Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea GUDHA: Hija e Ali Pashë Tepelenës!

Hija e Ali Pashë Tepelenës (1740 – 1822)

 

“Trimi pas Pirros, Aleksandrit të Madh dhe Skënderbeut” Lord Bajron.

 

Hyrje

Një vajzë e vogël i përgjërohesh dhe i lutesh Vezirit: “Vëllezërit e mi nuk ishin të përzier në këtë bandë”  dhe iu lut me lotë  në  sy: “Po të donte Veziri , unë  jam e gatshme  që të shkoj si skllave dhe të rri me moshataret e mia në pallatin e tij”  Ali Pasha i tha: “Unë  jam Veziri”. Aliu e mori në krahë me dashuri dhe i premtoi se njerëzit e saj nuk do të preken dhe se do t’i linte disa saraje në pronësinë e saj. Vajza e vogël ishte Vasiliqia 12 vjeçare…

Atmosfera sociale: Karvane, vjedhje, plaçkitje, vrasje, koka të prera, saraje, kështjella, “kalaja e dashurisë”, kisha, xhamia, martesa, harem, pengje, sensualitet, beteja, trimëri, fitore, humbje, det, ishuj, liqen, male, pushtet, autonomi, sulltanë, mbretër, perandorë, Fuqitë e Mëdha, diplomaci, “përça dhe sundo”, pazare, rryshfete, dinakëri, intriga, hakmarrje, pabesi, tradhëti…

Figura e Ali Pashë Tepelenës është kombëtare, poliedrike, emblematike, komplekse… Portreti i këtij burri legjendar: 170 centimetër i gjatë, i pashëm, me flokë të verdhë dhe me sy blu, me trup të bëshëm dhe mjaft i shkathët.

Shumë autorë të huaj kanë shkruar me dhjetra libra për Ali Pashë Tepelenën dhe, më pak, nga autorë shqiptarë si nga: Aravantini – adaptuar nga I.M. Qafezezi, Bukuresht (1923), vëllezërit Gabriel dhe Vangjel Meksi (rreth viteve 1950), Sabri Godo (1970) dhe, në vitet e fundit janë botuar dhe nga autorë të tjerë, por mund të veçoj si libra të plotë të shkruar nga Irakli Koçollari dhe nga kolegu, miku tim pasionant dhe i pa lodhur pas hulumtimit të historisë, Fedhon Meksi.

Më ka tërhequr vemendjen tek Ali Pasha: ndjeshmëria njerëzore, karakteri, marrëdhëniet e tij sociale, familjare e shoqërore. Historiani Uilliam Palmer shkruan: “Aliu nuk e humbi kurrë buzëqeshjen dhe ëmbëlsinë me të cilën fliste gjithmonë”.

Ali Pasha si një qënie njerëzore i zakonshëm, i karakterizuar me të gjitha vyrtytet, instiktet pozitive apo negative, që e karakterizojnë Njeriun gjatë jetës.

I rritur në kontekstin historik të kohës së tij (shek.18-19-të): kultura, mentaliteti, tradita, doket, zakonet të dominuara nga Perandoria Osmane për shekuj me rradhë, në kontekstin gjeo-fizik, gjeo-politik dhe filozofik.

Ali Pasha artin e luftës e mësoi që fëmijë, ndërkohë, që, shumë më vonë mësoi shkrim dhe këndim.

***

Familja dhe fëminija e Ali Pashë Tepelenës.

Stërgjyshi (shek.XVI-të), Hyso, i ardhur nga Shqipëria e Mesme u vendos në Tepelenë dhe shërbeu si kujdestar në një teqe. Këtu u martua dhe bëhet pronar i disa çifliqeve.

Gjyshi i Aliut, Myftar Bej ishte komandant në luftën venedikase-osmane në vitin 1714. Vrasja e tij në kështjellën e Korfuzit në vitin 1716, bëri që Ali Pasha dhe babai i tij, Veliu, të hynin në familjet e mëdha të Jugut. Mbiemri i tij i vërtetë është Hyso. Pas gradimit si pasha, ai mori titullin Ali Pasha. Ndërsa origjina e tij nga Tepelena dhe prej sundimit të tij, i shtoi emrin, që njihet nga të gjithë: Ali Pashë Tepelena.

Babai i Ali Pashës. Veli Beu u martua me një grua shqiptare nga shtëpi bejlerësh të Tepelenës. Me këtë grua ai kishte dy djem: Islam dhe Tahir, si dhe dy vajza.

Më pas, Veliu martohet me një grua të dytë, të quajtur Hanko (e bija e Zenel Beut, një nga më të fuqishmit bejlerë, derë pashallarësh të Konicës). Me Hankon lindi 2 fëmijë: Aliun (1740) dhe një vajzë Hajnicën. Babai i Aliut vdiq më 1749, kur Aliu ishte 9 vjeç. Babai i la si trashëgimi, si pronë të tyre, disa çifliqe si fshatrat: Hormova, Lekli, fshatrat e Rrëzës, në Zagori, Pogon, në Tepelenë etj. Mbikujdestar (qahja) të familjes kishin Mitro Çaush Priftin (i biri i priftit të Hormovës).

Hankua ndahet nga familja e Veli Beut dhe bën në mbiemrin e saj gjysmën e pasurisë. Ajo, sëbashku me të dy fëmijët e saj (Aliun dhe Hajnicën) largohen nga Tepelena dhe vendosen në çiflikun e tyre në fshatin Karjan, një nga më të mirat prona të Veli Beut. Myslimanët e fshatit Kakos, sëbashku me Hormovitët, nga armiqësia, që kishin nga mbledhja e taksave, venë në Karjan. Të inatosur, ata i djegin sarajet, gjerat e shtëpisë dhe i shkatërrojnë gjithçka. Hankon dhe vajzën e çojnë skllave në Kardhiq, ku i ofendojnë dhe i çnderojnë. I fusin në një burg të errët dhe i lanë atje të urritura.

Shënim. Aliu nuk ishte në vendin e ngjarjes në Karjan. Ai, tani ishte 17 vjeç.

Pas dy javësh, një nga prijësit e Kardhiqit, Haxhi Agaj, duke i ardhur keq për Hankon dhe vajzën e saj, fshehurazi i nxjerr nga burgu dhe i çon në fshatin Gjat. Kardhiqotët, kur morrën vesh ngjarjen, të zemëruar, i djegin shtëpinë Haxhi Agës dhe drejtohen për në fshatin Gjat. Por, u tërhoqën, pasi mësuan se shumë dashamirës dhe simpatizantë të Hysonllarëve (dera e madhe e familjes së Aliut), myslimanë dhe të krishterë, ishin në mbrojtje të Hankos në Gjat.

Në moshën 16- vjeçare, Aliu ishte i njohur për plaçkitjet që bënte. Ai u kap rob në malet e Pindit në Greqi dhe u dorëzua te Pashai i Janinës, por nuk iu pre koka sipas ligjeve të kohës, për shkak të ndërhyrjes së bejlereve të Gjirokastrës, Janinës, Përmetit dhe të Delvinës.

Ali Pashë Tepelena i kishte kapërcyer të 17 vitet. Tani, armiqtë e familjes së tij e ndjenin rrezikshmërinë tek Aliu, ndaj tentuan disa herë për ta vrarë. Hankua, duke ndjerë këtë kërcënim për familjen e saj, iku nga Gjati dhe shkoi në Tepelenë. Me një herë pas ikjes së Hankos, i dogjën pallatin në Gjat.

Aliu, në moshën 18 vjeçare, trim, duke ndjerë këto rreziqe, organizon një çetë me njerëz trima dhe besnikë dhe shkon në mal, duke kërkuar betejë ballë për ballë me armiqtë. Bën disa luftime dhe del fitimtar. Kundërshtarët e tij u ankuan dhe i kërkuan ndihmë Kurt Pashait të Beratit, i cili kontrollonte rrugët e zonës së Tepelenës.

Në moshën 20-vjeçare kapet për herë të dytë rob nga Kurt Pashai i Beratit, pas shumë plaçkitjeve në Jug. Aliu arrestohet bashkë me 6 persona të tjerë. Por, nëse 6 të tjerët shkuan në litar, Aliu shpëton nga litari, fal ndërhyrjeve të miqve.

Kurt  Pasha i Beratit, duke dashur për ta bërë dhëndër Aliun, i dërgon një letër me ushtarët e tij. Aliu e mirëpriti krushqinë, ndaj u dorëzua tek ushtarët, të cilët e çuan në Berat. Pashai i Beratit e futi në burg për një ditë dhe e liroi me pretekstin se ishte i mitur. Më pas, Aliu bëhet armik me Kurt Pashën e Beratit, pasi mori vesh se Kurt Pashai e kishte fejuar vajzën me një tjetër, megjithëse ia kishte premtuar Aliut për grua.

Ali Pasha emërohet inspektor i rrugëve nga Porta e Lartë. Në këtë detyrë ai rekrutoi  rreth  4000 ushtarë dhe bënte kontrollin e rrugëve nga Janina deri në Termopile. Ishte i vetmi ushtarak, që siguroi rrugët e Jugut të  Gadishullit dhe, kjo gjë, u mirëprit nga Porta e Lartë.

Ali Pashë Tepelena kthehet në Tepelenë, që, fal sundimit të Aliut, qyteti ishte një nga vendet më të qeta të Perandorisë. Hajdutëria dhe keqbërësit, vetëm emrin e tij kur e dëgjonin, dridheshin porsi ‘bishat nga luani’.

Ali Pasha, në shtëpi, kishte si mbikujdestar Mitro Çaushin dhe Isuf Arapin. Isuf Arapi i thotë se, Çaushi kishte relata të paligjshme me nënën e tij, me Hankon. Për këtë shkak Aliu e përzuri Çaushin dhe ngarkoi si mbikujdestar të shtëpisë Isuf Arapin. (Isuf Arapi ishte njeriu më besnik dhe trim për Ali Pashën edhe kur Aliu u bë sundimtar, Mitro Çaushin në një nga betejat e kap Isuf Arapi, e vret dhe e pjek në hell…).                                                                                                                     

Martesa e Ali Pashë Tepelenës

Krahina e Delvinës, që kishte si qendër Gjirokastrën, qeverisej nga Kapllan Pasha, që ishte kundërshtar i Kurt Pashës së Beratit. Aliu martohet me vajzën e Kapllan Pashës, që quhej Emine. Dasma u bë në Gjirokastër (1768) dhe mbajti dy muaj. Pas dy vjetësh martesë, u lindi një djalë Myhtari dhe, pas katër vjetësh lindi djali i dytë Veliu. Kapllan Pasha i Delvinës kishte 6 djemë. Ali Pashë Tepelena marton motrën-Hajnicën me djalin e parë të Kapllan Pashës me Aliun. Dasma bëhet e madhe në Gjirokastër!

Lufta Turko – Ruse (viti 1767- kryengritja e himariotëve)

Himarjotët nuk i rezistuan dot turqëve (himariotët u bashkuan me rusët….). Një pjesë e himariotëve u shpërngulën për në Korfuz dhe një pjesë në Itali. Porta e lartë, e zemëruar me Kapllan Pashën të Delvinës, e thirrën këtë të fundit në Manastir dhe i prenë kokën. Ali Pasha u zemërua me turqit për këtë ngjarje të vjehrrit të tij. Turqit, për t’i dalë para ndonjë kryengritje të organizuar nga Ali Pashë Tepelena, emërojnë djalin e Kapllan Pashës (Aliun), pra kunatin e Ali Pashë Tepelenës, si sundimtar të Delvinës. Midis djemëve të Kapllan Pashës u fut sherri për ndarje pronash. Sulejmani, vret të vëllanë Aliun, pra kunatin e Ali Pashë Tepelenës. Ali Pashë Tepelena shkon në Gjirokastër tek e motra e tij e mërzitur dhe që të kujdesohet për pasurinë. Më pas, Hajnica, e motra e Ali Pashë Tepelenës martohet me Sulejmanin, si burrë të dytë ( i vëllai i burrit të parë dhe, që u vra prej tij).

Karriera                                                                                                                                     

Ali Pasha, nga hajdut rrugësh, bëhet  inspektor i rrugëve dhe në moshën 43-vjeçare u emërua  Pasha i Janinës.

Porta e Lartë e urdhëron të vendosë rregullin në Janinë. Sundimi i tij shtrihej ndër Shqipërinë e Poshtme dhe në tërë Morenë. Titullin “Asllan”, një nga më të rrallët, që u jepej pashallarëve nga Porta e Lartë, Ali Pasha e mori pas pushtimit të krahinës autonome të Himarës. Ali Pasha, nga Porta e Lartë merr titullin VEZIR, si dhe emërohet VALI i Rumelisë.

Në 1820, Ali Pasha kishte plane për formimin e një Shqipërie të Madhe (vetëqeverisje, pavarësi  kushtetuese nga Stambolli), sipas sistemit të Mbretërive të qytetëruara. Gjithë kapedanët myslimanë e të krishterë ishin rreth Aliut.

Amaneti i nënës. Hakmarrje pas 20 vjetësh!

Kur ishte në kulmin e pushtetit, Ali Pasha ndërmori një hakmarrje të pashembullt. Përdhunimi i të ëmës, Hankos, si edhe i të motrës  në fshatin Kardhiq, më 1757, apo pabesia e Mitro Çaush Prifti (i biri i priftit të Hormovës), ishin ngjarje, që lanë  më shumë gjurmë në jetën e Aliut. Historianët, që janë marrë me jetën e tij, thonë se, pas kësaj ngjarjeje, Aliu u bë më i egër.

Për këtë ngjarje Aleksandër Dyma shkruan: “Gjithçka ia detyroj nënës sime, i thoshte ai një ditë konsullit të Francës, sepse im atë, kur vdiq, nuk më la veçse një konak e disa ara. Mendja ime e ndezur nga këshillat e saj që më dha dy herë në jetë, sepse më bëri edhe njeri, edhe vezir, më zbuloi fshehtën e fatit që më priste. Që atëherë Tepelena për mua nuk qe veçse trualli i lindjes, nga i cili duhej të lëmohesha për të rënë mbi prenë që e përpunojë në kokë. Ëndërroja veç për fuqi, thesare, pallate, për gjithçka që koha ka krijuar e më premton sepse caku ku kam arritur nuk është fundi i shpresave të mia”.

Dhe, më poshtë ai shkruan:“Ali Pasha, duke plotësuar amanetin e nënës, shkrumboi fshatin Kardhiq dhe Hormovë, duke vrarë dhe masakruar të fajshëm dhe të pafajshëm. Kjo ishte një fitore vendimtare për Aliun. Emri i Aliut, i cili personifikonte atë masakër, që lartësohej si një vepër e lavdishme në sytë e këtij populli të egër, jehoi si rrufe nga lugina në luginë dhe nga mali në mal”.

Martesat  zyrtare

Katër ishin gratë, që janë martuar zyrtarisht me Ali Pashë Tepelenën.

E para Emine Hanemi, vajza e pashait te Delvinës, e dyta, Katerina e Tepelenës, e treta Jorgjia dhe në moshën 73-vjeçare u martua me Vasiliqinë. Vasiliqia ishte prej katundit Plehëvice të Çamërisë. Sulltani kishte urdhëruar Ali Pashën, që të ndiqte dhe t’i varte anëtarët e një bande fallsifikuesish monedhash në fshatin Plehëvice.Veziri Ali, i kapi dhe i vari antarët e bandës. Një vajzë e vogël i përgjërohesh dhe i lutesh Vezirit: “Vëllezërit e mi nuk ishin të përzier në këtë bandë” dhe ju lut: “Po të donte Veziri, ajo ishte e gatshme, që të shkonte si skllave dhe të rrinte me moshataret e saj në pallatin e tij”. Aliu i tha: “Unë jam Veziri”. Aliu e mori në krahë me dashuri dhe i premtoi se njerëzit e saj nuk do të preken dhe se do t’i linte disa saraje në pronësinë e saj…

       

 

 

Vajza e vogël ishte Vasiliqia 12 vjeçare, e cila u bë një nga njerëzit më të dashur dhe më të dëgjuar të Aliut. Dhe, në çastet e fundit të jetës së tij kishte pranë Vasiliqinë (“bukuroshja e Vezirit”, “Mbretëresha e ardhme”), që vetëm këshillat e saj i dëgjonte. Kur Ali Pasha ishte I mërzitur dhe kishte nevojë për një shpirt të dashur dhe besnik, e gjente këtë qetësi dhe derdhëte lotë dëshpëruese vetëm në gjinjtë e Vasiliqisë dhe ajo i përkëdhelte ballin, ia pushonte pikëllimat e tija me përkëdheljet e saj dhe me fjalët e ëmbla.

Sulltan Mahmudi e shpall Ali Pashën tradhëtar dhe armik të Perandorisë. Vdekja (vrasja) e Ali Pashës

1820 është viti kur u prishën tërësisht marrëdhëniet mes Portës së Lartë dhe Ali Pashës. Kulmi i marrëdhënieve të acaruara arriti kur Aliu urdhëroi në Stamboll njerëz për të vrarë Pasho Beun, një pasha nga Shqipëria, që thurte intriga kundër Aliut në oborrin e sulltanit. Atentati dështoi, ndërsa Aliu u shpall fajtor.

Sulltan Mahmuti i II dërgoi 50 mijë ushtarë për të mposhtur Ali Pashën. Ushtria u nda në dy armata, e para në drejtimin e shqiptarit  Pasho Beu dhe e dyta në drejtimin e bullgarit Pelivan Baba. Dy ushtritë rrethuan Janinën, por kishin frikë të përballeshin në betejë me Ali Pashën, ndaj përdorën dredhitë.

2 Janar 1822: Ali Pasha zbret prej Kalasë, mbrapa fortesës, hipi në një lundër sëbashku me Vasiliqinë dhe me sendet më të vyera të pallatit, duke kaluar në Liqenin e Janinës. Me një lundër të dytë ishin truprojet e tij. Zbritën në Manastirin e Shën Pandelimonit.

 

 

100 ushtarë besnikë i mbetën Aliut në fund të jetës së tij. Luani i Janinës, njeriu që mund të organizonte gjithë ushtrinë e Jugut të Shqipërisë, në perëndim të pushtetit e braktisën të gjithë. Një pjesë e tradhëtuan e të tjerë e shitën te turqit.

Ali Pasha, para se të binte në dorë të turqëve, kishte vendosur të djegë qytetin e Janinës dhe të hidhte në erë Kalanë, por turqit donin ta zinin të gjallë.

Sipas përshkrimit të konsullit francez Pukevil, fjalët e fundit të Aliut ishin për Vasiliqinë. Aliu kërkoi që rojet e tij besnikë të vrisnin Vasiliqinë, gruan e Pashait, “që ajo të mos binte në duart e turkut”…

Vasiliqia bërtet dhe urdhëron:

“Vezir Ali Pasha

Vuru zjarrin topave 

Dhe digje Janinën 

Dhe ju Janinjotë mos rrini 

Fëmijët t’i kërreni

Ca nër Nartë t’i çoni 

Dhe ca në Prevezë t’i bjeni”.

 

24 Janar 1822: Mehmed Pasha, pasi e vrau Ali Pashën në moshën 82 vjeçare, u tregoi ushtarëve turq, që ishin në oborr të Manastirit, trupin e vrarë të Ali Pashës, si trofe të Fuqisë së Sulltanit.

Aleksandër Duma në romanin e tij për Ali Pashën, prerjen e kokës së Ali Pashait e përshkruan: “Edhe koka e tij e prerë përçonte akoma një efekt njëherazi të tmerrshëm dhe të mahnitshëm, sa ata që e shihnin, mbeteshin të shtangur në vend. Kur Hurshidit ia sollën në një tepsi të madhe prej argjendi, ai u ngrit hopthi për ta marrë, u përkul tri herë përpara saj dhe, me respektin më të madh, i puthi mjekrën, duke shprehur me zë të lartë dëshirën se edhe ai vetë do të dëshironte të meritonte një fund të ngjashëm. Një adhurim i tillë për trimërinë e Aliut i prekte dhe i frymëzonte kaq shumë këta barbarë, sa zhdukeshin nga kujtesa krimet e tij. Hurshidi urdhëroi që koka të parfumohej me esencat aromatike më të kushtueshme. Përpara se ta dërgonte kokën e Ali Pashës në Stamboll, ai i lejoi shqiptarët t’i bënin nderimet e fundit ish-padronit të tyre”.

Koka e Ali Pashës iu dërgua sulltanit në një tabaka argjendi. 300 ushtarë turq e shoqëruan kokën e Aliut për në Stamboll nga frika e një sulmi hakmarrës të shqiptarëve. Një muaj rrugë iu desh ushtrisë, që ta çonte kokën e Aliut në Stamboll. Gjatë rrugës, ushtarët e ekspozonin kokën e Aliut me para, që ta shikonin prijësit e pashallëqeve të tjera. Koka mbërriti në Stamboll më 23 shkurt.

Ali Pasha ka dy varre

Trupi i tij u varros me nderime më 25 janar të vitit 1822 tek Xhamia Fetije, Janinë, në varrin, që Aliu e kishte bërë vetë prej vitesh për vehten e tij, pranë varrit të gruas së parë Emine, kurse Koka e Ali Pashë Tepelenës u varros me 25 shkurt të vitit 1822 në varrezat e Stambollit, përkundrejt Portës së Silibrisë në Stamboll, varr, i cili gjëndet edhe sot në cep të rrugës në Manastir të Ballkëklisë.

Tradhëtia

Të dy djemtë dhe një nip, të joshur nga Sulltani me dhurata, ofiqe dhe poste të  larta,  e tradhëtuan Ali Pashën, kur ai kishte arritur moshën 80 vjeç. Veç tyre, e tradhëtuan edhe komandantët e ushtrisë, që ishin bërë me armikun. Edhe vdekja (vrasja), Ali Pashës i erdhi nga tradhëtia…

Përfundimi, përjetësia!

Për 34 vite Ali Pasha ishte njeriu, që udhëhoqi shqiptarët. Gjatë kësaj kohe Pashallëku i Janinës ishte më shumë një krahinë autonome, që vetëm formalisht i bindej Portës së Lartë. Aleancat me anglezët, francezët e rusët ishin në vartësi të Pashait të Janinës dhe jo të Sulltanit. Ali Pasha ideoi krijimin e dy shteteve: Toskëria deri në Thesali, që do të ishte nën sundimin e dinastisë së Ali Pashës. Ndërsa, Moreja në Greqinë perëndimore do të ishte një tjetër krahinë autonome, që do të drejtohej nga grekët, por nën mbrojtjen e Ali Pashës.

Për afro, pas dy shekujsh: “Trupi në Janinë, koka në Stamboll”, hija e tij si një shqiponjë, shtrirë krahët e saj në hapsirën mbarëshqiptare, emri i tij i shënjuar në analet e historiografisë evropiane, portreti i tij, i pikturuar nga piktorët francezë më të njohur të kohës (Eugene Delacroix e Louis Dupré), gjendet në muzeumet e botës, koha e tij e regjistruar në memorien e historisë së Shqipërisë (…në kohën e Ali Pashë Tepelenës…)”A. G.

***

Të huajt (bashkëkohës) për Ali Pashë Tepelenën

Napoleon Bonaparti, më 1806 kishte marrë një dhuratë nga Ali Pasha një shpatë, të cilën e kishte pranuar me kënaqësi. Napoleoni i dërgon letër Ali Pashës, ku i shkruan: “Nëse Korfuzi bie në duart e mia, nuk mund t’ia besoj tjetër njeriu më të mirë se Ali Pasha… Do të pranoja gjithnjë me kënaqësi gjithçka që do të vinte nga ana juaj…”.

Honore de Balzak (1799-1850), shkrimtar francez do të shkruante plot adhurim për këtë figurë të Orientit, i cili ishte i vetmi që po ngrente krye ndaj Portës së Lartë: “…Aliu deshte, që të më vinte në krye kudo, të më bënte bile edhe trashëgimtarin e vet… Eh, Ali Pasha i Janinës është njeri që hajt ta marrësh vesh! Duhet historian, që të flasë për të. Vetëm në Orient, ka shpirtra të tillë gur e shkuar gurit, që njëzet vjet të tëra bëjnë gjithçka për të vënë në vend një fyerje, që u është bërë një ditë të bukur. Pale që kishte mjekrën më të bukur, borë të bardhë, që s’është parë ndonjëherë, në atë fytyrë të ashpër dhe të sertë…”.

Viktor Hygo (1802-1885), shkrimtar francez, në vëllimin poetik “Orientalët” (1829), shkruan: “Gjithë kontinenti po anon nga Orienti. Do të shohim gjëra të mëdha. Barbaria e vjetër aziatike ndoshta nuk është aq e zhveshur nga njerëz të mëdhenj sa ç’pandeh qytetërimi ynë. Duhet rikujtuar se ajo prodhoi të vetmin kolos që ky shekull mundi të vërë ballë përballë Bonapartit, mjaft që edhe Bonaparti të kish parë silah; atë njeri gjeni, turk e tartar në të vërtetë, atë Ali Pashë që është për Napoleonin çka është tigri për luanin, skifteri për shqiponjën  “Bonaparti mysliman”.

Fransua Pukëvil (1770-1838), diplomat e historian francez, në ditarin e tij me titull: “Udhëtime në Epir, Kostandinopojë, Shqipëri dhe vise të tjera” për Ali Pashën shkruan: “Zhbirues i kujdesshëm, pyetjet i kishte gjithmonë tinëzare, kurse përgjigjet gjithë gallëri dhe kurdoherë false, sadoqë në dukje të çiltra. Pretekstet i gatuante fët e fët, shkakun e vërtetë e vinte në lëvizje dhe e mbante të fshehur”.

Lord Bajroni (1788 – 1824), poet anglez, që i dha famën e përjetshme Aliut, duke e bërë personazh të veprave të tij. Bajroni në vitin 1809 shkruan: “Sapo e shikoje Ali Pashën, nga mënyra se si fliste, kuptoje menjëherë se nuk ishe para ndonjë pashai oriental” dhe më tej vazhdon: “Shqipëria ishte një vend me bukuri natyrore të rralla; shqiptarët njerëz të pashëm, trima, krenarë, me fustanella të bardha; kurse Ali Pashë Tepelena një kapedan i egër, por jo mizor, vezir, por i pavarur, figura e tretë historike pas Aleksandrit të Madh dhe pas Skënderbeut”.        

Aleksandër Dumas (1802-1870), romancier francez, në romanet e tij “Krime të fshehta” dhe “Konti i Montekristos”, ku trajtohet me hollësi veprimtaria e Ali Pashë Tepelenës dhe natyra shqiptare, ndër të tjera, ai e përshkruan Ali Pashën si “tepër dinak” dhe që oborri i sulltanit e njihte si “Luani i Janinës”,

***

Sinteza historike

Duke mos qenë historian në profesion, po përshkruaj Faik Konicën, i cili në vitin 1908 shkruan në mbrojtje të Ali Pashës:

“…Për të gjykuar mirë një njeri, që ka pasë pjesë në Histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mas kohës ku ai vet u rrit, u suall e roiti. Ali pasha, për zakonet e për mënyrën e sundimit, ish njeri i asaj kohe: i rritur në shkollë politike të Turkut, as më i lig e as më i mirë se vezirët e dere-bejt e atëhershëm.

Po ku është sipër të tjerëve, ku është me të vërtet i çuditshëm Ali pasha: nga hollësia, nga forca e vullnetit, nga mendja.Mendja e Ali pashës!… Ali pasha, i pa mësuar, pa shokë, i rrethuar me armiq, arriti, vetëm me forcë të vullnetit të tij, në një shkallë po thua mbretërore. Njerëz si lord Byro-n, si admirali Nelson, si mbreti Gustav-Adolfi i Suedise, e kishin për nder të piqeshin me të. Shqiptarët u ngjallën, u bashkuan, u ndjenë një komb nënë sundimin e tij. E, duke bërë këtë bashkim, s’pushoj as një ditë të rreshtojë një ushtri shqiptare me këshilla të ca zyrtarëve frëng, që kishte. Shihet sheshit se mendimi i tij qe lirimi i Shqipërisë…”.                                                                              ….

Në mbyllje, shpresë…

Dëshiroj dhe shpresoj që, shkrimi i mësipërm modest, të ketë impakt pozitiv në kulturën historike për brezin e ri, si dhe, njëherazi, të jetë një shtysë sensibiziluese dhe inkurajuese për historianët dhe kineastët tanë për realizimin e një filmi të bukur artistik për Ali Pashë Tepelenën.

Gusht, 2020.

 

 

Please follow and like us: