Albspirit

Media/News/Publishing

Mentor Kikia: Për videon e seksit të përmendur nga Artur Zheji në emisionin ‘Opinion’ të Fevziut!

zheji

Mbrëmë në emisionin “Opinion”, analisti Artur Zheji, si të ishte në gjendje të dehur, ndërsa fliste për thashethemnajën e ditëve të fundit mbi ekzistencën e ca videove seksuale me ministra e kryetarë bashkie, deklaroi, pa u menduar gjatë, se ka parë disa frame (sekuenca) dhe disa foto të shkëputura nga një video seksuale që ia kisha dërguar unë, pra Mentor Kikia i Top Channel, siç ai u kujdes ta saktësonte “mbiemrin” tim profesional. Ai foli edhe për pozicionin e atyre që bënin seks madje, që i kishte parë në video. Pastaj Zheji foli për një ankand që qenka hapur nga ai që ka videon (që i bie të jem unë në këtë rast) dhe se pazari fillestar qenka 2 milionë euro. Të, cilat sipas tij, një ministër që fiton 5 milionë euro gjatë një mandati, nuk i ka gjë. Nejse, këto kalkulime janë të tijat dhe i di ai, por unë dua të saktësoj publikisht, se deklarata e tij lidhur me foto dhe frame-t e videos që i kam dërguar unë, është një shpifje e ndyrë, pa asnjë bazë dhe tërësisht haluçionante. Unë nuk kam parë e nuk kam patur asnjë fotografi, asnjë fram-e videoje e asnjë vidoe me të tillë përmbajtje. Dhe, nëse do ta kisha dhe do të mendoja se përbën lajm, nuk do t’ia jepja Zhejit për ta hedhur në një blog që ai paska hapur për të bërë gazetari tani në pleqëri, por do ta përdorja vetë si gazetar. E theksoj, si gazetar dhe jo si gjobaxhi blogjesh. Unë nuk kam kontaktuar asnjëherë me Zhejin, që prej 16 vjetësh kur ai ishte drejtor në TVA dhe unë redaktor dhe kërkonte t’ia dërgonin gazetarët tekstet e lajmeve në restorant për t’i parë. Unë nuk kam kontaktuar asnjë prej atyre që ai paska punësuar në blogun e tij dhe as e kam hapur ndonjëherë blogun e tij dhe deklaratën e tij nuk e cilësoj aspak papërgjegjshmëri, as lajthitje dhe pasojë e dehjes, gjendje në të cilën Zheji mendoj se flet shpesh. Por e konsideroj një intrigë të ndyrë, pjesë e centrifugës së llumit që ka përfshirë politikën dhe median online këto kohë, që bën presion mbi individë dhe grupime politike me video apo alarme për video.
Por unë s’jam një nga “ju” Zheji, të siguroj që nuk i përkas atij komuniteti gazetarësh që me artikuj me porosi, me mendime me porosi, apo me sajime e presione edhe video-skandalesh, krijoj salltanete ekonomike. Jetoj minimalisht dhe mjaftueshëm për mua, me çfarë më kanë paguar e më paguajnë punëdhënsit e mi që prej 25 vjetësh në këtë profesion.
Unë jam i vetmi gazetar që kam mbajtur qëndrim kundër këtij llumi, kundër paralajmërimeve të përditshme të mediave e blogjeve online, për publikime videosh me sekretare e dashnore, me homo e heteroseksualë. Kam dënuar dhe ironizuar perversitetin shoqëror, politik, publik e mediatik të vdeomanisë dhe video-politikën si formën më të degjeneruar të të bërit politikë. Kam ironizuar popullin që nuk pyet se cfarë i bëjnë ministrat duke i zhvatur, por vrapojnë të bëjnë gallatë me video seksi. Dy javë më parë dhe pikërisht dje, ditën që Zheji bëri deklaratën, unë kam postuar në faqen time në facebook(saktësoj nuk drejtoj e disponoj asnjë blog informativ), dy statuse ku ironizoj, dënoj dhe denoncoj pikërisht këtë fenomen të ndyrë e të pështirë, duke theksuar se unë një ministër dua ta denoncoj më parë nëse ka vjedhur apo zhvatur paratë e fondeve publike, dhe jo nëse ai qenka homoseksual apo paska dashnore. Pikërisht në këtë ditë, kur unë shkruaj kundër këtij fenomeni, Zheji zbulon se unë i paskam dwrguar videon e seksit të një ministri.
Ky sqarim ishte një për opinion publik, për ata që kanë dëgjuar live në Opinion e ata që kanë lexuar të riprodhuar me pas online dhe për ata që më njohin e vlerësojnë profesionalisht.
Ndërsa me Zhejin do të përballem në gjyq, ku ai duhet të tregojë fotot dhe fram-et e videos që unë i kam dërguar. Nëse ai nuk i tregon ato dhe ku e si ia kam dërguar unë, do ti kërkoj të më dëmshpërblejë me vlerën fillestare të ankandit që, sipas tij, qenka hapur për videon e plotë të skandalit seksuel.
Besoj se nuk e shpëton dot Zhejin as fakti që në versionin online të Opinion, është këputur pjesa(frame-i) ku Zheji shpif ndaj meje.

Për korrektesë ndaj lexuesve të mi, për të ditur mendimin dhe qëndrimin tim ndaj video-politikës, po ju risjell më poshtw statuset që unw kam publikuar në faqen time në fb.
Në pritje të lajmit “bombë” të bloqeve(Publikuar data 2 Qershor e gjeni meposhte ne kete faqe)

Nëpër bloqe tiranase po qarkullon lajmi se sonte do të dalë një lajm që do të trondisë vendin, për së gjati dhe për së gjëri. Madje edhe në thellësi, thonë bloqet. Një ministër na paska shkuar deri në Amerikën Latine për një transvestit, pasi thonë se janë më të mirë ata se këta mesdhetarët e rregjur nga dielli. Ja ta zëmë se është e vërtetë, pra që ky ministri qenka edhe ashtu edhe kështu, dhe se ai tranvestiti na paska qenë agjent mediatik dhe në njërën dorë mbante… dhe në tjetërn kameran. Dhe pastaj?
Kujt i plasi? – do të pyesnim me gjuhë aspak qytetare
Po sikur ky ministri të jetë homoseksual, per qef te tij?
Po sikur ministresha të jetë lesbike, por per qef te saj?
Po sikur e gjithë qeveria, apo edhe parlamenti të jenë LGTB, por per qef te tyre?
Po sikur të gjithë këta ta filmojnë jetën e tyre familjare dhe seksuale dhe tia japin miletit të englediset? Gallate e madhe, nuk duam as punë, as rroga, as rrugë, as reforme, duam vetëm video me seks, mundësisht me brekë të grisura.
Në fakt unë do të dua të di se më çfarë parashë ka shkuar ky ministri atje, deri në “allemanie” për një ashtu. Dua të di nëse është apo jo hajdut e i korruptuar? Nëse po, atëherë hajde tia marrim erzin e ta bëjmë të ikë nga sytë këmbët. Ndërsa me jetën e tij, jashtë institucionale, të bëjë çtë dojë, as më intereson fare.
Mos i harxhoni energjitë dhe urrjeten me të tilla gjëra o njerëz, por përdoreni zemërimin ndaj atyre që na zhvasin e na shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve

Gallatë e madhe njerëz, do shikojmë video të reja seksi (Publikuar Data 25 Maj, e gjeni me poshte ne kete faqe)

Thashethemnaja “bën të ditur” se qarkullojnë nëpër ca zyra të larta politike ca video të tjera seksuale. Flitet për ministra e për kryetarë bashkie që janë filmuar duke bërë seks nëpër zyra apo nëpër motele, me gra apo vajza të reja.
Populli po përgatitet të shikojë gallatë të madhe. Do të kënaqemi, ç’nuk do na shikojnë sytë. Vajzat i kanë hyrë punës me kamera në ballë, si drita minatorësh.
Unë po hipotezoj tani sikur gjithë këto që thuhen, janë të vërteta. Po mendoj që tani çdo të bëhet nëpër rrjetet sociale. Do të shpërthejnë sharjet, gallatat, barcoletat, fotomontazhet, pastaj edhe denoncimet publike nga zyrat e partive dhe kërkesat për dorëheqje për kurvarët respektivë.
Por unë do të mbaj një tjetër qëndrim që tani. Nëse nuk keni përdhunuar ndonjë femër, apo nuk keni detyruar ndonjë femër të aftë, të hapë këmbët për të mbajtur vendin e punës, thjeshtë do të them: Ju lumtë palla. Unë po përdor këtë gjuhë ordinere sepse supozoj që do të jem shumë nervoz.
Unë do të jem nervoz, jo sepse një zyrtar ka bërë seks me një tyryfyçkë me kamera në ballë, por sepse këtë tyryfyçkën e ka bërë drejtoreshë. Edhe pse e pafatë nuk është vetëm kjo që bëri seks. Tyryfyçka e tyryfylër ka plot nëpër zyra, sepse i ka dërguar partia, edhe pa bërë seks.
Unë do të jem nervoz sepse nuk dua që ai zyrtari të bëhet leckë publikisht pse një femër ia lujti apo ia dha pa u menduar dy herë, dhe vendosi ta dokumentojë “ceremoninë” par ta “shitur” , por sepse ai zyrtari duhet të diskreditohet ashtu për korrupsionin, për vjedhjen e parave, për dhënien e tenderave miqve dhe të afërmëve të tij, për një mijë maskarallëqe të tjera që na rëndojnë të gjithëve.
Por meqë këto që unë po shkruaj nuk kanë ndodhur, po ju bëj një pyetje të gjithëve, për atë që ka ndodhur ndërkohë:
Cili zyrtar është më i dëmshëm për interest e njerëzve: Shukriu që mori në punë një vajzë duke i kërkuar favor seksual(nuk di sa e aftë profesionalisht ka qenë ajo vajzë, por njoh plot vajza të zonja që kanë siguruar vende pune e kanë bërë karrierë, pa ua hedhur qurrat shefave të tyre, edhe me qeflinj se Shukriu), apo Halili i Kukësit që kishte lënë katër vjet pa sigurime të gjithë nëpunësit dhe punëtorët e bashkisë, dhe lekët i kishte bërë topa futbolli dhe brekë për lojtarët.
Patjetër që të dy, do të thoni, por unë mendoj gjithësesi që më i dëmshëm është i dyti, por me të nuk u mor askush. Ai është në “arrati”, e Shukriu në qeli.
Që të mos keqkuptohemi, unë e neveris zyrtarin që politikat e kuadrit i bën me pantallona zbërthyer, por ma neverit më shumë të bërit politikë me video seksi. Dua që një zyrtar të mos e shikoj në burg pse shkoi në krevat me sekretaren qejfleshë, por sepse vodhi paratë, që do të ishin bërë rrugë, shkollë, kanal, treg, spital… dhe cdo gje tjetër që na shërben neve.

3 qershor 2016.

Please follow and like us: