Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: “Gjurmë epokash” në veprën e skulptorit Idriz Balani

VOAL

Artur Spanjolli

 

Prof. Idriz Balanin kam pasur nderin ta njoh që kur po hyja në adoleshencë 14 vjeç në shkollën e Mesme Artistike “Mujo Ulqinaku”, (e cila më vonë mori emrin Jan Kukuzeli) në degën e Arteve Figurative, për skulpturë në Durrës, në të largtin vit 1984. Sapo kisha fituar atëhere konkursin më të famshmën Lule të Allçirit, falë Agim Fajës dhe miqve shijakas ia dola dhe unë të hyja. “Është prezantuar dobët”, tha prof. Luan Berhami, me atë ironinë e tij therëse dhe me kokën prej romaku, me flokët e lëpirë dhe vështrimin perandorak plot rrudha të holla fisnike. Unë isha i lumtur që po hyja në shkollë. Aty, sikundërse isha nga më të dobëtit, atëhere më vendosën në klasën e skulpturës, ky hynin sipas meje, të fundit e listës. Aty njoha profesorin tim të 4 viteve Idriz Balani.

Pas një formimi në studion e skulptorit të merituar Sabri Tuçi, babai i gjeneratës së parë të skulptorëve në Durrës, Idrizi vinte nga një eksperiencë disavjeçare në Ishëm si mësues, ku pasi bëri bustin e heroit Telat Noga, u trasferua në Durrës dhe u emërua profesor tek shkolla jonë. Më kanë habitur gjithmonë dy gjëra tek profesor Idrizi: Vullneti i tij i paparë për punë dhe mënyra shoqërore se si na trajtonte. Na trajtonte më shumë si shokë dhe kolegë të ardhshëm se sa si nxënës të cilët nuk ishin asgjë e ndoshta do të bëheshin as artistë. Asaj kohe të largët, prof. Idrizi, duke mos patur një studio të tijën, e bëri në klasë relievin e Mujo Ulqinakut, ndërsa kishte punuar përpara me artistë të kalibrit të Muntaz Dhramit, për monumentin e Drashovicës. Student i zellshëm i mjeshtrit Andrea Mano, Idrizi ishte gjithmonë në kërkim të rrugës së tij artistike. Është i kësaj periudhe dhe mermeri ‘Pranvera’ dhe punët e Institutit në Tiranë, nga të cilat, nudoja e një jevge të re, ishte shumë interesante. Aty profesori na merrte, (ishim të gjithë djem) dhe na dërgonte tek studioja e tij në plazh, pranë shtëpisë ku kemi parë dhe punët e tij të para. Me Idrizin më vonë patëm dhe një bashkëpunim më të ngushtë profesional, “nxënës- profesor” sepse, ai pa tek mua ato veti të cilat, në radhë të parë, i kishte edhe aai vetë: Vullnet dhe pasion. “Më shumë puna se sa talenti, bëjnë një artist të mirë” thonte shpesh. Këtë vullnet të paparë, prof. Idrizi e çmonte tek mua dhe kur më lëvdonte para klasës në orën e perspektivës, më vinte turp nga ndroja. Ti lëjmë kujtimet, të flasim për punën.

Unë do ta ndaja veprimtarinë artistike të prof. Idrizit në dy pjesë. E para është ajo e damkosur me nomeklaturën e Realizmit Socialist deri në 1990, por ku ai, shikonte me vëmendje dhe Mikelanxhelon, Rodenin, Manzù, Paskalin, Paços e sidomos, vizatimet e Mikelanxhelos dhe Durerit, duke mos përjashtuar dhe tërë artistët më të mirë ndërkombëtarë. Të kësaj periudhe janë punët si portreti i Kozma Nushit. Por përveç formës statike dhe të imponuar të portreteve zyrtare, del dhe bukuria shpirtërore, eleganca e linjave dhe personaliteti i ndërtuar dhe i shëndetshëm, i pjekur i një artisti skulptor që hyn në botën e njeriut. Kjo duket qartë tek portreti i qytetarit durrsak Bajram Likmeta. Një portret të cilin unë e vlerësoj shumë duke njohur dhe vetë personalisht. Pas rënies së diktaturës, duket sikur prof. Idrizi me figurën e Zgjimit, ka dashur të shprehë dhe atë zgjim shpirtëror, të tërë shqiptarëve pas gjumit të gjatë komunist, me ideologjinë e saj të helmuar dhe shpesh hipokrite. Dhe këtu, zhdërvjelltësia e autorit, koncepti i tij i të bërit skulpturë, shkon përpara, thjeshtohen format, ai gjen atë liri e cila i ka munguar për vite m rradhë. Idrizi është akoma i ri në vitet 1990, është vetëm 37 vjeç dhe ka për të thënë shumë gjëra. Pas eksperiencës në Greqi, ai i kthehet artit me një botëkuptim tjetër, me më shumë energji dhe pasion se më parë, na jep vepra të bukura si Haxhi Zeka, Isa Boletini, Adem Jashari etj. Me një dashuri të rinovuar për skulpturën dhe format, artisti ecën drejt një pjekurie më të plotë, drejt një këndvështrimi të ri, drejt një koncepti më të thellë në veprat e tij. Duke u munduar të mishërojë, thellësinë e mendimit, personalitetin e heronjve nëpërmjet formave plastike, Idrizi, gjithmonë, sipas meje është lodhur për atë gjetje, për atë moment,  e cila e bën, e krijon, e mban lart punën, e lartëson atë në vyrtytin më esencial. Ashtu si fotografi i cili lodhet me muaj për momentin e tij, kryeveprën e kryeveprave me një shkrepje, (pra atij i duhet vetëm një sekondë, ai i shkrepjes) po ashtu dhe skulptori, lodhet gjatë për gjetjen e veçante, të spikatur të figurës apo portretit. Unë do të thoja që prof. Idrizi është dhe  një portretist i mrekullueshëm. Ai i hyn thellë psikologjisë së personazhit, mjafton të hulumtosh plot endje portretin e Nënës së tij që rrezaton dashuri prindërore, kujdes, kthjelltësi vizioni familjar dhe mirësi nëne. Tiparet janë të mbyllura, determinuese, vështrimi është i ëmbël dhe pak i rreptë, një poezi dashurie kushtuar të tërë nënave shqiptare, Nënë Tereza në miniaturë. Artisti, mishëron shpirtin e tyre si në rastin e portreteve të Adem Rodes, Irmës, grekut Kiratzidhis, Babushit, apo kryevepra e tij sipas meje “Portret” e bërë në resinë në 2015. Thjesht i titulluar portret. Thellësia e psikologjisjes së tipareve, arti i realizimit të kësaj resine, është i përkryer si nga ana mjeshtërore, ashtu dhe teknike. Edhe pse nuk e njoh personazhin, më le mbresë plasticiteti jetësor, zhdërvjelltësia njerëzore e formës dhe vështrimi plot mençuri e figurës.

Të flasësh për shumë punë duhen orë të tëra, por unë po ndalem përveç veprës “Portret” dhe tek “Im atë, babushi”, ku artisti Balani, na ka dhënë sintezën e një jete intime. Ka përcjellë tek shprehja e tij, tërë esencën e origjinës së tij çame, duke plazmuar bashkë me resinën dhe identitetin e tij. Portreti i “Babushit” është një nga ato punë të thella, të njohura mirë, të soditura, të jetuara, të cilat arrinë të nxjerrin në pah tërë historinë bredharake të një populli, plot me plagë kujtimesh të dhimbshme, gjithmonë në ecje, në kërkim të një identiteti të ri. Dinjitoz dhe i thellë është edhe busti i Nolit. Intelektualit shumëplanësh shqiptar, i cili duke mos pasur asnjë lidhje direkte me Shqipërinë, bëri për vendin tonë, më shumë se çdo shqiptar tjetër i lidhur rrënjësisht me atdheun. Bëri të pamundurën. Edhe pse, më pak i ngrohtë se dy portretet e tjera, por më dinjitoz në rigorin e vet profesional, profesor Balani, na ka dhënë një Fan Noli, largpamës, elegant, të thellë, një kryepeshkop të përqëndruar tashmë tek mesazhi hyjnor i Jezusit, e jo më tek aventura politike shqiptare e 1924. Dashuria me të cilën detaji zbukuron me elemente ornamentale bustin ia shton vlerën figurës.

Është e pamundur të përmbledhësh në pak faqe punën titanike të 45 vjetëve, impenjim, meditim, reflektim, por megjithatë plasticiteti mjeshtëror, sinteza e pjekur, gjendjet interesante të pozave, thjeshtëzimi i formave, përqëndrim i qëllimshëm në  detajin sintetik, linjat monumentale të portreteve të prof. Idrizit janë arritje jo vetëm pune plot kujdes atëror, por edhe të plasmuara në argjilin e pasionit.

Kisha gati 30 vjet që nuk e ndiqja më veprën e prof. Idriz Balanit, por  mund të them me plot gojën se ai ka bërë hapa gjigandë në formën e tij të të bërit artin e skulpturës. Me monumentet e tij në Kosovë, në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, ai na prezanton një botë, shumë emocione, gjendje shpirtërore të plota, forma të menduarit të tijën dhe të punuar me endje prej artizani të rafinuar, sipas humorit të zemrës.

Në mungesë të GKA, Idriz Balani prezanton 65 vepra arti në Muzeun ...

Autor: Idriz Balani | Albanian Bronze Foundry

FOTO/ Idriz Balani prezanton 65 vepra arti në Muzeun Historik - ATSH -

 

Please follow and like us: