Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Litarët

No photo description available.

Tregim

Jam një i dënuar me vdekje. Sigurisht që nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mendje se do arrija deri këtu. Nuk kisha përse mendoja për gjëra të kësaj natyre, aq më tepër kur po shijoja moshën e ëndrrave dhe frymëzimeve rinore. Eshtë kaq e tmerrshme, e neveritshme. Një vdekje e tillë është padyshim e shpifur. Eshtë edhe provokuese. Por unë do të mbahem deri në çastin shpërfytyrues. Tani dua të mendoj për gjëra të bukura. E kam tepër të vështirë, më duket se e kam humbur këtë aftësi nga që një e më dy mendja ime shkon te kërpi i litarit të ndëshkimit.
Më kujtohet këtu e tre vjet të shkuara një i varur në mes të sheshit. Nxorra zorrët dhe ia mbatha pasi nuk e shihja dot. Qe një mesoburrë i nxirë në fytyrë, e lëkunde lehtë era e mëngjesit. Vështronte i habitur ekzistencën e njëtrajtshme të tokës nën këmbët e tia. Për mua përjetësia e kësaj toke nuk vlente më shumë se ajo jetë e fikur, se ajo jetë e mjeruar e bërë një me asgjënë.
Kishte një pakënaqësi të dukshme edhe në sytë e kureshtarëve që vinin e iknin, kjo bëri që për disa kohë të hiqej ekzekutimi në sheshet publike. Po varja në litar nuk u hoq.
Trupi, trupi im, i yti, i tjetrit, ky shuk mishi njerëzor, gjynah për Zotin ta nderësh në litar sikur të ishte një pardesy. Dhe me mua kështu do të ndodhë. Të afërmit e mi ku do të futen nga tmerri?! Më kujtohen të afërmit e atij fatkeqit atëhere, ishin ngurosur për së gjalli. Nuk kishin fytyra, as zë, as gjak…, kurse ai atje në litar lëkundej lehtë si një gjethe madhoshe por pa asnjë grimë fëshfëritje.
Ndëshkimi i përket logjikës së një sistemi, po ashtu edhe drejtësia. Në një farë mënyre drejtësi do të thotë të vrasësh. Në përgjithësi thonë se shoqëria vret për t’u përsosur. Por nuk duhet harruar se ka edhe mënyra të tjera për të vrarë. Jeta do vazhdojë të eci edhe pas mbarimit tim.
Nuk e di se sa është ora tani. Brenda këtyre mureve humbet nocioni kohë, humbet kaq natyrshëm sa ty të ngjan sikur prej kohësh ke qenë një hiç. Gjithçka është mospërfillje gjer në tmerr. Më tundon vetëm laku i litarit dhe para tij çasti kur të kërcasë brava e hekurt e derës së qelisë.
Unë vrava një njeri dhe këtë e bëra mendje kthjellët. E vrava sepse më kishte nxirë jetën. Dhe tani më duhet të vrasë edhe veten time. Mbaj mend se kur u dha vendimi dikush nga salla tha, ”absurditet, djali qëroi një plerë dhe ju e dënoni me vdekje”. Por sa para bën tani. Kjo nuk ka rëndësi, në fund të fundit përderisa dhe ligji (nuk hezitoj ta përsërisë edhe një herë atë që thashë më sipër), është pjellë e logjikës. Sidoqoftë nuk jam penduar për atë që bëra. Kur viktima ime ra tek këmbët e mia me barkun e çarë horizontalisht, urrejtja ime qe po ajo e mëparshmja, nuk u preka fare. Valët e triumfit më përpinë të tërin. Dhe unë qëndrova në këmbë mbi viktimën duke shtrënguar thikën dhe dhëmbët, tamam një kriminel i vërtetë.
Tani gjithçka ka shkuar në udhën e vet. Unë jam duke pritur fundin. Dhe ai me siguri që po afrohet. Ndofta po vjen ca me droje. Nuk e di, më vjen të qaj. Kam shumë mall për atë që s’do të mundem ta jetojë. Sigurisht edhe për atë që iku; rrethinën, rrugën e lagjes, pëllumbat, letrat e kumarit, klubin e Rezelisë, murin e gjimnazit, biçikletën, dashnoren që sapo zura; sytë e egër të policit, këpucët që më erdhën nga Greqia e që s’i vesha asnjëherë, të afërmit e mi, bajamet në kopshtin e Nanasë, ditët e verës kur shkonin shtëpi më shtëpi dhe u kërkonin vezën e lariskës etj. E nesërmja për mua do të thotë vdekje. Kjo është e nesërmja e një të dënuari kapital.
Ja dhe çasti erdhi, më në fund brava e derës së qelisë kërciti. Nuk ia dalloj dot fytyrën gardianit. Gjithçka përqark më sillet në një të verdhëllemë rrethore dhe mua më përzihet, kam kohë pa ngrënë. Përjashta nuk paska aguar akoma. Yjet kanë prushëruar qiellin tej e tej. Më hipën në një fugon të vjetër i cili u nis menjëherë drejt vdekjes sime.
Kur më hodhën litarin në qafë më shkoi mendja tek mamaja, është ajo e vetmja që do të vishet me të zeza për mua. Befas bota e gjitha më iku nga sytë.

Lushnje 1995.

Please follow and like us: