Albspirit

Media/News/Publishing

Akuza ndaj profesorit të Harvardit për pjesëmarrje në programet kineze

Qeveria amerikane ngriti akuza të martën ndaj shefit të një departamenti në Universitetin e Harvardit dhe një punonjësi në Universitetin e Bostonit, se nuk kanë bërë të njohura marrëdhëniet e tyre me agjencitë kineze të kërkimit shkencor edhe pse kanë përfituar fonde nga qeveria amerikane për hulumtime.

Prokurorët ngritën akuza ndaj shefit të Departametit të Kimisë dhe Biologjisë Kimike në Universitetin e Harvardit Charles Lieber, se ka gënjyer lidhur me pjesmarrjen e tij në një program kinez të quajtur “Plani i Mijëra Talenteve”.

Sipas dokumenteve gjyqësore, zoti Lieber kishte bërë deklarime të rreme, fiktive dhe të pavërteta pranë Departamentit amerikan të Mbrojtjes lidhur me rolin e tij në planin kinez. Ai po ashtu kishte përdorur të njëjtat taktika me Insitutin Kombëtar të Shëndetit lidhur me rolin dhe lidhjet e tij me Universitetin Teknologjik të Wuhanit në Kinë.

Në bazë të dokumenteve të gjykatës, Lieber akuzohet për deklarata të rreme ndaj një agjencie qeveritare. Prokurorët po ashtu kanë ngritur akuza ndaj një punonjësi të Universitetit të Bostonit se ka gënjyer në lidhje me punësimin për ushtrinë kineze, tha për median një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë.

Këto janë zhvillimet e fundit në vazhdën e një serie akuzash të ngritura nga qeveria amerikane ndaj disa akademikëve lidhur me marrëdhëniet e tyre me Kinën.

Prokurorët federalë akuzuan muajin e kaluar një student kinez të mjekësisë se ishte përpjekur të kontrabandonte jashë Amerikës ekzemplarë të kërkimeve për kancerin. Në gusht, po ashtu u ngritën akuza ndaj një studiuesi në Universitetin e Kansasit, se kishte refuzuar të bënte të ditura lidhjet me një unviersitet kinez.

Please follow and like us: