Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmetali Rexhepi: LAMTUMIRË URTAR!

Poezi nga Zymber Beshtica / Shkëputur nga vëllimi poetik “Rrjedha ...

Zymber Beshtica (12 shkurt 1950-25 prill 2020)

 

 

Shkrimi për Zymber Beshticën më erdhi papandehur, ndonëse e dinim gjendjen e tij të rënduar shëndetësore… Cytja e parë nga kumti goditës pasoi shfryrjen time për shuarjen e jetës, përkatësisht shkuarjen në amshim të profesor Zymber Beshticës, kolegut tim të studimeve dhe të veprimtarisë së shenjtë arsimore…

Shumëçka  më lidhte me të urtin Zymber Beshtica… Andaj, jo pa pikëllim e me dridhje duarsh  po më dalin këto fjalë rikujtimi, nderimi, konsiderate e respekti me rastin e shuarjes të yllit shkëlqyes të Zymber Beshticës.

Çfarë fati doli të jetë pengesë, ngjashëm me pengesat tjera të jetës së Zymberit, pandemia “Covid 19”, për të mos mundur t’i bëhen nderimet e fundit, të merituara, me dashamirë, miq, shokë e ish nxënës  edukatorit, kolegut, veteranit të arsimit dhe poetit Zymber Beshtica?! Gjatë kësaj pandemie tinëzare edhe figura të tjera patën fatin e këtillë…

Mund të pohoj  se  pata një çmallje, por çmallja ishte diçka e përciptë, përherë sipërfaqësore, prore e shkurtë, e avullueshme për njeriun që e do, që e çmon, meqë në shpirtin dhe jetën e tij ka diçka tënden, meqë para javës së fundit kishim shkëmbime të dendura me Zymberin; aq sa na jepej mundësia përmes mjeteve të internetit dhe celularit. Zymberi ishte në gjendje të fliste, ashtu i shtrirë, për tema të ndryshme… Që të dy kishim parandjenjën e jetës së tij… Zymberi nuk e fshihte  fund-jetën e shpejtë për vetveten… Gjithnjë me taktin e mos-lëndimit, i shmangesha ngjyrimeve emocionale… Megjithatë, ai nuk jepej edhe për rrethanën fatlume të lirisë, të përjetimit të kësaj rrethane shekullore në mënyrën e vet; ndonëse në jetë dhe në sprovat poetike për lirinë, për qeverisjet skandaloze, për korrupsionin, për përfaqësimin diletant e hileqarë të institucioneve të shtet-bërjes së Kosovës, për nivelin joprofesional e të pasinqertë, ishte fare i pakënaqur.

Megjithëse vonë, Zymberi përjetoi rrethanën fatlume të familjes: bijtë Iliri dhe Etriti, si dhe bija me punën e tyre dhe shkollimin sipëror arritën, që t`ia ndryshonin mirëqenien materiale prindërve dhe, t`ia lehtësonin lëngatën…

E veçanta e Zymber Beshticës, që e karakterizoi gjatë gjithë jetës, ishte urtësia dhe kërkimi i arsyes. Zymberi nuk i përkiste tipit të njeriut që nxitohej në mospajtime, qoftë në kundërshtime,  kënd-vështrime… Në gjykime kurdoherë ruante ndjeshmërinë e masës. Ishte njeri i butë dhe dashamirë i librit dhe arsimit. Ai kishte ndjeshmëri poetike.

 

DISA TË DHËNA PËR JETËSHKRIM

 

Zymber Beshtica u lind në fshatin Desivojcë të Dardanës (Kamenicë), më 12 shkurt 1950. Gjimnazin e kreu në Dardanë, ndërsa Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Prishtinë. Filloi të punonte  si student. Në vitin 1975, vijoi mësimdhënien  në QSHT në Gjilan, deri më 30 gusht 1982, kur e detyruan të largohej nga procesi edukativ-arsimor, si “i pa përshtatshëm ideo-politikisht.” Arsimit iu rikthye pas viteve të nëntëdhjeta, me të gjitha peripecitë e kushtëzimet e shtetit të Serbisë në Kosovë. Veprimtarinë e tij të mësimdhënies e mbaroi në SHM të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan.

Zymber Beshtica në punën e tij arsimore-edukative ishte i përgatitur, i përgjegjshëm dhe i sinqertë. Në të gjitha mjediset shkollore të shkollave të mesme, Ai përkrahu, këshilloi, udhëhoqi grupet letrare, recituesit, përzgjodhi shkrime nxënësish, tekste për lexim, për interpretime dhe paraqitje të nxënësve për ngjarje kulturore e festa të historisë sonë kombëtare.

 

POETI ZYMBER BESHTICA

 

Kapitull  më vete i Zymber Beshticës është krijimtaria poetike. Që nga bankat e shkollës fillore Ai u mor me vjershërim. “Kur ka mundur të japë kontributin e vet në moshën energjike  e me një vullnet  të pakursyer, i mungoi e drejta  për fjalën publike. Por, ai ishte i angazhuar në çdo hapësirë për krijimtarinë letrare” (Shefik Shkodra).

Në edicionin botues“Jeta e re”, më 1996 botoi  përmbledhjen me poezi “Rrjedha.” Po ashtu, Zymber Beshtica mori pjesë aktive me një varg bashkautorësh në disa publikime librash poetikë. Ky autor vargjet e veta i publikoi edhe si student, në gazeta dhe revista të përkohshme në gjuhën shqipe në Kosovë.

Për një periudhë të gjatë, që nga dalja e vëllimit të parë të tij, poeti kishte pushuar paraqitjen në mediet e shkruara dhe faqet artistike në portale… Ai kishte heshtur… Me rastin e shënimit të përvjetorit të 70-të të ditëlindjes tij, Zymber Beshtica publikoi vëllimin e dytë poetik të titulluar “Ëndërr e gjatë.” Libri doli i edituar nga Shtëpia Botuese “Sogjetime, përkujdesur dhe redaktuar nga Shefik Shkodra dhe autori i këtij shkrimi të përshpirtshëm.

Si duket botimi, përurimi solemn në njërën nga sallat e Bibliotekës Rajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, më 12 shkurt të këtij viti, mandej prania e konsiderueshme e dashamirësve të artit letrar dhe, vlerësimi nga Mr. Tahir Arifi, Mehmetali Rexhepi studiues, Xheladin Mjeku, shkrimtar dhe Shefik Shkodra redaktor i botimit, ishte larje e pjesshme  e një borxhi shpirtëror për urtarin, për prindin e dashur, për intelektualin dinjitoz, për edukatorin e breznive shkollare, për kolegun, për poetin Zymber Pajazit Beshtica.

Pastë dritë të përhershme kontributi njerëzor i  Zymber Beshticës!

 

Gjilan, 26 prill 2020

Please follow and like us: