Albspirit

Media/News/Publishing

PROF. DR. ISUF MUSLIU: E FOLMJA E PETRESHTICËS (III)

KOMUNA E SHTIMES

Pozita gjeografike

 

4. Komuna e Shtimes gjendet në pjesën qendrore të Kosovës, me një sipërfaqe prej 134 km2, gjegjësisht përfshin 1.2 për qind të territorit të Kosovës. Ka rreth 35000 banorë. Vetëm në qytetin e Shtimes jetojnë rreth 12000 banorë. Ka 22 vendbanime rurale dhe qytezën e Shtimes, prej të cilave 13 shtrihen në pjesën kodrinore – malore, ndërsa 9 prej tyre në pjesën rrafshinore.

Shumica e këtyre fshatrave mbajnë emra me burim gjuhësor të serbishtes, si refleks i pushtimit serb të Kosovës për një periudhë të gjatë qindravjeçare.
Kryqëzimi i akseve rrugore të rëndësishme në relacionet Prizren – Shtime – Prishtinë dhe Prizren – Ferizaj – Shkup i japin kësaj zone karakterin e një zone të hapur.

Komuna e Shtimes kufizohet me Komunën e Ferizajt, Lipjanit dhe Suharekës. Qyteti i Shtimes është 31 km larg nga kryeqendra e Kosovës – Prishtina, 48 km. nga Prizreni dhe 13 km nga Ferizaj. Shtimja është udhëkryq i rrugëve regjionale, këtë segment duhet ruajtur dhe zgjeruar edhe gjatë hartimit të Planit Gjeneral Urbanistik.

 

 

SHTIMJA NË BURIMET E LITERATURËS

 

  1. Për Shtimen kanë shkruar mjaft autorë, duke iu qasur kësaj treve nga këndvështrime të ndryshme historike, gjeografike, etj.

Një studim monografik me vlerë për këtë lokalitet, me informacion të pasur dhe me pretendime më shkencore, ka bërë autori Banush Imeri “Shtimja me rrethinë. Dëshmi ekzistence e qëndrese” (Prishtinë, 2003, 544).
Në këtë botim, të ndarë në 9 kapituj, autori sjell të dhëna me interes dhe për popullsinë e Shtimes dhe rrethinës në shekullin XIX-XX, migrimet dhe ngulitjet e popullsisë, vendosjen e muhaxhirëve në disa vendbanime të Shtimes, popullsinë e Shtimes dhe fshatrave në bazë të regjistrimeve të shek. XX, për qytezën e Shtimes dhe vendbanimet (fshatrat) e kësaj komune:

Belinci
Caraleva
Davidovci
Devetaku
Duga
Gjurkovci
Gllavica
Godanci Epërm

Godanci i Poshtëm

Karaçica
Llanishti
Lluzhaku
Mollopolci
Muzeqina
Petrova

Petroviçi
Petreshtica
Raçaku
Ranca
Rashinca
Topilla
Vojnovci, dhe

Zborci.

Në një kapitull flet dhe për riemërtimet fshatrave të komunës së Shtimes nga viti 2000. Në këto shtjellime sillen të dhëna me interes për historikun e këtyre fshatrave dhe një lëndë e pasur toponimike, sidomos dhe për fshatin Petreshticë.

  1. Sipas historianëve të ndryshëm konsiderohet që Shtimja të ketë qenë e banuar nga fise dardane që nga koha e bronzit dhe hekurit, të shpërndarë në kala të shumta dhe vendbanime kodrinore e fushore. Në kohën e sundimit të Perandorisë Romake është zhvilluar rrjeti i vendbanimeve urbane dhe i rrugëve, të cilat lidheshin me sistemin rrugor të Perandorisë.

Në Kosovë rrjeti i vendbanimeve, gjatë kësaj kohe, u dendësua dukshëm. Numri i kalave dardane, si ajo fshatin Petrovë (e cila nuk ka asnjë shenjë sot), ishte mjaft i madh. Pas shkatërrimit të shumë kalave dardane antike (prej luftërave dhe tërmetit të fortë të vitit 518), u zhvillua sistemi i vendbanimeve në kohën bizantine (shek. IV-XII) dhe mesjetën e hershme serbe (1180-1389).
Vlen të përmendet Kështjella mesjetare e Topillës, e cila gjendet në një ngushticë 10 km në jug të Shtimes. Kështjella gjendet mbi një shkëmb, të cilën populli e quan “Guri Shtrenjtë”. Kjo kështjellë siguronte rrugën dhe shërbente për mbrojtjen e pjesës perëndimore të Fushës së Kosovës dhe të qytetit të Shtimes.

  1. Vendbanimet e para, fshatrat e kësaj treve, pra dhe Shtimja, u krijuan shumë herët, si rezultat i kalimit prej mënyrës nomade të jetës së njerëzve në mënyrën e jetës në një vendbanim për një kohë të gjatë, pra jetës së ngulitur.
    Kjo u bë atëherë kur filloi punimi i tokës, zhvillimi i bujqësisë, sidomos lavërtarisë. Formimi i vendbanimeve u bë sidomos në ato pika të caktuara ku njerëzit kishin kushte të volitshme për jetë, pra me klimë të mirë, me botë të zhvilluar bimore e shtazore, me ujë të bollshëm për vete dhe për shtazë, kullosa të begatshme dhe tokë cilësore për punë.

Shtimja i kishte dhe i ka këto të mira natyrore: lumin Shtimjanja në mes, malet dhe tokën pjellore. Prej kohësh, kishte edhe rrugën që lidhte Perëndimin me Lindjen dhe anasjelltas. Të gjitha këto bënë që ky vendbanim të ekzistojë që nga kohët më të vjetra.
Realisht kur është themeluar Shtimja, nuk ka burime të sakta historike të kohës. Mund të jetë formuar disa shekuj para se të përmendet në burimet mesjetare serbe e raguziane. Numri kaq i madh i shtëpive të këtij vendbanimi (109) për atë kohë, flet në të mirë të këtij konstatimi. Edhe disa nga fshatrat e territorit të Shtimes janë të vjetra dhe kanë pasur emërtimet që i kanë edhe sot, sepse në kohën e mesjetës, toponimet autentike të vendbanimeve, trojeve, fshatrave e qyteteve, u reduktuan deri në minimum. U bë përkthimi tyre, rëndom emrave të vendbanimeve dhe fshatrave të vogla, i atyre emrave, kuptimi i të cilëve dihej, ndërsa nuk u përkthyen ata emra, kuptimi i të cilëve kishte humbur për shkak të lashtësisë.

  1. Shtimja, si toponim, dëshmohet herët historikisht, mirëpo është emërtim që nuk përkthehet dhe gjatë shekujve na paraqitet në disa forma, por, për nga ndërtimi strukturor është i ngjashëm me emërtimin e sotëm.
    Në dokumentet mesjetare ajo për herë të parë përmendet në vitin 1326 kur Stefan Deçani, nga Oborri i tij mbretëror në Shtime, u lëshon diploma dubrovnikasve “in laco disto Stimni”, regjistruar në Dubrovnik, më 9 dhjetor të vitit 1329. Nga krejt kjo që u tha është vështirë të thuhet prerazi dhe të vërtetohet lashtësia e Shtimes, me gjithë ekzistimin e gjurmëve materiale nga e kaluara e largët,pa hyrë kazma e arkeologëve, që tash pa frikë do të punonin, do të hulumtonin dhe më në fund do të thoshin fjalën përfundimtare për Shtimen dhe për të kaluarën e saj historike, edhe pse nga diplomat e sundimtarëve të Mesjetës dhe më pastaj të defterëve turq, gjejmë shënime të vlershme, që përforcojnë konstatimin se Shtimja është vendbanim mjaft i moçëm. Meqë krisobulat, diplomat, aktdhurimet apo kartat etj., që ishin në përdorim në kohën e Mesjetës dhe gëzonin besim juridik, rëndësia më e madhe e tyre është se emrat e vendbanimeve dhe llojeve të tjera të makrotoponimeve përbëjnë një pasqyrë reale të topografisë të një pjese të truallit të sotëm të Kosovës, të dekadës së tretë e të katërt të shekullit XIV, atëherë kur edhe Shtimja si vendbanim përmendej në ato dokumente.
  2. Gjatë hulumtimeve arkeologjike, të kryera nga Muzeu i Kosovës, në vitin 1976, u realizua pjesërisht projekti: “Dardanët Parahistorikë në Dritën e Hulumtimeve Arkeologjike në Kosovë” ku në kuadër të këtij projekti nga tetë tumat ilire në Porodime të Shtimes, u gërmuan vetëm tri sosh. Me këtë rast është konstatuar se nekropolet e grupit kulturor dardan kanë qenë të tipit tumular me konstruksione të zakonshme për tumat ilire, unaza rrethore të përbëra prej gurëve të lumenjve dhe konstruksione të varreve. Këto tuma kishin dimensione të mesme dhe diametrin prej 13-18 m. Ato ishin dëmtuar qysh herët nga lëvrimi i tokës, me ç’rast janë shkatërruar edhe konstruksionet prej guri. Unaza rrethore, si pjesë e konstruksionit tumular është ruajtur në tërësi vetëm në tumën IV të nekropolit të Porodimes.
  3. Pozita e përshtatshme gjeografike, sidomos në grykën e Calralevës dhe atëtë Topillës, luajti rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e një sërë betejash. Gjatë vitit 1810 u zhvilluan beteja të rëndësishme kundër forcave osmane nën komandën e Dervish Pashës. Dhe më vonë rreth vitit 1910 Shtimja luajti rol vendimtar kundër forcave xhonturke, të cilat komandoheshin nga Xhafer Beu e Shefqet Dërgut Pasha, gjatë kësaj periudhe u arritën fitore falë pozitës së përshtatshme gjeografike në Grykën e Carralevës dhe komandantit të kryengritësve shqiptarë në rajonin e Shtimes, Isa Boletinit.
  4. Shtimja dhe Petreshtica, sikurse dhe mbarë populli shqiptar i Kosovës, u përfshinë dhe nga flakët e luftës çlirimtare të vitit 1998-1999 kundër pushtuesit qindravjeçar serb. I njohur për atdhedashurinë ndaj vendit të vet dhe i etshëm për liri, edhe populli i kësaj ane organizoi një rezistencë të armatosur kundër okupatorit serb, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që hapi luftë të, armatosur kundër Serbisë, luftë kjo që konsiderohet vendimtare jo vetëm për çlirimin e Kosovës, por edhe për formimin e shtetit të Kosovës.

Më 26 gusht 1998, policia dhe paramilitarët serbë, me forca të mëdha dhe teknikë të përsosur ushtarake, hynë në fshat dhe më parë i plaçkitën shtëpitë, kurse pastaj vunë flakën dhe dogjën deri në themele 90 shtëpi banimi dhe 70 lokale. Dogjën shkollën fillore me tërë dokumentacionin pedagogjik-administrativ, ambulancën e fshatit, granatuan xhaminë dhe shkaktuan dëme të mëdha. Nga ky fshat në radhët e UÇK-së kanë qenë 60 luftëtarë (Imeri 2003, 160).

 

PETRESHTICA

 

  1. Petreshtica administrativisht i takon Komunës së Shtimes, në një largësi përafërsisht 9 km në perëndim të kësaj komune, por gjeografikisht shkon me Drenicën e Epërme ose si i thonë banorët e kësaj ane Drenica e Pashës. Krahina e quajtur Drenicë kufizohet në veri me Mitrovicën dhe Kolashinin; në lindje me malet e Çiçavicës, të cilat e ndajnë nga Fusha e Kosovës, me malet e Gospojës, Goleshin dhe malet e Lipovicës; në jug me Cërnalevën, malet e Drenicës dhe Prekorupën, ndërsa në Perëndim me Podgorën, apo si e quajnë në popull Rrafshin e Dukagjinit.

Nga popullata e vendit kjo zonë njihet me dy emërtime të bigëzuara: Drenica e Pashës, që zë pjesën juglindore (përfshin 18 fshatra), dhe Drenica e Kuqe (62 fshatra), të cilat dallohen dhe me karakteristika etnopsikologjike. Drenica e Kuqe e konsideron veten si më luftëtare nga Drenica e Pashës, sepse ia ka kthyer fjalën dhe armën pashës (sundimtarëve turq). Folkloristi i njohur Anton Çetta në hulumtimet e tij shënon këtë legjendë për Drenicën e Pashës, pjesë e së cilës është dhe Petreshtica: “Emri Drenica e Pashës është lidhur me një ngjarje që ka pretendime historike. Pleqtë drenicas tregojnë se para një shekulli përafërsisht Jashar Pasha kishte pasë ardhur të shtrojë këto vise që njiheshin vetëm me emrin Drenicë. Duhet të ketë ardhur nga ana e Prishtinës, ku dhe sundonte, e qe vendosur ndër fshatrat e pjesës lindore, konkretisht i hapi çadrat ndërmjet Çikatovës e Gllogovcit. Deri aty nuk ndeshi ndonjë kundërshtim. Kjo gjë e trimëroi dhe, duke pandehur që popullsia e kësaj treve do të pranonte çdo kërkesë të tij, dhe në anën tjetër sigurisht duke mos njohur mirë psikologjinë dhe zakonet e fshatarëve, kërkoi që t‘i dërgonin një femër, siç thonë diskretisht pleqtë e këtij vendi, “me i ba hyzmet”. Drenicasit e morën si dhunë nderi kërkesën e tij, u grumbulluan dhe i dërguan fjalë: “Për çyshtu nuk t’njofim për pashë!” Njëkohësisht ia kthyen pushkën dhe e detyruan të tërhiqet dhe të zërë vend në pjesën më jugore të kësaj treve, e cila që atëherë u quajt Drenica e Pashës sepse pushteti i Jashar Pashës u shtri vetëm në atë pjesë të kufizuar” (Çetta 1990, 11).

  1. Petreshtica është fshat i tipit malor, me prona të pakta bujqësore. Sipas regjistrimit të vitit 1981 ka pasur 123 shtëpi, kurse sot ka rreth 182 shtëpi dhe përafërsisht 1511 banorë, të konfesionit islam, të gjithë të përkatësisë etnike shqiptare.

Në vitin 1956 ky fshat ka pasur 80 shtëpi, dhe “ishte me burra e jo me tulla, ka pasur burra të mençur, njerëz të ditur dhe familje të cilat janë njohur për bujari e mikpritje, që përmendeshin për odat e mëdha” (Sahiti 2005, 15).

Duke qenë vendbanim i tipit kodrinor-malor, afro 150 familje të këtij fshati, në periudha të ndryshme kohore, kanë migruar në drejtim të qendrave urbane si në Shkup, Ferizaj, Prishtinë, Lipjan, Shtime, Magurë.

Në kohën e Mbretërisë së Serbisë disa familje të Petreshticës janë shpërngulur për në Turqi (Imeri 2003, 159).
Popullata e këtij fshati është e besimit mysliman. Por gjurmët toponimike si Kisha, Kroni Mitrit etj., tregojnë se popullata dikur ka qenë e konfesionit katolik. Nga popullsia e vendit ky lokalitet quhet Petreshticë, kurse banorët petreshticas. Banorët janë të fisit Gash, por disa shtëpi të fisit Krasniq e Sop. Fshati është i tipit kodrinor-malor dhe ka pak toka pune. Tokat që ishin nën ujitje quheshin arat e vadës.

Për lokalitetin e Petreshticës flitet dhe në dy botime monografike, në një monografi për Drenicën të bashkautorëve Mehdi, Bardhi-Violetë Bardhi (Bardhi, 2009), në një botim tjetër “Kujtime” të autorit Jusuf B. Sahiti (Sahiti, 2005), lindur dhe i rritur në Petreshticë, por i mërguar në Izmir të Turqisë. Ndërkaq, për onomastikën e këtij lokaliteti në librin e R. Doçit “Onomastika e Drenicës” (2005).

Etimologjia e topikut Petreshticë

  1. Etimologjia e këtij topiku nuk është e paqartë. Në thelb ruan një emër vetjak Petre dhe sufiksin sllav-shticë, sikurse dhe te Llapashticë, Prapashticë, etj. Kjo është një dukuri krejt e zakonshme dhe primare në toponomastikë, të cilën e pohon edhe Prof. Çabej: Katundet fisnore shpeshherë mbajnë emrin e themeluesit ose banorit të parë të tyre (SGJ V, 337). Emrin e këtij topiku e takojmë dhe në dokumentet e vjetra të shek. XV, në rajonin e zotërimit të Brankoviçit, në Kadastrën e regjistrimit të vitit 1455, me formën Selo Petrustica (Petrastica), me gjithsej 69 shtëpi dhe 81 banorë, me emra të konfesionit të krishterë (Oblast Brankovica 1972, 225). Forma gjuhësore Petrustica (Petrastica) dëshmon për proveniencën vllahe të këtij toponimi, si një ngulim baritor, e cila është ruajtur dhe deri më sot nga banorët vendës si Petreshticë.

Për praninë e elementit baritor vlleh në këto hapësira dëshmojnë dhe topikë të tjerë, si p.sh. emri i vendbanimit Magurë, që ndodhet jo larg Petreshticës, etj.
Trajta Pjetërshticë, që ka propozuar një Komision për riemërtimin e emrave të vendeve në Republikën e Kosovës, fill pas çlirimit të Kosovës nga okupatori serb, na duket se nuk është e mbështetur filologjikisht, sepse fonetikën, morfologjinë dhe semantikën e toponimeve si material gjuhësor mund ta ndërrojë vetëm popullata përkatëse e atij vendi në rrjedhë të kohës, dhe jo komisionet e formuara ad hoc.

Ndryshe, do të pritej që dhe emri i fshatit Petrovë i komunës së Shtimes të bëhej Pjetërovë, pavarësisht se e-ja nuk hapet në -je në këtë linguistik!

 

Patronimikat

  1. Petreshtica sot ka këto lagje ose patronime:

Arifovit – sipas të parit të tyre Arifit.

Bregi – lagje prej disa familjes

Dashlakët – (nga serb. Doshlak, të ardhur nga një pjesë tjetër e fshatit).

Dina – patronim lagjen Lugu.

Dugojt – të ardhur nga fshati i afërm Dugë, tani i braktisur krejtësisht.

Fangt – patronim.

Ferojt – patronim.

Gashi – lagje që ka marrë emrin sipas emrit të fisit.

Harost – patronim.

Mahalla e Musojve (Musojt) – sipas të parit të tyre Musës.

Saitoviçe – familje e Sahitajve.

Lugovit – patranim.

Fshatrat Petreshticë, Dugë (sot i braktisur) dhe Karaçicë i takojnë të ashtuquajturës Drenica e Pashës (Drenica e Naltë), që ndodhet kundruall Drenicës së Poshtme ose Drenica e Kuqe. Të gjitha familjet e Petreshticës i takojnë fisit Gash, (përveç Dugajve që i takojnë familjes Krasniqi), dhe nuk martohen ndërmjet veti, brenda fisit.

DUGA

 

  1. Është me interes të evidentojmë këtu dhe lëndë onomastike (patronimet dhe toponimet) e fshatit Dugë, sot pothuajse të pabanuar, që ndodhet afër Petreshticës. Disa familje nga ky fshat janë vendosur në Petreshticë.

    Lagjet (familjet):

Ademavitët
Asllanavitët
Dautavitët
Rrahmanavitët
Zajkavitët

 

Toponimia

17. Agraxhë (në) -vend i rrethuar.

Ahishta – vend me dru ahu.

Ara Dodës – arë, tani livadhe.

Ara Lakit – livadhe, afër fshatit.

Ara Lugit – arë.

Brexhet – brigje.

Bretenc – majë mali mbi 1000 metra lartësi mbidetare.

Grapa Arushës – gropë.

Gurra Balës – krua, burim uji.

Kodra Gatë – kodër.

Kodra Musta Bashit – kodër.

Kodra Shejës – kodër.

Kroni Ibrit – krua.

Kroni – burim uji.

Lajthia – vend i pasur me lajthi.

Livadhi Hijes – livadh.

Lugi Firajës – lug me fier.

Pipajë – vend me drunj palnje.

Rudina – vend në pyll.

Rudinat e Zajkaviçe – vende në pyll.

Rrafshi Zabelev – vend i rrafshët.

Vorret e Fanav – varreza të vjetra.

 

 

 

E FOLMJA

 

  1. Objekti themelor i studimit për të folmen e Petreshticës përfshin disa kapituj, vështruar në rrafshin sinkronik, por herë-herë dhe në atë diakronik (etimologjik), siç janë:
  2. Fonetika
  3. Morfologjia

III. Fjalëformimi

  1. Sintaksa
  2. Leksiku
  3. Onomastika

VII. Tekste

E folmja e Petreshticës përveçohet me tipare qe e dallojnë atë nga të folmet e tjera, si në rrafshin leksikor, ashtu dhe në rrafshe të tjera, khs. p.sh.: apo do ujë, apo vjen (Petreshticë) a po dush ujë, a po vish (Suharekë).
Materiali që do të sjellim në vijim jep një pamje me të plotë atyre ndryshimeve ndërdialektore me të folmet e Kosovës, si dhe ngjashmëritë mes tyre.

Areali dialektor i të folmes së Petreshticës paraqet interes për thyerjet e disa fenomeneve fonetike e morfologjike në përqasje me të fshatrave përreth dhe të zonave të tjera të Kosovës. Kështu, p.sh. në këtë të folme foljet supletive shoh, jap, bie, kryerën e thjeshtë të vetës së dytë njëjës dalin me format pae, dhae, rae, etj., kurse në të folmet e tjera të Kosovës verilindore (Shalë, Bajgorë, Mitrovicë, Llap, Vuçitërnë, Gollak) dalin me format pê, dhê, rê, lê.

– Disa folje të tjera, që në pjesën më të madhe të Kosovës në diatezën pësore-vetvetore dalin format veshna, krehna, rrehna, vrahna, në të folmen e Petreshticës përdoren me format vishna, krihna, rrihna, vritna (sikundër dhe në zonën e Lipjanit, Ferizajt, Gjilanit etj.).

– Fjalët që në shumicën e të folmeve të Kosovës përdoren me parashtesën ç-, si çkruej, çkap, çkyej, çka, çkoçi, etj., në të folmen e Petreshticës përdoren me sh-: shkruj, shkap, shkyej, shkoçi, shka.

– Por, me disa karakteristika të tjera, si me shqiptimin e fjalëve atje, dje, djathi, djalë, dje, tjetër, etj., kjo e folme shkon me ato të Kosovës veriperëndimore, e jo me të folmet e krahut tjetër të Kosovës juglindore (Lipjan, Ferizaj, Gjilan).

– Folja në këtë të folme përdoret me formën zã, me zãn, zuna, kurse në të folmet e tjera verilindore të Kosovës del me format nxã, me nxãn, e nxãna.

 

 

Please follow and like us: