Albspirit

Media/News/Publishing

FALËNDERIM I HESHTUR PËR “SHQIPONJAT” E POLICISË

Image may contain: one or more people, sky, outdoor and nature

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Kohë pandemie ndërkohë që jeta rrjedh në dukje “e qetë”. Shqipëria nuk guxon “të hapet”, ose “të hapet me pikatore”, kur fitorja mbi virusin nuk ka ngjyrim real. Duket se virusi pandemik është bërë më i rrezikshëm, i kamufluar, tinzar, i veshur me mistere nga çfarë dukej, shfaqej e pritej. Ndërkohë mjekët, policia, ushtria, gazetarët e terrenit, strukturat e shtetit janë në këmbë, strukturat e shërbimit, për përballimin e situatës së pazakontë. Situata ka trembur, strukur e karantinuar një botë të tërë të pasur e të varfër. Asnjë ngjarje në planet nuk ka të krahasuar, me shtrirje kaq masive, që nuk krahasohet as me luftrat botërore dhe as me pandemitë e shkuara nëpër shekuj. Mijëra shkrime i janë kushtuar koronavirusit “Covid 19”  në mediat shqiptare dhe në ato më të shquara të botës, ku janë përfshirë dhe armata e gazetarëve shqiptarë. Nga ana tjetër shfaqet një anë tjetër e medaljes, ku në një muaj karantinë vijnë në jetë 1500 bebe, 34 në një natë; ndërkohë që humbën betejën e Covid-19, 23 vetë në një muaj. Jeta triumfon e siguron ardhmërinë. Është me vend vëmëndja e shtuar për bluzat e bardha.

Ndërkohë që janë të pakta shkrimet që sjellin në vëmëndje strukturat e policisë, që realisht sjellin mospërhapjen e koronavirusit si dhe sigurinë publike të qytetarëve. Me gjithë “hallet”, lajmet e vjetra, e “bëmat kriminale”, “ngrenë krye” e rishfaqen sikurse ishte përballja e “Shqiponjave” të Policisë në mesditën e djeshme në kryeqytet. Strukturat e Policisë janë kudo në mision monitorimi dhe zbatimi të masave shtesë nga qytetarët, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19. Detyra i çon të ushtrojnë kontrolle të shumta, jo vetëm në rrugët kryesore, por dhe në brendësi të lagjeve, sidomos në zonat urbane. Duke qenë se përballja me krimin ka qenë një fonomen jo i zakonshëm në këtë periudhë, element kriminalë që janë në kërkim për atentate, vrasje e ngjarje të tjera kriminale, të strukur e të fshehur shfaqen tek-tuk që sjellin një detyrim të uniformave blu përballë ngjarjve të pazakonta në kryeqytet në këto ditë të karantinimit të popullatës.

Një i shumë kërkuari në këtë kohë, kur shtetrrethimi vazhdon, një person me rrezikshmëri të lartë kriminale, lëvizte nëpër Tiranë lirshëm i armatosur. Një efektiv i forcave “Shqiponja” në zonën e Xhamllikut i kërkoi kartën e identitetit, por ka marrë kundërpërgjigje, një pistoletë të nxjerrë nga çanta, dhe më tej ja ka dhënë vrapit. Krimineli është ndjekur nga efektivi i Shqiponjës. Përballë janë krimi me shtetin. Krimineli kërcënon policin: “largohu, ndryshe do ta qëlloj”. Efektivi policor ka me vete të drejtën që ja jep ligji në kushtet e vetmbrojtjes. Pas një të shtëne në ajër dhe mosdorëzimit të kriminelit, e ka plagosur në këmbë. Më tej neutralizim dhe prangosje, një mision i kryer në kohë dhe për më tepër nga një efektiv policor i vetëm. “Ç’kyç”-ja e gojës së krimit dhe vendosja në bankën e gjykimit është detyrim i mëtejshëm i strukturave të shtetit, si obligim përpara ligjit.

Një gazetare profesioniste televizive drejtpërdrejtë nga vendngjarja e quante: “veprimi policor për t’u duartrokitur”. Një veprim i miratuar nga opinion publik shqiptar, ndonjëherë edhe i miratuar në heshtje, kur në fakt meriton gjithë përgëzimet dhe mbështetjen e gjithë shoqërisë shqiptare, si një element i veçantë civilizues e ndërgjegjësues.

Në rjetet sociale shpërthyen komentet që ishin një falënderim pa bujë i qytetarisë. Në cilin vend të botës nuk do veprohej njëlloj dhe për më tej pa paralajmërim. Kush ka guximin të kundërshtojë punonjësin e patrullës së policisë? Cili qytetar është i paindentifikueshëm duke mos i dhënë policisë kartën e identitetit (ID), dhe për më keq nxjerrja e armës zbuloi menjëherë natyrën e një krimineli në kërkim. Shqiponjat policore, këto garante të sigurisë publike janë të vendosur përballet çdo shkelje ligjore, për më tepër ndaj elementëve guximtarë që trimërohen dhe kërkojnë të godasin punonjësit e Policisë. Zbatimi i rregullave dhe ligjeve është kërkesë elementare e civilizimit të çdo shoqërie, ndërsa mosbindja ndaj urdhrit të Policisë është vetvrasje përballë shtetit në kuadër të krijimit të një ambienti sa më të sigurt për qytetarët.

Për paralelizëm historik në mbi një shekull të ekzistencës së shtetit shqiptar, në cilën periudhë të shtetit regjencial, republikan, monarkik, diktatorial, demokratik dhe për më tepër në cilin shtet krimineli nuk do të merrte të njejtën “monedhë”?! Përballë dilemave: “krimineli iku në drejtim të paditur” dhe “krimineli u neutralizua dhe u prangos” ka dy versione: “ndëshkim” ose “dekorim”. Po të flasim në gjuhën e qytatarisë: Në ngjarje të së shkuarës jo të largët dhe me ngjarje të përgjakura, gjishti drejtohej ndaj policisë, duke shfryrë edhe dufin me një sërë epitetesh. Po sot? Sot falënderimi është shumë pak, ndërkohë që krimin nuk e pengon as “shtetrrethimi”, që të ngrejë kokë edhe përballë uniformave blu, që nuk kapen në befasi por janë të orientuara për misionin edhe në situate të tilla dhe që tregojnë guxim e trimëri, përgjegjësi dhe profesionalizëm. Gjykim i drejtë, është më shumë se profesionalizëm zbatueshmëria e përpiktë e ligjit dhe për më tepër me “0” viktima. “Bravo!”, “I lumtë dora!”, janë vërshimi i “lumit” të zakonshëm i zërit të lirë qytetar që kërkon sigurinë në një shtet ligjor.

Qytetarët vetë nuk jejojnë që bijtë e populli që kanë zgjedhur të sfidojnë vështirësitë dhe të përballen me krimin, ndonjëherë edhe padrejtësisht të bëhen “tabelë qitje nga antinjerëzor”! Kush ndërrmerr guximin të kërcënojnë punonjësin e shtetit në detyrë, një punonjës që shërben në diell e në shi, në pluhur dhe në acar! Është kjo arsyeja që mirënjohja për këtë strukturë shteti që di të shpëtojë jetë njerëzore, të eci përpara duke bërë të pamundurën që të ndërgjegjësojë, të respektojnë rregullat e ligjet duke ofruar qytetari e siguri publike edhe në kohë pandemie. Çdo qytetar edhe kur nuk shprehet, por që ndjehet i sigurtë në heshtje mendon e thotë: “Është siguria që dua, është policia që dua”!

Asnjë lloj komenti, qoftë ai edhe i papërgjegjshëm ndaj veprimit të efektivit të shqiponjave, nuk mund të mbytë suksesin e kapjes së kriminelit. Prandaj në qindra komente, spikat mendimi qytetar i respektit dhe mirënjohjes qytetare për policinë e shtetit që duam, që përpara rrezikut të jetës ka vepruar profesionalisht.

Në një kohë kur teknologjia mjekësore është ngritur në këmbë për masat antivirusale, kur robotët janë bërë ndihmësit e parë të njerëzimit, kur Google dhe Apple, po krijojnë aplikacionin e gjurmimit të koronavirusit, strukturat e sigurisë janë gjithashtu në këmbë përballë jo “dy”, por disa “viruseve”: përballë Covid-it, përballë krimit, përballë prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, përhallë hajdutëve ordinerë e profesionistë etj. Është shtuar volumi i punës për sigurinë publike, por një falënderim i heshtur i publikut për strukturat policore nuk mjafton!.

Please follow and like us: