Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili‎: AFINITETI MIDIS KRIJUESIT DHE LEXUESIT

ORA SHQIPTARE: Rifat Ismaili

Ese

Marrëdhënia midis krijuesit dhe lexuesit është diçka e magjishme, e papërsëritshme. Dy njerëz që në kohë të ndryshme, puqen diku rastësisht dhe krijohet një afinitet i çuditshëm, por e pafundme për nga vlera dhe rëndësia. Që në moshë të re e gjer më tani kam gëlltitur me sy me mijëra e mijëra faqe librash, i kam futur në sirtarët e kujtesës, kësaj dhurate të paçmuar e hyjnore që na është dhënë ne njerëzve, dhe dalin prej aty vetiu, kur trurin ma ngacmon ndonjë ide, imazh apo kujtim. Kur je në moshën e rinisë dashurohesh me Laurat, Beatricet, Anat, per te cilat shkruajten Dante, Petrarka, Pushkini. Imagjinon çastet kur Dante i shpalli Beatrices dashurinë e tij, ne sfondin e një Firenceje në lulëzim, apo mëkatet e Pushkinit me të dashurën e tij, Ana Kernin. Por më herët ke mbetur i ngerthyer ne bëmat e heronjve te përrallave, të cilët e shoqërojnë njeriun gjer në fund të jetës. Do doje të ishe pjesëmarrës në aventurat e tyre të pafundme, apo të ishe princi guximtar që shkon të clirojë të Bukurën, pa pyetur fare për kuçedrat e përbindshat.
Leximi nuk është vetëm dije e kulturë, por shumë më tepër. Ai që lexon është si një hero përrallash. Ashtu sikurse heroi përrallor kryen çdo sakrificë per të përligjur dashurinë e tij për të Bukurën, po ashtu, një lexues, kur prek dhe shfleton nje libër të pluhurosur në bibliotekë, është duke kryer një akt magjik; rrotullon me druajtje çelësin e një porte të panjohur dhe enigmatike. Çfarë fshihet brenda portës së një vepre? E mira, e keqja, dashuria, e bukura, apo vetë djalli? Çfarë fshihet brenda rreshtave të një libri; një fushë e shkretë e djegur nga dielli i mediokritetit apo një ujvarë fjalësh që çelin sythe dhe ndjenja dhe ripërtërijnë gjithësine?
Lexuesi i mirë dhe i vëmendshëm i ringjall, është si një spinë që përçon energji dhe ndiçon befas një dhomë të errët.
Çfarë do të ishte një poet pa lexuesit e tij? A do të shfaqej para nesh si nje planet i ndriçuar, po të mos kishte rreth vetes lexuesit- yje që me mijëra e mijëra i japin dritë, shkëlqim, jetë dhe pushtet? Lexuesi te jep pushtet dhe të ngre në lartësitë e panteonit. Por edhe të anullon, të mënjanon dhe harron nëqoftëse nuk bën nderlidhjen e duhur me të. Nuk është veç krijuesi ai që e ka fuqinë, por edhe lexuesi. Nëse dikujt si Muhamedi, një ditë papritmas iu shfaq Zoti dhe e bindi të ushtronte dhe përhapte udhëzimet e tij, pa mijëra e mijëra pasues dhe idhtarë, nuk do tia kish arritur dot, çdo gjë do të ishte shuar nën heshtjen e kohës. Diçka e ngjashme ndodh dhe me krijuesin letrar; duhet të ftojë dhe fitojë zemrat e lexuesve të tij, të bëjë sa më shumë ndjekës, që emri dhe vepra e tij të mbetet e gjallë duke sfiduar harresen nder shekuj. Përkushtimi i krijuesit dhe zelli duhet të jetë i përngjashëm si përkushtimi i Zotit, i cili brenda shtatë ditëve krijoi gjithçka, botën, gjallesat, njeriun dhe trurin e afte të njeriut. E tillë është dhe duhet të jetë puna e një krijuesi të vërtetë. Lodhje dhe detyrim për të çuar gjer në fund një mision; shkelqimin dhe lavdinë njerëzore, por kur duhet, edhe luftën vëllavrasëse, mjerimin, shtypjen, zvetënimin, humbjen e identitetit. Duhet të pasqyrojë epokën në të cilën rron, me shpresë se epokave që do vijnë do të gjejë dashamirësinë e tyre dhe mirëkuptim. Nëse faraonët e lashtë egjiptianë, nuk do të përcillnin ëndrrën e përjetësisë në bëmat e tyre, tek ne pas mijëra vjetësh nuk kishte për të arritur asnjë shenjë, asnjë mesazh.
Pra krijuesi është një mesazher i së ardhmes.
Lexuesi dhe krijuesi janë e njëjta gjë, kryejnë trasportin e padukshëm të jetës nga njëri shpirt në tjetrin. Ndaj dhe lexuesi ka shumë rëndësi, ai është bashkveprues me krijuesin dhe njëkohësisht një lajmëtar. Është një eremit që ruan në manastirin e kujtesës, bukurinë e vlerat e jetës njerëzore. E pajis me flatra, dhe si një pëllumb, e nis thesarin e fjalëve, drejt horizonteve të së nesërmes.

Please follow and like us: