Albspirit

Media/News/Publishing

Vjollca Dibra: Ne që përjetuam genocidin serb e kuptojmë më mirë tragjedinë e hebrejve!

 

 

Çdo kujtim, përkujtim a rikujtim, në të vërtetë, s’është veçse një seancë përshpirtjeje, një takim spiritual me ata që më s’janë, me ata që i flasin pareshtur ndërgjegjes sonë. Sot nuk ka nevojë të hapen fjalorët e çfarëdo gjuhe të botës për të gjetur kuptimin e fjalës HOLOKAUST.

Ajo është e gjithëpranishme, e njohur në shkallë globale dhe flet për tragjedinë e përmasave planetare: vrasje, zhdukje, ndjekje, djegie, përndjekje e një populli të tërë, e popullit hebraik. Nuk ka nevojë të thuhet se holokausti është pjellë çmendurie e doktrinës së nazizmit. Dhe nuk është ngjarje e largët. Së paku jo aq e largët sa të harrohet. Ngjarje e gjysmës së parë të shekullit XX, në sfondin e Luftës së Dytë Botërore.

Pikërisht kur menduam se reflektoi njerëzimi për këtë tragjedi, se gjëra të tilla tashmë i përkisnin vetëm të kaluarës historike, memories së arkivuar, ndodhi e papritura, lubia e etur për gjak u rishfaq si në legjenda, veçse tash ditën për diell. Në Gadishullin Ballkanik, më saktë, në Kosovën tonë, nën petkun e uniformave të hirta të ushtrisë, policisë e formacioneve paramilitare serbe. Përndoqën, vranë, prenë, dogjën, zhdukën e dëbuan shqiptarët nga Kosova. Për një tmerr të ngjashëm kishte shkruar dikur poeti famëmadh grek, Janis Ricos: “Nuk e besonim të jenë kaq të tmerrshëm njerëzit”!

Edhe këtu, edhe sot, në Gjakovë, një nënë e vetme, natë për natë shtron tryezën për të gjithë familjarët që më s’janë, që mungojnë, që u tretëm. Kaq shpërfillje e kaq përbuzje për krijesat e Zotit mund të bëjnë vetëm ata që s’njohin Zot, as Njeri, që nuk mësuan asgjë nga holokausti. Dhe këtu s’qe fjala për luftë botërore, po për urrejtje të çnatyruar për pjesëtarët e një kombi tjetër.

E kush më mirë se ne, që e përjetuam këtë, e kujtojmë, e ndiejmë dhe e përjetojmë tragjedinë e hebrenjve. Prandaj e kujtojmë, prandaj e rikujtojmë, prandaj e përkujtojmë këtë ditë dhe sikur ndezim qirinj drite për shpirtrat e tyre e për shpirtrat tanë.
Le të pushojnë në paqe nën dritën e amshimit!

Fjala e Prorektores Vjollca Dibra
Universiteti i Gjakoves “Fehmi Agani”

Please follow and like us: