Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Haxhiraj: Dita e parë e shkollës shqipe në Itali “Udha e Buzëqeshjes”

 

 

Dita e parë e shkollës në Itali…

Më duhej të më dërgonin një ftesë nga New York që të njihja një realitet që ndodhej në Piemonte të Italisë.

Ftesa që më kishte ardhur kishte të bënte me një aktivitet që zhvillohet në Asti këto ditë, por ajo që zbulova në momentin që e vizitova qytetin ishte “Udha e Buzëqeshjes”.

Shkolla shqipe që funksionon në Asti të Italisë prej dy vitesh është një eksperiment suksesi i vënë në lëvizje nga një grup mesuesish shqiptarë që në shkollën “Udha e Shkronjave” buzëqeshjen, dijen dhe mirësinë e kishin vënë në funksionin  e një komuniteti të përbërë prej 7000 shqiptarësh.

Mimoza, Vilma, Elida, Edmonda, Lindita, Esonela, Natasha, këto heroina të heshtura nuk kishin lënë mbas dore profesionin e tyre që ndiqnin në Shqipëri duke e vënë në shërbim të fëmijëve shqiptarë që tashmë jetojnë në Itali.

108672 fëmijë italo-shqiptarë të lindur dhe të rritur në Itali janë burimi më i madh njerëzor që Migracioni ynë global ka në gjirin e vet.

Ata janë jo vetëm ura më e madhe e dijes, por në të njëjtën kohë janë dëshmitarët kryesorë e asaj që Perendimi ka bërë për njerëzit tanë në 30 vite.

Nëpërmjet tyre fjala ‘Integrim’ sot është një histori suksesi.

Por në buzëqeshjet e “Ishullit të Lumtur” të quajtur Asti kjo shkollë është përgjigja më e mirë se çfarë shqiptarët kanë ndërtuar me duart e tyre.

Shqiptarët jo Shteti i tyre.

Shteti Shqiptar i do vetëm për ahengje dhe për foto kur organizonë mitingjet e radhës ose këto konferencat në shërbime të Migracionit që kanë rezultuar një falimentim i madh i politikave 30 vjeçare të një shteti të lodhur, pa ide e strategji për këtë realitet kaq të rëndësishëm.

Gjuha, Shkolla, Dija është një problem shumë më serioz se gallatat e partive shqiptare që tashmë janë të diskretituara në sytë e Migracionit.

Gjuha shqipe e folur nga këta fëmijë të lindur në Perëndim është akuza më e madhe ndaj politikave të shtetit shqiptar, gjuha dhe buzëqeshjet e Astit janë shembulli më i mirë se njerëzit tanë ia kanë dalë kudo ku është lidhur dija dhe kultura.

Asti dhe buzqëshjet pa fund të tyre janë oksigjeni për Shqipërinë e Re.

Gjuha dhe dija e këtij brezi shqiptarësh tek ‘Udha e Buzëqeshjes’ ka përgjigjen që të gjithë ne do të kërkonim për njerëzit tanë në Migracion.

Ata sot janë Ishulli i Lumturisë.

Ata ia dolën të realizonin një ëndërr.

Të kenë një shkollë të tyre në Itali.

Ajo e ka emrin “Udha e Shkronjave”, por për mua u kthye në ‘Udhën e Buzëqeshjes’.

Please follow and like us: