Albspirit

Media/News/Publishing

Libri i Dr. Ermira Babamustës, kohë për reflektim të politikanëve të viseve shqiptare

Çerçiz Loloçi

Për disa ditë rresht kam përcjellë në portalin që editohet prej meje të gjitha shkrimet që janë bërë për librin më të fundit në gjuhën angleze të shqiptaro-amerikanes, Dr. Ermira Babamustës të titulluar “Besimi politik në Kosovë”, libër që është fryt i një pune studimore gati dhjetëvjeçare. Libri fokusohet në një periudhë që ngërthen zhvillimet politike para dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës duke hulumtuar besimin e qytetarëve të shtetit më të ri të Europës, në një dekadë mjaft të vështirë. Studimi i Babamustës analizon disa fusha të besimit politik, mes të cilave:

– besimi në qeveri,

– besimi në politikanë (liderët në Kosovë si Presidenti dhe Kryeministri,

– besimi në sistemin ligjor (gjykatat vendore dhe Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë,

– besimi në policinë e shtetit dhe trupat ndërkombëtare (pra policia e Kosovës dhe KFOR),

– besimi në organizata ndërkombëtare dhe sidomos në NATO, BE, OKB,

– besimi në shtete dhe ambasada të tjera,

– besimi në media/televizione.

Rezultatet tregojnë ndryshim të konsiderueshëm midis besimit politik në institucionet vendore nga ato ndërkombëtare. Në masë të ndjeshme qytetarët nuk kanë shumë besim te klasa politike e Kosovës, pozitë dhe opozitë, kanë rezerva për partitë politike që nuk veprojnë si formacione demokratike, kanë pak demokraci të brendshme, nuk ka kufizim mandatesh, janë shpesh klanore e nepotike dhe kanë mjaft problem të tjera.

Besimi politik mes gjykatava vendore dhe atyre ndërkombëtare ka gjithashtu një hendek të madh. Kështu vetëm 30% kanë besim në gjykatat vendore në Kosovë, ndërsa 70% besojnë në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Çuditërisht studimi nxjer në pah se ka mjaft besim te policia, KFOR si dhe vlerësohet mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe puna e ambasadës së saj në Prishtinë. Poashtu besimi për organizatata ndërkombëtare jep rezultat domethënës: NATO me 84%, Bashkimi Europian me 77% dhe OKB-ja vetëm me 51%.

Një bazë e mirë për realizimin e studimit kanë luajtur pyetësorët ku në vitin 2012-13 janë intervistuar rreh 220 pjesëmarrës dhe 40 të tjerë në vitin 2017-18 për të bërë krahasimet e ndryshimit të perceptimeve të publikut mbi nivelin e besimit politik në Kosovë.

Pjesëmarrësit në pyetësorët janë zyrtarë dhe specialistë nga 10 fusha kryesore dhe konkretisht: Asambleja e Kosovës, qeveria e Kosovës, Forcat e Sigurisë, Ministria e Diasporës, Ministria e Kulturës, Sportit dhe Rinisë, OKB-ja, BE-ja, NATO, media/televizione, profesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe punonjës shkencorë nga Instituti Albanologjik.

Librit studimor nuk i mungojnë edhe kontaktet e drejtpërdrejta me përfaqësues të të gjitha shtresave të shoqërisë, çka rrit besueshmërinë dhe ofron rekomandime shumë realiste.

Autorja tregon kujdes të mos mbajë anësi politike dhe kjo e bën librin sa të domosdoshëm për bibliotekat në Tiranë, Prishtinë, Shkup e gjetkë, po aq edhe si një mënyrë për t’u studiuar nga mësimdhënës, profesorë universitarë e jo vetëm si një model që i jep jatëgjatësi këtij botimi serioz. Me një përvojë të madhe në Departamentin amerikan të Shtetit, punonjëse në kabinetin e presidentit Klinton dhe shefe e fushatës elektorale e presidentit Obama, Dr. Ermira Babamusta është një shembull i veçantë dhe i pangjashëm që flet, përpos të gjithave, për vitalitetin e femrës shqiptare që mund të arrijë edhe majat në shtetin kampion të demokracisë.

Megjithëse libri fokusohet në Kosovë ai ngre probleme të rëndësishme për klasën aktuale politike në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, pra në viset shqiptare, të cilat kanë dukje europiane, por në fakt kryetarët i kanë si tutorë militantësh, ku forumet janë formale, ku askush nuk zgjidhet dhe nuk jep dorëheqje, qoftë edhe kur humb zgjedhje vendore apo të përgjithshme parlamentare.

Shqiptarët, pavarësisht se ku ndodhen, e meritojnë një gjeneratë të re politike, me jo më shumë se dy mandate në qeverisje apo në opozitë, me konkurencë të ndershme, me llogaridhënie periodike dhe referendume, për të shembur autoritarizmin e arbitraritetin dhe për të qenë një shoqëri normale si gjithë vendet e tjera euroatlantike. Tashmë është e tejkaluar dhe primitive që të thuhet formalisht PDK, por në fakt është çeta e Hashim Thaçit;  LDK-çeta e Isa Mustafës, VV-çeta e Albin Kurtit, BDI-çeta e Ali Ahmetit, PS-çeta e Edi Ramës, LSI-çeta e Ilir Metës, miniçetat e tjera majtas, djathtas e në qendër dhe kështu me radhë. Orientimi mbarëshqiptar drejt klubit euroatlantik do të thotë që edhe shqiptarët të marrim modelin e tij, në të kundërt do të jemi të fundit nga të gjithë dhe njerëzit do të ikin nga sytë-këmbët.

Libri i Dr. Ermira Babamustës është tashmë në përdorim të lexuesve dhe mund të porositet në Amazon si botim shtypi dhe Kindle. Ndërsa versioni dixhital “e-Book “(formati PDF) mund të shkarkohet nga uebfaqja e NY Elite Press në www.nyelitepress.com. Autorja planifikon që së shpejti ta botojë edhe në shqip për organizatat, studentët dhe akademikët në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

Political Trust in Kosovo
https://www.amazon.com/dp/1734935405

The Legislative Journey of Employment Discrimination
https://www.amazon.com/dp/1734935421

www.nyelitepress.com/books

 

 

Please follow and like us: