Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: Kam zgjedhur të mbështes studentët…

Image may contain: Haris Vongli, closeup

Haris Vongli, Pedagoge e Shkencave Politike

Motivimi dhe frymëzimi që më japin studentët vjen krejt natyrshëm dhe kalon sadisfaksionin profesional, ai kthehet në njerëzor. Për rrjedhojë, kam kuptuar se mësimdhënia dhe energjia studentore/rinore janë në fakt çka dua më së shumti.

Dija është ajo që rri më bukur veshur tek njeriu, ajo që më pak ka nevojë për rregullim, për llustra, për kamuflim. Dija gradualisht e rrit njeriun në dimesione të cilat vendosin të bëjnë diferencat mes hipokrizisë dhe vërtetësisë, mes intrigës dhe mbështetjes, keqdashësisë dhe së mirës, cmirës dhe vlerësimit. Ne kuptojmë sa i ditur është tjetri në raport me cilësitë e lartpërmendura që mbart personaliteti ynë.

Kush beson se kudo ka vend për këdo e përqafon rolin e tjetrit në komunitet, në mjediset e punës dhe në familje për të kuptuar se jeton automatikisht në një shoqëri të shëndoshë. Shqipëria çalon pikërisht sepse individi i pret rrugën një individi tjetër, me dashje, që në fakt do të thotë se ai nuk beson tek vlerat e fuqia e tij, pikërisht se këto dy të fundit i ka në pikëpyetje të madhe, kështu kërkon të marrë nga tjetri shumëçka që nuk i takon. Bashkimi bën fuqinë dhe kjo është vërtetuar nga vende që dijen e kanë shtyllë të shoqërisë.

Unë kam zgjedhur të mbështes studentët duke besuar tek ta dhe tek dëshira e tyre për t’u marrë me të mirën, edhe aty ku kjo e fundit mund të jetë e limituar. Unë besoj tek integriteti i të rinjve sepse ata janë në fakt të vetëdijshëm për diçka të rëndësishme, që janë e ardhmja e këtij vendi. Ata e gjejnë shpresën edhe atje ku ka pak hapësira për ta bërë diçka të tillë dhe unë jam në një varkë me ta, drejt një rruge më të drejtë, me mundësi të barabarta dhe me ëndrra për një jetë më të mirë. E për të arritur këto duhet punë, ne kështu bashkëpunojmë për të arritur në finish sëbashku, fitimtar.

Please follow and like us: