Albspirit

Media/News/Publishing

Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano

Dikur këngët e tij dëgjoheshin në fshehtësi nga rinia shqiptare e viteve ’60 dhe sot vazhdon të mbetet një ndër idhujt e muzikës italiane, i cilësuar si miti i historisë muzikore.

Jehona ndërkombëtare e Adriano Çelentanos me karrierë më shumë se 50-vjeçare si kantautor, aktor, drejtues televiziv, ka shërbyer si shkas për një botim të ri rreth tij, nga shoqata ‘Çelentanto’ dhe president Shpend Xheka, përkthyer nga Arion Hysenbegasi me rastin e përvjetorit të lindjes.

Çelentano është bërë një emblemë dhe ikonë e shoqërisë italiane të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Është një ndër këngëtarët e paktë italianë që ka arritur të shesë rreth 100 milionë disqe në mbarë botën, i cilësuar nga shumë autorë edhe si Elvis Presley italian.

Adriano Celentano u lind më 6 janar 1938 në Milano.

 

1938/Një lindje e papritur

 

 

Daja im, Adriano, lindi në Milano më 6 janar 1938, në kohën e pikut të fashizmit. Në qoftë se mendohen anët më të errëta të historisë së shqetësuar të Italisë, sigurisht, nuk mund të thuhet se ishte një vit për t’u kujtuar me krenari dhe se dajë Adriano-ja kishte zgjedhur një kohë të bukur për t’u lindur. Ajo që ndodhi atëherë në vendin tonë u bë një njollë që do të qëndrojë e shkruar në librat e historisë në mënyrë të pashlyeshme dhe që asnjë rishikim nuk do të mundet ta fshijë. Ishte viti, në të cilin shtypi i regjimit filloi një fushatë të rëndë kundër hebrejve, viti në të cilin u krye në Itali ‘kthesa antisemite’ e qeverisë së udhëhequr nge Benito Mussolini, viti në të cilin Italia vendosi bazat e lidhjes me fuqinë hitleriane për të kryer së bashku me Gjermaninë naziste një aventurë lufte tragjike e të përgjakshme. Fillimi i ligjeve raciale: Një nga periudhat kohore më të zeza të historisë së Italisë. Por, në rast se në ‘makrokozmosin’ e politikës së vendit mori një ngjyrë kaq tragjike, në një “mikrokozmos” të panjohur atëherë, në një familje të thjeshtë e të numërt pulieze (që banonte në dhomat e pakta të katit përdhes të një shtëpie të vjetër popullore të vendosur buzë Stacionit Qendror të Milanos) viti 1938 dhe veçanërisht 6 janari do të kujtoheshin (gjatë takimeve të familjes me rastin e festave të urdhëruara) si një vit i mëshirës, i faljes, i falenderimit dhe një ditë e posaçme, e zgjedhur, e veçantë: Pikërisht në fillim të këtij vitit të tmerrshëm 1938, në rrugën Cristoforo Gluck, zonja Giuva Giuditta, bashkëshortja e Leonito Celentanos (atëherë në moshën dyzetedyvjeçare) nxori në dritë Adrianon, birin më pak të pritur e më pak të dëshiruar, një artist, që, gjatë pesëdhjetë viteve të karrierës së tij do të ndryshonte muzikën dhe, në disa drejtime, paraqitjen e Italisë së pasluftës, mënyrën e ndërlidhjes, mënyrën e dhënies së emisioneve televizive dhe çfaqjeve artistike, duke fituar njëkohësisht përkufizime e emërtime mjaft të ndryshme midis tyre, si ‘provokator’, ‘kafshë e skenës’, ‘mbret i të paditurve’, ‘predikues’, ‘shpikës i heshtjes mediatike’, ‘më politiku i jopolitikëve’, ‘i pamend i talentuar’, ‘përralltar’, ‘princ i publikut’. Mes të tjerash, në rast se gërmohet nëpër dredhat e kujtesës së familjes Celentano, në zonat më periferike të atësisë së gradës së dytë e të tretë, gjendet gati rastësisht, një histori që i afron ato vitet e tmerrshme pikërisht me Celentanot. Midis shumë legjendave, që qarkullojnë, në të vërtetë është një, e cila shpie mirëfilli në epokën e ligjeve raciale. Kronikat e shtëpisë tregojnë mbi sjelljen si “Schindler’s List” (angl. në tekst; sh.p.), apo si Giorgio Perlasca, të Michele Santercoles, të “xha Micheles”, siç e quanin të gjithë: karabinierit kalorës, lojtarit të biliardos me mënyrën goriziane dhe atë italiane, të krahasueshëm me mjeshtrat botërorë të sotëm, babait të Gino-s e Evelina Santercole-s dhe bashkëshortit të Rosa Celentano-s, motrës së madhe të Adrianos (vdekur në korrik 2003).

Sipas rrëfenjave të familjes, Michele Santercole, më shumë se një herë në vitet, kur zbatoheshin ‘ligjet raciale’, nuk pranoi të luante rolin e xhelatit dhe, për aq sa e lejonin fuqitë e tij të pakta prej karabinieri, shpëtoi mjaft hebrenj (që ai vetë duhej t’i arrestonte me urdhër të eprorëve) nga vdekja e sigurt në kampet e përqëndrimit. Kur arrinte të mësonte se duhej të ndalonte familje hebrenjsh që i njihte dhe që mund të goditeshin nga ‘ligjet raciale’, ai i lajmëronte para arrestimit, duke iu dhënë kështu mundësinë që t’i shpëtonin internimit.

Kjo histori ka humbur nëpër lakimet e të shkuarës, siç ndodh shpesh në familjet e panumërta. Heronj të panjohur e të harruar zbulohen vetëm mbas vdekjes së tyre. Ishte kushëriri im Ettore, miku im i madh (edhe ai i vdekur nga sëmundja), i cili më rikujtoi sjelljen e babajt të Gino Santercoles.“Xha Michele? Një tip me të vërtetë i zoti, i shkathët, i fortë, një burrë plot ndjenja njerëzore”, kujtonte shpesh Adriano-ja.

E pra, në qoftë se në ato vite, Adrianoja do të mund të jepte një gjykim, apo një vlerësim mbi veprimin e kunatit të tij Michele (ndoshta duke përdorur gjuhën frymëzuese të ‘Rockpolitikës’) do ta kishte cilësuar, me siguri, një ‘tip rock’, madje ‘hard rock’ (angl. në tekst; sh.p.); por më 1938, Adrianoja ishte i porsalindur dhe ndërlidhej me rrethanimin vetëm me britma të hatashme. Motrat e kujtojnë si një fëmijë të paqetë, të lëvizshëm, zevzek, gjithmonë të gatshëm të luante apo të krijonte rrengje, të shpikte rrengje. Motra Maria e mban mend mirë diçka të tillë; që, në të vërtetë, ka të bëjë me një të fejuar të Maries, i cili ishte veçanërisht i pakëndshëm për Adrianon e vogël: Një ditë, ‘fëmija i tmerrshëm’ (Adrianoja; sh.p.) vendosi ta priste zotin Enzo me bizelushin jashtë pantallonave, për të shprehur kështu kundërshtimin e hapur ndaj pranisë së vazhdueshme të tij në shtëpi. Qysh atëherë, të mjerin Enzo do ta shihnim më rrallë dhe, kur vinte për të parë Marien, vrojtonte përreth që t’i shmangej Adrianos turbullues. Nga ana tjetër, lindja e Adrianos nuk kishte ngjallur entuziazëm të madh në familje. Ishte një ngjarje e paparashikuar, e rastësishme dhe, për kohën kur ndodhi, mjaft e papërshtatshme, lidhur me moshën e mama Giudittas. “Quest ai fegghie di vicchie, adda mure” (“Ky është një bir pleqsh, duhet të vdesë”) tha shkurt (në dialektin e vendit të prejardhjes të saj; sh.p.) nëna e Adrianos në çastin e lindjes së tij.

Sot, në rast se mendohen lidhjet e përzemërta të dashurisë që u zhvilluan në vitet e mëpasme midis mama Giudittas dhe Adrianos, duket krejt qesharake mënyra e çuditshme e pritjes që iu bë të porsalindurit, pjestar të fundit të familjes. Por atëherë, ashpërsia e mama Giudittas goditi pak a shumë të gjithë. Si ishte e mundur një ftohtësi e tillë?! Qenë përsëri, çështje të shtëpisë dhe vetëm ajo (familja; sh.p.) mund të përgjigjet.

Në ditën e Epifanisë 1938, atëherë kur lindi Adrianoja, familja Celentano mbante mbi shpatulla peshën e madhe të një historie të gjatë çastesh të lumtura dhe edhe të mjera, të shkaktuara nga varfëria, nga kohët e vështira, por, mbi të gjitha, nga një tragjedi, në të cilën diçka kishte të bënte disi me lindjen e Adrianos. Pikërisht që këtu duhet nisur.

Celentanot ishin një nga familjet e shumta të mërgimtarëve, që midis pasluftës së parë dhe asaj të dytë zbarkuan në Lombardi për të kërkuar punë dhe për të lënë mbas shpine jetën në Jugun me dramën e zhvillimi të tij të ulët. Vendmbërritja e parë e çiftit Celentano në Veri (më 1927) është Piemonte, pikërisht Galliate, një fshat i vogël në provincën e Navarës që sot ka rreth trembëdhjetëmijë banorë, por që atëherë nuk kishte më shumë se tremijë. Siç ndodh edhe sot për mërgimin ‘ekstrakomunitar’, arsyet e zgjedhjes së një vendi e jo të një tjetri, janë të lidhura ose me rastësinë, ose me gjetjen e punës. Leontino arriti të gjente një vend si shitës lëvizës ndërresash, veshjesh të brendshme dhe kështu, u mbart së bashku me familjen nga Foggia në drejtim të Veriut. Por Leontino nuk ishte vetëm; me rrogën e tij nuk do të mund të merrte përsipër këtë aventurë. Giuditta, atëherë tridhjetenjëvjeçare, ishte një rrobaqepëse shumë e zonja dhe të gjithë në familje kujtojnë numrin e madh, të pabesueshëm të orëve që ajo kalonte pranë makinës së qepjes.

Në atë kohë, të dy bashkëshortët ishin prindër: Në vitin 1917, u kishte lindur Rosa, në vitin 1920, Alessandro dhe më 1922, Maria, nëna ime. Më e vogla u quajt Adriana dhe ishte lindur më 1925. Një bërthamë familiare e shumtë, që duhej mbajtur me një ardhur të pamjaftueshme, në një gjendje ekonomiko-shoqërore gjithmonë krejt të paqëndrueshme. Në qoftë se i hidhet një sy Italisë dhe botës së asaj kohe, zbulohet se gjendja përkatëse ishte arritur nga vite të tëra krize, por, mbi të gjitha, vërehet se shkohej drejt viteve dramatike si ata të “Depresionit të Madh” të 1929-ës, që pati pasoja shkatërrimtare (shembja e Wall Street, rënia pingule e punësisë, falimentim bankar e financiar) në gjithë botën perëndimore. Në Itali, regjimi fashist i zbuti, ua preu hovin pasojave të krizës ekonomike në sajë të një sistemi autoritar e autarkik që i ngarkoi mbi vete rrjedhojat e falimentimit, por, megjithatë, tërmeti u ndje edhe te ne, në të gjitha nyjet e sistemit prodhues. Milano, në ato vite, u mbajt më mirë se qytetet e tjera italiane, sepse ishte një udhëkryq i shkëmbimeve tregëtare dhe një vend, ku zinin fill të parat ngulime të mëdha industriale. Nga ana tjetër, sipas shumë historianëve, ishte pikërisht kriza e vitit 1929 që cënoi, madje që prishi qëndrueshmërinë ekonomike e politike të regjimit të udhëhequr nga Benito Mussolini.

Koniunktura e vështirë ekonomike bëri të krijoheshin flukse mërgimesh edhe me bazë lokale. Ishte kjo një nga arsyet për të cilat familja Celentano vendosi të linte Piemontin dhe të provonte t’i afrohej Milanos, në Robecco, një pjesë e qytetit, pak kilomentra larg Monza-s. Adda passà a nuttata” (“Të presim të kalojë nata”), u thoshte shpesh mama Giuditta bijve të saj, duke qëndruar kërrusur ditë e natë mbi makinën qepëse (fjalët e saj janë shënuar në dialekt; sh.p.). Dhe, në të vërtetë, masat antikrizë të ndërmara në vitet e para ’30 do të jepnin disa përfundime të menjëhershme kalimtare: Mosmarrëveshjet e mëdha shoqërore u zbutën dhe papunësia ndali rritjen. Edhe në shtëpinë Celentano u duk sikur gjërat po sistemoheshin. Leontino gjeti një vend pune në Mellin, në fabrikën e biskotave për të porsalindurit dhe lehtësoi të shoqen, të paktën pjesërisht, nga puna e rëndë me makinën qepëse. Të hollat nuk mjaftonin asnjëherë për të mbyllur muajin, por mama Giuditta nuk ligështohej. Meqë nuk donte të ndihej shumë varfëria fillestare te bijtë e saj, arrinte të sillte në shtëpi pak qindarka dhe, gjë që kishte vlerën e saj, të vishte bijat e birin e saj me roba të qepura mirë, madje elegante. Ishte një grua krenare dhe plot denjësi; ajo nuk kursehej të punonte pa pushim. Të gjithë në familje i bindeshin autoritetit të saj, që mbeti i pacënuar deri në çastin e vdekjes, më 1973.

Edhe për këtë familje të numurt të mërguar në Robecco u duk, pra, se mund të kishte pak oksigjen dhe pak lumturi. Por një tragjedi e papritur goditi familjen Celentano në vitin 1934: Vogëlushja Adriana, e lindur nëntë vjet më parë, vdiq brenda pak muajsh për shkak të një leuçemie të rrufeshme, duke lënë pas vetes një dhembje shumë të madhe. Vrarra ishte e thellë dhe në familje, ende sot, kjo vdekje rikujtohet si një tronditje e fortë shpirtërore. Ndoshta për të harruar vendin ku vdiq Adriana, familja Celentano u largua nga Robecco dhe u vendos në një banesë të thjeshtë, dy hapa më tej Stacionit Qendror të Milanos. Siç ndodhte shpesh në atë kohë, të mërguarit përpiqeshin të kërkonin shtëpi pranë Stacionit, gati pavetëdije ushqenin shpresën (duke pasur trenin fare pranë, sa mund ta preknin me dorë) se mund të riktheheshin kur të donin në vendin e zanafillës. Kështu iu ndodhi edhe Celentanove, që gjetën një apartament me dalje në rrugë, me shërbimet e përbashkëta mbi galeri, në rrugën Cristoforo Gluck numur 4, një rrugicë e mirëfilltë që mbante emrin e një muzikanti të viteve ‘700. Atëherë, rruga Gluck ishte një lagje e jashtëme e qytetit mjaft e populluar, një lagje e banuar nga punëtorë, artizanë dhe njerëz të varfër, e zhytur në gjelbërimin e periferisë veriore të qytetit; ishte një vend që do të bëhej “laitmotivi” i “Ragazzo della via Gluck” (“Djali i rrugës Gluck”). “Bumi” ekonomik, që në vitet ’60 do ta shndërronte këtë zonë të Milanos në një derdhjë gjigande çimentoje ishte ende larg, i përkiste të ardhmes.

Betimi i mama Giudittas lidhur me mëmësinë u përgënjeshtrua nga një prej rastësive të shumta që mbushin jetën e secilit nga ne. Më 1937, Giuditta ishte dyzetenjëvjeçare dhe nuk ëndëronte as largas të lindte një bir tjetër. Në atë kohë, një bërje nënë në moshë kështu të shtyrë do të shihej si diçka e turpshme, diçka që nuk duhej bërë. Vërtet ndihej mungesa e Adrianës, e cila kishte lënë një zbrazëtirë që ndoshta do të mund të mbushej me një bir tjetër, por ky arsyetim nuk e bindte Giudittan. Ajo mbartte mbi shpatullat e saj lodhjen e punës në makinë, mbante edhe një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë së familjes dhe nuk mund të lejonte që të lindte një bir tjetër. Po ashtu, edhe Leontinoja, që vërtet punonte fort, shumë, rëndë dhe vetëm krahët e tij nuk mjaftonin. Por rastet e paparashikueshme të jetës deshën që gjërat të rridhnin ndryshe. Kur, më 1937, dyzetvjeçarja e rreptë e rrugës Gluck ndjeu “simptomat” e para të amësisë qe e bindur se ishte e sëmurë. Nuk donte t’i dorëzohej mundësisë së një mëmësie të re dhe, megjithë “ideosinkrozinë” e saj “atavike” (ndjenjën e pakëndëshme të trashëguar të saj; sh.p.) për mjekët, nxitoi të vizitohej. Mjeku i tha të vërtetën: Familia Celentano duhej të priste një pasardhës të ri. Në kujtim të motrës së vdekur katër vjet më parë, do të quhej Adriano. Megjithë pritjen e pakë, “Bricjapi” (Adriano-ja lindi pikërisht nën “Yllësinë e Bricjapit”; sh.p.) u paraqit me një fortësi e trashësi fizike të madhe: pesë kilogram e gjysmë. Ditën e lindjes e kujtojnë ende në familje. Në oborrin e ndërtesës 14 (të rrugës Gluck) ngjarja u shpall me zhurmë, u përmend kolektivisht, sikur Adrianoja të ishte biri i gjithë lagjes: Pikërisht, “djali i rrugës Gluck”. Kur mama Giuditta përgatiste ushqimin për Adrianon e vogël, motra e saj Antonietta merrej me larjen e pelenave për ta mbuluar, fqinja shkonte për të bërë blerjet në treg dhe bijat rregullonin mjedisin për t’i krijuar hapësirë të lirë zevzekut të porsalindur.

Kujtesa e Adrianos nuk arin deri tek muajt e parë të jetës së tij, por kur i qëllon të kujtojë këtë periudhë, fjala shkon pashmangësisht te “Lufta e Dytë Botërore” dhe te bombardimet që godisnin qytetin e, veçanërisht, zonën pranë Stacionit Qendror. Më 1940, Milano quhej nga anglezët një objektiv ushtarak i rëndësishëm, meqë ishte qyteti industrial më i zhvilluar dhe njëkohësisht edhe një nga qytetet më të spikatur në nivelin europian, i ndodhur (bashkë me Torinon e Genovan) brenda të ashtuquajturit “trekëndësh industrial”. Shërbimi anglez i zbulimit industrial, qysh përpara fillimit të luftës, kishte mbledhur të dhëna të hollësishme dhe harta të përpikta të gjithë qendrave kryesore të prodhimit të Milanos e rrethanimit, mes të cilave shquheshin “Alfa Romeo”, “Ofiçinat «Borletti»”, “Tektomasio Italiana «Brown Boveri»”, “Pirelli”, “Isotta Fraschini”, “Breda”, “Caproni”, “Ansaldo” dhe (jo e fundit) uzina e çelikut “Falck”. Qyteti quhej, veç të tjerash, një nga nyjet kryesore hekurudhore, e karakterizuar nga njëzetenjë vija hekurudhore (një prej stacioneve më të mëdha të Europës) dhe një nga shkallët shumë të rëndësishme të mallrave, mes të cilave Lambrate e Farini. Në rast se mendohet që rruga ‘Gluck’ kalonte buzë anës së majtë të Stacionit Qendror, kuptohet pse tek Adriano është i gjallë edhe sot kujtimi i bombardimeve dhe i vrapimeve gjithë frikë për të arritur strehimin mbrojtës që ndodhej poshtë stacionit.

 

Shoqata ‘Çelentano’ promovon librin e Bruno Perinit: DAJA IM ADRIANO (2)

Bruno Perini: DAJA IM ADRIANO (3)

Bruno Perini: DAJA IM ADRIANO (4)

 

Bruno Perini: DAJA IM ADRIANO (5)

Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (6)

Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (7)

Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (8)

Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (9)

Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (10)

Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (11)

Bruno Perini: Daja im, Adriano Çelentano (12)

Please follow and like us: