Albspirit

Media/News/Publishing

Florian Vlashi:  Prindërit, 62 vjet duke shëtitur bashkë!

Prindërit, 62 vjet duke shëtitur bashkë. Një histori që filloi në një muze në breg të detit e po ashtu vazhdon edhe sot. Mami më tregon se në fillim takoheshin pak, çdo pesë netë, sepse ato ishin pesë motra dhe kishin vetëm një pallto që e vishnin me rradhë. Por motra e madhe, Liria, ia jepte mamit pallton nga ditët e saj dhe vetë nuk dilte. Të mirës Liri i doli fati e fundit dhe… iku shumë shpejt. Unë nuk e mbaj mend pallton, por mamit i mbaj mend një imazh nga fëminia; dorën e saj mbi dorën e një nxënëse duke shkruar me kujdes gërmën “a” të vogël. Ndërsa nga babi është një tingull; zhurma e makinës “Olivetti” duke shkruar natën vonë mes librave të bibliotekës. Muzika e krijimit.

Kjo foto është para disa ditësh këtu në Villefranche, rrugës për në Durrës. Më pëlqen se duket një vend idilik ashtu siç e ndërtuan edhe ato jetën mes tyre, ëndërr brenda ëndrrës.

Babi sot ka ditëlindjen. 92. I imagjinoj tani tē dy tek bari poshtë shtëpisë, rruga Egnatia 452. Mami ka sjell disa biskota e babi ofron kafenë. Rri i heshtur në hije, si përherë; gjithë jetën në teatër por pas kuintave e larg dritave të skenës. Dëgjon. Buzëqesh. Mirënjohës. Flet gjithmonë e më pak. Por, dy fjalët që më shpesh thotë, dy fjalët e shenjta, janë… faleminderit dhe më fal.
Bekuar qofshin!

12 korrik 2020.

 

Please follow and like us: