Albspirit

Media/News/Publishing

Afrim Krasniqi: Shembulli polak për të vënë drejtësinë në vend, rasti me ish-shefin e shërbimit sekret

Image may contain: 3 people, suit

No photo description available.


Gjeneral Vladislav Ciaston (1924) është ish shefi i shërbimit sekret polak në vitet 1981-1986. Sot është 96 vjeç. Më 2019, pra në moshën 93 vjeç u gjykua nga gjykata polake dhe u gjet fajtor duke u dënuar me 2 vjet burgim, natyrisht i konvertuar jo me burgim fizik. Akuza? Në nëntor 1982 ka kryer veprime antiligjore kundër opozitarëve dhe disidentëve politikë, midis të tjerash, duke dërguar ata me forcë në shërbimin ushtarak. Polonia është vend i BE, Presidenti i KE më 2019 ishte ish kryeministri polak dhe megjithatë, koncepti i drejtësisë dhe përgjegjësisë përpara ligjit ushtrohet edhe për një akuzë që bëhet pas 38 vitesh!

Kjo ngjarje ka dy lidhje me Shqipërinë: e para, Ciaston ka qenë ambasador në Tiranë në vitet 1987-1990 përfshirë edhe në periudhën e hyrjes së qytetarëve në ambasada dhe është shkarkuar e arrestuar në shtator 1990 për një akuzë më të rëndë. E dyta, të gjithë pranojmë se Shqipëria ka pasur një sistem shumë më të dhunshëm, Sigurimi ka qenë më radikal dhe aktet kriminale kundër të drejtave e lirive të qytetarëve kanë qenë më të mëdha, e megjithatë, Shqipëria nuk ka ende një zyrtar të lartë të dënuar. Ata që u dënuan në mesin e viteve 90 u amnistuan më vonë dhe u kompensuan për vitet e burgut!

Ky mesazh nuk është thirrje për hakmarrje dhe as për revansh, është e mbetet thirrje për drejtësi. Drejtësia sjell paqe sociale, dinjitet, rehabilitim dhe integrim, – mungesa e saj përbën një fushë të minuar prej të cilës është utopike të ketë progres. Thirrja për drejtësi nuk përbën pengesë për integrimin dhe as krijon përçarje, modeli polak tregon të kundërtën. Një shoqëri që nuk ka forcë të ndahet nga e kaluara me drejtësi, ajo mbetet peng i saj dhe e pafuqishme të gjejë rrugën drejt të ardhmes. Një shoqëri që nuk ka forcë të dialogojë mbi të kaluarën dhe të përballet me të, nuk ka forcë morale për të ngritur një të ardhme më të mirë sesa e ardhmja si shtojcë, produkt e vijim i të kaluarës.

Dhe së fundi, një shoqëri që amniston krimet, në fakt paralajmëron amnisti edhe për krimet e reja (korrupsionin, abuzimin me pushtetin, shkeljen e të drejtave të njeriut, etj) të pushtetarëve post komunistë të djeshëm apo të sotëm, duke krijuar kulturën e pandërshkueshmërisë dhe të ushtrimit abuzues të pushtetit si privilegj, mburojë dhe alibi! Teza se kur kemi sukses meritat i ka individi dhe kur dështojmë fajet i ka sistemi, nuk ka sens. Sistemi bëhet nga individët, drejtohet prej tyre, dhe vetë individët janë përfituesit ose viktimat e tij, ndaj korrelacioni midis individit, sistemit, të drejtës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë (edhe ligjore), do të duhet të ndryshohet.

Please follow and like us: