Albspirit

Media/News/Publishing

Romario Metanj: Të diplomuar dhe të paarsimuar

Fotografia e Romario Metanj

Studentët në çdo shoqëri njerëzore përbëjnë grupin më të rëndësishëm të popullsisë, për shkak të rolit të madh që luajnë në qasjen e tyre konstruktive mes të kaluarës historike dhe perspektivave integruese të së ardhmes. Si bartës të dijes, kulturës dhe vlerave demokratike ata u bënë një faktor dhe aktor i rëndësishëm në ngjarjet e vitit 1990, ku me anë të organizimit të lëvizjes studentore bëri të mundur shembjen e diktaturës më të egër të historisë, diktaturës komuniste. Ata hodhën idenë: “Ta bëjmë Shqipërinë si Europën”. Sipas të dhënave të INSTAT, të rinjtë në Shqipëri përbëjnë rreth 1/3 e numrit të përgjithshëm të popullsisë, fakt ky që tregon se niveli i formimit arsimor e kulturor të brezit të ri është përcaktues për ritmet e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Është domosdoshmëri krijimi i një marrëdhënie të fortë mes Qeverisë dhe të rinjve nga njëra anë dhe nga ana tjetër mes të rinjve dhe profesorëve. Arsimi është një nga fushat më të rëndësishme të çdo shoqërie dhe çdo sistemi. Përmes arsimit shoqëria u transmeton pjestarëve të saj dijen, kulturën, trashëgiminë, vlerat përmes të cilave shkon përpara shoqëria. Arsimi jo vetëm i paraprin shoqërisë por edhe ndikohet shumë nga ndryshimet shoqërore. Gjatë këtyre 28 viteve të demokracisë, sistemi i arsimit ka pësuar ndryshime të herëpashershme, por kjo gjë nuk tregon paqëndrueshmërinë e sistemit, përkundrazi, shërbejnë për t’iu përshtatur sa më mirë ndryshimeve sociale në vendin tonë dhe në ato globale. Por duke qenë se këto ndryshime nuk kanë qenë shumë të studiuara dhe duke u bërë në një terren shumë pak të favorshëm nga gjendja prej së cilës vinte sistemi ynë arsimor, si një sistem “i pushtuar” nga politizimi i tejskajshëm; jo gjithmonë kanë dhënë frutet e duhura dhe janë perceptuar si eksperimente të një shoqërie në tranzicion. Eksperimentimi nuk është diçka e keqe deri në momentin që nuk kalon caqet hapësinore dhe kohore, bëhet i dëmshëm dhe ndikon negativisht.

Reformimi i sistemit arsimor duhet të mbështetet në përvojën perëndimore të arsimit me qëllim përshpejtimin dhe integrimin e Shqipërisë në familjen europiane. Jo më kot, Volteri do të shprehej: “Më lini në dorë arsimin dhe edukimin e rinisë dhe shihni po nuk ia ndryshova fytyrën Europës”. Në koherencë të plotë me këtë duhet të jetë edhe misioni i universiteteve për të formuar personalitete, transmetues të kapitalit kulturor dhe social. Gjithçka bëhet e mundur nga efektivitetit i marrëdhënies student – profesor i ndërtuar mbi një kurrikul bashkëkohore. Megjithëse viteve të fundit ka pasur një fokus të madh nga ana e shtetit, por përsëri ka ende shumë probleme. Nuk mjafton vetëm diagnostifikimi i problemeve,por duhet terapia për të luftuar këto probleme.

Gjithsej në vendin tonë numërohen 59 IAL, ku 15 janë IAL publike dhe 44 janë IAL jopublike. Numri i programeve të studimit të ofruara është 1560, ku 650 programe janë të sistemit Bachelor, 250 janë programe Master Profesional, 350 janë programe Master Shkencor dhe 100 programe të ciklit të tretë Doktoraturë. Shqipëria “prodhon” shumë njerëz me arsim të lartë duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të popullsisë dhe në të njëjtën kohë shumë papunësi njerëzish me arsim të lartë. Në këtë stad që jemi shoqëria shqiptare ka nevojë për më mirë dhe jo për më shumë, nëse nuk rrisim investimet në sektorin e arsimit të lartë dhe cilësinë. Asnjë qeveri këto 28 vite demokraci nuk ka ndërrmarrë hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar për Arsimin, duke e analizuar që në gjenezë arsimin. Janë bërë përmirësime, por jemi shumë larg nivelit të arsimit në hapësirën europiane.

Mësimdhënia dhe pedagogu nuk i shërbejnë studentit, edhe nëse arrihet kjo gjë, përsëri misioni mbetet i parealizuar, për të mos thënë i dështuar. Vendi ynë ka pasur një arsim të politizuar, edhe pjesë e atij arsimi sot janë një pjesë e madhe e profesorëve, të cilët janë përgatitur gjatë kohës së regjimit komunist. Pjesa tjetër e profesorëve janë diplomuar në vendin tonë gjatë kohës së demokracisë ose në vendet e tjera, kryesisht Perëndim. Të dyja figurat janë të pranishme në sistemin tonë arsimor duke bërë të mundur që pjesa më e madhe e stafit akademik ta shohë studentin si objekt dhe jo si subjekt, duke harruar kështu se tek çdo individ ka një veçori të cilën sistemi i arsimit të lartë dhe në veçanti pedagogu duhet ta vërë në dukje. Tek studenti shikohet problemi dhe jo zgjidhja duke i vënë në dukje vetëm dobësitë dhe jo arritjet. Ky këndvështrim, i cili edhe pse mund të mos jetë keqdashës bëhet shkak për krijimin e situatave të pakëndshme në proçesin mësimor. Këtu nis konflikti Pedagog-Student. Gjithçka është e fokusuar tek nota duke e servirur vlerësimin, një mjet presioni psikologjik dhe burim konflikti. Universiteti, nga një vend miqësor që duhet të jetë, është kthyer në makthin e shumë studentëve, të cilët në vend që të marrin edukimin dhe profesionalizmin, marrin mësimet si t’ia hedhin sa më lehtë. Ndikimi i shoqërisë dhe presioni i madh që shoqëria bën për të nxitur arritjen e rezultateve ka dhënë efektin e kundërt, duke mos rritur dëshirën dhe interesin për të studiuar, por thjesht për të patur një diplomë.

Studenti në shkollat tona stimulohet në nxitjen përmendsh “papagallistikë” të lëndëve mësimore, gjë kjo e mundimshme, e lodhshme dhe më e keqja jo e dobishme për shoqërinë dhe vetë studentët. Nëse qëllimi është vetëm të memorizuarit e të dhënave, atëherë nuk është etike që të mundohen studentët, pasi kjo gjë në kohën e sotme realizohet nga kompjuteri. Nuk vlerësohet, simulohet dhe “kultivohet” të nxënit logjik, të menduarit krijues dhe të menduarit e pavarur. Ka përjashtime por shumë nga pedagogët kërkojnë të thuhen, riprodhohen të gjitha ato që janë në tekst pa ndryshuar pikë e as presje. Natyra e marrëdhënies mes personelit akademik dhe studentit, nuk është e një natyre ndërvepruese dhe e bazuar në diskutime, në të menduar dhe zhvillim të ideve. Kjo është një nga mangësitë më serioze të sistemit të arsimit të lartë dhe ka të bëjë me të tre ciklet e studimit, si dhe ciklet pasuniversitare. Çdo gjë është e lidhur me metodat e përdorura gjatë dhënies së procesit mësimor, e cila duhet të ndryshojë. Vështirësitë më të madhe ka implementimi nga ana e pedagogëve të vjetër të modeleve bashkëkohore të mësimdhënies,sepse këta pedagogë për vite me rradhë kanë përdorur të njëjtën mënyrë mësimdhënie dhe ndoshta e kanë të pamundur të kuptojnë nevojën për ndryshim. Personeli akademik nuk i përdor ose i përdor (vetëm një pjesë e vogël e personelit akademik) proçesin e shkëmbimeve me periudha afatshkurtra të mësimdhënies me universitetet simotra qoftë në rang kombëtar, qoftë rang rajonal, duke mos u bërë e mundur përthithja e metodave te reja bashkëkohore edhe implementimi i këtyre të fundin në sistemin tonë arsimor.

Përmbajtja e lëndëve që zhvillohen, janë shpesh të ngushta dhe tradicionale, duke ndjekur një disiplinë pa modulet e kreditet që proçesi i Bolonjës kërkon. Proçesi aktual në vendin tonë ka si qëllim të tij t’i japë studentit zgjedhjet alternative dhe fleksibilitetin e studimit.Kjo ka bërë që nga viti në vit shifrat e studentëve qe zgjedhin vendet e huaja për të vazhduar studimet e tyre, sa vjen edhe rritet më shumë.

Profesorët rekomandojnë shfrytëzimin e librave, kryesisht në gjuhën shqipe, ku si autorë janë vetë lektorët e lëndëve ose miqtë e tyre. Vetëm një pjesë e vogël e profesorëve, rekomandojnë një kombinim të librave/literaturës në gjuhën shqipe me ato në gjuhë të huaj. Në disa lëndë ka një “bollëk” të literaturës ndoshta për shkak të tematikës së zgjeruar që ato kanë dhe ka lëndë të tjera ku ka mungesë literature dhe vendin e kësaj të fundit e zënë informacionet e përkthyera jo në gjuhë zyrtare, slajdet ose thjesht informacione të pakontrolluara. Edhe mjetet alternative të dhënies së informacionit profesional, janë shumë të dëshiruara edhe nga ana e vetë studentëve, por përmbajtja dhe mënyra e dhënies nuk janë në koherencë me nivelin e proçesit mësimdhënës në Shqipëri. Është e papranueshme që puna kërkimore për krijimin e literaturës në të cilën janë të pasqyruara edhe ndryshimet më të fundit që shoqëria njerëzore ka pësuar, të jetë shumë e pakët ose në rastin kur është koherente me zhvillimet, bëhet pjesë e literaturës bazike për studentin në një periudhë të mëvonë, për shak të ngarkesës të madhe qe personeli akademik ka në përçimin e dijes, ose për shkak të angazhimit në më shumë sesa një punë. Lëndët mësimore nuk janë të organizuara në planin teoriko-praktik, duke ngelur studenti “rob” i teorisë. Aspektet praktike të lëndëve pothuajse mungojnë, por edhe nëse ekzistojnë, kjo është në një sasi të vogël. Kjo vjen si rezultat i një shpërputhje të madhe mes numrit të madh të studentëve dhe stafit akademik, por edhe një interesim i pamjaftueshëm nga ana e stafit akademik për ta përfshirë punën praktike në planet e tyre mësimore ose për ta realizuar atë në kushtet ekzistuese. Por mungesa e praktikës mësimore mungon edhe në ato fusha ku shpenzimet për organizimin e saj, janë relativisht të ulëta, siç janë shkencat shoqërore dhe humane. Kjo mungesë e praktikës lëndore ndikon në fund të studimeve, duke mos përgatitur atë që në Perëndim njihet  si “Knowledge workers”(punonjës i dijes).

Një pjesë shqetësuese e punësuar në stafin akademik, nuk kanë nivelin e domosdoshëm profesional, madje ka edhe pedagogë që i kanë mbaruar studimet universitare nën nivelin që kërkohet për mësimdhënie. Cilësia e ulët e mësimdhënies reflektohet drejtpërdrejt tek cilësia e dobët e studentëve. Mjafton kjo për të vërtetuar se punësimi i pedagogëve është bërë jo sipas meritës, por sipas nepotizmit. Ka pedagogë që nuk janë kualifikuar në vijimësi përmes shfrytëzimit të një procesi praktikimi, por edhe kontrolli. Në disa nga degët në IAL publike në rrethe ka pedagogë që nuk zotërojnë lëndën që japin mësim, kjo për arsye të mungesës së stafit akademik ose punësimi i dyfishtë. Në cilësinë e mësimdhënies nuk është i rëndësishëm vetëm moment i rekrutimit të pedagogut në punë si pedagog, por edhe faza tjetër, ajo e periudhës së punës së tij si pedagog në universitet.

Tashmë është e ditur që në sistemin arsimor shqiptar, vlerësimi i dijeve të studentëve nga ana e pedagogëve bëhet nëpërmjet provimit me shkrim në dy sezonet e detyruara (i dimrit dhe i verës). Në të gjitha fakultetet datat e provimeve shpallen relativisht në kohë, në të gjitha degët. Por ka raste kur orari i parasheh dy ose më shumë provime në një ditë duke shkaktuar një goditje psikologjike për studentët të cilët e kanë të pamundur që të rregullojnë programin për përgatitjen e provimeve, duke mos arritur një parapërgatitje maksimale për të dalë me sukses tek dy ose më shumë provimet që janë në një ditë. Ka provime për të cilat periudha e lënë në dispozicion nuk korrespondon me vetë volumin e lëndës. Shpesh ndodh që të ketë e një ndryshim të ditës së provimit e duke e zëvendësuar ditën e caktuar për zhvillimin e një provimi me një provim tjetër. E gjitha kjo është një kosto emocionale sepse ndodh që shumë prej studentëve të humbin besimin tek proçesi arsimor. Vlerësimi duhet të jetë objektiv nga ana e pedagogëve, por kjo gjë është shumë e vështirë për t’u realizuar, ose edhe kur realizohet përsëri lë për të dëshiruar. Në këtë drejtim kemi dy figura pedagogu. Njëra figurë i vlerëson me objektivitet studentët dhe figura tjetër ku objektiviteti “çalon”. Por nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe vlerësimin që ndodh për shkak të nepotizmit ose shkaqe të tjera personale. Ky lloj vlerësimi në tërësi, shërben si nxitës i formave të tjera të marrjes së një vlerësimi sa më të drejtë ose thjesht pozitiv. Mungesa e qasjes sistematike ndaj vlerësimit shihet si një faktor që ndikon objektivitetin e pedagogut gjatë procesit të vlerësimit. Vlerësimi i vazhdueshëm është me defekte serioze. Një prej defekteve është mosmbajtja e kolokiumeve gjatë semestrit kur zhvillohet lënda mësimore, si një mjet që të shërbejë në vlerësimin përfundimtar. Por edhe kur ndodh realizimi i kolokiumeve, në fund të semestrit, gjatë vlerësimit përfundimtar nuk merren nga ana e pedagogut rezultatet e arritur në kolokiume.

Arsyeja e kësaj mungese është numri i madh i studentëve, por edhe mosgadishmëria e personelit akademik që të marrë mbi vetë obligime shtesë. Përsa i përket tekstit përfundimtar është shumë e lehtë konstatimi i pyetjeve të njëjta duke krijuar një bazë të fortë për kopjim. Duke i shfrytëzuar testet e kaluara, studentët realizojnë përgatitjen për provimin e ri. Kjo përsëritje ndikon drejtpërdrejtë në qasjen e studentëve ndaj të mësuarit. Sot kjo dukuri është mjaft e përhapur nëpër fakultete, por shkalla e kopjimit është në proporcion me numrin e studentëve domethënë kopjohet më shumë tek ato degë ku ka më shumë studentë. Me zhvillimin teknologjik kjo metodë është perfeksionuar, por faji i vërtetë i përket pedagogëve, të cilët i përsërisin tezat e tyre. Kur studenti kapet duke kopjuar, ndëshkimi më i madh për të është largimi nga provimi dhe vlerësimi me notë jokaluese.

Në përfundim të studimeve universitare, një pjesë e madhe e studentëve tanë kanë marrë njohuri përgjithësisht të një niveli të ulët dhe shumë prej tyre janë praktikisht të papunësueshëm për kërkesat e tregut të sotëm. Kjo e vërtetë është e dhimbshme. Gjatë gjithë viteve të studimit studentët bëjnë çdo gjë që u kërkohet, por nuk aftësohen për atë çka do u duhet nesër dhe në një afat më të gjatë. Paguajnë tarifat e shkollimit, ndjekin orët e mësimit, blejnë tekstet dhe kryejnë detyrat që u kërkohen, por nuk mësojnë çfarë do u duhet në profesion dhe në jetë. Si rezultat i kësaj kemi një “prodhim” arsimtarësh mediokër për brezat që do të vijnë, mjekë dhe dentistë joprofesionistë për qytetarët shqiptarë të çdo moshe, ekonomistë dhe financierë të paaftë për një ekonomi të shekullit të 21-të, prokurorë dhe gjyqtarë të paditur (si të tillë lehtësisht të korruptueshëm) për një sistem drejtësie që nuk do të mund të mbrojë dot të drejtat e qytetarëve, nëpunës burokratë mediokër për administratën e të gjitha institucioneve publike.

Image result for studentet ne proteste

Please follow and like us: