Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Gruaja dhe toka

Image may contain: Brunilda Spiro, smiling, eyeglasses and closeup

Brunilda Spiro

 

Gruaja dhe toka kanë të njëjtën gjini, gjininë femërore. Të dyja mbajnë në trupin e tyre jetën dhe vazhdimin e saj duke dhënë dashuri e frymë pa kushte. Nëse toka po na flet çdo ditë me shenja paralajmëruese për lodhjen dhe shkatërrimin që po i shkakton njeriu, gruaja nga ana tjetër po merr mbi shtatin e saj të brishtë punën dhe përgjegjësitë që dikur u takonin burrave qysh në krijimin e jetës njerëzore. Duke i marrë pak e nga pak dhe si pa e kuptuar mirë, sot ajo e sheh veten më të skllavëruar se kurrë.

Gruaja e shekullit të 21 është më e ngarkuar me punë dhe detyrime sesa në të gjithë shekujt më parë. Po cilat janë disa nga shkaqet që ndodhi kjo gjë? Meqë është nga natyra vetëmohuese, kërkuese dhe shumë guximtare fillimisht ajo është vetë fajtorja që ka skllavëruar veten në këtë mënyrë . Vetëmohimi është ndjenja më sublime, por ëdhe skllavëruese në ndjesitë e saj, sepse gruaja harron veten dhe dëshirat e saj për të bërë gjithçka për njerëzit që do.

Ajo gjithë ditën vrapon të përgatitë mëngjesin, drekën e darkën, të bëjë gati fëmijët për në shkollë, të shumtat e rasteve të bëjë edhe pazarin vetë, të lajë, të hekurosë, të veshë fëmijët kur janë të vegjël dhe të ndihmojë e mbajë prindërit kur ata kanë nevojë. Kështu që për veten e saj nuk ka asnjë minutë kohë të lirë.

Gjithashtu, ajo është edhe shumë kërkuese ndaj vetes dhe do të jetë edhe një grua në karierrë, jo të mbetet thjesht një shtëpiake. Sfidat shtohen dhe ajo kërkon më shumë për të arritur e për të realizuar veten. Ndërsa gruaja vetëmohohet, kërkon dhe arrin, guximi si një aset tjetër i saj e shtyn të tregojë që është po aq trime dhe e zonja sa një burrë. Burrat po ndihen komodë përballë lehtësimeve që po ju sjellin gratë dhe bëjnë sikur aprovojnë barazinë mes gjinive. Veçse, gjithçka është një loje e tyre, sepse vetë po rehatohen duke hequr prej vetes shumë nga punët e përgjegjësitë, ndërsa lirinë dhe pavarësinë e shtrëngojnë mirë në trupin e shpirtin e tyre.

Gratë nuk kanë fituar, por kanë humbur dhe janë skllavëruar më shumë sesa më parë. Edukimi i fëmijëve është një pjesë e vështirë dhe do energji e përkushtim, gjithashtu do një edukim të mirë edhe nga ajo vetë, prandaj ajo shkollohet, punon dhe edukon. Si përfundim, gruaja në shekullin e 21 është një grua më e plotësuar, por e krijuar si një qënie e brishtë nga natyra, është më e ngarkuar më shumë sesa më parë dhe më e lodhur fizikisht dhe mendërisht.

Please follow and like us: