Albspirit

Media/News/Publishing

VITI 2020 – VITI I AT GJERGJ FISHTËS

2020, VITI I AT GJERGJ FISHTES

-8o VJET- 1940 – 2020

AT GJERGJ FISHTA O.F.M. ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR!

 

 

 

Vllazen e Motra Shqiptarë!

 

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.

Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…

Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

 

 

 

JETA DHE VEPRA E

AT GJERGJ FISHTËS OFM.

ASHT  PËRGJITHMONË:

MENDJA, ZEMRA DHE SHPIRTI I

POPULLIT SHQIPTAR !

 

30 Dhetor 1940…

Nalt nga qielli zbret një Engjëll e bie tue përplasë Flatrat  e Tij…

          Asht Flamuri i Shqipnisë, që mbulon Fytyrën e Poetit tonë Kombëtar…

          E bashkë me Te… vorroset edhe Ai, ndoshta përgjithmonë….

Themi përgjithmonë, mbasi atë ditë nuk u vesh vetëm Shkodra, Malet e fushat e saja me të zeza, po u vesh gjithë Shqipnia, tue hy në zi të pafund të vitit 1941…

Plot 70 vjet ma parë! Kur Shqiptarët menduen se një zemër e madhe pushoi së rrahuni, pikërisht prej asaj dite Ajo vazhdoi me gufue ma shumë se kurrë, për t’ i ndejë fjalës së dhanun:

 

          Kurrë, Shqipni, s’kam me t’ harrue,

          Edhe në vorr me t’ përmend kam.

 

E kjo, me siguri, asht arësyeja që At Gjergj Fishta, vazhdon mos me u prehë në vorrin e vet!

Me mbarimin e luftës, re të zeza, ngarkue me llohë stepash ruse e zgjyrë kulisash serbe, u shfaqen në qiellin e letrave shqipe, si në gjithë jetën shqiptare, e zunë yjet ma të ndritun; ndër ta edhe yllin e kalvarit të mundimeve shekullore, At Gjergj Fishtën. Por ai:

          Ndërtue kishte ‘i pomendore,

          rr’fe as mot mos m’e dërmue.

 

Nuk mund të shkatrrohej vepra e Tij gdhenë me daltë hutash e martinash drejtpërdrejt mbi shkambijtë alpinë; nuk mund të shuhej Ai vullkan, shpërthye ma shumë prej zemres se sa prej mendjes së Poetit erudit. Kujtuen përbindshat katilë se vullkanin do të mund ta shuenin përgjithmonë tue hedhë baltë mbi te, po më kot: Ai shfaqej e rishfaqej me një shkelqim lëbyrës në qiellin e zymtë shqiptar të letrave.

          Dhe ja, yjet e rralluem kanë zanë përsëri vend në Panteon.

          Njeni prej tyne na grishë sot t’i përkujtojmë 70-vjetorin e vdekjes.

Që ky komb ynë i lashtë i Mesdheut të bahej shtet e të mund t’ i dilte zot vetes, nuk mjaftonin martinat e topat e botës mbarë; duhesh dituni, pa të cilën asnjë komb nuk mundi t’u bajë ballë rrebesheve të historisë. Asht kjo arësyeja që pushtuesit kudo në botë, ma parë se kështjellat, rrafshojnë shkollat, themelin e ndërgjegjes kombëtare e liridashëse pakufi të Tij.

Ndërkohë qiri i Frashërllijëve ishte ba pishtar, Prizreni shpërndante anë e kand Shqipnisë flakë lirie e atdhetarie. Shkodra e vjetër, dikur portë e Ballkanit, po zgjohej nga letargjia e randë osmane, nga një gjumë vërtet vdekjeprues. Malet po shkundnin supet e pluhnosuna nga zgjedha disashekullore.

Lezha, që pesë shekuj ma parë do të merrte përjetësisht në gji Gjergjin e Madh të Historisë, katër shekuj ma vonë do t’ i jepte  Atdheut në një fshat të vogël të Zadrimës, Gjergjin e dytë, Apostullin e Lirisë. Fishta, ky fshat shpeshherë i pashënuem në harta, e ndoshta i lanun në harresë me dashje, asht sot në gojën, mendjen e zemrat e shqiptarëve kudo që janë në trojet e tyne sidhe kudo përreth ku gjendet “gjaku ynë i shprishur.

Ishte fund i asaj nate të gjatë osmane, “natë tri herë mizore”, që kishte rrënue qytete e fshatra, kështjella e kisha, kur lindi Ai me 23 tetor 1871. Atdheu kishte në trup nandë varrë, Atdheu ynë i brishtë ishte tretë në dhimbjen e vet. Bijtë e Tij të ligun, por të paepun, sa kishin fillue me thurë andërrat e para për një Shqipni “zonjë më vete”. Ndërkohë, çapojtë gllabrues të sllavëve të jugut e ata të helenëve kishin shkëputë mish e gjak nga Atdheu ynë brijëdalë e lakmia e tyne ishte me të vërtetë rrënqethëse.

Po Zoti nuk do kurrë  me e humbë Truellin e Kastriotit të Madh…

E n’ ato gërmadha të braktisuna, Ai i Lumnueshmi, dërgoi një djalë me emnin Zef…Kur ishte 9 vjeç, porsa Françeskanët kishin çelë në Troshan një shkollë, ndër nxanësit e parë ishte edhe Zefi i vogël, i biri i Ndokë Simonit.

Një studjues dhe adhurues i Popullit Shqiptar, At Lavro Mihaçeviq, pikërisht Ai profesor i Kolegjit Françeskan të Troshanit, ishte që zgjodhi dhe çoi në Bosnje për studime At Gjergj Fishtën dhe At Shtjefen Gjeçovin. Më 1886, Zefi 15-vjeçar asht në Bosnje për të vazhdue ma tej studimet. Atje filloi me marrë nektarin e dijes…

Mbas një viti, simbas rregullave françeskane, ndërroi emnin nga Zef në Gjergj. Ishte një përkim fatlum të merrte emnin e Kastriotit të Madh, emën që e mbajti me nder sa ishte gjallë.Zadrimori i ri, atje në dhé të huej, mes mureve të Kuvendeve të Guçjagorës e të Livnos, mallin e tij vullkanik filloi ta shprehte në vargje, i ndikuem edhe nga poetët dalmatë Andrea Kaqçiç e Gega Martiç, edhe ata të përvëluem për liri.

Më 1893 Fishta i ri u kthye në Atdhe. Me 25 shkurt 1894 meshoi për herë të parë në Troshan, pikërisht aty ku kishte hedhë hapat e parë drejt një bote të trazueme e që quhej bota e shkronjave dhe e ditunisë.

Kurse më 1897-1898 shërbeu si kapelan në Lezhë, ku do të kthehej herë mbas here, sidomos për të gjetë prehje e për të shkrue disa prej kangëve të Lahutës, këtu, në mes zadrimorëve të tij e Lekëve të Malësisë, që rrethonin Lezhën. Ku tjetër mund të gjente prehje e frymëzim si në Lezhë ku ishin:

          qielli i kaltër, toka e blerë,

          njeti dimën, këtu pranverë …

 

Por nuk do të ishte gabim të shprehemi se e përpjeta drejt lavdisë e At Gjergj Fishtës nis pikërisht në Gomsiqe, ku pat rastin e fatin të njihej me Abatain e Mirditës, Imzot Prengë Doçi, atdhetar i flaktë, luftëtar i paepun, por edhe poet e burrë me kulturë të rrallë për kohën: Kishte rrahë botën në mërgimin e tij të detyruem, prej Njufëlandit të SHBA, deri në Indi. Abati do të bahej udhëheqësi shpirtnor e kulturor jo vetëm i Tij, po edhe i shumë klerikëve të tjerë.

Në janar 1899, Imzot Doçi bahet nismëtar i themelimit të Shoqnisë “Bashkimi”, tue mbledhë rreth vetes anëtarë të shquem, si Dom Ndoc Nikajn, At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, At Shtjefen Gjeçovin, Dom Ndre Mjedën. E nisun si shoqni kulturore, ajo luejti rol të dorës së parë jo vetëm me botimin e fjalorit të quejtun i “Bashkimit”, e të 34 librave të tjerë, por sidomos në krijimin e një votre atdhetarësh që shkelqej në gjithë Shqipninë.

Image result for gurakuqi, fishta, mjeda

Luigj Gurakuqi, At Gj. Fishta dhe Don Ndre Mjedja, 1923.

 

 

Kuvendi Françeskan ishte kthye në berthamë të një qendre të studimeve albanologjike. Krahas shërbimeve fetare, ata banin edhe jetë shkencore sikur të ishin në një institut të mirëfilltë studimor. Shoqnia “Bashkimi”, e  ma vonë edhe revista “Hylli i Dritës”, ishin monumenti që ndërtoi Akademia Françeskane.

Që në nisje të veprimtarisë së Tij poetike, pedagogjike, gjuhësore, publiçistike, ende nën sundimin otoman, At Fishta u kosiderue menjëherë Apostull i Shqiptarisë, por me një vizion përveçse thellësisht kombëtar, kryekëput edhe përendimor dhe europian.

Aty ku vuni kambën e zbathun të fratit t’ Asizit, vështroi me kujdes dhe përvetësoi me saktësi nga goja e popullit frazeologjinë e tij, që arrijti me e njohë si pak kush para e mbas Tij dhe e vuni në punë ma aq mjeshtri, sa rrallë kush mundet me lidhë fjalën me psikologjinë e popullit të vet, për me lanë në thesarin e kulturës sonë kombëtare kryevepren e letërsisë shqipe, “Lahuta e Malsisë”, e cila ngërthen 15.563 vargje ndër 30 kangë. Krijimtaria poetike e botueme e At Fishtës kalon 50.000 vargje.

Ai ishte i pari drejtor shqiptar qysh prej themelimit të shkollës françeskane më 1861. Asht ky një çast në jetën e Fishtës që nuk mund të kalohet lehtë, pse:

Kur në shkollë zbutun shqiptari,

N’mni t’ket marrun ai gjakun dhe dhunën

E me dije të ket kapun ai punën,

Shqipnisë fati do t’i çilet taman.

 Duen apo nuk duen disa, Ai na mësoi të gjithë Shqiptarëve me shkrue e me lexue në Gjuhën Shqipe. Alfabeti nuk ishte një çashtje teknike akademikësh, po një çashtje kombëtare që kërkonte BASHKIM e ngritje mbi çdo ndasì, grindje, mni e ngatrresë, për atë gjuhë që ishte:

          Porsi kanga e zogut t’ verës,

          Që vallëzon n’ blerim të prillit;

          Porsi i ambli fllad i erës,

          Që lëmon gjinjtë e drandofillit:

          Porsi vala e bregut t’ detit,

          Porsi gjama e rrufesë zhgjetare,

          Porsi ushtima e një tërmeti,

          Ashtu asht gjuha jonë Shqiptare!

Image result for fishta, gjecovi

 

 

THEMELUESIT E AKADEMISË FRANÇESKANE … NË SHQIPNI…

Në çdo fushë ku veproi Ai, tregoi se ishte gjeniu i pakrahasueshëm, prandaj edhe mundi t’u dilte mbanë sa e sa ndërmarrjeve nga ma të vështirat: prej artit, tek publiçistika, prej gjuhësisë, tek arkitektura, prej arësimit te muzika, prej humorit tek politika…

Tashma në qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej figura shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë se veprat e Tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka dritë hije rembrandiane me tone të forta. Gëte dhe Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po fisniknue fytyrën e fratit të ri, por landa mbet ajo që ishte: Shkamb i gjallë hedhë prej vullkanit fuqishëm  të shpirtit shqiptar.

Ishin nevojat historike të Atdheut që i diktuen At Fishtës drejtimin e gjithë veprimtarisë së Tij artistike, pedagogjike, publiçistike ashtu edhe në impenjimin e Tij politik.

Lahuta ka në themele shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë, por aq të harmonishëm e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për daltë, por arkitekti e hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të papërsëritshme, aq edhe brilante.

I gjithë universi intelektual i Fishtës ka pasë si yll polar interesat e Atdheut dhe vetëm interesat e Atdheut, pse në shpirtin e Tij ideja Atdhe ishte ba ideal suprem.

“Petrarka, thotë Ai, …fshan e kjan bihude ndër kangë përnjimend të mrekullueshme, por për Italinë, pak e aspak, megjithëse do të kishte për çka me kja.”

 Ja pra, pse At Fishta nuk zgjodhi vargun e lëmuet, po ate të ashprin, vargun e lahutës,  që ata të shkonin drejtpërdrejt në zemrat e atdhetarëve të etun për liri e t’i ndezte flakë me guxim për luftën e këputjes së prangave shekullore, për luften për dije e përparim kombëtar. Kanga e Tij asht një britmë deri në dëshprim, e sa e sa Herojëve që nisen në luftë u thotë:

 S’ kan shka bajn? Po a thue të desin?

 T’desin pra, nuk kan shka presin!

Apo:

P’r ‘i grusht eshtna, pashi Zotin,

t’mos korisim Gjergj Kastriotin,

t’mos korisim na sot Hotin…

E ban këte, jo për mëni ndaj sllavëve, por, sepse, siç e ka thanë në një intervistë, po të ndodhte e të rihumbëte lirinë Shqipnia, “kishin me plasë dhime sa janë bjeshkët tona.

Si mund të quhet shovenist Poeti i një kombi 12 shekuj nën robni sllave e osmane pse lëshon anatemën ndaj arijëve të bardhë të ardhun prej stepave ruse e që ende guxojnë e na e quejnë sot e kësaj dite Kosovën Martire Serbi e vjetër?!…

Atyne po, u thotë:

T’i mësojnë fëmijtë mbas sotit

mos t’ lakmojnë tokës s’ Kastriotit,

se u bjen shtrejt, qe besa e Zotit!

 

At Fishta nuk ngurron t’ i lëshojë namen as Europës në London, në Versajë, pse e la këte dhé të coptuem, prandaj:

 

Me gjith këta, por larg nuk shkon

e me i vra ka rr’feja e Zotit

t’ shtat  mbledhë si janë n’London.

 

Gjuha e Tij asht thellësisht popullore, pse ishte i vetëdijshëm se po shkruente një vepër që do të ishte universitet atdhetarie për Malet tona ku mungonin edhe shkollat fillore, sa me shumë vend thotë Profesor Zekiria Cana: “Shqiptarët në Jugosllavi, duke mësuar përmendsh “Lahuten e Malcisë”, përvetësuen arësimin kombëtar, kur ky mungonte.”

Por që të gjykosh Lahuten, duhet të rijetosh historinë me dhimbje, siç e jetoi Poeti.

Në këto rrethana, aty nga viti 1904, zu e lëshoi akordet e para Lahuta e Tij ngjethëse, tue u ngjeshë për parzem të malësorit.

At Fishta vetë ishte një shembull i shkëlqyeshëm i mbylljes së tragjedisë së gjakmarrjes, një vepër e pandërpreme e Françeskanëve Shqiptarë, sa kur i vranë të vëllanë, Çupin, jo vetëm e fali vrasësin, po edhe lëshoi thirrjen:

 

                   Ndalnju, burra! Ku veni!

                   Pashi Zotin, lëshoni hutat,

                   se mjaft gjak asht derdhë!…

 

Në prag të ditës së madhe të 28 Nandorit Ai tashma naltohej si lis vigan me rrajë thellë në truellin arbnor e degë që piqeshin me bjeshkët. Penës së Tij, veç kangëve të para të Lahutës, i përkisnin sa vepra të tjera, ato “Pika vese” që dridheshin mbi petale, “Anzat”, vepër satirike e pashoqe deri më sot në letërsinë shqipe, bash ato anza të lëshueme rrugëve të Shkodrës e të mbarë Shqipnisë, ku tue përqeshë me humorin e hollë shkodranë, here tue thumbue keq e jo rrallë tue fishkullue pa mëshirë. Penës së Tij i përkisnin veprat e para dramatike, origjinale, të përshtatuna a të përkthyeme, ndër të cilat “Shqiptari i qytetnuem”, vu në skenë prej Atij vetë më 1909, sidhe plot libra për shkollat tona shqipe.

Por edhe 28 Nandori la shumë vepra mangut. Përgjysë andërrat, përgjysë shpresat, përgjysë vetë Atdheu e që Ai e vajtoi… me “LOT GJAKU”. E gati si tue lëshue piskamën, porositë:

 

                   Edhe me u thanë anmiqve e t’ tanë njerëzimit:

                   “Unë këtu sundoj! N’ këtë shkamb mue m’ vuni Zoti,

                   E këndej nuk luej, pa u shue stina e moti”!?

 

Fati i vendit do të vazhdonte të ishte i trazuem edhe pothuej për një 10 – vjeçar. Filloi me rrethimin malazez të Shkodrës, e vazhdoi me trazime të pafund deri në Korçë, Gjirokastër e ma përtej…

As në ato ditë të vështira At Fishta nuk u step. Ishte në ballë të luftës për mbrojtjen e Shkodrës prej knjazit të Cetinës, atëherë kur botoi të parën revistë shprese mbrenda Atdheut e që e quejti “Hylli i Dritës”, bashkë me Gurakuqin, Mjedjën, Logorecin, tue themelue “Komisinë letrare”, e në fund të Luftës së Madhe, që trandi botën, po bashkë me Gurakuqin e Bumçin shkuen t’i dilnin zot Atdheut coptuem në Versajën hijerandë. Ai kapërceu edhe Atllantikun, deri në Amerikë, për të shpëtue ç’mund të shpëtohej nga e shumëvuejtuna  dhe e nëpërkambuna Shqiptari.

Në proçesverbalin e mbledhjes të Komisisë thuhet: “U vendue me themelue një drejtshkrim sa ma tepër të përbashkët për të dy dialektet”, ishte ai parim mbi të cilin punohej për Bashkim, parim që u shkel me te dy kamët në Kongresin famëkeq të vitit 1972 e që nuk po ndreqet as sot!

Frati me zhgun nuk i la asgja mangut detyrës ndaj Atdheut, Nëse la mangut diku, i la pikërisht detyrës së Tij si “klerik”. Por, do të thotë ndokush, si arrijti atëherë aq nalt edhe në hierarkinë ekleziastike? …Asht rast i rrallë, ndoshta i vetëm, që pikërisht vepra letrare dhe atdhetaria e ngritën edhe në hierarkinë fetare, që për nevoja të Atdheut i ishte dashtë ta linte shpesh mënjëanë. Sa Shqiptar ishte Ai dhe sa klerik, e shprehin qartë vargjet e maposhtëme, ku, mbasi andërron me çelë një shkollë të naltë në Shkodër, thotë:

 

                   Por n’Shqipni pse nji meshtar

                   Posë se prift do t’jetë Shqiptar,

                   Shqiptar, po pa dredha.

                   Unë rektor e profesorë

                   Sakristan e baçeva

                   T’gjithë shqiptarë i zgjodha.

 

Kur lufta mbaroi dhe paqa mirë a keq u vendos, punët sërishmi nuk shkuen dhe aq mbarë. Mehmurët që kishin heqë fesat dhe ishin veshë allafranga, mendonin si të banin zap popullin e jo si ta udhëhiqnin atë. Këta “batalla fytyrë-fudullë, batakçij e me nji lasker kulturë, sa me mzi me shkrue emnin e vet”, si i pikturon me mllef At Fishta, e ndjenin veten ma shumë turq se shqiptarë, të gatshëm të bashkëpunonin me sllavin e me djallin, mjaft qe të përmbushnin nepset e tyne prej lubishë të pangopuna. Shumë kohë ma parë Poeti i kishte jetue këto mënxyra dhe kishte parandje zvarritjen e tyne të lyrosun, sa kishte humbë durimin tue iu drejtue Zotit:

 

                   O perendi, a ndjeve?

                   Tradhëtarët na lan pa Atdhe

                   e ti rrin e gjuen n’errfe

                   lisat n’per male kot.

 

Ishin kohë të turbullta, kur, si thotë Poeti, “tash qi u ba Shqipnia, duhen ba Shiptarët”.

 E për me ba Shqiptarët Ai ishte që:

Në vitin 1913, thëmeloi dhe drejtoi deri sa vdiq revistën

Hylli i Dritës.”

Melbourne 10 Janar 2020.

Please follow and like us: