Albspirit

Media/News/Publishing

Ardiana D. Allamani: Të lutem, mos më abuzo, jam e pambrojtur!

Ardiana D. Allamani

U përdhunua një fëmijë, iu dogj shpirti një nëne, i vdiq burrëria një babai, iu plagos shpirti një motre, iu shemb bota një vellai…

Kush e përfaqëson femrën, gruan në këtë Shqipëri të mjerë, përveç putanave të Bllokut, manjakëve të rinj e të vjetër me apo pa X6?

Si mund të kënaqet seksualisht një vemje 65-vjeçar me fëmijën, mbesën a stërmbesën e tij?

Ku jane gratë e parlamentit, femrat që janë në institucione ligjzbatuese që u kumbon zëri kur bëhet fjalë për poste, për marrje mandatesh?

Ku janë ato nëna vajzash që kanë në dorë të ndryshojnë diçka në emër të femrave në Shqipëri?

Ku dreqin të kemi një krah të ngrohtë për t’u mbështetur?

Tek Policia e Shtetit që kur shkojmë për të denoncuar na pret duar e këmbë hapur, si grepi peshkun? Tek qjyqtarët që kërkojnë të kalojmë si fillim në hotelin më të afërt para vendimit përfundimtar, tek punëdhënësi që zyrën e ka kthyer si motel?

Tek shoqëria, prindërit, të afërmit që na viktimizojnë duke na bërë të mbajmë fajin vetë pa e patur?

U përdhunua një fëmijë… u përdhunua edhe një herë një komb, nga më i vogli tek më i madhi!

Mbase jo fizikisht, por të gjithë jemi përdhunuar psikologjiksht…! Nuk e kemi për herë të parë, ndaj dhe kjo ngjarje do na kalojë si çdo përdhunim tjetër! Ne si popull kemi lindur, rritur dhe do vdesim të përdhunuar psikologjikisht… derisa një ditë kjo ngjarje mund të na ndodhë në shtëpinë tonë, nesër mund të jetë nëna, motra, fëmija, mbesa apo e afërmja jone!

Pse duhet të reagojmë ne fundja? Ne nuk e njohim atë fëmijë, nuk na ka ndodhur në lagje, shkollë apo familje!

Nëse ke Zot, të lutem mos më dhuno, përdhuno, jam fëmer nuk dua që fëmija im nesër të kuptojë që ka ardhur në jetë nga një viktimë e abuzimit seksual, kam lindur në një vend ku femra nuk respektohet, nuk lartësohet dhe mbi të gjitha nuk mbrohet nga asnjë… nëse ke Zot të lutem mos e bëj…! Unë do të ndihmoj që të kapërcejmë bashkë këtë çrregullim tëndin seksual, por të lutem pedofil mos më prek mua që ëndërroj çdo natë, mos ma prek mbesën, motrën, nënën time! Mos ma shkatërro babain që më ka rritur tërë mund e që akoma nuk i është tharë djersa në ball… mos e bëj!

Please follow and like us: