsideronin kundërshtarë.

Jam duke u kthyer në shtëpi gati në të errur nga xhiroja e përditshme e në një çast më bie telefoni. E ngrita dhe më përgjigjet një shok imi i burgut. Zëri nuk ishte ai i përditshmi që unë e njihja shumë mirë. Kuptohej që ishte i tronditur e fjalët i thoshte gjysma-gjysma e nuk kuptohej qartë. Nuk të kuptoj i them, fol qartë, më duket se s’je mirë. Heshti për një moment dhe filloi përsëri të më pyeste se ku isha. Jam afër shtëpisë i them. Jam përpara ekranit dhe një televizon po jepet një lajm i tmerrshëm më thotë, kanë qëlluar Xhiken nga liqeni. Shtanga për momentin, nxitova, sa u futa në shtëpi hapa televizorin. Ç’të lexoje! Ajo që dëgjova nga miku im ishte e vërtetë. Lexova dhe rilexova disa herë e nuk po besoja lajmin që jepej pa pushim; “Qëllohet Haxhi Baçinoski në Kodrat e Liqenit Artificial.” Shtanga përpapa ekranit vura duart në kokë duke mos e parë më lajmin. Por ai lajm ishte i vërtetë, Haxhiu ishte qëlluar. Telefoni filloi të binte përsëri por nuk kisha kurajo ta ngrija. Më hipi një e dridhur, dhe lotët filluan të ridhnin mbi faqe. Ngrita telefonin, ishte Agron Hoxha, ai që më tha i pari për këtë gjëmë. Hë më thotë Bedri. Po i them, ai lajm është i vërtetë, dikush e ka qëlluar. Dola jashtë e u nisa në këmbë pa e ditur se ku do shkoja. Mora një shok tjetër në telefon edhe i përsërita lajmin. Po, po Bedri, ajo që më the është e vërtetë. E pyes ku je, më thotë jam te Drejtoria e Policisë me disa shokë, po interesohemi për djalin e vogël të Haxhiut të cilin e ka marrë policia në pyetje. Kur mbërrita tek morgu, tek dera ishte një grumbull i madh njerëzish. Takova vëllezërit e Haxhiut dhe motrën që kishin ardhur me një frymë nga Fieri. Plot miq e të afërm të tjerë të cilët prisnin ta shikonin. Tentova të futesha brenda për të parë kufomën pasi njihja rojen. Të lutem Bedri më thotë, nuk do futesh, nuk lejohet pasi as familjarët nuk i futa. Pyeta për një doktor të cilin e njihja por ai ishte turni i parë. I telefonova menjëhrë duke iu lutur të më lejohin të futesha brenda të shihja kufomën. Qëndro tek dera se do flas unë që të hysh brenda. Në këtë çast mbërriti një dyzinë me policë, u futën brenda duke më hequr mua mundësinë të futesha. Të nesërmen në mëngjes herët vajta tek shtëpia e cila ishte plot me të afërm, burra dhe gra të cilët lotonin rreth arkivolit. I dhashë dorën disave, disa i përshëndeta me kokë. Ishin krejt të përhumbur, veç thithnin cigaret papushim. A mund ta shikoj i them djalit të madh të Haxhiut. Po xhaxhi Bedri më tha, patjetër. Shkuam në dhomën tjetër e me shumë vështirësi u afrova te arkivoli pasi kishte shumë njerëz. Brenda arkivolit ishte i veshur me kostum e rrinte shtrirë me duar të kryqëzuar përpara, miku im i halleve, i vuajtjeve dhe i torturave. Të jeptë përshtypjen se ishte i gjallë, gjithë nur, nuk të besohej se nuk ishte më gjallë. U përkula, e preka trupin e ftohtë si akulli, e putha në ballë. Të binte në sy nga e djathta e ballit kishte një gërvishtje të lehtë. Nga hutimi i fola, por nuk mu përgjigj. Dhoma ziente nga vaji, Henri djali i madh qëndronte tek koka e arkivolit, nuk fliste fare e thithte e thithe papushim cigaren me sy mbërthyer mbi arkivolin e babait, ndërsa me dorën tjetër fshinte lotët. Në krahun tjetër të arkivolit qëndronte si gur, i ngrirë, e herë pas here fshinte lotët djali tjetër, i vogël i cili nuk shihtë kush hynte e kush dilte por kishte mërthyer sytë mbi fytyrën burrërore të të atit. Të dy djemtë, fëmijë të rritur më halle e me vuajtje, herë pas here e fërkonin xhenazen dhe i flisnin papushim. Haxhiu ishte në gjumin e përjetshëm. Fati e ndëshkoi kaq rëndë, i ndau përgjithmonë nga fëmijët e bashkëshortja. Ky baba nuk do të kujdesej më për fëmijët e tij. Nuk do t’i përkëdhelte me dorën e tij atërore asnjëherë më. Kurrë nuk do të dilnin xhiro në mbrëmje të katër, të përqafuar njëri me tjetrin. Bashkëshortja e Haxhiut për fat të keq nuk ndodhej në Shqipëri ditën e gjëmës, megjithatë ajo që s’duhet të ndodhte kishte ndodhur. Thonë se atij të cilit i bie gjëma, Zoti i jep fuqi që ta përballojë. Në dhomën ku qëndronte arkivoli, lart në mure kishte disa fotografi, Haxhiu në mesin e dy djemve, hedhur krahet sup më sup. Në tjetrën ishte me bashkëshorten dhe fëmijët. Kishte fotografi të miqve dhe shokëve nga Kosova por nuk mungonte një fotografi e madhe ku Haxhiu kishte dalë me Presidentin e Republikës në shtëpinë e poetit të ekzekutuar Vilson Blloshmi, në Bërzeshtë.

Homazhe,

Ora 10:00, Tiranë

 

Në hollin e një godine mbrapa ish Lidhja e Shkrimtarëve është vendosur arkivoli. Përpara tij një fotografi me shirit të zi. Askush nuk e besonte se pas kësaj fotografie brenda në arkivol është shtrirë ky djalë që sot po i jepet lamtumira. Njerëzit që vijnë për homazhe, janë të panumërt, të gjithë të heshtur afrohen me dorë në zemër, përkulen me dhimbje e me respekt. Jashtë janë të shumtë të ardhurit që presin të futen brenda për të bërë zakonin e rastit. Në krah të arkivolit janë ulur familjarët, vëllezërit motrat veshur me të zeza e me sy të skuqur nga rrjedhja e lotëve. Të gjithë futeshin pa folur asnjë fjalë e largoheshin në shenjë habie. Atyre nuk u besohej për këtë që kishte ndodhur dhe kjo kuptohej lehtë në fytyrat e tyre. Të shumtë ishin ata që kishin ardhur nga Kosova. Të gjithë donin të dinin se ç’ndodhi me Haxhiun. Askush nuk besonte se ky djalë do ia vinte shpatullat dherit të ftohtë në këtë mënyrë dhe në këtë moshë, e megjithatë kjo kishte ndodhur. Gjithë këta njerëz kishin ardhur për të përcjellë të ndjerin për në banesën e fundit. Ora e nisjes ishte kaluar. Njerzia nuk kishin të mbaruar. Më në fund arkivoli u kap duke u përcjellë dorë më dorë jashtë godinës deri te makina. U nis dhe makina për në banesën e fundit, varrezat e Tufinës. Në momentin e vendosjes së arkivolit në varrin e hapur ndodh diçka me të dy djemtë e të ndjerit. Të lotuar e mbuluan arkivolin me trupin e tyre e nuk lejonin t’i hiqnin prej andej. Të gjithë ne që ishin përreth arkivolit ngrimë si të ishim gur dhe askush nuk guxonte të thoshte një fjalë. Nga ana tjetër bashkëshortja e motrat qanin papushim. U krijua një skenë e llahtarshme dhe shumë tronditëse me djemtë. Ata luteshin për të mos u ndarë nga arkivoli. Kjo zgjati për disa minuta e më në fund filluan të mbulonin arkivolin. Dikush hidhte dhé me dorë, dikush me lopata mikut dhe bashkëvuajtësit tonë, Haxhi Baçinoskit. Më pas gjithë ky dhé i zi u mbulua nga kurorat e panumërta saqë nuk të jepte përshtypjen se poshtë tyre, nën dhé, ishte një arkivol. Njerëzia filluan të lagoheshin me shikim nga mbrapa duke u ndarë përgjithmonë me këtë djalë. Ne e lamë mikun tonë të pushonte përjetësisht në shoqërinë e nëndheshme me një ikje të parakohshme dhe të pamerituar.

Lamtumirë miku ynë! Pushofsh në paqe!

 

Tiranë, 8 qershor 2019.

 

Please follow and like us: