Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Që gratë të mos i vrasim përditë!

Image result for dhuna ndaj grave

Edicionet e lajmeve sot u shoqëruan nga lajmi i kobshëm dhe i trishtë ku një grua u masakrua nga burri me thikë në sy të fëmijëve; dje ishte një rast tjetër, pardje një tjetër e kështu me radhë, femra që vdesin në forma monstruoze, jo me plumb që sjell vdekje të shpejtë, por me thika, drunj, hekur e shkopinj; këto janë vdekje që edhe në filma të kallin frikë e tmerr… jo më trupi i atyre grave që i përjetojnë këtë lloj masakre.

Një gazetare, gjatë transmetimit të kronikës, përdori shprehjen “asaj nuk i dëgjohej zëri i gojës” dhe “nuk i kthente kurrë përgjigje burrit”, kjo e cituar nga komshinjtë e gruas 33-vjeçare që sapo kishte humbur jetën nga thikat e burrit-monstër që e vrau pa pikë mëshire nënën e tre fëmijëve të tyre dhe i la ata të mjerë jetimë.

Gazetarja kujdeset gjatë kronikës ta nxjerrë të pafajshme gruan e vrarë, sipas rrëfimeve të komshinjve, për shkak sa ajo e di fort mirë që pas një vrasje të çdo gruaje, shpesh kjo shoqëri dhunuese e konservatore me faj bën gratë kur ndodhin vrasje të tilla makabre.

Por që gratë të mos i vrasim përditë, pikësëpari duhet të emancipohet shoqëria dhe nënat që rrisin vajza e djem, pasi duhet t’i edukojnë ata në mënyrë të barabartë, ku djali të mos dhunojë e vajza të mos i nënshtrohet dhunës psikologjike, as fizike sepse përfundojnë në statistika të policisë në pak kohë si të vdekura nga meshkujt, pra burrat e tyre dhe jo vetëm!

Në kronikat e lajmeve ka pothuajse një herë në ditë një grua të dhunuar apo të vrarë, ndaj nuk duhet të kujtohemi vetëm kur ndodh vrasja e të sillemi si të pafajshëm, në inkoshiencën tonë të gjithë themi ‘pse ndodhi’, por a punojmë vallë që t’i shpëtojmë këto gra nga tmerri, rrahjet, dhuna, sa i ndihmojmë ato gra kur kuptojmë se janë të dhunuara…

Në fakt ato të vrara janë për aq kohë sa durojnë dhunuesin dhe e falin atë; një rast i bërë publik para pak javësh në një prej televizioneve kombëtare ku gruaja pasi e masakroi në pyll bashkëshorti, babai i dy djemve, e fali atë në sy të gjithë shqiptarëve duke i afruar edhe një shans nën petkun e thënies “po e bëj prej fëmijëve” dhe pse pas atyre faljeve vazhdon një kalvar i tërë vuajtjesh e rrahjesh mizore.
Shtetit duhet të rregullojë politika për arsimimin dhe punësimin e grave në zonat rurale, hapjen e shkollave e kurseve shtetërore që “shpëtimi i këtyre grave të dhunuara” të realizohet nëpërmjet shkollimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të mbarë shoqërisë kundër dhunës.

Në shumë raste dhuna vjen nga mungesa e shkollimit, e ushtrimit të fjalës së lirë si dhe mundësive për të patur gratë një pavarësi ekonomike. Ne të gjithë duhet ta kthejmë si qëllim të jetës luftën kundër dhunës sepse dhuna sjell dhunë, vrasje e fëmijë të mbetur rrugëve pa prindër, pasi njëri vritet e tjetri përfundon në burg.

Për arsye nga më të ndryshmet këto gra e vajza janë të nënshtruara, por ndoshta jo në pak raste është edhe faji i familjes e shoqërisë që i shtyn të zgjedhin këtë rrugë.

Ne të gjithë dëgjuam si u vra një gjyqtare para ca vitesh, në mes të ditës, pasi kishte kaluar një kalvar të tërë vuajtjesh, përndjekjesh e kërcënimesh dhe nuk arriti të vetëmbrohej… Dhe kur vritet nje gjyqtare, kuptohet lehtë se si është të merret jeta e një gruaje të thjeshtë pa shkollë, që jeton në fshat e nuk ka një punë, por punon si shtëpiake me orë të papaguara dhe pa të keq në mbrëmje dhunohet nga kryefamiljari.
Dhe mbase kjo tipologji gruaje në gjithë jetën e saj bashkëshortore nuk ka dalë kurrë shëtitje, asnjëherë nuk e ka zënë përdore bashkëshorti për të shkelur në një trotuar apo lulishte qyteti, nuk e ka përjetuar ngrohtësinë as dashurinë sepse prindërit e kanë rritur me ndjesinë që të jetë e nënshtruar para burrit e familjes së tij.
Për të kuptuar si jetojnë gratë në burgun jashtë hekurave, në një shoqëri plot mentalitete e paragjykime të gjithfarëllojshme, duhet të vizitojmë shpesh fshatrat dhe zonat fare afër qyteteve. Pastaj çfarë mund të themi për emancipimin e madh, kur kemi mbetur një shoqëri shypëse që sapo ndodh një vrasje pyesin ‘pse e vrau burri’ dhe nuk pyesin ‘cilat janë shkaqet që kjo grua arriti të durojë vite të tëra sakrifica e poshtërime deri në momentin e marrjes së jetës”?!

E pra me keqardhje e them, jemi shoqëri e mbarsur me negativitete, në vend që të jemi njerëz më të mirë e humanë dhe të përmirësohemi dita – ditës të gjithë ne, si dhe të fillojmë e të mendojmë zgjidhjen që ato gra të mos i vrasim edhe pas vdekjes së tyre.
E ndërkohë të veprojmë sa më parë që edhe ato të gjallat të mos i vrasim përditë, pak e nga pak?!

Please follow and like us: