Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti i plotë/Zbardhet udhëzimi i PD për përzgjedhjen e kandidatëve në nivel qendror dhe vendor

Selia e PD – Partia Demokratike

PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR REALIZIMIN E PROCEDURËS SË PROPOZIMIT, KONSULTIMIT DHE PËRZGJEDHJES SË KANDIDATURAVE PËR PËRFAQËSIM POLITIK TË PARTISË DEMOKRATIKE, NË NIVEL QENDROR DHE LOKAL

Në mbështetje të nenit 12 të Statutit të PDSH, ku përcaktohet se: “2. Kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin vendor dhe Kuvendin e Shqipërisë përzgjidhen dhe seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e PDSH-së. Kryesia e PDSH-së miraton me udhëzim rregullat për realizimin e procedurës së përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave, si dhe për realizimin e këtij procesi. Pas konsultimit me anëtarësinë, me propozimin e Kryetarit të Partisë, Kryesia e PDSH-së vendos listën përfundimtare të kandidaturave elektorale. Kjo listë i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar të PDSH-së”,

Kryesia e Partisë, në mbledhjen e datës 25 Qershor 2020,

VENDOSI:
Të përgjithshme

1. Partia Demokratike e Shqipërisë fillon procesin statutor të propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave për përfaqësim politik në nivel qendror dhe lokal.

2. Procesi do të jetë i ndarë në katër faza:

a) Procesi në nivel Dege për identifikimin dhe propozimin e kandidaturave.
b) Procesi i seleksionimit të kandidaturave nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve.
c) Procesi i konsultimit me parimin “një anëtar, një votë” për kandidatët e mundshëm nga antarësia.
d) Përzgjedhja dhe caktimi nga Kryesia e Partisë dhe miratimi nga Këshilli Kombëtar.

3. Procesi duhet të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe bazuar në vlerësimin e përgjithshëm të rrethanave, me synim maksimalizimin e votave. Ai duhet të realizohet pa asnjë paragjykim për personat e propozuar, nëse kandidati i propozuar përmbush kriteret e parashikuara në pikat 4 dhe 5 të këtij udhëzimi.

4. Kandidatët e Partisë Demokratike për përfaqësim politik në nivel qendror dhe lokal duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) të kenë kryer arsimin e lartë;
b) të kenë një profil të spikatur shoqëror në Degë apo Qark, integritet të lartë moral dhe përgatitje të lartë profesionale.
c) të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar”;
ç) në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike.

5. Seleksionimi i kandidaturave bëhet bazuar në analizën e kombinuar të faktorëve të mëposhtëm:

a) aktivizimit në jetën politike e publike të vendit, si dhe mbrojtjes në vazhdimësi të interesave, vlerave dhe programit të PDSH-së; si dhe
b) reputacionit në radhët e anëtarësisë së partisë dhe komunitetit në tërësi.
c) kontributit profesional e politik në parti apo promovimit të vlerave themelore që udhëheqin PDSH-në;
ç) kontributit në fushata elektorale për Partinë Demokratike.
d) kohëzgjatjen e anëtarësimit në parti apo shfaqjes si simpatizant i saj.

6. Procesi i propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave mban në konsideratë:

a) përfaqësimi i grave të jetë jo më pak se 30 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve.
b) përfaqësimi i të rinjve të jetë jo më pak se 10 % e numrit të përgjithshëm të kandidatëve.
c) përfaqësimi i shtresës së të përndjekurve politikë dhe pronarëve.
ç) kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia të përbëjnë jo më pak se 80 % të listës së kandidatëve, ndërkohë që jo më shumë se 20 % e listës së kandidatëve të përzgjidhen nga Kryesia e PDSH-së si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile, përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve, përfaqësues të diasporës, përfaqësues të sipërmarrjes, personalitete politike me kontribut të gjatë në parti, etj.

7. Procesit të propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave nuk i nënshtrohen Kryetari i Partisë, Sekretari i Përgjithshëm, Nënkryetarët e Partisë, Kryetari i Këshillit Kombëtar dhe Kryeministrat gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.

8. Në procesin e përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave, marrin pjesë anëtarët e Partisë Demokratike që plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 22 i Statutit të PDSH dhe që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, rezultojnë të regjistruar në Regjistrin e Anëtarësisë, sipas nenit 24 të Statutit të PDSH.

9. Sekretari i Përgjithshëm delegohet të drejtojë dhe monitorojë të gjithë procesin, si dhe të ndërhyjë për të siguruar zhvillimin e tij sipas rregullave të parashikuara në Statutin e PDSH dhe të detajuara në këtë Udhëzim. Për ndjekjen e fazës së parë të procesit në të gjitha degët e Partisë, Sekretari i Përgjithshëm ndihmohet nga Grupi Qendror i Koordinimit, që miratohet me urdhër të Kryetarit të Partisë. Anëtarët e Grupit Qendror të Koordinimit nuk mund të propozohen apo vetëidentifikohen në Qarkun apo Degën ku kanë përgjegjësinë për të ndjekur dhe monitoruar këtë proces.

Procesi i identifikimit dhe propozimit të kandidaturave (faza 1: propozimi)

10. Anëtarët e partisë kanë të drejtën e identifikimit dhe propozimit të kandidaturave të mundshme elektorale, të cilat duhet të plotësojnë kriteret e parashikuara në këtë udhëzim. Çdo anëtar ka të drejtën e vetëm një propozimi në mbledhjen e Grupseksionit ku ai është anëtar, në përputhje me parimin “një anëtar, një votë”.

11. Brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, me prezencën e anëtarit të Grupit Qendror të Koordinimit, zhvillohet mbledhja e Kryesisë në çdo Degë të Partisë, ku miratohet kalendari i mbledhjeve të të gjithë anëtarëve të Partisë në nivel Grupseksioni. Sekretari i Degës, në bashkëpunim me Kryetarët e Grupseksioneve, marrin masat për njoftimin e Kalendarit të mbledhjeve të gjithë anëtarëve të Partisë. Njoftimi për mbledhjen duhet të bëhet të paktën 3 ditë përpara ditës së caktuar për zhvillimin e saj.

12. Në periudhën 25 Qershor – 25 Korrik 2020, të zhvillohen mbledhjet e Grupseksioneve. Që mbledhja të zhvillohet dhe të nisë procesi i identifikimit dhe propozimit të kandidaturave, duhet të jenë prezent më shumë se gjysma e anëtarëve të Grupseksionit. Për këtë qëllim, në fillim të mbledhjes, secili nga anëtarët prezent nënshkruan në listën e anëtarësisë. Nëse nuk është kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes, ajo shtyhet dhe mbledhja e ardhshme zhvillohet pavarësisht nga kuorumi, duke respektuar afatin e njoftimit të përcaktuar në pikën 11 të këtij udhëzimi.

13. Procedura e mbledhjes së Grupseksionit është si më poshtë:
a) Anëtari i Grupit Qendror të Koordinimit që mbulon degën përkatëse ose një person i deleguar prej tij, bën shpjegimin e udhëzimit, duke u ndalur veçanërisht tek kriteret që duhet të përmbushin kandidatët.
b) Anëtari i Grupit Qendror të Koordinimit që mbulon degën përkatëse, ose një person i deleguar prej tij, shpall hapjen e procesit të identifikimit dhe propozimit të kandidatëve.
c) Secili anëtar ka të drejtën e fjalës dhe propozimit, duke paraqitur të dhënat e sakta të kandidatit të propozuar, përfshirë profesionin dhe adresën e banimit. Anëtari i Grupit Qendror të Koordinimit që mbulon degën përkatëse, ose një person i deleguar prej tij, mban shënim të dhënat për secilin propozim, sipas Formularit në Aneksin 1 bashkëlidhur këtij udhëzimi.
ç) Anëtari i Grupit Qendror të Koordinimit që mbulon degën përkatëse ose një person i deleguar prej tij, pasi sigurohet se asnjë anëtar tjetër nuk dëshiron të bëjë propozim të ri, shpall të mbyllur procesin e identifikimit dhe propozimit të kandidatëve. Menjëherë pas kësaj, bëhet leximi i listës së plotë të kandidatëve të identifikuar dhe propozuar dhe lista me kandidatët konsiderohet e miratuar nga mbledhja e anëtarëve të atij grupseksioni.

14. Anëtari i Grupit Qendror të Koordinimit që mbulon degën përkatëse ose një person i deleguar prej tij, kujdeset që procesi të jetë i hapur, transparent dhe meritokratik. Secilit anëtar duhet t’i mundësohet e drejta për t’u shprehur lirshëm mbi propozimin e tij. Çdo propozim është i detyrueshëm që të regjistrohet pa asnjë paragjykim.

15. Anëtari i Grupit Qendror të Koordinimit që mbulon degën përkatëse, në përfundim të të gjitha mbledhjeve të Grupseksioneve, dorëzon Formularët e plotësuar për çdo Grupseksion pranë Sekretariatit Organizativ të Partisë, shoqëruar me listat e pjesëmarrjes në secilën mbledhje. Brenda datës 1 Gusht 2020 ai dorëzon edhe një Raport pranë Sekretariatit Organizativ të Partisë mbi ecurinë e procesit, ku përfshihet edhe një informacion i përmbledhur mbi kandidaturat, ku evidentohen të dhënat personale, profesionale dhe politike të secilit kandidat. Formati i Raportit është sipas Formularit Tip në Aneksin 2 bashkëlidhur këtij udhëzimi. Anëtari i Grupit Qendror të Koordinimit e ka të ndaluar që në Raport të japë vlerësimet e tij personale mbi kandidaturat.

16. Në periudhën 26 – 30 Korrik 2020, çdo person që dëshiron të identifikohet si kandidaturë e mundshme dhe që nuk është propozuar në mbledhjet e Grupseksionit, ka të drejtë të paraqesë pranë anëtarit të Grupit Qendror të Koordinimit që mbulon degën përkatëse ose një personi të deleguar prej tij, Formularin e Vetëkandidimit, sipas formatit në Aneksin 3 bashkëlidhur këtij udhëzimi. Formulari i Vetëkandidimit duhet të mbështetet me firmat e jo më pak se 10 anëtarëve të Partisë. Kryesia e Degës shqyrton, nëse kandidati i vetëidentifikuar përmbush ose jo kriteret e parashikuara në pikat 4 dhe 5 të këtij udhëzimi. Nëse kandidati i vetëidentifikuar përmbush kriteret, anëtari i Grupit Qendror të Koordinimit që mbulon degën përkatëse, përfshin kandidaturën e tij në Raportin e parashikuar në pikën 15 të këtij udhëzimi, në rubrikën “Kandidatë të Vetëidentifikuar”, duke dorëzuar edhe Formularin e tij të Vetëkandidimit pranë Sekretariatit Organizativ të Partisë.

17. Kryetari apo Sekretari i Degës që dëshiron të jetë në rrethin e personave që mund të propozohen apo vetëidentifikohen si kandidatë të mundshëm, duhet të njoftojnë Sekretarin e Përgjithshëm me shkrim, brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij urdhëzimi, se japin dorëheqjen nga funksioni partiak dhe përfshihen në procesin e propozimit, seleksionimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave. Në rast dorëheqje për efekt të zbatimit të kësaj pike, Kryesia e Partisë, brenda 5 ditëve komandon një Kryetar apo/dhe Sekretar Dege, për drejtimin e Degës deri në zhvillimin e Kuvendit të ri të Degës sipas Statutit të PDSH.

Procesi i seleksionimit të kandidaturave (faza 2: seleksionimi)

18. Për shqyrtimin e kandidaturave të propozuara nga strukturat lokale të Partisë dhe atyre të vetëpropozuara për përfaqësim politik, në nivel qendror apo lokal, ngrihet dhe funksionon Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, sipas nenit 63 të Statutit të PDSH. Sekretariati Organizativ i Partisë përgatit dosjet e plota të dorëzuara për secilin Qark, të ndarë për secilën Degë, sëbashku me Raportet e Grupit Qendror të Koordinimit, dhe brenda datës 3 Gusht ia dorëzon Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve.

19. Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve vlerëson përmbushjen nga kandidatët të kritereve formale të parashikuara në këtë udhëzim, atyre të pastërtisë së figurës, si dhe të elementëve të tjerë të nevojshëm për kontributin, që lidhen kryesisht, por pa u kufizuar, me arsimimin, integritetin, të shkuarën gjatë regjimit komunist, mospasjen e rekordeve kriminale, si dhe standardet dhe rregullat e përcaktuara nga Komisioni i Integritetit dhe Etikës.

20. Shqyrtimi i Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve zhvillohet në dy faza.

21. Faza e parë përfshin vetëm vlerësimin e kritereve formale të kandidaturave, të parashikuara në pikat 4 dhe 5 të këtij udhëzimi. Në përfundim të kësaj faze, pas vlerësimit individual të secilit kandidat, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve bën ndarjen e kandidatëve në dy lista: (i) Lista e kandidatëve që do t’i nënshtrohen fazës së dytë dhe (ii) Lista e kandidatëve që u shtyhet aprovimi.

22. Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve njofton secilin nga kandidatët e përfshirë në Listën e Kandidatëve që do t’i nënshtrohen fazës së dytë, që të plotësojnë Formularin e Vetëdeklarimit, të miratuar nga Komisioni i Integritetit dhe Etikës. Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve bashkëpunon në realizimin e këtij procesi me Komisionin e Integritetit dhe Etikës, për mbledhjen dhe vlerësimin e të dhënave mbi kandidatët.

23. Brenda 5 ditëve nga njoftimi, çdo kandidat është i detyruar që të plotësojë Formularin e Vetëdeklarimit mbi të dhënat e tij, sipas Formatit të miratuar nga Komisioni i Integriteti dhe Etikës, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij udhëzimi, si dhe të paraqesë çdo dokument të kërkuar nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, që provon përmbushjen e kritereve dhe standardeve të përcaktuara në këtë udhëzim. Mosdorëzimi në kohë i Formularit të Vetëdeklarimit nënkupton heqje dorë nga mundësia për të qenë kandidat i mundshëm dhe Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve e heq personin e propozuar nga Listën e Kandidatëve që do t’i nënshtrohen fazës së dytë. Përjashtohen nga detyrimi për të plotësuar Formularin e Vetëdeklarimit kandidatët që, në 10 vitet e fundit, kanë patur mandat përfaqësimi politik të Partisë Demokratike, si deputet apo kryetar bashkie.

24. Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, pasi merr Formularin e Vetëdeklarimit apo dokumentet e kërkuara, mund të mbledhë informacione për secilin kandidat, mund të kërkojë informacione pranë autoriteteve shtetërore apo subjekteve private, mund të thërrasë për intervistë kandidatin, mund të marrë informacion pranë Degës së Partisë apo mund të bëjë vrojtim të opinionit publik përmes sondazheve lokale. Metodologjia e vlerësimit të unifikuar të kandidatëve miratohet nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve në mbledhjen e tij të parë.

25. Pasi mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, bën vlerësimin përfundimtar të kandidatëve, sipas metodologjisë së miratuar paraprakisht. Në përfundim të procesit të vlerësimit, hartohen listat e kandidatëve të mundshëm, që do të përfshihen në procesin e konfirmimit nga anëtarësia, të ndarë për secilën Degë apo Qark.

Procesi i konsultimit të kandidatëve me anëtarët (faza 3: konsultimi)

26. Komisioni Zgjedhor, sipas nenit 65 të Statutit të Partisë, organizon procesin e votimit për konfirmimin e kandidatëve në periudhën 15-30 Shtator. Kalendari i procesit të votimit në të gjitha Degët e Partisë miratohet nga Sekretari i Përgjithshëm brenda datës 5 Shtator 2020 dhe bëhet publik të paktën 10 ditë përpara procesit të votimit, duke njoftuar vendin e votimit dhe orarin e hapjes dhe mbylljes së votimit.

27. Komisioni Zgjedhor, në bashkëpunim me Sekretariatin Organizativ të Partisë, miratojnë listat e votuesve dhe ngrenë Komisionet e Votimit për secilën Degë.

28. Anëtarët e Partisë, sipas pikës 8 të këtij udhëzimi, sipas parimit “një anëtar, një votë”, bëjnë konfirmimin e kandidaturave të mundshme, sipas procedurës më poshtë:
a) Listat e kandidatëve për konfirmim hartohen në nivel Dege, grup degësh apo Qarku, në varësi të numrit të kandidatëve apo numrit të anëtarëve në një Degë apo Qark. Një kandidat përfshihet vetëm në një listë për konfirmim.
b) Çdo anëtar ka të drejtën që të shprehë kontestimin e tij (“votë kontestuese”) për një ose më shumë kandidatë nga lista.
c) Numri i lejuar i kandidatëve që mund të kontestohen, përcaktohet në Fletën e Votimit dhe është jo më shumë se 20 % e numrit total të listës së kandidatëve të mundshëm, që janë përfshirë në procesin e konfirmimit nga anëtarësia, për secilën Degë apo Qark.
ç) Kandidati që ka më shumë se 20 % “votë kontestuese”, në raport me numrin e përgjithshëm të anëtarëve të Partisë në atë Degë apo Qark, hiqet nga lista e kandidatëve të konfirmuar dhe përfshihet në listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi.

29. Secili kandidat që i kërkohet të plotësojë Formularin e Vetëdeklarimit mbi të dhënat e tij, përpara procesit të konsultimit me anëtarësinë, duhet të nënshkruajë një Deklaratë personale, ku merr përsipër përgjegjësitë që të mos përfshihet në praktika të ndaluara që dëmtojnë garën e lirë, të ndershme dhe të barabartë brenda Partisë. Formati i Deklaratës miratohet me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm dhe shkelja e zotimeve të përfshira në të, passjell skualifikimin e menjëhershëm të kandidatit nga Lista e Kandidatëve të mundshëm, që do të përfshihen në procesin e konfirmimit nga anëtarësia apo që i dorëzohen Kryesisë së Partisë pas procesit të konsultimit.

30. Rregullat e detajuara për procesin e votimit, kontrollit të identitetit të çdo anëtari, hartimit të listave të votimit, si dhe procesit të votimit dhe shpalljes së rezultatit, përcaktohen në mbledhjen e parë të Komisionit Zgjedhor, me propozim të Sekretariatit Organizativ të Partisë.

31. Pas konsultimit të kandidaturave me anëtarët e Partisë, Komisioni Zgjedhor i dorëzon rezultatet e procesit Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, i cili harton listën përfundimtare të kandidatëve të mundshëm, së bashku me Raportin Final të vlerësimit të secilit prej tyre, sipas pikës 3 të nenit 62 të Statutit të Partisë.

Miratimi përfundimtar i kandidatëve (faza 4: përzgjedhja)

32. Kryesia e Partisë përzgjedh kandidatët zyrtar të Partisë në zgjedhje nga Lista e Kandidatëve të konfirmuar nga antarësia. Kryesia e Partisë kujdeset që të garantohen raportet e përfaqësimit të përcaktuara në pikën 6 të këtij udhëzimi. Lista e kandidatëve i paraqitet për miratim final në bllok Këshillit Kombëtar, sipas afateve për caktimin e kandidatëve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

33. Kandidatët që nuk përzgjidhen në fazën finale, kalojnë në listën e kandidatëve që i shtyhet aprovimi. Lista e kandidatëve që i shtyhet aprovimi përbën një listë të certifikuar të burimeve njerëzore të Partisë Demokratike, që mund të përdoret për përfaqësimin e Partisë në nivelet ekzekutive politike, në detyra shtetërore si funksionarë politik apo nëpunës shtetëror të nivelit drejtues, apo si përfaqësues në këshillat lokal.

Dispozita të fundit

34. Drejtuesit e strukturave të Partisë qëndrojnë asnjanës në procesin e propozimit, seleksionit dhe konfirmimit të kandidatëve. Ata ushtrojnë të drejtën e tyre si anëtarë partie, duke shmangur çdo formë tjetër ndikimi mbi anëtarët e tjerë të Partisë. Ata kujdesen që procesi të jetë i lirë, i ndershëm dhe i barabartë për këdo, duke i mundësuar çdo kandidati të mundshëm akses të barabartë.

35. Brenda datës 25 Korrik 2020 Kryesia e Partisë, me propozim të Kryetarit të Partisë, emëron Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve dhe Komisionin Zgjedhor. Përbërja e Komisionit miratohet nga Këshilli Kombëtar.

36. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, anëtarët e Grupit Qendror të Koordinimit, Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, Komisionit Zgjedhor dhe Degët e Partisë, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij udhëzimi.

Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë.

KRYETARI: LULZIM BASHA.

Please follow and like us: