Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: Çfarë qetësie kur unë vij në shtëpi!

Image may contain: Haris Vongli, closeup

Çfarë qetësie kur unë vij në shtëpi,
Rrugë shi-mëndafshi e qyteza pa çati.
Hënë kokëulur unë e diell hiri ti.
Ca puthin fëmijët e të tjerë ende rrinë në gji.

Çfarë lamtumire kur unë pres mëngjeset
E qiejt e gënjeshtrave nuk lindin me yjesi.
A nuk është kjo vetmi?
Më mirë se sa hipokrizi,
Kjo është lumturi gëlltitur dalldi.
A nuk është jeta ironi?!
Ku janë përrallat?
Çfarë kanë rritur nënat?
Dashuritë s’janë dhimbje e as gurët trofe.
Mjaullima burrash
Kur thërasin jetën në krah ta mbajnë,
Ajo ka ikur sakaq, është zhbërë në arnë,
Akujt janë gdhirë vullkan e djaj
kanë formuar ishuj të rinj e boshllëk
Romanca trenash pa jastëk.
S’ka lumenj më se ngjizen përronj.
E s’njihet kush e s’ka heronj.

Ju mediokër
Femrat i ktheni në burra
Që burrat qerpikët e lotët të kurojnë.
Përkund humbjet e ktheji në zemër
Aty s’ka gjini.
Aty s’ka mbretëri.
Ishte dikur dashuri.
Unë sot kam fituar se humbe ti.

Çfarë qetësie, asgjë për t’u krenuar.
Njeriu i ri, pa zemër e as emër
Bosh e përjetësi.
Çfarë qetësie kur unë vij në shtëpi.
Një ditë do të dalë prej këtu
Se hapat s’janë për asfaltë zhgërryes
Por krahë për fluturim.

Shpresoj njerëzit t’i ndiejnë një ditë ato që thonë.
Ah sa mirë që ju njoh,
Sa thellë njoh dhe veten time.
Nuk do doja të isha ju,
Të bëhesha copash njëzet herë në ditë,
As edhe dyqind herë.
Unë jam ringritur
Edhe kur më shumë copash jam bërë.

Please follow and like us: