Albspirit

Media/News/Publishing

Ardian Ndreca: Lazër Shantoja, moderni i viteve ’30

Image result for adrian ndreca"

Ardian Ndreca

Atë mars të vitit 1938 posta i solli Cuk Simonit, botuesit të së përkohshmes ‘Cirka’, asokohe mjaft popullore në Shkodër, nji zarf prej La Motte, Zvicër. Letra vinte prej mikut të tij të hershëm, dom Lazër Shantoja, i cili prej 14 vjetësh ishte mërgimtar politik, fillimisht në Jugosllavi e mandej në Itali, Austri e në fund në Zvicër. Si gjithnji Shantoja, përpos lajmeve personale, i dërgonte edhe shkrimin e rradhës për rubrikën “Kodra mbas bregut”, e cila përpihej prej lexuesve të Cirkës.
Stili sa i rryeshëm në polemikën politike aq edhe lirik e i ambël, admirohej prej kohësh prej të gjithëve, tue nisë te Gurakuqi e tue përfundue te Koliqi.
“Gungalla, gomari e nji lule mullagë” përfaqëson ma së miri kundrimet e poetit, synin e tij naiv dhe kurioz, autoironinë, shijet skofiare, modernitetin, mallëngjimin, shllimet e tija vetmitare.
Shantoja asht poet i mirëfilltë e gadi-gadi jeton në nji botë paralele. Asht pasional dhe i pandalshëm, andrrimtar i skajshëm, fëmijë për nga zemra e romantik për nga formimi, aspak i zakontë për përkatësinë e tij si klerik katolik.
Mbas nji viti, mërgimi i tij do të merrte fund e ai do të kthehej përfundimisht në atdhe. Jeta e tij dhe e gjithë shqiptarëve do të merrte nji rrjedhë të panjohun ma parë, për dikënd tue u mbyllë tragjikisht, për gjithë të tjerët tue u privue prej lirive themelore.
Uni i tij poetik i ngjet nji gurre, uji i së cilës do të hupin pa lanë gjurmë. Tek ai vërehet ndamja prej shkollës së vjetër, por pa shenjue nji vijimsi. Shantoja din me lidhë në mënyrë të vetvetijshme gjuhën e zakonshme me kategoritë e estetikës moderne. Malinkonia e tij pasohet prej shpërthimesh entuziaste, vrulli romantik prej etjes për nji të vërtetë të amshueme, e ndër gjanat e amshueme ai njeh ma së parit atdheun e tij që i mungon shumë.
Lexuesi i sotëm mundet me shijue tek penda shantojane gjurmët e nji shkrimtari të vërtetë dhe me u ba i vetëdijshëm për distancën mes tij dhe nji plejade rishtarësh dhe ushtruesish të letrave që nxori dhe humbi ajo epokë e shkurtë, por e larmishme.

Please follow and like us: