Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Sami Repishti: MESAZHI I NJI MERGIMTARI TE SHQETESUEM…

Image result for sami repishti

Nga leximet në shtypin amerikan kuptohet se vrasja e komandantit kriminel iranian Gjeneral Kasem Soleimani, ka qenë nji akt i paramenduem, i përgatitun dhe i ekzekutuem nga forcat speciale të SHBA-së me urdhën direkt të Presidentit  Donald Trump.

Natën e datës 2 janar 2020, nji aeroplan special ishte caktue me u ngritë nga aeroporti i Damaskut (Siri) me destinacion kryeqytetin e Irakut, Bagdad. Disa orë kaluen në pritje dhe “udhëtari” i shquem që pritej nuk erdhi. U sugjerue që udhëtimi të anulohet, por në sa avioni po mbyllte dyert, nji karvan maqinash arriti në pistën e aerodromit. Gjenerali Kasem Soleimani, komandant i forcave të sigurimit iraniane, doli nga maqina dhe hypi në avion bashkë me dy persona të gardës personale. Fluturimi 6Q501 u ngrit me tri orë vonesë në drejtim të Bagdadit. Avioni zbriti në Bagdad International Airport në orën 00:35. I pari që zbriti ishte Gjenerali Soleimani dhe suita e tij, Në pritje gjindej Gjenerali irakian Abu Mahdi Al Muhandis, krytar i milicisë shi-ite irakiane dhe mik i Iranit. Dy maqina u nisën në errësinën e natës, të ndjekun nga “dronet” ajrore amerikane. Në orën 00:42 të mesnatës, nji seri misilesh ranë mbi dy maqinat, i banë pluhën, dhe mbrenda tyne edhe trupat e karbonizuem nga zjarri të 10 (dhjetë) udhëtarëve. Në mes tyne Gjenerali Soleimani dhe kolegu i tij Gjenerali Al Muhandis.

Ky akt i papritun mbante në vete mundësinë e nji konflikti të gjanë amerikano-iranian. Presidenti Trump që kishte deklarue në fushatë elektorale se “do të nxjerrim Ameriken nga ‘luftat pa fund’ theu premtimin e dhanun.

Administrata amerikane u gjet në befasi. Hapi i parë nga Qeveria amerikane, ishte njoftimi me ndërmjetsinë e Ambasadës svicerane në Teheran për Qeverinë iraniane të mos shkallëzojë konfliktin me nji “hakmarrje” të madhe që do të detyronte Presidentin me ndërmarrë sulme të reja. Irani u kufizue me bombardimin e dy aeroporteve në Irak ku gjindeshin trupa amerikane. Për fat të mirë pa viktima. Njikohësisht, Irani njoftoi se nuk planifikonte sulme tjera.

Në Amerikë, u krijue nji gjendje konfuzioni. Pse Presidenti Trump urdhënoi eliminimin fizik të Gjeneralit Soleimani? Përgjigja e parë ka qenë se ai planifikonte sulme të reja kundër objektivave amerikane në atë zonë, dhe përbante kështu “nji rrezik iminent”, mundësisht kundër ambasadave amerikane në Lindjen e Mesme. Analisti amerikan Anthony Coleman, i ISIS,Washington, vrente se “kemi marrë qendrime pa konsultime me Aleatët, dhe pa paraqitë nji plan të qartë paqeje”.

Sot, demokratët dhe republikanët janë të ndamë në gjykimin e aktit të Presidentit. Demonstrata në shumë qytete të Amerikës kërkojnë “jo luftë me Iranin”. Demokratët janë te mendimit se sulmi do të sjellë pasoja serioze për stabilitetin e gjendjes në atë zonë. Shefi demokrat në Senat, Charles Schumer, shprehej:” Nevoja për konsultim  paraprak dhe transparencë me Kongresin ashtë vendosë me Kushtetutë. për nji arsye…me evitue mungesën e transparencës me Kongresin që mund të përfundojë me vendime të nxitueme dhe të keqmendueme”. Shefi demokrat i Dhomës së Përfaqsuesve, Zonja Nancy Pelosi deklaroi: “Presidenti urdhënoi nji sulm ajror pa autorizimin e Kongresit” nji akt anti-kushtetues. Zyrtarë amerikanë, tue perfshi edhe Ministrinë e Mbrojtjes e shefat e ushtrisë, deklaruen se ata nuk ishin në dijeni të nji sulmi të këtillë “imminent” . Konfuzioni u rrit, Presidenti nuk dha asnji hollësi, dhe i gjithë ky episod i frikëshëm duket se u shkaktue nga nji impuls agresiv dhe i pakontrollueshëm i Presidentit Trump.

Kur “duertrokitjet” pushuen, filloi heshtja, fatmirësisht nji heshtje pjellore! Populli amerikan kërkoi spjegime që nuk i gjente në deklaratat zyrtare. Mbetej tashti vetëm argumenti se Presidenti i deshpruem nga zbulimet e akteve të tia joligjore, mori nji inisiativë që kercënonte me sjellë nji konflikt në Lindjen e Mesme Ashtë nji akt radikal, i pa justifikueshëm dhe me rrjedhime të pa-parashikueshme! Nji zyrtar i CIA-s përcaktoi vrasjen“…nji akt i ndërmarrun pa mendue rrjedhimet”.

Rrjedhimet e nji akti agresiv të vrasjes së nji ushtaraku të naltë të nji shteti që NUK ashtë në gjendje lufte me SHBA-në vazhdojnë.

E para, Kushtetuta amerikane kërkon që çdo akt luftarak i SHBA-së mund të merret vetëm mbasi Presidenti merr pelqimin e Kongresit. Në rast të kundërt, Kongresi ka autorizimin zyrtar”…me këputë financimin e Ministrisë së Mbrojtjes”. Në këte rast nuk u konsultue Kongresi.

E dyta, Në botën e jashtëme aksioni anti-iranian nuk u aprovue nga asnji nga “shtetet kryesore” europiane. Presidenti mbetet i izoluem në skenën ndërkombëtare. Britanikët nuk e përkrahen aksionin. Gazeta franceze Le Monde shkroi për nji “përçarje” në aleancën veri-atlantike dhe nji divorc në politikën e Lindjes së Mesme”. Sot, komentohet se tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja nukleare me Iranin e vitit 2015 ka qenë ni gabim i madh dhe se ka krijue atmosferën që lejoi këte “aksion agresiv”, me frikën se mund të fillohet nji cikël i ri sanksionesh dhe kundërveprimesh që rrezikojnë paqën. Irani u përgjegj me rifllimin e prodhimit të materive nukleare me qellim luftarak.

Ministri i jashtëm gjerman, Heik Maas, deklaroi se “vrasja” nuk e ban ma të lehtë stabilizimin e rajonit. NATO bani thirrje për përmbajtje dhe uljen e tensionit. Rusia dhe Kina dënuen vrasjen e Soleimanit. Analistët mendojnë se Teherani mund të kerkojë mbështetje ma të madhe nga ‘aleatët’ e tij. Pak ditë para sulmit, Kina, Rusia dhe Irani zhvilluen manovra të përbashkëta detare në Gjiun Persik, dhe Gjiun e Omanit. Në Irak frika e konfliktit në mes sunitëve dhe shi-itëve mund të përsëritet. Francezët ofruen me veprue si ndërmjetës. Presidenti E.Macron u tregue ma aktiv, tue marrë kontakt me të dy palët, pa aprovue ose  denue aktin agresiv, dhe sugjeroi diplomacinë. Ashtu edhe japonezët, nji ofertë që zemroi Presidentin Trump. Europianët, në përgjithësi, vendosën të përpiqen me bindë Iranin të mos shkallëzojë konfliktin. Nji diplomat gjerman dhe kolegët e tij europianë derguen mesazhe për Iranin, me telefonata dhe me nota të veçanta tue sigurue Iranin të qetësohet sepse “bota” nuk ashtë kundër tyne

Vendi europian me randësi në këto ditë të vështira ka qenë Svicra, mentaliteti dhe serioziteti i diplomacisë svicerane, si ndërmjetës në mes të SHBA-së dhe Iranit që nga viti 1979, i revolucionit iranian.

Në Amerikë, problemi u përqendrue në spjegimin e arsyes së aktit agresiv Spjegimet zyrtare nuk kanë qenë në gjendje me dhanë nji përgjigje të kënaqshme dhe nuk kanë gjetë bindje në publik. Analisti Marc Mazzetti i The New York Times e cilëson sjelljen e Presidentit “ ma shumë pushtet, ma pak kufizime, dhe qendrime të paqendrueshme” Ai spjegon: “Që nga qendrimet e tia me Iranin, Sirinë, Jemenin dhe Afganistanin. Z. Trump ka tregue pak evidencë angazhimi këto tri vitet e fundit, dhe vendimet e tia për luftë ose paqë janë marrë pa diskutime të kujdesëshme dhe  konsiderata për rrjedhimet e aktit”. Prof. Jack Goldsmith (Harvard, Law) u shpreh:” Vendi i jonë ka dhanë me ndërgjegje nji personi të vetëm të drejtën enorme dhe pa kufi me udhëheqë, si dhe diskresionin me e përdorue atë në mënyra që përfundojnë lehtësisht në lufta masive. Ky ashtë shteti i jonë. Nji personë e vetme drejton  gjithëçka”.

E treta, arbitrariteti i sulmit amerikan ashtë sot subjekt diskutimi  edhe në botën akademike amerikane. Në shoqëninë e hapun të demokracisë sonë aktet qeveritare i nënshtrohen shqyrtimit nga ekspertë. Megjithëse nuk derdhen lotë për vrasjen e nji krimineli si Gjeneral Soleimani–me përjashtim të xhihadistëve fanatikë – vrasja e tij nuk justfikohet.

Ajo vrasje ka qenë nji akt politik i gabuem dhe moralisht i dënueshëm!

Prof. Benjamin B. Ferenz ,(Harvard, Law) shkruen:” Administrata  këto ditët e fundi, njoftoi se me urdhën të Presidentit (Trump) SHBA ka “nxjerrë jashtë” (ka vra!) nji udhëheqës ushtarak të nji vendi me të cilin nuk kemi qenë në gjendje lufte…. Unë e shoh nji akt të këtill imoral si nji shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare e kombëtare.

Populli ka të drejtë me njohë të vërtetën. Karta e OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, The Hague, janë anashkalue plotësisht. Në botën tonë të “cyberspace”, rinia kudo në botë janë para nji rreziku vdeksor, në qoftë se nuk ndryshojnë zemrat dhe mendjet e atyne personave që duket qartë se preferojnë luftën pa respekt për paqë”(The NYTimes)

Në komentin e tij, analisti Thomas L. Friedman, e cilëson sulmin amerikan si “…pjesë e kodit të pandershmënisë së Trumpit”. Ai ven në pyetje asyetimin zyrtar të sulmit : “Ashtë ba pa nji strategji të qartë, pa nji kuadër moraliteti….”

Të shqetësuem nga mungesa e parashikimeve (unpredictability) të akteve të Presidentit Trump, udhëheqja e Partisë Demokratike Amerikane në Kongres po shpejton me kufizue ligjërisht autoritetin e Presidentit për veprime luftarake kundër Iranit. Historikisht nji keq përdorim i këtij autoriteti janë shembujt e luftës në Kore (1950-53) dhe në Vietman (1961-1973) kur vendimet për aksione ushtarake u morën nga Presidenti për arsye të “rrezikut iminent”. Sot, PD amerikane kerkon zbatimin ma me rigorozitet të War Powers Resolution, dhe me pengue nji luftë me Iranin.

Nga pikëpamja ligjore, Executive Order 12333, i firmuem në vitet 1970-ta nga Presidenti Gerald Ford, nuk lejon zytarët e qeverisë me u angazhue në konspiracione për vrasje, por nuk përcakton mirë fjalën “vrasje”, me qenë se vrasja e elementëve anmiqsor për vetë-mbrojtje nuk quhet “vrasje”. Në vitet 1970-ta u zbulue se CIA eliminoi disa udhëheqës me tendenca komuniste. Ma vonë u krijue problemi me “terroristët islamikë”; aksioni kundër tyne u konsiderue  “vetëmbrojtje”.

Gjenerali Soleimani ishte zyrtar i naltë i nji qeverie kombëtare, dhe jo udhëheqës i nji grupi terrorist jo-shtetnor, si Osama Ben Laden ose Al Bagdadi… Eliminimi i tij shenon rastin e parë kur SHBA konsideron nji entitet shtetnor si “grup terrorist”. Sot, The War Crime Act konsideron si “felony” (krim) shkeljen e ligjit, dhe denimi ashtë i randë: “ …burgim i përjetëshëm ose ekzekutim në rast se ka viktima”.

Vrasja e Gjeneral Soleimanit gjatë këtyne ditëve u gjykue nga shumë autoritete ushtarake si nji akt i papërgjegjshëm dhe shkallëzim drejt konfliktit të hapët. Temperamenti i pa qendrueshëm i Presidentit Trump  ka lanë gjurmë në aleatët e shgënjyem – tue përfshi edhe aleatët  europian të NATO-s….Edhe vendet arabe në Gjiun Persian shqetësohen për pa-sigurinë që krijohet në “pavendosmëninë” e Presidentit me i përkrahë ata në rast të nji sulmi direkt nga Irani. Për analistët iranianë, vrasja e Gjeneralit Iranian dobëson pozitën e elementit të moderuem iranian dhe ka mundësi të kthej të moderuemët në agresivë.

Në Shqipëri dhe në Kosovë vrasja e Gjeneralit Soleimani u mbështet nga grupet politike. Kjo përkrahje u konsiderue si nji përkrahje pa rezerva e “aleatit strategjik”. Vetëm dy ditë mbas ngjarjes, deklaratat e pushtetarëve shqiptarë u banë publike edhe nga Zëri i Amerikës.

Reagimi i parë erdhi nga “udhëheqsi suprem” Ajatolla Al Khomeini i Iranit, i cili foli për “…nji vend shumë të vogël, por të djallzuar europian, ku amerikanët bashkëpunojnë me trathtarët e Iranit kundër Republikës Islamike”, tue iu referue Shqipërisë. Partia Demokratike e Shqipërisë shprehu mbështetjen “…angazhimit të SHBA-së në luftë kundër terrorit. Vendimi i Presidentit Trump për goditjen e njerit nga arkitektëve dhe drejtuesve të aktiviteteve terroriste është një akt i fortë i leadershipit dhe mbrojtjes së vlerave demokratike e të paqës….dhe PD-ja, në çdo kohë, qendron në krah të SHBA-së. (VoA.,4.I.2020).

Me 8 janar, Presidenti I.Meta shkroi se “raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij”. Presidenti i Kosovës H.Thaçi, dhe KM në detyrë R.Haradinaj  “… denuen sulmet iraniane me raketa kundër forcave amerikane. Kosova qendron në mbështetje të Shteteve të Bashkuara dhe familjes atlantike në këte kohë trazirash”. (VoA 9.I.2020). Në Prishtinë arrestohet drejtoresha e Institutit për Kerkime “Naim Frashëri, Zonja Ikbale Berisha-Huduti, sepse “…në rrjetët sociale kishte shprehur pikëllimin për vrasjen e  Gjeneralit  Kasem Soleimani…” nji absurditet i rrobës zyrtare…!

“Lufta e fundit nuk ka mbarue ende, dhe në flasim për fillimin e nji lufte të re; kjo ashtë marrëzi…SHBA ashtë aleati i jonë; Irani ashtë fqiu i jonë” deklaroi President i Irakut. (The New Yorker, 5.I.2020).

Të shtundën, 4 janar 2020, Parlamenti irakian votoi mos me lejue përdorimin e territorit irakian-tokë, ajr, det- për çfardo arsyeje qoftë nga trupat e hueja.

********

Shqetësimi i im rrjedh nga qendrimi i padrejtë i pushtetarëve shqiptarë –në të dy anët e kufinit- ndaj aktit të Presidentit Trump të kryem në shkelje të plotë të dispozitave ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo tregon nji rrymë degradimi moral nga pushtetarët e njimbasnjishëm për afër nji shekulli të viteve të pavarësisë shqiptare.

Unë shqetësohem nga frika se akte të tilla të rastit me kohë do të bahen kultura politike e vendit tonë! Ky ashtë mesazhi i nji mërgimtari politik shqiptar për vëllaznit dhe motrat shqiptare në atdheun e përbashkët në të dy anët e kufinit!

Në vend që të tregohet shqetësimi i justifikuem për nji akt illegal që mund të sjellë në prishjen e paqës dhe konfliktin, si dhe me kërkue nji zbritje të tensionit nga të dy palët, pushtetarët shqiptarë duertrokisin “vrasjen” dhe lavdërojnë dorën e fortë të presidentit me angazhimin se shqiptarët do të ndjekin me besnikëri politikën amerikane…(sic!)

Historikisht, që nga viti 1925, Shqipëria e vorfën ekonomikisht u gjunjëzue para presionit politik fashist italian. Në vitin 1935, kur Lidhja e Kombeve dënoi unanimisht Italinë për agresionin kundër Etiopisë, Shqipëria u rreshtue përkrah agresorit. Okupatorët italianë e gjermanë treguen fëtyrën e tyne të vertetë me gjithë “premtimet” e “betimet” e dhanuna, si æmiqtë e mëdhej të Shqipërisë” (sic!). Që nga viti 1944, deri në vitin 1991, për 47 vjet me rradhë shqiptarët u lodhën me lëvdatat për Mareshalin Tito, për Gjenialin Stalin, për mikun e madh Mao, pa të cilët nuk do të ekzistonte Shqipëria sot (sic!). Si rrjedhim, Shqipëria përfundoj me medaljen “vendi ma i vorfën i Europës” nji përcaktim që vazhdon edhe sot…!

Sot, kam frikë se shqiptarët do të zbresin aq poshtë sa të zvarrisin “nderin” e kombit tonë në moçalin e servilizmit politik. ….dhe vuej!

Hymja e Shqipërisë në Botën e Lirë, 1992, ka qenë premtimi ma i madh historik i Shqipërisë. Në Botën e Lirë nuk mbretnojnë frika dhe pjella e saj, servilizmi politik dhe ekonomik! Premtohet liri, unitet dhe paqë!

Shqiptarët e duen Amerikën, jo për fjalë e premtime, por për fakte të jetueme edhe nga të gjithë ne: integritetin territorial të Shqipërisë (1919) dhe Pavarësinë e Kosovës (2008) – hapi i parë dhe vendimtar për bashkimin kombëtar shqiptar. Lista ashtë e gjatë….!

Shqiptarët e duen Amerikën jo për pasunitë prrallore, por për parimet politike që e drejtojnë, dhe për vlerat morale që ajo përfaqson.

Shqiptarët e duen Amerikën dhe betohen me e mbrojtë, si nji republikë “…me liri dhe drejtësi për të gjithë” pa dallim, pa përjashtim, nji qendrim i njohun si “the American exceptionalism”!

Kjo ashtë rruga e besës, e nderit, e burrënisë tradicionale shqiptare!

—————————————————————————————–

* Autori ashtë qytetar amerikan me kombësi shqiptare.

Please follow and like us: