Albspirit

Media/News/Publishing

Florida Doçi: A funksionojnë vërtet “klasat online” në Shqipëri?

Image may contain: 1 person, smiling, closeup

Heshtja jonë e përbashkët dhe vetkënaqësia prej fotove të Facebook po vret të ardhmen e atyre brezave që po përballen me këto kushte, dhe njëherazi po vret të ardhmen e vendit posaqe të rinjte e sotëm do jenë drejtuesit e nesërm.

Duke qenë e ftuar për të lektuar në dy klasa të Universitetit të Tiranës, pata rastin të përballem me të ashtuquajturat “klasa online”, një tregues i trishtë i prapambetjes politike dhe teknologjike të një shteti pa filozofi të mirëfilltë edukimi.

Duhet thënë se sakrificat e pedagogëve dhe nxënësve në kushtet që po përballen janë të jashtëzakonshme, ndonëse kjo barrë u ka rënë në kurriz padrejtësisht.

“Klasat online” që promovohen me megafon në Facebook janë fasadat e një sistemi arsimor të rrënuar që minimalisht nuk ka as një platformë të mirëfilltë të menaxhimit të mësimit (learning managment system). Disa lektorë i nisin prezantimet me email, të tjerë komunikojnë detyrat me WhatsApp dhe ata më të përkushtuarit kanë hulumtuar e kërkuar alternativa me interaktive si Google Classroom, gjithnjë të limituar e të kushtëzuar nga mungesa e çdo mbështetjeje financiare dhe teknike institucionale. Në mungesë të kushteve nxënësit i shkruajnë detyrat me dorë dhe i nisin ato të fotografuara në cilëndo platformë falas që thjeshtëzon komunikimin nxënës-mësues.

Leksionet virtuale zhvillohen përmes Zoom basic që ka një limit kohor prej 40 minutash, ndërkohë që vetë leksionet zgjasin 90-180 minuta. Çdo 40 minuta mbi 50 studentë dalin nga klasa virtuale për t’u rikthyer me një link të ri – një tragjikomedi e përsëritur e humbjes së kohës dhe produktivitetit për çdo pjesëmarrës në proces.

Për këdo që ka ndjekur studimet në një universitet të huaj, absurditeti është i qartë dhe nuk ka nevojë të përshkruhet. Nuk ka asnjë konsideratë për konfidencialitetin, privatësinë, parimet e mësimdhënies e mësimnxënies online, domosdoshmëritë kognitive të nxënësve apo mësuesve etj elementë që janë kyç të suksesit në edukimin në distancë.

Është e turpshme që shteti shqiptar prej shumë vitesh ka lënë në mëshirë të fatit sistemin arsimor në vend dhe i përballur me një krizë të papritur ia ka hedhur barrën nxënësve dhe mësuesve. Është edhe më e turpshme që drejtues te Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nuk kanë denjuar që minimalisht të prokurojnë nga Google paketën e plotë G Suite për të plotësuar kushtet më minimale të komunikimit virtual për nxënës e mësues.

Unë së bashku me Majlinda F. Keta siguruam një zgjidhje modeste për 2 klasa, për disa muaj, por qindra e mijëra mësues e nxënës të tjerë mbeten pa asnjë burim mbështetje financiare apo teknike. Heshtja jonë e përbashkët dhe vetkënaqësia prej fotove të Facebook po vret të ardhmen e atyre brezave që po përballen me këto kushte dhe njëherazi po vret të ardhmen e vendit posaqë të rinjtë e sotëm do jenë drejtuesit e nesërm./ ALBANIAN MONTREAL PRESS/

Please follow and like us: