Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Azgan Berbati

Image may contain: Azgan Berbati, beard

***

Xhepave të qiellit
zukatin ëndrrat.
Këta avionë të humbur,
që kurrë nuk ulen këtu.

***

Err e terr nji shekull
Laj e thaj veç ky,
Krejt bota në mjegull
Krejt mjegullat aty.

Na jem t’dalun kryqit,
Ose t’futun n’nji kryq shum t’madh
T’prirë prej hiçit,
E vetes i themi gjallë!

Na jem botar t’çuditshëm,
Lindim foshnje, rrisim kriminel
Jena t’vërtet veç t’pijshëm,
E t’mir sa duhet as at’her.

Ç’do dit jena n’ikje
Jetojm n’Ballkan me pendesë
Shohim andrra britanike,
Hapim syt plot rënkesë.

Sikur na kan mbet;
Bufi i verbër
Lakuriqi pa rrob, pa sy
A ndoshta na kem mbet, krejt si kta t’dy!

 

“LETËR NË ARRATI”

Letrës i mësove arratisjen ti
Prej nga ku po të vidhen liritë,
Nën tavanin e zi, prej në qeli
Mua më shkruan për poezitë.

Këtu nuk shkruan dot,
Këtu po vdesin të gjithë,
Në vdekjen e një kohe isha sot
Jam lodhur me vdekje përditë.

Letrën e ruaj në arrati
Mendoj për ty poet,
Mendimet na piqen në liri,
Nuk ka (jashtë) tokësorë që i vret.

As dashuri s’ka mbetur, miku im
Krijojnë burgje për veten të gjithë,
Këtu jetohet e vdiset gabim
Askush nuk flet, vetëm klith…
***

Ne ishim të denjë,
Ndryshuam në dekada,
Tash’ shtiremi si ndjenjë
E duam veç për data.

***

Si jeta je
Tërë ikje.
Oh, jetë!

Ndonëse hëna i çeli dritaren ditës
Dhe u bë vonë…
E unë kështu në vetmi pres të vdesin hijet
Në natën e dimërt, në pritën e madhe.

Vetëm në vetmitë e largëta
Të them gjithçka,
Aty nuk refuzohem,
(S’kemi hatërmbetje)
E erën e puth gjithmonë
Në gravurën e vetmisë
Ku kam gdhendur ballin tënd
Si ëndrrën e çdo nate në shpirt.

Si jeta je
Tërë ikje
Oh, jetë!…

***

Mbeti dhimbja pa shpirt,
Ashtu pa shpirt dhemb shpirtërimeve,
Dhe ndalen mitologjitë
Para statujës time me pritje.

Me zor ky terr kaplon këtë qiell
Fluturakë u bënë kujtimet verore,
Prapë mitologjitë
Para statujës time lidhen për dore.

Prej vitesh kam ndërtuar pritje,
Mitologjike kur thuhen,
Kam përcjellë mirazhe e dridhje
Bash atëherë kur së tepërmi druhen.

Së fundmi, Legjionit ku stërviten paqësorë
Ndër labirinte me misionarë,
Mbeti vera përgjysëm
Si një zë pa tingull, si një shpresë e vrarë.
***

I donte fort kafshët;

Më fliste përherë për një kaproll të vogël
Që kurrë nuk u rrit.
Ndoshta i fliste fëmijëria.

Për një kalë që kurrë të zonë në pritë s’e lëshoi, po as gra mbi të kurrë nuk udhëtuan.
Ndoshta i flisnin plagët e shpirtit, ngjarjet.

Më fliste për pëllumbin “e pabesë”
Për korbin e gjarpërin.
Ndoshta flisnin mitet, vitet, kujtimet, hallet.

Më fliste gjithmonë për një qen;
Legjendar besnik që kurrë qen s’e quajti!
Mbi të gjitha i fliste dashuria.

Më fliste dikur gjyshi im,
Më flisnin bjeshkët me radhë,
edhe sot më flet gjyshi
…ndonëse më rrallë!
***
Në qiejt e epërm, të paarrirë
Të çova dikur si dritë,
Rob’ prej hëne s’kishin parë
Asnjëherë perënditë.

Dhe syrin tënd kur bëhej natë
Qiell e shpallnin gjithë yjet,
Oh, sy-qielli im i zjarrtë
Ma zhvesh shpirtin, si vjeshta pyjet.

Shi kur bie ndonjëherë
E kur qielli është i zi,
Dritë më bëhesh përmbi re
Temë më mbetesh në poezi.

***

Ra heshtja mbi botë
Si një pezaul i qëllimshëm,
Drita u zbeh, u bë e ftohtë
Për çdo të munguar, e çdo të pranishëm.

Disa thurën bejte;
Të çmendurit u panë dhe qeshën,
Disa numëronin vdekje
…vdekje thanë; dhe heshtën!

***

Që kur jetët filluan në spitale,
Bota u bë më e rrejshme,
më e shtirur.

” Dynjaja e zezë ”
Në një spital të ndyrë
filloi dhe jeta ime,
prandaj qava shumë atë ditë!!

***

Buzmramjeve t’dashnis
T’kam gjet’ sa herë.
M’shfaqesh si muzë,
Si verë e ftohtë,
që shpirtin m’a ngroh,
m’i merr mendt, m’sorollat…
Dehje e përkryme, me qëllim,
Dhe;
mendimit i vë flakën.

Shfaqesh si mëkat,
Ti shfaqje e vjetër,
Që rrnon e re prej shekujsh
Dekadave u ban hile!

T’sheh kush mundet
Jo kush do,
Ka koh që m’jan lodh syt.

Episodin e ardhshëm
Kena me shëtit apet,
Buzmramje, buz-hane,
Buz e pa përbuzun,
Si muzë.

U ba kohë
Që rri esëll.

Please follow and like us: