Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Fedhon Meksi: GJUHA SHQIPE E LËVRUAR SI MJET NGJIZËS PËR NACIONALIZMIN SHQIPTAR (9)

Prof. Dr. Fedhon Meksi

XIII.      GJUHA SHQIPE E LËVRUAR SI MJET NGJIZËS PËR NACIONALIZMIN SHQIPTAR

 

Epoka e Rilindjes solli përparime të mëdha në kulturën e shqiptarëve, e në radhë të parë në lëvrimin e gjuhës shqipe, e cila ishte dëshmi e bashkësisë së shqiptarëve, tipari themelor i kombit, nyjë qendrore që bashkonte shqiptarët pa dallim krahine dhe feje.

  1. Afirmimi i kombit shqiptar nëpërmjet kulturës dhe arsimit

Transformimet ekonomike dhe sociale në territoret  shqiptare filluan të reflektoheshin edhe në superstrukturën kulturore. Fillimisht këto procese u shfaqën në Voskopojë, metropoli i kulturës shqiptare e ballkanike dhe më vonë në Janinë, ku u hodhën hapat e parë për lëvrimin e shqipes si gjuhë më vete dhe mësimin e saj në shkolla. Ali Pasha, i bindur se nëpërmjet arsimimit do të ndërgjegjësonte popullin shqiptar, jo vetëm në realizimin e synimeve për shkëputjen e zotërimeve të tij nga Porta e Lartë, por edhe për formimin e një shteti modern të pavarur shqiptar, përkrahu shkollat ekzistuese dhe hapi mjaft shkolla të tjera. Lidhur me këtë Pukëvili shkruante: “Nuk do të dija të shpjegoja nxitjen e Aliut për çeljen e shkollave fillore që përhapnin arsimimin midis fiseve shqiptare më të pamposhtura, kur sot quhet e turpshme të mos dish të shkruash dhe të lexosh”( Pukëvil, F.: Histoire de la Regeneration de la Grece, I, 1825, f. 329). Në kohën e Aliut për ata që dinin shkrim e këndim tregohej një respekt i veçantë. “Një mashkull që di të shkruajë është për shqiptarët një qenie superiore, kurse ai i jep rëndësi vetes duke mbajtur në dorë një shishe bojë dhe një pupël me bisht argjendi si shenjë e talentit të tij”, shkruan Hjuz. Mbahen mend edhe sot e kësaj dite nga të moshuarit me origjinë nga fshatrat e Rrëzës porositë që Aliu u jepte arsimtarëve në mënyrën e vet: “Dhaskej, t’u mësoni djemëve gram pa derman”. (Meksi, V. Th.: Ali Pasha dhe gjuha shqipe, Studime filologjike, nr.197, Tiranë, 1975, f. 127). Pashai përkujdesej personalisht për grumbullimin e fondeve dhe dhurimeve për shkollat, përfshi edhe shkollat e famshme greke të Janinës. Enciklopedia e madhe greke shkruan: “Asnjë s’mund të mohojë se Ali Pasha ka ngritur shkolla, ka ndihmuar dhe çmuar dijetarët dhe mësuesit”. Për Ali Pashën ishte e qartë se shqiptarët u rezistuan gjatë shekujve të historisë së tyre pushtimeve dhe ndikimeve asimiluese të perandorive më të fuqishme të kohës duke ruajtur identitetin e tyre si komb, kryesisht falë qëndrueshmërisë së gjuhës së tyre. Në atë kohë gjuha shqipe nuk shkruhej, as lexohej, as mësohej në shkolla. Ajo rezistoi në shekuj vetëm “… falë maleve dhe shpirtit të banorëve të tyre”. (Lik, U. M.: po aty, f. 121). Gjuha shqipe që flitej në disa dialekte përgjithësisht të ndërkuptueshme ishte mjaft e varfër në fjalë të sferës diturore dhe e mbushur me huazime osmane, greke, italiane dhe sllave. Te shqiptarët dygjuhësia ose shumëgjuhësia ishin dukuri e zakonshme dhe çdonjëra nga gjuhët e përmendura më sipër përdorej në situata të veçanta edhe në varësi   të pozitës gjeografike dhe të raporteve me popujt fqinjë. Shqipja ishte gjuha e zemrës, përdorej në jetën e përditshme veçanërisht në shtëpi, turqishtja ishte gjuhë e administratës, ndërsa italishtja dhe greqishtja ishin gjuhë të tregtisë dhe të veprimtarive të tjera ekonomike. “Dihet se gratë himarjote flisnin vetëm shqip, ndërsa burrat e tyre, që merreshin me tregti, flisnin edhe greqisht e italisht”. Pengesa më e madhe për Aliun, që lidhej me shqiptarët, ishte mungesa e shkollave në (Lik, po aty, f. 180) gjuhën shqipe dhe, siç është e kuptueshme, mungesa e shqiptarëve të shkolluar. 20-30 vjet më vonë Naum Bredhi Veqilharxhi do të shkruante se të shkolluarit në Shqipëri ishin vetëm 50 në 500 familje (1%), edhe ata të shkolluar në shkollat fillore të huaja. (Veqilharxhi-Bredhi, N.: “Parathënia e Ëvetarit-1845”). Sidoqoftë, shqiptarët trima, gegë dhe toskë, që përbënin pjesën dërrmuese të ushtrisë së Ali Pashës, ishin ushtarët më të mirë të asaj kohe. Në atë kohë në Shqipërinë e Jugut shkollat ishin në gjuhën osmane për shqiptarët e fesë myslimane dhe në gjuhën greke për kristianët në përgjithësi, shqiptarë ose grekë të ishin, por “…ka të dhëna të sigurta se në kohën e Aliut filloi të mësohej nëpër shkolla edhe gjuha shqipe”. (HPSh, I, Toena, Tiranë, 2002, f. 639). Në Janinën e Aliut po realizohej me sukses reforma arsimore. Mjeku dhe poeti nga Janina Jani Vellarai (1771-1823) shkruante: “Arsimtarët atje nuk vareshin nga direktivat e nëpunësve të shtetit, por formulonin lirisht idetë e tyre dhe kur përballeshin me shigjetat e Patrikanës i mbronte Aliu”. (Kola, A., po aty, f. 445). “Shkolla të shumta u hapën në Gjirokastër, Berat, Korçë, Delvinë, Lunxhëri dhe Greqinë e Veriut. Në to mësohej jo vetëm greqishtja dhe latinishtja, por edhe shqipja. Mësimet që jepnin dhaskejtë Psalidha, Bollano, Kavalioti, Evstrat Vithkuqari etj., mbi lavdinë e vjetër të kombeve pellazgjike, mbi zgjedhën osmane dhe të ardhmen e popujve që vuanin nën këtë robëri, të cilat në fillim propagandoheshin me pëshpëritje nëpër skolitë me penxhere të mbyllura, në vitet e Ali pashë Tepelenës bëheshin hapur”. (Qafëzezi, I. M.: Shkolla Kombëtare, Tiranë, 1926, f. 93-94). Është shkruar shpesh nga të huajt (Holland, Hjuz, etj.) se djalit të tij, Saliut, që donte ta bënte trashëgimtar dhe kujdesej veçanërisht për edukimin e tij, i mësonte në mënyrë sistematike me mësues edhe gjuhën shqipe, përveç greqishtes dhe turqishtes. “Gjuha shqipe mësohej privatisht ose nëpër shkolla me alfabetin grek”.  Shumë shqiptarë dhe epirotas nga Janina nën kujdesin dhe mbrojtjen e Ali pashë Tepelenës u dërguan të studionin në vende të ndryshme   të Europës. Në këtë mënyrë Aliu synonte të përgatiste një bërthamë (Revista Albania, London, 4, 1905; cituar nga Ushtelenca, I.: po aty). intelektualësh të shkolluar në Perëndim. Ndër ta përmendim filologun Athanas Psalidha (Vjenë), mjekët Jani Vellarai (Itali), Metaksa (Paris), Saqellari (Vjenë), Lluka Vaja (Vjenë e Lajpcig), Vangjel Meksi (Napoli) dhe Jani Koleti (Itali), disa prej të cilëve më pas, duke jetuar në oborrin e tij, me nxitjen dhe ndihmën e drejtpërdrejtë të Pashait, u morën edhe me studimin e gjuhës shqipe, prejardhjen e saj dhe të shqiptarëve etj.

  1. Gjuha dhe shkollat greke të reformuara në shërbim të shqiptarëve

Kur Ali Pasha shfaqi synimet e tij për të sunduar në Janinë, përveçse nga shqiptarët, ai u përkrah edhe nga grekët. Fillimisht e mbështetën tregtarët, kurse më pas edhe popullsia greke në përgjithësi, veçanërisht kur ai lëshoi sinjalet e para se do t’i trajtonte grekët njësoj si shqiptarët. I mësuar të kapërcente barriera e të rrëzonte tabu në jetën e tij ushtarake, politike dhe diplomatike, vizioni i Ali Pashës për shtetin e ardhshëm përfshinte edhe bashkëjetesën e shqiptarëve me grekët, vllehtë, sllavët dhe izraelitët. Bashkëjetesa dhe bashkëqeverisja e shqiptarëve me popujt e mësipërm do t’i ndihmonte shqiptarët të realizonin më mirë identitetin e tyre të fuqishëm, sesa të qëndronin të ndarë në tre grupime sipas feve dhe në 3-4 pashallëqe të mëdha me kufij të mbyllur midis tyre, nën çatinë e Perandorisë Osmane. Në fillimet e veprimtarisë së tij, por edhe më vonë, Aliu do t’i përdorte grekët e ditur si këshilltarët e tij, si mësues të shkollave greke, të cilat i hapi në gjithë Shqipërinë, si tregtarë të zotë bashkë me çifutët, por edhe për historinë, civilizimin dhe gjuhën e tyre. “Ai njihte jo pak prej tyre dhe e kishte ngulitur mirë në mendjen e tij se ç’do të bënte me ta, vendin që do të zinin në shtetin e tij, por edhe distancën dhe raportet që duhet të mbante me ta. Aliun e gjen përherë të rrethuar nga grekë, të cilët i miklon së pari me gjuhën e tyre, që ai   e flet po aq mirë sa edhe gjuhën e nënës së tij, shqipen. Ai ka shkruar pjesën më të madhe të të gjithë veprimtarisë së tij shtetërore në gjuhën greke, ashtu sikurse korrespondencën e tij private, të cilën nuk hezitoi ta orientonte me kalendarin kristian, në kundërshtim me ligjin osman të Perandorisë. Por në thelb dhe heshturazi ai bën shumë kujdes me grekët, prandaj i mban larg funksioneve të rëndësishme dhe veçanërisht komandave ushtarake”. (Vaudoncourt, G.: Memoirs in the Ionian Islands …, London, 1816; cituar nga Koçollari, I.: po aty, I, f. 219). Për hartimin dhe realizimin e reformës arsimore në Pashallëkun e Janinës, Ali pashë Tepelena bashkëpunoi ngushtësisht me atë Kozma Etoloin dhe iluministin epirot Athanas Psalidha. Atë Kozmai, i quajtur Shën Kozma pas vdekjes, me nxitjen e Aliut ndërtoi me qindra shkolla greke kudo në Shqipëri. Thuhet që disa prej tyre i ngriti edhe mbi themelet e kishave ortodokse. Nga ana tjetër, miku dhe këshilltari për arsimin i Aliut, drejtori i njërit prej dy gjimnazeve të Janinës që u ngrit në kohën e Aliut (1805), Athanas Psalidha, me nxitjen dhe mbështetjen e Aliut modernizoi në themel shkollat greke në Janinë dhe kudo në Shqipëri dhe Epir. “Në to nuk mësohej vetëm teologji si në shkollat e tjera greke, por edhe fizikë, kimi dhe matematikë. Arsimi ishte i lirë, i pavarur e si rrjedhim krijues e autentik”. (Kola, A., po aty, f. 446). Psalidha përdori gjuhën popullore në mësimdhënie, kultivoi mendimin e lirë, luftoi skolasticizmin shterp dhe përhapi sistemet filozofike të kohës. Idetë e lira të Psalidhës shqetësuan Patrikanën dhe klerikët e lartë, të cilët e akuzuan për ateizëm dhe volterizëm. Ishte vetë Ali Pasha që e shpëtoi nga kthetrat e Patrikanës mikun dhe këshilltarin e tij për arsimin, pedagogun e madh, filologun nga Janina Athanas Psalidha. Ali Pasha synonte që nëpërmjet arsimit dhe kulturës, qoftë edhe në gjuhën greke, të ndërgjegjësonte popullin shqiptar për realizimin e shkëputjes nga Porta e Lartë dhe për formimin e një shteti të pavarur shqiptar. Për këtë qëllim ai përkrahu shkollat ekzistuese dhe hapi mjaft shkolla të tjera në gjuhën greke. Studiuesi anglez George Finlay shkruan në librin e vet ‘Historia e Greqisë’ se: “Greqishtja u bë gjuhë letrare e Shqipërisë së Jugut. Greqishtja studiohej sa nga myslimanët aq edhe nga të krishterët, sepse gjuha e tyre nuk shkruhej. Poemat, këngët, letrat, llogaritë shkruheshin edhe nga muhamedanët shqiptarë në greqisht dhe shumë prej tyre qarkullonin në dorëshkrime”.

  1. ALI PASHA SFIDON PUKËVILIN

Vangjel Th. Meksi (1903-1983), vlerësues i hershëm i Ali pashë Tepelenës dhe autor i studimit mbi organizimin juridiko-administrativ të Pashallëkut të Janinës, në një shkrim të tij përshkruan edhe një ndodhi të treguar nga avokati Jorgji Çako, kushëri i Çajupit, cili  kishte jetuar për shumë kohë në Stamboll: “Dy djemtë e Tahir Abazit, Kryetar i policisë në pashallëkun e Ali Pashës, kishin dëgjuar nga i   ati se ai ndodhej i pranishëm kur Ali Pasha bisedonte me Pukëvilin, i cili ndër të tjera vuri në dyshim nëse gjuha shqipe do të ishte e aftë të trajtonte çështje të rëndësishme si çdo gjuhë tjetër. Ai vuri sidomos në dyshim mundësinë e përkthimit në shqip të Dhiatës së Re, që sipas tij përmbante ide dhe mendime të larta. Ali Pasha e kundërshtoi menjëherë konsullin francez dhe i kërkoi të caktonte një pjesë nga Dhiata e Re që dëshironte të përkthehej në shqip. Pukëvili zgjodhi pjesën Parabola e djalit plëngprishës nga Ungjilli i Llukës dhe i la afat dy muaj. Aliu thirri menjëherë dy përkthyes dhe u kërkoi që të kryenin porosinë vetëm për dy javë. Ata pranuan dhe e dorëzuan përkthimin brenda afatit”. (Meksi, V. Th.: Ali pashë Tepelena dhe Gjuha Shqipe, Studime Filologjike, 3, Tiranë, 1975). Dhe në të vërtetë Pukëvili në veprën e tij ‘Udhëtim në Greqi’ botoi përkthimin në shqip të parabolës së mësipërme në dy dialektet e gjuhës shqipe nën shënimin: “Ky përkthim në gjuhën shqipe në dialektin toskërisht u krye me urdhrin e Ali Pashës, Vezir i Janinës, sipas kërkesës së M. Pukëvilit në vitin 1813”. (Pouqueville, F.: Voyage de la Grece, 1820, f. 302-305). Përkthimi toskërisht është kryer me alfabetin grek, ndërsa ai gegërisht me alfabetin latin. Nga burime të tjera del se përkthimi në gegërisht është bërë nga prifti katolik që shoqëronte formacionin e mirditorëve prej 400 kalorësish që shërbente pranë Ali Pashës. Përkthyesi në toskërisht nuk njihet, por mund të ishte dr. Vangjel Meksi, mjeku i Ali pashë Tepelenës, lëvruesi i gjuhës shqipe dhe përkthyesi i famshëm i Dhiatës së Re. Për të gjetur përkthyesin e vërtetë të Parabolës në toskërisht, me ndihmën e gjuhëtarëve të Shoqërisë Biblike në Tiranë u transkriptua dhe më pas u krahasua kapitulli i Parabolës që gjendet te Dhiata e Re, përkthyer nga Vangjel Meksi më 1819, me parabolën toskërisht që Ali Pasha i dorëzoi Pukëvilit më 1813, i cili e botoi më 1820 në librin Udhëtim në Epir, Shqipëri, Greqi… Diferenca në kohë e përkthimeve është 8 vjet, ndërsa ndryshimet gjuhësore janë të shumta. Përkthyesi pra nuk është dr. Vangjel Meksi. Siç duket, ishin të shumtë ata që punonin në administratën e Aliut dhe përdornin shqipen me germa greke.

  1. Gjuha shqipe, dimension i pashmangshëm

Gjuha e nënës së Aliut ishte shqipja, por ai njihte dhe përdorte rëndom gjithashtu greqishten dhe turqishten. H. Holland dëshmon: “Mund ta vërtetoj nga vëzhgimet e mia se ai di të lexojë si në romaik (greqishte popullore), ashtu edhe në turqisht. (Holland, H.: Mjek te Ali Pasha, f.110). Në marrëdhëniet zyrtare ai përdorte si greqishten ashtu edhe turqishten. Duke përfituar nga prania e Bonapartit në Maltë, me qëllim që të lidhte marrëdhënie miqësore me të, Ali Pasha, më 1 qershor 1797 i shkroi për herë të parë një letër gjeneralit francez. Ai i kërkoi Napoleonit “… t’i dërgonte që të qëndronin për disa vjet dy oficerë artilerie si instruktorë në shkollën ushtarake të Janinës”. Napoleoni iu përgjigj më 17 qershor 1798 me anë të një letre tepër miqësore, ku pranonte kërkesën e Aliut dhe i kërkonte që ta vazhdonin korrespondencën “… duke shkruar turqisht me dorën tënde”. (Aravantinos, S.: Historia e Ali pashë Tepelenës, 1895, f. 112). “Në Pashallëkun e Janinës gjuha zyrtare ishte greqishtja dhe jo turqishtja”, hap problemin e radhës historiani minoritar Filip Liço. Dhe vazhdon: “Ali Pasha në korrespondencën e tij private përdorte gjuhën greke. Këto përbëjnë fondin arkivor kryesor ku mund të mbështetemi për të përcaktuar se çfarë shteti mendonte të krijonte Ali Pasha”. (Liço, F.: po aty, f. 100). Kurse 60 vjet më parë Vangjel Th. Meksi (1903-1983) shkruante: “Sa për gjuhën Ali Pasha përdorte në korrespondencën e shtetit të tij greqishten, për arsyen e thjeshtë se shqipja nuk shkruhej, kurse turqishten e urrente thellësisht si çdo gjë osmane. Në atë kohë të gjithë agallarët, bejlerët, pashallarët dhe turq të zakonshëm të pjesës evropiane të Perandorisë Osmane, llogaritë dhe korrespondencën e tyre e mbanin në greqisht, pasi si sekretarë dhe llogaritarë kishin grekë, të vetmit që kishin mundësinë e arsimimit. Por është e provuar katërcipërisht se Ali Pasha dhe të gjithë në oborrin e tij përdornin vetëm shqipen si gjuhë të folur. Por gjuha zyrtare nuk është kriter për të cilësuar një shtet, kombin po. Historia tregon edhe raste të tjera shtetesh në të cilat si gjuhë zyrtare nuk përdoret gjuha e popullit, por një gjuhë e huaj. Luftëra të gjata janë bërë për këtë arsye, derisa gjuha e popullit të mënjanonte gjuhën e huaj zyrtare dhe ta zëvendësonte në administratën shtetërore dhe në shkolla. Në Francë përpara shekullit XVII gjuha zyrtare ishte latinishtja”. (Meksi, V. Th.: po aty, f. 27). Pas më shumë se dy shekujsh nga themelimi i shtetit të Ali pashë Tepelenës, pra në ditët tona, numërohen 27 shtete me popullsi nga 1 deri 80 milionë banorë, anëtarë të OKB-së, që si gjuhë zyrtare përdorin një gjuhë të huaj. Dhe konkretisht: 16 shtete përdorin gjuhën frënge, 7 shtete gjuhën angleze dhe 4 të tjera përdorin portugalishten. (Calendario Atlante De Agostini, 1999, Instituto Gjeografico De Agostini, Novara). Përdorimi i greqishtes në veprimtarinë e oborrit dhe atë diplomatike pati një ndikim të drejtëpërdrejtë mbi këtë gjuhë, arsimin dhe kulturën greke. Përdorimi i gjuhës popullore greke (demiotike) në shtetin e Ali Pashës përbënte një moment thelbësor në zhvillimin e saj dhe ishte vendimtar për afirmimin në mjediset akademike. Gjuha popullore greke përbënte një nga mënyrat e shumta nëpërmjet të cilave Aliu u bë pikë takimi ndërmjet shumë grupimeve komunitare të kohës, ndërsa oborri i tij u bë qendra kryesore e rilindjes greke. Ali Pasha është shembulli i veçantë dhe tej mase interesant i një sundimtari, që nuk ishte as grek ortodoks e as turk mysliman, por shqiptar bektashi, që dha një kontribut të rëndësishëm për gjuhën greke. Në këtë mënyrë Ali Pasha dëshmoi se gjuha greke nuk ishte një kusht sine qua non i greqësisë, por thjesht një nga faktorët e shumtë pragmatistë të domosdoshëm që përdorte për realizimin e ëndrrës së tij, krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Aliu me arsimin e duhur për kohën dhe eksperiencën e gjerë që kishte filloi të stërviste punonjësit e administratës së tij që të përdornin edhe gjuhën shqipe, qoftë edhe me germa greke. Në librin Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve, Liku shkruan se “… kur Ali Pasha dëshiron që mesazhet e tij të shkruara të lexohen publikisht në gjuhën shqipe, ato shkruheshin shqip me germa greke”. (Lik: po aty, f. 51). “Gjuha shqipe mësohej privatisht ose nëpër shkolla me abetare që germat i kishin greke”. (Revista Albania, 4, London, 1905; cit. nga Ushtelenca, I.: po aty, f. 120). Ali Pasha kërkonte gjithashtu që shqipja si gjuhë zyrtare e shtetit   të ardhshëm shqiptar të shkruhej me alfabet të veçantë, për t’u veçuar plotësisht nga gjuhët e tjera dhe alfabetet e tyre. Përpjekjen e parë në këtë drejtim e kreu dr. Jan Vellarai (1801). Më pas dr. Vangjel Meksi përdori një alfabet të përzier me germa greke dhe neolatine për të eliminuar në njëfarë mënyre ndryshimet fonologjike në mes të dy gjuhëve (1819). Të dy këta intelektualë të rinj të sapokthyer nga Europa, përveçse ushtronin profesionin e mjekut, sipas kërkesës së Aliut përpilonin gramatika, fjalorë dhe alfabete. Ata duket se ishin të frymëzuar dhe të mobilizuar në veprimtarinë e tyre si lëvrues të gjuhës shqipe, veçanërisht pasi njohën klimën kulturore të krijuar në Janinë, predispozitat e sistemit politik ndaj tyre si krijues, që ishin dhe qëndrimet e Ali Pashës ndaj kulturës dhe intelektualëve në tërësi. Meritën për krijimin e kësaj klime të favorshme kulturore, që mund të vlerësohet përmes veprave të shumta që u botuan në atë periudhë të shkurtër kohe, pa dyshim e ka Ali Pasha me patriotizmin, dëshirën, pasionin dhe mundësitë e tij. Ilo Mitkë Qafëzezi dëshmon: “Ali pashë Tepelena ka pasur ndjenjë shqiptari për liri dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. As që mund të shpjegohet ndryshe shkrimi i aq librave, fjalorëve dhe ungjijve që u botuan brenda periudhës 1770-1827, bile edhe 5 vjet pas vdekjes së tij”. (Qafëzezi, I. M.: Dy akademira të Ali Pashës, te Shkolla Kombëtare, 1926). Në të vërtetë, vetëm gjatë 20 viteve të fillimit të shekullit XIX janë përpiluar 5 gramatika, 4 alfabete dhe po aq fjalorë të gjuhës shqipe. Autorët e këtyre veprave gjuhësore ishin miq të afërt të Aliut (Jan Vellarai, Vangjel Meksi, Evstrat Vithkuqari, Marko Boçari dhe Sotir Postenani), ose të huaj që qëndruan për shumë kohë në Janinë (Lik, Hobhauz, Pukëvil). Janina e Ali Pashës, ku në mënyrë të natyrshme ishte krijuar një klimë e begatë dhe e përshtatshme kulturore, ngjante me një lulishte që lulëzonte me gramatika, me alfabetë dhe fjalorë të gjuhës shqipe. Pas këtyre intelektualëve të shndërruar në gjuhëtarë qëndronte nxitja, këmbëngulja dhe energjia e Ali Pashës, i cili në rrafshin politik e trajtoi gjuhën shqipe si një element që do të ndihmonte në forcimin e unitetit të kombit shqiptar. Pas konsolidimit ekonomik dhe politik të shtetit të tij, Aliu u përpoq të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare dhe nxiti lëvrimin e gjuhës shqipe, që do të ishte gjuha zyrtare e shtetit të pavarur shqiptar. Përveçse si themelues i një shteti shqiptar të pavarur dhe kryengritës i përbetuar kundër pushtimit otoman, Ali pashë Tepelena duhet të vlerësohet edhe për përkushtimin e tij ndaj gjuhës shqipe. Ali Pasha e çmonte vlerën dhe rolin e rëndësishëm të gjuhës amtare në formimin dhe konsolidimin e kombit dhe të shtetit shqiptar. Për lëvrimin e saj ai dha të gjitha energjitë e tij të pashtershme, në mënyrë që edhe shqipja të qëndronte krahas gjuhëve të tjera të popujve fqinjë.

XIV. EKIPI QË PËRGATITI ALI PASHA PËR LËVRIMIN E GJUHËS SHQIPE

“Konsolidimi i shqiptarëve si komb i bashkuar shtroi si kërkesë të domosdoshme lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe dhe vendosjen e një alfabeti mundësisht të veçantë dhe të njëjtë”. (HPSh, I, 2002, f. 32). Me traditën që krijoi Bizanti si trashëgues i gjuhës dhe kulturës helene, gjuha greke u bë gjuha e kulturës së Lindjes po ashtu si latinishtja në Perëndim. Me fillimet e përpjekjeve për shkrimin e gjuhëve amtare ndër popujt e ndryshëm të Europës në zgjim, filluan edhe kontradiktat në rrafshin e gjuhëve, midis tyre dhe kulturave greke dhe latine. Fillimet e shkrimit të shqipes në Veri me ndihmën e kulturës letrare latine duhen kërkuar që me formimin e shtetit të parë të Arbrit në shek. XII–XIII. Shkrimi i shqipes në Jug njihet se ka filluar në shek. XIV, për t’u shtuar në shek. XVIII, sigurisht me alfabetin grek. Në këtë periudhë përpjekjet për gjuhën shqipe në Shqipërinë e Jugut bëhen në dy drejtime: i pari është shkrimi i shqipes me alfabetin grek që pranohej nga kisha greke dhe Patrikana, i dyti është përpjekja e patriotëve shqiptarë për të shkruar shqipen me alfabete të posaçme. Më vonë në shërbim të planit për mësimin e greqishtes me ndihmën e shqipes u botuan gramatika të greqishtes në gjuhën shqipe, fjalorë greqisht-shqip dhe tekste fetare ku viheshin përbri e njëjta përmbajtje në dy gjuhë, greqisht dhe shqip, gjithmonë me alfabetin grek. Grekët duket se u tërhoqën paksa. Tashmë shqipes nuk i mohohej shkrimi, në qoftë se bëhej në favor të greqishtes për helenizimin e shqiptarëve, mjaftonte që shqipja të mos shkruhej me shkronja të posaçme, aq të urryera nga grekët. Ali Pasha dhe këshilltarët e tij intelektualë panë me kthjelltësi se sipas këtij plani vërtet shqipja shkruhej dhe lëvrohej, por ideja e krijimit të kulturës shqiptare nuk realizohej dhe, për më tepër, shqiptarët do të vijonin të ishin të ndarë sipas feve, ose më mirë, sipas alfabeteve. Ekipi që përgatiti Ali Pasha për lëvrimin e gjuhës shqipe përbëhej nga personalitetet më të shquara të Ballkanit Perëndimor të kohës.

  1. Dr. Vangjel Meksi (1775-1823) – i pari lëvrues i shqipes letrare

 

  1. 1. Historia e shkurtër e fisit Meksi

Fisi Meksi u shfaq rreth shekullit X dhe besohet se përbën degën fillestare të fisit fisnik të Buas (Meksi, Vasil: Familja Meksi, Athinë, 1995. f. 77). Albanologu i shquar kroat Milan Shufflay ka gjetur në kadastrën e Shkodrës të vitit 1416, se “Krahina ndërmjet Kepit të Rodonit, Krujës dhe Lezhës, banohej nga fisi Messi, Meksi, Mexi”. (Shuflay, Milan: Serbët dhe shqiptarët, Tiranë, 2002, f. 114). Emri i fisit Meksi mund ta ketë origjinën nga funksioni, ofiqi ose posti i kryetarit të parë të tij, që duhet të ketë qenë mjek, kurse prapashtesa -si tregon zotërim vendi, si edhe te mbiemra të shumtë shqiptarë (Malasi, Bregasi, Shalsi, Lumasi etj). Sipas Vasil Meksit, “Meksi është quajtur feudi që një perandor bizantin i ka dhuruar mjekut të tij, që siç duket ka qenë kryetari i parë i fisit”. Edhe sipas profesor Eqrem Çabejt, mbiemri Meksi vërtet mund të ketë në themel fjalën mjek dhe më pas mjekës – mjekësi – Meksi, si nomen agentis (emër veprues) që është. Luftëtarët e fisit Meksi u shërbyen perandorëve bizantinë dhe despotëve të Epirit. Ata bënin pjesë gjithashtu në gardën personale të Komnenëve të fuqishëm. Gjatë periudhës së luftërave të suksesshme të popullit shqiptar për liri, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, fisi Meksi ka dhënë një kontribut të shquar, që vërtetohet nga shumë dokumente të kohës. (Historia e Shqipërisë – Tiranë, 1978). Menjëherë pas pushtimit të plotë të Shqipërisë nga hordhitë turke, fisi Meksi u zhvendos në disa drejtime: Dalmaci, Venedik, Itali, Moravi (Çeki) dhe sidomos në drejtim të Jugut. Në vitin 1553 Meksajt i gjejmë në katalogun e familjeve fisnike të Kotorrit, qytet-kështjellë nën Republikën e Venedikut. Dokumente veneciane vërtetojnë se luftëtarët e fisit Meksi, të vendosur në Dalmaci, kanë luftuar si stratiotë nëpër repartet e ushtrisë së Republikës kundër pushtuesit turk. Stema (blazon) e Meksajve që jetuan dhe luftuan në qytetin e Kotorrit, është e kaltër me një brez të artë. Fillimisht dega e Meksëve që banonin në Venedik mbante mbiemrin Mexis, kurse më vonë u përshtat në De Mezzi ose Mezan. Mbiemri i fisit ka ndryshuar sipas gjuhës së shteteve ku ata kanë banuar. Në Shqipëri është përdorur ks (Meksi) ose s, ss (Mesi, Messi), kurse në krahinat që gjatë mesjetës kanë qenë të pushtuara nga venedikasit, ss (Messi, Da Messa), në Republikën e Venedikut, sipas dialektit lokal, z ose zz (De Mezzi, Da Mezan), kurse në Kotorr të Dalmacisë, x (Mexa). Njëra nga stemat e fisit me banim në Venedik përmbante një kështjellë me 3 kulla, nën të cilën është shkruar mbi një fjongo mbiemri Mexis. Stema tjetër përmbante një urë me 2 harqe, mbi të cilën ishte vizatuar një dorë e mbledhur grusht me gishtin tregues përpjetë. Kam bindjen se është e arsyeshme të lidhet ura e stemës me urën e famshme të Mesit, pranë fshatit me të njëjtin emër, nga ku, sikurse shkruan Shufflay dhe të tjerë, duhet të ketë qenë origjina e fisit Meksi. Veçse pjesa dërrmuese e fisit Meksi duket se ka lëvizur gradualisht në drejtim të Jugut, duke lënë gjurmë të qarta gjatë rrugës. Pjesëtarë të fisit Meksi janë vendosur në Greqi në periudha të ndryshme, duke filluar pas shekujve XIV-XV. Ata u përqendruan kryesisht në Peloponez, Athinë, Korint dhe në ishujt Speces, Leonidhis dhe Korfuz. Dokumente të shumta vërtetojnë kontributin që kanë dhënë Meksajt e Greqisë, sidomos gjatë kryengritjes së vitit 1821 kundër pushtuesit turk. Veçanërisht është shquar Theodhori Meksi, oficer i flotës ushtarake, në luftën për çlirimin e Peloponezit. Kurse Jorgo Meksi, njëri nga kapedanët e athinasve, mori në dorëzim Akropolin nga turqit.

1.2. Kodiku mjekësor dhe shkolla për “Mjekë popullorë të mësuar”

Studiuesi Niko Stylos nga Preveza ka gjetur në arkivat e Shoqatës Historike dhe Etnologjike të Greqisë “Kodikun mjekësor të Labovës” me nëntitull: Mënyra praktike mjekimi, i cili në të vërtetë është një përmbledhje me receta të shumta dhe procedura manuale të mjekësisë popullore, që përdoreshin nga mjekët popullorë labovitë. Në krye të kodikut gjendet e shkruar: “Mjekët popullorë (xherahë, nxerah, nzjerr ahun, largojnë dhimbjet, sëmundjen) dhe mësuesit e tyre të fisit të Meksëve, të fshatit të Labovës, të Kazasë së Tepelenës të kryesuar nga kirurgu kryesor Vasil Dhimitër Panajot Meksi dhe kolegët e tij Vangjeli, Thanasi, Jorgji dhe Petro, kirurgë të mrekullueshëm dhe mjekë natyrorë për të gjitha sëmundjet, vlerësohen dhe adhurohen nga Mbreti Ali Pashë Tepelena, i cili shpesh e lexon dhe mëson nga libri i tyre si edhe dëshiron t’i falënderojë”. (Stylos, N.: Mjekësia popullore e Meksëve të Labovës, Gazeta ‘Nacional’, tetor 2014).

Kodiku mjekësor i Labovës i vitit 1652 dhe 1812

Në pjesën e parë dhe të dytë të Kodikut -1812 ndodhen 767 paragrafë të përzgjedhur prej kodeve më të hershme ose prej fletoreve të mjekut popullor-mësues Vangjel Kristo-Kondili Meksi. Në pjesën e tretë me titull: Mësime të mësuesit Vangjel  Qirici Meksi ndodhen 128 receta   të marra nga fletorja e mësimeve e dr. Vangjel Qirici Meksit, mjekut  të njohur të Ali Pashës, si edhe përkthyesi i Dhjatës se Re në shqip” (1821). Zbulimi i Kodikëve Mjekësorë të Labovës të vitit 1652 dhe 1812,   si dhe numri i madh i mjekëve popullorë me origjinë nga fisi Meksi, një pjesë e të cilëve quheshin mësues dhe kishin fletore të posaçme me recetat dhe shënimet e tyre për mënyra të ndryshme mjekimi, na shtyn të mendojmë se në ato kohë në Labovë ndodhej një Shkollë për përgatitjen e mjekëve popullorë të mësuar. Duket se të gjithë mësuesit e kësaj shkolle ishin me origjinë nga fisi Meksi, kurse nxënësit e shkollës, që më pas shërbenin kudo në Shqipëri dhe në Ballkan, quheshin mjekë popullorë të mësuar. Po në këtë kodik gjendet edhe tabela e një pjese të pemës gjenealogjike të familjes Meksi nga Labova, e cila zbulon edhe katër breza të tjerë, shumica e të cilëve kanë jetuar para vitit 1770 dhe kanë kryer rolin e mësuesit në këtë shkollë, ndër ta edhe dr. Vangjeli, i biri i Qiricit. “Përveç recetave të mjekëve të famshëm të antikitetit si Hypokrati (460 p.e.r.-375 p.e.r.) dhe Aelius Galenus (129-200 pas erës së re), gjenden dhe recetat e mjekut popullor Vangjel Kristo Meksi, si dhe recetat dhe mënyra të tjera mjekimi të Vangjel Qirici Meksit, mjeku i Ali Pashës, të kopjuara nga fletorja e tij e mësimeve”. (Stylos, N.: “Mjekësia popullore e Meksëve të Labovës”, Gazeta Nacional, 2014).

  1. 3. Jeta e doktorit

Vangjel Meksi lindi në Labovë rreth vitit 1775. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Meksajt ishin një familje me rëndësi dhe prej më shumë se një shekulli e gjysmë miq të familjes së tepelenasit. Aliu me siguri e dinte që ata e kishin për traditë ushtrimin e mjekësisë popullore, kur zgjodhi Vangjel Meksin dhe e dërgoi në Napoli për t’u diplomuar në mjekësi. Kur në shkurt të vitit 1802 Ali Pasha thirri Vangjel Q. Meksin për t’i bërë të njohur vendimin e tij që tashmë ishte i prerë, ai ishte vetëm një oficier i ri artilerie që sapo kishte kryer shkollën ushtarake të Bonilës në Janinë. Më 23 shkurt 1802 studenti i ardhshëm i mjekësisë kaloi Adriatikun duke shtrënguar fort rekomandimin e Vezirit të Janinës për Ferdinadin I Burbon. Veziri i Janinës i shkruante Mbretit të Napolit: “Po ju dërgoj Vangjel Meksi shqipëtarin për të mësuar atje. I lutem Madhërisë Suaj të keni mirësinë që t’i jepni mbrojtjen tuaj mbretërore në mënyrë që të gëzojë ato kushte dhe lehtësi, të cilat të çojnë në mësimin e këtyre shkencave”. Vetëm pas 5 muajsh, duke treguar edhe një herë interesimin e tij të veçantë, Ali Pasha i shkruan sërish mbretit të Napolit: “Ju dërgoj falënderimet më të shquara për gjithçka i është dhënë Vangjel Meksit, i cili shpresoj se do të përfitojë nga kushtet që i janë krijuar me bujari nga Sovrani dhe, kur të kthehet në Atdhe me vlerësimin për sjelljen e mirë dhe përvetësimin e dijeve, të ngrejë lart emrin e Mbretit të lavdishëm”. Këto letra janë botuar për herë të parë nga G. Monti te Rivista d’Albania, në vitin 1941, II, f. 48-50. Trajtimi gjatë qëndrimit në Napoli iu bë si oficer, kurse për mësues pati mjekun dhe kimistin e shquar napolitan Nikola Akuto. Praktikën klinike e kryente në spitalin Shën Xhovani i Karbunarës. Pas kthimit në Janinë Vangjel Meksi punoi si mjek pranë pashait.  Së bashku me tre mjekë të tjerë ata formonin konsultën mjekësore të Vezirit. Mjekët e tjerë ishin Metaksai, i diplomuar në Paris, Saçellari në Vjenë dhe Lluka Vaja, vëllai i Thanasit, kryekomandant i ushtrisë së Aliut, në Vjenë e Lajpcig. Me Vangjel Meksin të diplomuar në Itali, Aliu tashmë, i mplakur, por jo i sëmurë, mblodhi në oborrin e tij katër mjekë që përfaqësonin shkollat mjekësore më të shquara të Europës. Gjatë ushtrimit të profesionit të mjekut në oborrin e Ali Pashës, Vangjel Meksi bënte pjesë në rrethin e ngushtë të tij dhe sigurisht do të jetë njohur me konsullin e Britanisë së Madhe, Lik, me konsullin e Francës, Pukëvil, si dhe me udhëtarët e famshëm anglezë Bajron dhe Hobhauz, që do të ishin më vonë edhe autorë e botues të gramatikave të gjuhës shqipe. “Janina e Ali pashë Tepelenës ishte një kopsht pjellor i gramatikave të shqipes”. (Lloshi, Xhevat: Vangjel Meksi, personalitet i gjuhës shqipe, Dita, Tiranë, 2000, f. 15). Dr. Vangjel Meksi jetoi, punoi, por edhe u ushqye në këtë kopsht. I përgatitur teorikisht dhe i ndezur nga dashuria për kombin dhe gjuhën amtare, me shtysën e pashait, V. Meksi duket se nisi menjëherë punën për lëvrimin e gjuhës shqipe. Ka të ngjarë që “…vepra e parë e Meksit të ketë qenë gramatika, e përgatitur edhe për mësimin e shqipes në shkolla“. (Kastrati, Jup: Historia e Albanologjisë, I, Argeta, Tiranë, 2000, f. 516). Në të vërtetë për gramatikën e Meksit dihet vetëm se është përpiluar para vitit 1819. Në këtë mënyrë ajo mund të jetë e para gramatikë e hartuar vetëm nga një studiues shqiptar. Po në këtë periudhë, duket se Vangjel Meksi përpiloi edhe një alfabet origjinal si dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Alfabeti përmbante shkronja greqisht, por edhe neolatine për të eliminuar në njëfarë mënyre ndryshimet fonologjike në mes të dy gjuhëve. Kësisoj, për tingujt që nuk mund të përfaqësoheshin nga shkronjat greke, Meksi huazoi shkronja nga alfabeti neolatin, si p.sh.: d, b, e, h etj. Ai gjithashtu përdori shenjat diakritike në formë pike sipër disa shkronjave, si edhe kombinime shkronjash. (Lloshi, Xh.: Vangjel Meksi, personalitet i gjuhës shqipe, Dita, Tiranë, 2000, f. 22). Tashmë kuadri bëhet i plotë.  Vangjel  Meksi  studioi  gjuhën  e  vet, përpiloi gramatikën e gjuhës shqipe, përcaktoi alfabetin dhe drejtshkrimin, kërkoi dhe gjeti fjalët e nevojshme për të zgjidhur detyrat e vështira që paraqet përkthimi dhe u largua nga Janina në drejtim të Italisë, ku bëri provën gjenerale para veprës së tij madhore. Në vitin 1814 botoi në Venecia dy përkthime nga shkrimtari francez Flëri (Fleuri, 1691-1720). Kur u kthye në Ballkan, CV e tij ishte plotësuar më së miri. Në Selanik apo në Stamboll u takua me përfaqësuesit e Shoqërisë Ungjillore angleze, me të cilët më 19 tetor 1819 nënshkroi kontratën për përkthimin e Dhiatës së Re, në pikën e parë të së cilës shkruhet: “Dr. Vangjel Meksi zotohet të përkthejë Dhiatën e Re dhe për këtë punë ai do të marrë shumën 6 mijë piastra”.

Më poshtë po paraqesim tekstualisht edhe dy pikat e tjera të marrëveshjes:

“Pika 2. Sapo Dr. Meksi të ketë përkthyer ungjillin e parë dhe të paraqesë dorëshkrimin të shoqëruar nga një vërtetim i arkimandritit Hilarion, që të dëshmojë se përkthimi është bërë në përputhje me marrëveshjen e mësipërme, ai do të marrë shumën 1500 piastra osmane; kur ai të dorëzojë dy Ungjijtë e tjerë, në po atë mënyrë do të marrë 1000 piastra.

Pika 3. Dr. Vangjel Meksi jo vetëm zotohet të ushtrojë gjithë zotësitë e tij për ta bërë këtë përkthim në përputhje me tekstin, por njëkohësisht t’ia nënshtrojë rishikimin (redaktimin) nga dy klerikë shqiptarë të arsimuar, me qëllim që të ushtrohet çdo kujdes i mundshëm për ta bërë gjuhën e saktë dhe në përputhje me idiomën e shqiptarëve, ashtu siç flitet në Janinë dhe të lehtë për t’u kuptuar nga bashkëkombësi”.

Nënshkruar: Robert Pinkerton                        Vangjel Meksi Stamboll, 19 tetor 1819

*  *  *

Materiali tashmë i shqipëruar u dorëzua për t’u shtypur vetëm pas 12 muajsh, 10 muaj para datës së caktuar në kontratë. “Botimi i plotë i kësaj vepre bazë kishtare, që u vlerësua nga të gjithë studiuesit si ngjarje e rëndësishme e historisë së shkrimit të gjuhës shqipe, u realizua 2 vjet para botimit bullgarisht dhe 20 vjet para botimit rumanisht”. (Kastrati, J.: Historia e Albanologjisë, Tiranë, 2000, f. 519). Më pas dr. V. Meksi mori pjesë në revolucionin grek. Ai mendonte, ashtu si edhe Naum Veqilharxhi, që luftoi kundër turqve për çlirimin e Rumanisë, se vetëm në këtë mënyrë do të shpejtohej edhe çlirimi i Shqipërisë. U sëmur nga pneumonia gjatë rrethimit të qytetit Tripolica në Peloponezin e Veriut. Pak ditë më pas laboviti patriot, doktori, gjuhëtari, shqipëruesi dhe luftëtari për liri vdiq. Ishte viti 1823. Shoqëria Biblike botoi në vitin 1824 një pjesë nga Dhiata e Re, Ungjillin e Shën Mateut, që u shpërnda kudo ku jetonin shqiptarë ortodoksë. Gjatë vitit 1825 agjentët e Shoqërisë Biblike mblodhën përshtypjet e besimtarëve shqiptarë, të cilët u përgjigjën njëzëri se kënaqësia e tyre ishte e madhe sa herë Ungjilli lexohej në gjuhën amtare. Për më tepër edhe priftërinjtë ishin të etur për ta vendosur shqipen në kisha. Pas përgjigjeve pozitive të besimtarëve, në fund të vitit 1825 filluan përgatitjet për botimin e plotë të Dhiatës së Re. Në Korfuz, në qytetin ku do të shtypej libri i shenjtë, krahas përfaqësuesve të Shoqërisë Biblike ndodhej edhe Grigor Gjirokastriti, një klerik dhe intelektual i nivelit të lartë, ish-kryepeshkopi i Eubesë, që muajt e fundit të jetës i kaloi si kryepeshkop i Athinës. Sa ishte në Korfuz ai u ngarkua edhe me korrektimin letrar dhe redaktimin e përkthimit. Fletët e fundit të librit mbaruan së shtypuri në gushtin e vitit 1827. Ishin 839 faqe të ndara në dy vëllime. Ndarja e Dhjatës në dy vëllime u bë me këmbënguljen e Grigor Gjirokastritit, i cili si argument solli metaforën aq të goditur se “Shqiptarët kanë zakon t’i mbajnë librat në gji”. Duket se personaliteti i dr. Vangjel Meksit bëri të mundur që për botimin e një pjese të veprës (Ungjilli i Shën Mateut) në vitin 1824 të përdorej alfabeti greko-neolatin. Kurse për botimin e vitit 1827, kur kishin kaluar 4 vjet nga vdekja e doktorit, u përdorën vetëm shkronja greke.

  1. 4. Vlerat e veprës

Pas botimit të plotë të Dhiatës (1827), nisi interesimi i opinionit filologjik dhe kulturor në Shqipëri dhe jashtë saj për shqipërimet e Meksit, duke i konsideruar ato “si përpjekje për gjuhën letrare të shkruar shqipe”. (Lloshi, Xh.: po aty, f. 36). Studiuesi gjerman Ksilander (1794-1854), që argumentoi i pari karakterin indioevropian të shqipes, botoi më 1835 librin Gjuha e shqiptarëve, bazuar kryesisht te shqipërimi i V. Meksit. Ai bëri një hap përpara në krahasim me studiuesit pararendës të gjuhës shqipe vetëm se pati në dorë një tekst të gjerë në gjuhën shqipe, Dhiatën e Re. Ksilander pohon se “me këtë përkthim përfundon edhe për gjuhën shqipe koha e dyshimit dhe e pasigurisë”. (Xylander, Ritter: Gjuha e skipëtarëve, Frankfurt, 1835). Hahni (1811-1869), babai i albanologjisë, arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e njërit prej dialekteve të ilirishtes, duke u bërë në këtë mënyrë mbrojtës i autoktonisë së shqiptarëve, vetëm pasi mësoi shqipen kryesisht nëpërmjet Dhiatës së Re të dr. Vangjel Meksit. Alfabeti origjinal i Meksit u përdor në shkrimet shqipe të shek. XIX, përfshirë dhe në ato të Ksilanderit dhe Hahnit. Për këtë arsye Meksi është quajtur ati ose përçuesi i një tradite të alfabetit të shqipes. Më sipër përshkruam kënaqësinë e besimtarëve dhe të priftërinjve kur shërbesat fetare kryheshin në shqip. Të njëjtën ndjesi sigurisht kanë provuar edhe nxënësit shqiptarë në shkollat greke, kur mbi bankat e tyre mbanin Ungjillin në shqip dhe tekstet e francezit Fleuri: Doke të izraelitëve dhe Doke të të krishterëve, të përkthyera po nga Vangjel Meksi për t’u përdorur posaçërisht në shkolla. (Fjalori enciklopedik shqiptar, II, 2008, f. 689).

Rilindja Shqiptare fillon edhe me Vangjel Meksin

Deri në fillim të shek. XIX kishin dështuar të gjitha përpjekjet e shqiptarëve ortodoksë për të pasur Ungjillin e plotë në gjuhën amtare. Intelektualët shqiptarë e kuptonin rëndësinë e jashtëzakonshme të Ungjillit në shqip, në kushtet ku ndodhej Shqipëria. Ai do të përdorej në kisha dhe në shkolla dhe do të mund të mbante gjallë gjuhën shqipe dhe nëpërmjet saj identitetin e kombit shqiptar. Suksesi i librit bazohej te gjuha e përpunuar, e pasur dhe e saktë “… në përshtatje me idiomën e shqiptarëve” dhe te zgjedhja e fjalëve dhe e shprehjeve të kuptueshme nga të gjithë. Në të vërtetë vetëm një zë i vetmuar, studiuesi Xhevat Lloshi, ka njohur se “Vangjel Meksi bëri një hap me rëndësi në lëvrimin e shqipes letrare dhe se është paraardhës i rilindësve në këtë fushë”. (Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985). Në fakt janë të shumta argumentet që vërtetojnë se Rilindja Kombëtare Shqiptare fillon edhe me Vangjel Meksin, fillon me veprën e tij që nis 10-15 vjet përpara datës që njihet zyrtarisht nga historiografia zyrtare (1830). Gjatë kësaj periudhe janë botuar dy përkthime në formë tekstesh shkollore (1814), gramatika (para vitit 1819) dhe është dorëzuar në shtyp ‘Dhiata e Re e plotë’, me alfabetin origjinal dhe drejtshkrimin përkatës (1819). (Studiuesi Xh. Lloshi në librin e tij shterues ‘Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819 – 1827’, ka shkruar në faqen 44 pjesë nga letra që Robert Pinkertoni, funksionar i lartë i Shoqërisë Biblike, i ka dërguar qendrës në Londër: “Kam gjetur njeriun i cili, shpresoj, është paracaktuar t’u dhurojë bekimin e madh vëllezërve të vet, duke u dhënë Dhiatën e Re në gjuhën e tyre. Emri i tij është Vangjel Meksi. Atë ma kanë rekomanduar disa nga dinjitarët më të lartë të komunitetit fetar këtu, si njeri me cilësi të shquara për këtë punë). Prof. Dh. Shuteriqi ka shkruar: “Historia e Dhiatës së Re, e shqipëruar nga Vangjel Meksi dhe e redaktuar nga Grigor Gjirokastriti, ndikoi tek Naum Veqilharxhi dhe Kostandin Kristoforidhi, triumfoi gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare kur lufta për shqipen, si gjuhë e letërsisë, e shkollës, e fesë, ishte pjesë e rëndësishme e luftës për çlirim”. (Shuteriqi, Dh.: Vangjel Meksi, Dita, Tiranë, 2000, f. 9). Dhimitër Shuteriqi vazhdon në një studim tjetër: “Vangjel Meksi ishte i pari që iu vu punës për shkollat shqipe. Është e kuptueshme pse ai përgatiste tekste shkollore me përmbajtje fetare. Kështu bëri edhe Naum Bredhi-Veqilharxhi”. (Shuteriqi, Dh. S.: Shkrime Shqipe…, f. 174). Nëpërmjet shqipërimeve të dr. Vangjel Meksit shqiptarët e krishterë filluan t’i luten dhe ta dëgjojnë Zotin e tyre në shqip dhe fëmijët e tyre në shkolla t’i lexojnë librat në gjuhën amtare. “Në fillim të shek. XIX, këto përpjekje për të shqiptarizuar jo vetëm shkollën, por edhe kishën, mund t’i bënte vetëm një njeri që ishte i përpirë nga miti i kombit, mit që i jepte përmasa gjigante mençurisë dhe përpjekjeve të dr. Vangjel Meksit, për të qenë i dobishëm për bashkëkombasit e tij. Në ata dhjetëvjeçarë, gjuha shqipe ishte kryefjala e veprimtarisë patriotike të rilindasve, pa të cilën nuk mund të hyje në zemrat e shqiptarëve të të gjitha moshave, ndërsa kultura fetare ishte fjalëkalimi, pa të cilin nuk mund të hyje në lidhje me institucionet sunduese, për të siguruar mbijetesën”. (Lalaj, Ana, te Meksi, F.: Labova e madhe dhe labovitët, Tiranë, 2010, f. 5). Në tekstet e letërsisë të shkollave të mesme që botoheshin në vitet ’50, u rezervohej hapësira e duhur jetës dhe veprimtarisë së dr. Meksit. Siç duket, lufta absurde kundër besimeve fetare, që plasi në mesin e viteve ‘60, e largoi dr. Meksin, i cili gabimisht njihej vetëm si përkthyes veprash fetare nga nxënësit që studionin historinë dhe kulturën shqiptare. Vangjel Meksi, figurë e shquar e kulturës si dhe shqipërues, gjuhëtar dhe patriot, duhet të kthehet jo vetëm në programet mësimore të letërsisë dhe historisë për shkollat e mesme, por edhe të zërë vendin që meriton edhe në tekstin akademik HPSh.

1.6 Po bashkëpunëtorët e priftit?

Më 1825 filluan përgatitjet për botimin e plotë të Dhjatës së Re, shqipëruar nga dr. V. Meksi. Krahas punonjësve të Shoqërisë Biblike në Korfuz, ku do të shtypej libri i shenjtë, ndodhej edhe Grigor Gjirokastriti që më pas u emërua Kryepiskop i Athinës (1829). Veçse shprehja e gjetur e G. Gjirokastritit se: “Shqiptarët kanë zakon t’i mbajnë librat në gji”, që në të vërtetë ka formuar në mënyrë të shkëlqyer figurën e shqiptarit me libër në gji duke u përpjekur për liri, dituri dhe prosperitet, nuk është aspak e mjaftueshme që t’i japë të drejtë priftit të botonte Dhjatën e Re pa emrin e përkthyesit të vërtetë, dr. Vangjel Meksit. Duke shënuar në ballinën e librit vetëm emrin e vet si kujdestar, prifti krijoi një tymnajë rreth autorësisë së shqipërimit të Dhjatës së Re që zgjati një shekull e gjysmë. Deri në vitin 1856 gjithkush mund të binte në grackën e përgatitur në Korfuz. Por në dhjetor të vitit 1856 I. Laundz, një nga personalitetet kryesore të Shoqërisë Biblike që kishte ndjekur procesin e botimit, takohet me Hahn-in, që konsiderohej autoriteti  i gjallë më i lartë i literaturës shqipe, dhe i tregoi për përkthyesin e vërtetë. Nga ana tjetër, J. Vreto (1822-1890) ka shkruar se sipas thënieve të K. Kristoforidhit, përkthyesi i vërtetë i Dhjatës së Re është V. Meksi. Kurse Ilo Mitkë Qafëzezi shkruan se G. Gjirokastriti ka qenë vetëm kujdestar. Me gjithë këto dëshmi të pakontestueshme, jo vetëm trillues të zakonshëm, por edhe studiuesit shqiptarë kishin lejuar që të vazhdonte tymnaja, e cila u qartësua plotësisht vetëm më 1971, pas zbulimeve të Xh. Lloshit në arkivat e Shoqërisë Biblike në Londër, ku u gjet dokumentecioni i plotë i botimit të Dhjatës në shqip.

  1. Jan Vellarai dhe fundi i përbashkët

Detyra për të krijuar një alfabet me shkronja të veçanta duket se iu ngarkua dr. Jan Velarait (1771-1823), epirot nga Janina, në atë kohë student në Itali, mik familjar i Aliut dhe më pas mjeku i të birit (Veliut). “Nuk mund të themi se i cilës kombësi ishte, greke, shqiptare apo arumune. Legrandi thotë se nuk beson që të ishte shqiptar. Sidoqoftë, ai shqipen në nëndialektin çam e shkruante me mjaft siguri”. (Shuteriqi, Dh. S.: Gramatika e Jan Vellarait, Letërsia jonë, 1950, f. 62). “Alfabeti i Vellarait kishte 30 shkronja dhe u krijua sipas fytyrës së alfabetit latin dhe atij grek, por duke i ndryshuar në formë disa shkronja dhe duke u dhënë atyre vlera krejt të ndryshme”. (Shuteriqi, Dh. S.: Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, Naim Frashëri, Tiranë, 1965, f. 111). Përpara Vellarait vetëm T. H. Filipi (fundi i shek. XVIII) kishte bërë përpjekje për të krijuar dhe përdorur alfabete të veçanta. (FESH 2008). Këto alfabete me shkronja të veçanta jo vetëm do t’u mundësonin shqiptarëve të shkruanin gjuhën amtare me alfabetin e tyre, i cili nuk do të ishte as arab, as grek, as latin, as edhe sllav, por do t’i ndihmonin ata për të kapërcyer dasitë fetare dhe krahinore, që pengonin bashkimin kombëtar. Në vitin 1797, duke qenë student në Padova (Itali), Jan Vellarai u arrestua si simpatizant i ideve të Revolucionit Francez. Pas katër vjetësh (1801) u kthye në atdhe me diplomën për mjekësi dhe filozofi. Vellarai nuk u mjaftua vetëm me profesionin e mjekut. Ai luftoi me patos për ta pajisur gjuhën popullore greke me një drejtshkrim sa më të thjeshtë, por edhe për të lëvruar gjuhën shqipe. Veprimtarinë e vet krijuese për shqipen Jan Vellarai e vazhdoi me dorëshkrimin ‘Shënime gramatikore greqishte e re’ – shqip si dhe Dialogje (bashkëbisedime) greqisht – shqip. Këto vepra, së bashku me veprën e tij më të rëndësishme, Çelësi i alfabetit të veçantë për gjuhën shqipe (30 tetor 1801), që duket i ka hartuar gjatë periudhës studentore në Itali, do të përdoreshin si metoda për mësimin e shqipes pa nevojën e mësuesve, që mungonin në atë kohë. (Kastrati, J.: Historia e albanologjisë, 2000, f. 430). Dorëshkrimet shqip të Jan Vellarait përfunduan te Pukëvili, i cili i depozitoi, së bashku me fjalorin e Marko Boçarit, në Bibliotekën Kombëtare të Parisit (1819), ku ndodhen edhe sot. Holland (1788-1873), që e kishte njohur Vellarain, e quan atë “njeri të thelluar në gjuhën shqipe dhe greqishten popullore”. (Holland, H.: po aty, f. 112). Kurse Pukëvil-i, që gjithashtu e ka njohur Vellarai-n në Janinë, flet për të me konsideratë të veçantë. (Pukëvil, F.: po aty, f. 209). “J. Vellarai konsiderohet gjithashtu si poeti lirik dhe satirik më i madh në gjuhën greke moderne të shekullit XIX. Ai ka hartuar fabula, poezi dashurie shumë të këndshme, por mbi të gjitha ai shkëlqen në satirë”. (Legrand, E.: Le Dr. Vellara, Albania, 1898). Në vitin 1805 vrasin Dhaskal Todhrin (Th. Haxhifilipi), autor i alfabetit të parë të veçantë të gjuhës shqipe, rrugës duke shkuar në Voskopojë, ku do të ngrinte shtypshkronjën shqipe. Duket se kisha greke ishte përfshirë në vrasjen e Todhrit, përderisa më pas ia dogji edhe dorëshkrimet. Duket se ata që përpilonin alfabete të veçanta për gjuhën shqipe kishin të njëjtin fund, mallkimin e Patrikanës dhe vdekjen e parakohshme. Ndërsa për Jan Vellarain dihet vetëm se në “Gusht të vitit 1820 i djegin shtëpinë në Janinë dhe ai vetë bashkë me familjen e tij mezi arriti të shpëtonte duke shkuar në një nga fshatrat e Zagorit, ku u sëmur rëndë dhe vdiq në varfëri më 28 dhjetor 1823”. (Legrand, E.: Dr. Vellara, cituar nga Kastrati, J.: Historia e Albanologjisë, Argeta, Tiranë, 2000, f. 430). Por edhe Legrandi përfundon: “… vdiq i varfër dhe i lënë pas dore”. (Legrant, E.: po aty, f. 434). Mos vallë për shkak të alfabetit të shqipes me shkronja të veçanta?!

  1. Marko Boçari (1790-1823)

Marko Boçari, kreshniku shqiptar nga Suli, një nga figurat më të shquara, më tërheqëse dhe më fisnike ndër udhëheqësit popullorë të kryengritjes greke, ishte edhe gjuhëtar. Udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në një memorandum të tyre e ndienin veten krenarë kur radhitnin edhe Marko Boçarin midis shqiptarëve më të shquar të kohërave. Qëndroi për shumë kohë në oborrin e Ali Pashës, ku duket se edhe ai u përfshi nga fryma që mbizotëronte aty për lëvrimin e gjuhës shqipe. Në kohën kur Ali pashë Tepelena ishte i rrethuar në kështjellën e Janinës (1820-1822), Marko Boçari u hodh nga ana e vezirit shqiptar. Ai mendonte me të drejtë se vetëm duke e ndihmuar Ali Pashën do të mund t’i dërrmonte fuqitë e armikut të përbashkët, do të mund të bënte bashkimin mes shqiptarëve për të themeluar një shtet të përbashkët nën kryesinë e Ali pashë Tepelenës. Pas shembjes së Pashallëkut të Janinës dhe rënies së Sulit në duart e turqve (1822), Marko Boçari u lidh me kryengritjen greke. U shqua për aftësi ushtarake në një varg betejash, pas të cilave u quajt “Shqiponja e Sulit”. U vra në gusht të vitit 1823. Poeti anglez Xhorxh Bajron mbajti një fjalim mbi varrin e tij, kurse poetë të mëdhej europianë, ndër të cilët edhe Viktor Hygo, i kënduan trimërisë së rrallë të Marko Boçarit. Edhe pse nuk kishte arsimin e duhur, ai përpiloi një fjalor greqisht- shqip (1809) me 1494 fjalë, i shkruar me dorën e tij në Korfuz më 1809, i cili konsiderohet për kohën si përmendore e gjallë e gjuhës shqipe”. “Fjalori ka të dhëna me karakter gjuhësor në pikëpamje leksikografike, fonetike, morfologjike, sintaksore dhe dialektore”. (Kastrati, Jup: Historia e Albanologjisë, I, Tiranë, 2000, f. 456). Shumica e fjalëve të fjalorit i përkasin leksikut konkret, por gjenden edhe një numër njësish abstrake të formuara shpesh me brumin e shqipes. Eqrem Çabej ka vënë në dukje: “Me një ndjenjë habie shohim sot si një njeri jo i pendës, po i armës dhe folës i një dialekti në skaj   të trevës gjuhësore shqiptare, si Marko Boçari prej Suli, që përdor në fillim të shekullit të kaluar fjalë të sferës kuptimore-abstrakte, si: kërkim, madhësi, i papunë, i pamasë, ashtu si dikur Gjon Buzuku në Veri…”. (Çabej, Eqrem: Për pastërtinë e gjuhës, Gjuha jonë, I, Tiranë, 1976, f. 39). Dorëshkrimi i Fjalorit greqisht – shqip të Marko Boçarit, i depozituar në Bibliotekën Kombëtare të Parisit që prej 200 vjetësh nga F. Pukvili, ruhet edhe sot.

  1. Jan Evstrat Vithkuqari (1755-1822)

Lindi në Vithkuq. “Në moshë të vogël shkoi në Janinë, ku bëri mësime të rregullta nën Kozma Bollanon dhe mori të gjitha ato njohuri që jepte shkolla Bollaneja. I pajisur me cilësi oratorike, ai u dallua si predikues kishtar, detyrë që e ka ushtruar me zell në qytete të ndryshme të Epirit. Për mjaft vjet shërbeu si mësues në qytetin e Përmetit dhe të Artës. Në vitin 1794, kur u ngrit në Janinë shkolla e Kapllanit, Evstrati u caktua aty si mësues. Në vitin 1807 u ftua nga Ali pashë Tepelena  në Janinë dhe më 1818 përfundoi në Stamboll, ku edhe vdiq në vitin 1822. Qëllimi i vajtjes së tij atje ka qenë që të kërkonte ndihma për të botuar një studim filologjik, në të cilin në mënyrë të gjerë analizonte nga pikëpamja gramatikore e historike Iliadën e Homerit. I Evstrat Vithkuqarit është gjithashtu punimi i botuar në Athinë më 1847 me titullin Rregullat logjike dhe etike të njeriut”. Paragrafi i mësipëm, i shkëputur nga libri ‘Kronografia e Epirit’, i historianit grek P. Aravantinos (1856), nuk paraqet plotësisht veprimtarinë e tij për sa i përket lëvrimit të gjuhës shqipe. Evstrati ka qenë një nga përfaqësuesit e shquar të letërsisë, gjuhësisë dhe kulturës shqiptare në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. Në studimet albanologjike me emrin e tij janë të lidhura kryesisht dy veprat gjuhësore me rëndësi: Skicë gramatikore e gjuhës shqipe (1814) dhe Fjalor anglisht-greqisht-shqip (1814), të cilat i botoi albanologu anglez Lik në veprën e tij Kërkime në Greqi (1814). Evstrati ka korrigjuar gjithashtu edhe Fjalorin greqishte e re-arumanisht-bullgarisht-shqip (1802) të Dhanil Voskopojarit, ribotuar po nga Lik (1814). Thuhet se ishte vetë Ali Pasha që e njohu Evstratin, këtë personalitet të spikatur të kulturës dhe arsimit shqiptar, me Likun, për të qenë mësuesi i tij i gjuhës shqipe. Dhe mësues më i mirë as që mund të gjendej. Evstrat Vithkuqari ishte një nga njerëzit më të ditur të Shqipërisë dhe i përket përpjekjes së njohur tashmë për shkrimin e shqipes në trevën ku sundonte Ali Pasha. I rrethit të dr. Vangjel Meksit me shokë, nga veprat që hartoi në bashkëpunim me Likun mund të thuhet se puna e tij i shërbeu interesit në rritje në Shqipëri për lëvrimin e gjuhës shqipe.

  1. Stefan Postenani (rreth vitit 1750-1822)

Stefan Postenani ka qenë mësues në Janinë në shkollën e mesme të Kozma Ballanos, por ai ka ngritur gjithashtu edhe shkollën greqishte në fshatin e tij Postenan. Në një dorëshkrim të tij në greqisht mbi çështjen e alfabetit të shqipes, shkruar pas vitit 1895, Jani Vreto dëshmon se ka pasur rastin të njohë dorëshkrimin e Stefan Postenanit që përmbante një gramatikë të greqishtes shkruar shqip. Vretoja na jep dhe alfabetin e veçantë që përdorte Stefani dhe që ishte me bazë greke, por edhe me germa latine. Alfabeti kishte gjithsej 37 germa. Me ndonjë ndryshim të vogël, ky ishte alfabeti që u propozoi Vretoja patriotëve shqiptarë të Stambollit më 1878–1879, kur u shtrua çështja e alfabetit të përbashkët. Emri i tij përmendet edhe në dy letra të Ali pashë Tepelenës, të nisura më 20 qershor dhe 21 korrik të vitit 1820. Vretoja tregon se para vitit 1822 kishte emigruar në Rusi, ku ishte vendosur përfundimisht. Si mik i Ali Pashës, ai ndoshta u detyrua të largohet nga Shqipëria në kohën e prishjes së shtetit të tij. (Shuteriqi, Dh. S.: Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, Tiranë, 1976, f. 179).

  1. Haxhi Shehreti

Ilir Ushtelenca (1944-2001), autor i librit ‘Diplomacia e Ali Pashës’, në studimin e tij të shkëlqyer, përgatitur që në vitin 1997 dhe botuar pas vdekjes (2009), me titull ‘Shteti dhe Qeverisja e Ali pashë Tepelenës’, shkruan se: “Në dokumentet ruse Haxhi Shehreti konsiderohet këshilltari kryesor i Ali Pashës (son premier homme d’etat)”. (Ushtelenca, I.: Shteti dhe Qeverisja e Ali Pashës, Dok. 2261, 18 shtator 1806, f. 41). Megjithatë Haxhi Shehreti njihej vetëm si autor i poemës ‘Alipashaida’ dhe fare pak si mik e këshilltar i Ali Pashës, diplomat apo politikan. “Vetëm në vitin 2010 kur Arkivi Benaqi, Athinë, publikoi Arkivin e Ali Pashës, u zbuluan dokumente, letra dhe korrespondenca personale, informacione, raporte diplomatike të shumta, shkruar nga dora e delviniotit Haxhi Shehreti. Korrespondenca e tij intensive me Ali Pashën si misionar i rëndësishëm politik në Stamboll, kontaktet e tij periodike me funksionarë të lartë, ministra, ushtarakë, diplomatë të huaj dhe deri me Sulltanin, i japin atij një dimension të panjohur më parë. Analizat, informacionet si dhe observimet e tij të thella mbi zhvillimet politike, ushtarake dhe diplomatike në Evropë, përmes të cilave informonte Ali Pashën dhe i sugjeronte atij lëvizje, qëndrime, ndërmarrje apo zgjidhje, lënë qartë të shikojmë se Shehreti ishte një burrë me kulturë dhe formim të spikatur”. (Koçollari I.: Vaje për Ali Tepelenën, Tiranë, 2010, f. 105). Poemat e shkruara prej Haxhi Shehretit, Alipashaida dhe Vaje për Ali Tepelenën, duhet të konsiderohen jo vetëm si vepra letrare, por, nisur nga përshkrimi i saktë i ngjarjeve nga autori, një nga protagonistët kryesorë të tyre, edhe si vepra të mirëfillta historike, të cilat do të bëjnë të mundur një përqasje të plotë dhe shkencore për jetën dhe veprën e Ali pashë Tepelenës. Tashmë s’ka as më të voglin dyshim se vepra e parë e shkruar për Ali pashë Tepelenën është poema Alipashaida e Haxhi Shehretit nga Delvina. E përfunduar si dorëshkrim në vitin 1803, këtë vepër e kanë parë mbi tavolinën e punës së Ali pashë Tepelenës gjatë viteve që shërbenin si konsuj në Janinë edhe Liku me Pukëvilin. Ngjarjet e tjera të mëvonshme, që u takojnë viteve 1803-1822, duke përfshirë edhe çastet e fundit të jetës dhe vrasjen e Ali Pashës, Haxhi Shehreti i paraqiti në poemën tjetër me titull Vaje për Ali Tepelenën, dorëshkrimin e së cilës e përfundoi në vitin 1823. Për më shumë se 50 vjet poema Vaje për Ali pashë Tepelenën nuk u botua, por ajo mbahej mend nga shqiptarët kudo ku jetonin dhe ishin të shumtë ata që e recitonin ashtu siç e kishte shkruar Haxhi Shehreti. Njërin nga këta shqiptarë, 77-vjeçarin Jani Paguni, që jetonte në Athinë, në shtator të vitit 1875 e takoi neohelenisti francez Emil Legrand (1841- 1903). I moshuari e dinte përmendsh poemën dhe e tha pa më të voglin hezitim, por jo emrin e poetit. Kurse Legrand, pasi mblodhi të gjitha vargjet e poemave, i plotësoi, i sistemoi ato dhe i publikoi me titullin Vaje për Ali Tepelenën, Pasha i Janinës (1886). Veçse autori i poemës edhe për Legrandin vazhdonte të ishte gjithmonë një “shqiptar anonim”. Studiuesi i mirënjohur shqiptar Irakli Koçollari, pasi shqipëroi Alipashaidën (1998) dhe Vaje për Ali Pashën (2010), argumentoi në mënyrë bindëse se të dyja poemat kanë për autor Haxhi Shehretin, pasi: “Tek të dy poemat vepron e njëjta logjikë, mjeshtëri dhe teknikë në ndërtimin e vargjeve dhe të poemës në tërësi, çka do të thotë se ato rrjedhin, bëhen dhe krijohen (ndoshta) nga i njëjti mjeshtër, i cili ka krijuar një stereotip të caktuar në krijimtari prej të cilit nuk mund të shkëputet”. (Koçollari, Irakli: Vaje për Ali Tepelenën, Adel print, Tiranë, 2010, f. 97-104). Është unanimisht e pranueshme se të dyja poemat qëndrojnë në kulmin më të lartë letrar dhe historik të asaj periudhe, pasi jo vetëm i karakterizon një shije artistike e paparë, por gjithashtu ato janë dëshmi të sigurta për ngjarjet e rëndësishme që ndodhën gjatë sundimit të Pashait të Janinës. Për sa u përket vlerave artistike, Emil Legrand dëshmon se: “Autori ka qenë në mënyrë të padiskutueshme i talentuar dhe vepra e tij është e denjë për t’u konsideruar simbol i veprave më të shënuara të letërsisë neoheleniste”. Dhe më tej ai vazhdon në drejtim të vlerave historike  të poemës: “Poema vlen të konsultohet si një dokument, si një burim i radhës së parë për këdo që do të shkruante një monografi serioze për Ali Pashën”. (Legrand, Emil: aje për Ali Pashën, Pashai i Janinës, Adel print, Tiranë, 2010, f. 4). Irakli Koçollari me të drejtë shkon edhe më tej kur shkruan se: “Poema mbart vlera historike sepse autori sjell një informacion shumë të gjerë, të bollshëm dhe tepër të saktë historik që evidenton ngjarje të panjohura më parë, si edhe personazhe të reja. Të gjitha këto, vazhdon Irakli Koçollari, përbëjnë një fond të rëndësishëm brenda fondit të dokumenteve historike që ruhen për këtë kohë”. Haxhi Shehreti, këshilltari, diplomati dhe analisti politik më i besuar i Ali Pashës, ishte gjithashtu edhe një dëshmitar okular i ngjarjeve, në mos i përfshirë drejtpërdrejt në to. Në poemat e tij përshkruhen në mënyrë të saktë edhe skenat e luftës, lëvizjet e ushtrive, taktikat luftarake dhe armatimet e përdorura. Tashmë është ndriçuar siç duhet figura e Homerit shqiptar, këtij personazhi të rëndësishëm fare pranë Ali Pashës, i cili kishte të gërshetuara në mënyrë të harmonizuar intelektin, kulturën, modestinë dhe sidomos talentin. Përgjithësisht të tillë ishin bashkëpunëtorët e ngushtë që përzgjidhte Ali pashë Tepelena.

XV.NDIKIMET E ALBANOLOGJISË PERËNDIMORE

Pa dyshim albanologjia perëndimore, edhe pse në fillimet e saj, ka ushtruar ndikim të rëndësishëm në ndërtimin e identitetit të shqiptarëve. Lindja e albanologjisë perëndimore, që do të thotë zbulimi i shqiptarëve nga të huajt dhe i vështrimit të tyre analitik, është i lidhur me disa faktorë. Në radhë të parë duhen përmendur interesat ushtarakë-politikë të Fuqive të Mëdha që filluan të shfaqen nga fundi i shek. XVIII dhe  u shtuan veçanërisht gjatë shek. XIX. Duke përjashtuar Bajronin (Byron), që u nxit për të vizituar Ballkanin Perëndimor shtyrë edhe nga romanticizmi dhe filohelenizmi shumë në modë në atë kohë, të tjerët, si Uiliam Martin-Lik (Wiliam Martin Leake), Hobhauz (John Cam Hobhouse) apo Pukëvil (François Pouqueville), u ngulën në këto vende me misione të rëndësishme ushtarake, politike dhe diplomatike. Gjatë viteve të para të shekullit XIX, në oborrin e Pashallëkut të Janinës po përshpejtoheshin përgatitjet për realizimin e projektit madhështor të Aliut, i cili synonte krijimin e një shteti shqiptar të pavarur. Ky shtet do të kishte gjuhën e tij zyrtare, që sigurisht do të ishte gjuha shqipe. Ali pashë Tepelena si kryetar i këtij shteti në formim punonte me ngulm që gjuha shqipe, që flitej vetëm në shtëpitë e shqiptarëve, të zinte vendin që meritonte. Për këtë arsye Ali pashë Tepelena i kushtoi vëmendje të veçantë promovimit të gjuhës shqipe edhe ndër të huajt e shumtë që frekuentonin oborrin e tij dhe i nxiti për lëvrimin saj. Mysafirë të Aliut apo udhëtarë perëndimorë që vizitonin oborrin e tij, pasi shuanin kureshtjen duke u takuar me Vezirin, papritur ndodheshin përpara kërkesës së vetme të mikpritësit të tyre: për të studiuar apo propaganduar gjuhën shqipe, si gjuhë origjinale. Tanimë është fakt i njohur se ata e kanë plotësuar kërkesën e Ali Pashës. Ndër të parët që kaluan në Janinë (1809) ishte Lordi Bajron. Ai e mbushi me fjalë shqipe poemën e tij Childe Harold dhe formuloi një karakterizim për gjuhën shqipe që për atë kohë kishte rëndësi të veçantë. Hobhauz në vitin 1814 botoi Shkurtore të gramatikës shqipe sipas gramatikës shqipe të Da Leçe-s (Da Lecce, 1716) dhe e përfshiu në librin e tij Udhëtim nëpër Shqipëri në vitet 1809-1810. Liku qëndroi pranë oborrit të Ali pashë Tepelenës si përfaqësues i qeverisë britanike. Së bashku me E. Vithkuqarin përpiluan Skica gramatikore të gjuhës shqipe (1814) dhe hartuan Fjalorin shqip- greqisht-anglisht. Lik krijoi gjithashtu për shqipen një alfabet me shkronja latine. Nga oborri i Aliut kaluan edhe dr. Holland dhe Hjuz, të cilët, të nxitur nga Pashai, paraqitën në librat e tyre konsiderata pozitive për shqipen dhe shqiptarët. Librat e tyre shtuan edhe më tej interesimin e opinionit anglez dhe europian për gjuhën shqipe dhe popullin që e fliste atë gjuhë. Ndër të huajt që kanë njohur Ali Pashën, Janinën dhe Shqipërinë është edhe diplomati, mjeku dhe historiani francez Pukëvil, që pati rastin të qëndrojë dy herë në trevat shqiptare: herën e parë si rob lufte (1798-1801) dhe herën e dytë si konsull i Francës në Janinë (1805- 1815). Në vitin 1820 botoi ‘Voyage dans la Grece’ (Udhëtim në Greqi), ku gjenden edhe ‘Alfabeti latin’ që përdori për gjuhën shqipe, ‘Fjalori frëngjisht – shqip’ dhe ‘Vëzhgime gramatikore për gjuhën shqipe’.

  1. Uiliam Martin-Lik (1777-1860)

Koloneli anglez Uiliam Martin-Lik është ndër të parët europianë që studioi gjerësisht vendin, popullin dhe gjuhën shqipe. Ai ishte vetëm 27 vjeç kur erdhi në viset shqiptare, me njohuri të thella si topograf, gjeograf, arkeolog, përveçse historian dhe gjuhëtar. Qeveria britanike e dërgoi Likun me mision për të vrojtuar bregdetin e Shqipërisë e të Moresë dhe për të ndihmuar qeveritarët e Turqisë Europiane për mënyrën e mbrojtjes së kufijve të tyre nga sulmet franceze që mund   të nisnin prej Italisë përballë, të pushtuar në ato kohë nga armatat e Napoleonit. Gjatë 3 muajve e gjysmë (para fillimit të misionit), Liku shfletoi të gjitha dokumentet e lëna nga pararendësit e tij, duke filluar nga autorët antikë që kishin përshkruar fushatat dhe betejat luftarake. Ai dinte me një saktësi të çuditshme përshkrimet rreth Ilirisë e Epirit, emrat e fiseve të vjetra dhe kufijtë e zotërimeve të tyre, vendet ku qenë zhvilluar betejat e famshme të antikitetit, rrugët e njohura e të panjohura të kalimit të ushtrive, përqendrimet e legjioneve romake dhe ato të forcave maqedonase, fortifikimet e Cezarit të ngritura përballë fortifikimeve të Pompeit etj. Gjatë periudhës përgatitore ai u instruktua të vlerësonte në terren edhe çështjet ekonomike, sociale, fetare apo kulturore. Në librin e vet ‘Udhëtime në Greqinë Veriore’ (1. Travels in Northern Greece, 1835), Liku shkruan se fillimisht vëzhgoi bregdetin shqiptar që ndodhej përballë Korfuzit dhe më pas qëndroi në Sarandë për disa ditë, nga ku u nis më 24 dhjetor 1804 për në Delvinë, Muzinë, Gjirokastër dhe Labovë, për të arritur në Tepelenë më 28 dhjetor 1804. Të panumërta ishin misionet ushtarake dhe diplomatike që kreu Liku në Greqi dhe në Shqipëri deri sa në vitin 1808, nisur nga përvoja në Ballkan dhe marrëdhëniet personale me Ali pashë Tepelenën, e caktuan konsull pranë oborrit të Aliut. Pavarësisht nga çmuarja e ndërsjellë, raportet e tyre përcaktoheshin kryesisht nga kombinimet e përkohshme diplomatike të Anglisë, Francës dhe  Rusisë,  superfuqive  europiane të kohës, ndërkohë që Perandoria Osmane po hynte gradualisht dhe progresivisht në fazën e rrudhjes, por që ende mund t’u bënte ballë pashallarëve shqiptarë, që edhe pse nuk ishin të bashkuar, vepronin si sundimtarë të pavarur. Në vitin 1807 pas fillimit të luftës anglo-osmane, me ndihmën e Ali Pashës Liku arriti që në bisedimet me Portën e Lartë të vendoste paqe midis Anglisë dhe Turqisë. (1. Mema, Sh., po aty, f. 193). Aliu shfaqte herë pas here nderim të veçantë për Likun. Më 28 shkurt të vitit 1810 ai i kërkoi Likut, mikut të tij më fisnik e më të dashur, që t’i dërgonte një anije ushtarake britanike për të transportuar drithë nga hambarët e tij në Berat te banorët e Artës, Misolongjit, etj., që po vuanin nga uria pas një viti thatësirë. Liku arriti në përfundimin se veprimtaria e Ali Pashës “…është provë largpamësie dhe këmbënguljeje në synimet e tij, për të cilat pak burra shteti dhe monarkë ia kanë kaluar.” Sipas Likut: “Ai arriti të bëhej një sundimtar me rëndësi politike në Evropë dhe u imponua në marrëdhëniet ndërkombëtare me rolin e vet energjik dhe të pavarur nga Porta e Lartë”. Gjatë udhëtimeve të tij në Greqinë e Veriut dhe Shqipërinë e Jugut, ai kryente edhe kërkime e studime topografike, arkeologjike dhe numizmatike. Rezultatet e këtyre studimeve i botoi në Londër më 1814, në librin me titull Kërkime në Greqi dhe Udhëtime në Greqinë e Veriut. Doli në pension me gradën e kolonelit më 1815 dhe pjesën tjetër të jetës së tij ua dedikoi studimeve topografike dhe arkeologjike, rezultatet e të cilave u publikuan në veprat ‘Topografia e Athinës’, ‘Udhëtimi në More’, ‘Numizmatika helene’, etj. Për veprat e tij u vlerësua mjaft në botën shkencore. Ai u zgjodh anëtar i Shoqatës Mbretërore të letërsisë, të gjeografisë etj., si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Berlinit, Francës etj. Vdiq më 6 janar 1860. Duket vërtet e çuditshme që studiuesi erudit, autor i shumë veprave shkencore të jetë “i dërguari i posaçëm me misionin e zbuluesit ushtarak në territoret e Pashallëkut të Janinës” dhe më pas “konsull në oborrin e Ali Pashës”. Liku, pasi u dhuroi shqiptarëve ‘Gramatikën e parë shqipe’, ‘Fjalorin shqip-greqisht-anglisht’ dhe ‘Alfabetin shqip me shkronja latine’ 100 vjet para Kongresit të Manastirit, i lidhur shpirtërisht me ta, 25 vjet pasi u largua nga Shqipëria, në librin e tij ‘Udhëtime në Greqinë e Veriut’ (1835) shkruante:

“Shqiptarët janë trima, të qëndrueshëm, të shpejtë, të palodhur dhe të aftë në përdorimin e pushkës. Cilësitë e tyre luftarake i pranojnë dhe armiqtë e tyre. Ata u përgjigjen pyetjeve që u drejtohen, me përpikëri dhe zgjuarsi. Në qytetet shqiptare shihen shtëpi nga më të mirat që mund të gjenden në Turqinë Evropiane. Veshjet kombëtare shqiptare janë më të bukurat, por edhe më të kushtueshmet në Europë. Në fushat e Myzeqesë, Elbasanit, Dropullit, Korçës e gjetkë, kudo shihen toka të punuara mirë. Shqiptarët janë bujq të mirë, por edhe blegtorë të shkathët që mbajnë kope të mëdha dhensh dhe dhish. Misri është i përhapur kudo në vend, kurse gruri  shqiptar-arnaut  njihet edhe jashtë vendit. Orizi mbillet kryesisht në Myzeqe, Berat, Dropull, Delvinë dhe Çamëri. Kodrat janë të mbuluara me vreshta. Në Shqipëri prodhohet verë e mirë. Në lagunat dhe liqenet kapet peshk me shumicë, kurse në Vlorë përgatitet putargë”. Liku lëvdon më tej mjeshtrit shqiptarë të ndërtimit të banesave si dhe të prodhimit të tekstileve.

  1. Fransua Pukëvil (1770-1838)

Pukëvili ish prift, pastaj mjek, arkeolog, historian, është autor i librit Udhëtime në Epir, Kostandinopojë, Shqipëri dhe vise të tjera (1805), që i dha famë letrare dhe e shtyu Napoleonin ta emërojë konsull të Francës pranë Ali pashë Tepelenës. Emërimi i tij në Janinë shënon njohjen e Aliut si një fuqi autonome me raporte diplomatike të pavarura. Pukëvili për një kohë të gjatë ishte ndërmjetësi kryesor në negociatat e Aliut me francezët. Gjatë 10 vjetëve që jetoi në Janinë mblodhi një material të bollshëm historik dhe etnografik që solli në jetë edhe veprën e tij kryesore Historia e Ringjalljes së Greqisë (Histoire de la regeneration de la Grece), mbi të cilën janë bazuar të gjithë autorët e huaj që kanë shkruar për Ali Pashën. Megjithatë, S. Aravantinos, edhe pse kritikues i Pashait të Janinës, pohon se “opinionet e Pukëvilit janë pjellë e fantazisë dhe plot smirë”. Marrëdhëniet me Ali Pashën ishin në varësi të rrethanave politike të ditës, të raporteve me Francën dhe të rivaliteteve mes Anglisë dhe Francës. “Kur më vitin 1807 pas traktatit të Tilsitit, kontrolli i Ishujve Jonianë iu kaloi francezëve, Aliu pa t’i shkonin dëm sërish përpjekjet e tij për të vendosur sundimin mbi ta dhe qytetin e Pargës. I zemëruar me francezët për atë që ai e quajti tradhti, Aliu e futi në burg Pukëvilin. Ndaj të lind dyshimi se përshkrimi me ngjyra të forta që Pukëvili i bën Aliut është në njëfarë mase një hakmarrje e francezit. Por ky portret ka kushtëzuar të gjitha biografitë e mëpasshme të Aliut, të cilat stërzgjaten me hollësi të shumta për mizoritë dhe intrigat, duke lënë pas dore pothuajse fare synimet e tij të përgjithshme dhe rezultatet e arritura”. (Flemming, K.: po aty, f. 35). Në veprën e tij, ku flet edhe për gjuhën shqipe, gjendet fjalori latin që përdor autori me 27 germa, nga të cilat 2 greke, si edhe disa Vëzhgime gramatikore për gjuhën shqipe dhe një Fjalorth frëngjisht-shqip. Këto shënime gjuhësore, sado të shkurtra, kanë rëndësinë e vet. Ato janë nga të parat që u botuan në fillim të shek. XIX për shqipen në gjuhën frënge. Si të tilla, ato ngjallën edhe interesimin e dijetarëve të huaj për shqipen. Por këto vëzhgime gjuhësore vuajnë edhe nga disa  të meta të theksuara që lidhen me bindjet e pambështetura të autorit për sa i përket zanafillës së shqiptarëve. Edhe alfabeti me 27 germa që përdori ai, me bazë atë latin, ishte i pamjaftueshëm për të dhënë nuancat e tingujve të shqipes. Në Enciklopedinë e madhe Franceze veprat e Pukëvilit cilësohen “si punime të vulgarizuara sesa shkrime të vërteta origjinale dhe shkencore”. Në të vërtetë, sipas opinionit të Vangjel Th. Meksit (1903-1983), ishte Ali Pasha që detyroi Pukëvilin, me njohuri sipërfaqësore në gjuhësi, të përpilonte Vëzhgimet gramatikore për gjuhën shqipe, pasi humbi bastin me të në lidhje me aftësitë e gjuhës shqipe. Ali Pasha, që përgjërohej për gjuhën shqipe, mbronte idenë se edhe Dhiata mund të shqipërohej, kurse francezi kishte mendim të kundërt. Kur Ali Pasha, pas dy javësh, i dorëzoi konsullit të Francës shqipërimet me shkronja greke dhe latine të një kapitulli të Dhiatës së Re, ai pranoi se ishte humbës. Për këtë ngjarje të vitit 1813 Pukëvili dëshmon në librin e tij Voyage dans la Grece, 1820, f. 30. Veçse F. Pukëvili nuk gabonte gjithmonë. Duke shkruar për atdhedashurinë e shqiptarit ai dëshmon se: “Shqiptari nuk e harron kurrë atdheun e vet. Ai puth me emocion një letër që i vjen nga atdheu. Ata janë plot entuziazëm për vendin e tyre dhe nuk mund të harrojnë çatinë nën të cilën panë ditën dhe shkëmbinjtë e luginat ku ata endeshin etj”. Në lidhje me krenarinë kombëtare të shqiptarit Pukëvil shkruate: “Shqiptarët ruajnë me këmbëngulje gjuhën e tyre. Ata mbeten edhe kur janë larg e në mërgim, gjithmonë shqiptarë dhe krenarë për emrin e tyre”. Kthimi i Pukëvilit në Paris u prit me nderime të veçanta. Ai ishte ndër personat më të njohur në sallonet kryesore pariziene të kohës. Midis miqve e admiruesve të tij bënte pjesë edhe A. Duma (Alexandre Dumas), që e bëri edhe më të njohur në Europë Aliun. Veçse librat e serisë Krime të famshme, që mbajnë për autor Aleksandër Duma, në të vërtetë janë shkruar nga miku i tij asistent, Mallefille. (Pouqueville, F.: Ali Tepelena, Tiranë, 2009, f. 524).

  1. Xhorxh Bajron (1788-1824)

Xhorxh Gordon Bajron, poet romantik anglez, mbahet mend nga shqiptarët për shtegtimin që ndërmori për të njohur Shqipërinë, shqiptarët dhe Ali pashë Tepelenën. Përshtypjet që pati në përfundim të shtegtimit, ai i përfshiu në vargjet e poemës “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817). Poemën e përshkon patosi i luftës për liri të popujve të shtypur dhe të robëruar. Poeti i madh u këndoi edhe traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë. Për Bajronin Shqipëria ishte një vend me bukuri natyrore të rralla, shqiptarët, njerëz të pashëm, trima, krenarë, me fustanella të bardha, kurse Ali pashë Tepelena, një prijës i egër, por jo mizor, i pavarur nga Porta e Lartë, figura e tretë historike e shqiptarëve pas Aleksandrit të Madh dhe Skënderbeut. Bajronin e tërhiqte gjuha shqipe. Këtë e tregon fakti se ai herë pas here në poezinë e tij fuste fjalë shqipe dhe për më tepër jep edhe disa strofa nga poezia popullore shqiptare të përkthyera në anglisht. Për Bajronin gjuha shqipe eshtë një gjuhë e lashtë që atij i tingëllonte si gjuha kelte. Bajroni nuk është marrë me studime gjuhësore, por vetë fakti që ai është përpjekur për të dhënë një karakterizim të gjuhës shqipe, ishte me rëndësi për kohën e atëhershme.

  1. Hobhauz ose Lordi Broughton (1786-1869)

John Cam Hobhouse, që më vonë u quajt Lordi Broughton (1814), shkrimtar dhe politikan anglez, ishte shumë i afërt me poetin e shquar Bajron. Gjatë viteve 1809 dhe 1810 së bashku me Bajronin udhëtoi   në Spanjë, në Greqi, në Shqipëri, në Turqi etj., dhe botoi përshtypjet   e këtyre vizitave në veprën: Një udhëtim nëpër Shqipëri e provinca të tjera të Turqisë, në Evropë dhe Azi deri në Stamboll, gjatë viteve 1809 dhe 1810. Ky libër prej 1175 faqesh, tepër interesant dhe me vlerë, botuar më 1813 dhe ribotuar më 1858, e bëri që të zgjidhej anëtar i Shoqërisë Mbretërore të Londrës. Në librin e tij Hobhauz jep një përcaktim të kufijve etnikë të shqiptarëve dhe një tablo të jetës ekonomike-shoqërore dhe politike të vendit. Autorin e tërhoqi shumë figura e shqiptarit me doket, zakonet, veshjet, këngët etj., e sidomos ndjenja e fuqishme kombëtare, ndër të tjera edhe kur ai përgjigjej me krenari: “Unë jam shqiptar”. Ai vizitoi Shqipërinë pa as më të voglën parapërgatitje për shqipen, por me nuhatjen e tij të hollë prej gjuhëtari ai ka vërejtur me të drejtë se gjuha shqipe është e njëllojtë kudo në Shqipëri, ashtu si edhe gjithë shqiptarët.  Hobhauz u njoh me strukturën gramatikore të gjuhës shqipe nëpërmjet veprës së Da Lecces (1716), e para gramatikë shqipe e botuar. Hobhauz e deklaron vetë se gramatika e hartuar prej tij është vetëm një shkurtore e librit të Da Lecce-s. Në librin e tij Hobhauz ka përfshirë edhe gramatikën shqipe të Da Lecce-s në anglisht si dhe disa këngë popullore të arbëreshëve të Greqisë të mbledhura nga ai vetë.

 

XVI. HARMONIA FETARE OSE BASHKËJETESA SHQIPTARE NË SHTETIN E ALI PASHËS

  1. Politika fetare e Ali Pashës

Të krishterët konsideroheshin nga Porta e Lartë si popullsi e një shkalle më të ulët juridikisht, e privuar nga një varg privilegjesh shoqërore që ishin të rezervuara vetëm për myslimanët. Ata quheshin të pafe, sepse nuk përqafuan fenë islame. Kjo bënte që një mysliman i kategorisë më të ulët shoqërore të konsiderohej epror ndaj një të krishteri të një rangu më të lartë. Por Ali Pasha jo vetëm i respektoi  të drejtat e ortodoksëve në zotërimet e tij pavarësisht nga etnia, por i përkrahu edhe më tepër ata. “Nën qeverisjen e Ali pashë Tepelenës, të gjitha besimet fetare gjenin një tolerancë të gjerë. I krishteri nuk është i shtypur nga ata mekanizma sekondare të tiranisë që i bëjnë të padurueshëm zinxhirët që i lidhin”. (Holland, H.: Travels, 1815, f. 156-157). Në projektmarrëveshjen që Ali Pasha synonte të lidhte me Rusinë (1791) gjendet e shkruar: “Ali Pasha zotohet t’i trajtojë njëlloj si myslimanët, ashtu edhe të krishterët dhe t’i pranojë ata si në administratë ashtu edhe në ushtri, duke pasur si parim të vetëm aftësinë e tyre”. (Arsh, G.: Shqipëria dhe Epiri në fund të shek. XVIII, Moskë, 1963). Në shtetin e Ali Pashës zotëronte liria e plotë e kultit fetar kristian. Kishat dhe manastiret funksiononin normalisht. Pashai jo vetëm nxiste ndërtimin e tyre, por organizonte grumbullimin e mjeteve financiare nga populli dhe nga pasanikët, duke derdhur i pari të holla për to. Aliu u dhuronte kishave dhe manastireve toka, vreshta, ullishte, luadhe e bagëti nga pronat e tij. Ai shpesh i përjashtonte klerikët nga detyrimet dhe u vinte në dispozicion ushtarë për grumbullimin e taksave të tyre. “Përkatësia fetare nuk bëhej pengesë kryesore për një bashkëjetesë normale midis myslimanëve dhe të krishterëve, përkundrazi ata filluan të lidheshin në krushqi. Në fshatrat e Labërisë në të njëjtën tepsi piqej byreku i gatuar gjysmë me mish derri dhe gjysmë me mish dashi, që nga njëra anë hante burri i krishterë dhe nga ana tjetër gruaja myslimane”. (Kola, A.: Arvanitët, Tiranë, 2008, f. 114). Kishte raste edhe kur “Hoxha merrte për grua të djalit vajzën e priftit dhe prifti merrte vajzën e hoxhës për të birin”. (Aravantinos, P.: Hronografia…, 1856, f. 246). Politika e Ali pashë Tepelenës, që ndryshoi botëkuptimin e shqiptarëve që banonin në pashallëkun e tij lidhur me fenë, kishte në thelb çlirimin nga konceptet shabllone fetare dhe rritjen e mëtejshme të ndjenjave kombëtare mbi ato fetare. Është e sigurt se Aliu ndërtoi një shtet shqiptar përtej përkatësive fetare. Në pashallëkun e Janinës gjatë sundimit të Ali Pashës u theksua edhe më tepër indiferentizmi i popullit të thjeshtë si ndaj fesë myslimane, ashtu edhe fesë së krishterë. “Unë s’kam parë ushtarë kaq të lirë nga paragjykimet fetare. Nga më shumë se njëqind veta, vetëm pesë ose gjashtë faleshin. Shqiptarët nuk njiheshin si myslimanë të mirë. Ata të premten shkonin në xhami dhe të dielave në kishë”, shruante Hobhauz. (Hobhause, I. C., po aty, f. 117). Kurse Bajroni theksonte se: “Shqiptarët myslimanë s’janë të përpiktë në respektimin e ligjeve muhamedane”. Popullsia e krishterë në kohën e Ali Pashës jo vetëm filloi ta demaskonte hapur fenë dhe të shkëputej prej saj, por edhe të protestojë kundër politikës antipopullore të klerikëve të lartë, që zakonisht ishin me origjinë greke. Hollandi dëshmon se ka asistuar personalisht kur fshatarët shqiptarë në fshatrat afër Përmetit kishin vendosur ta mohonin fenë e për më tepër u propozuan priftërinjve që edhe ata të vepronin po ashtu. (Holland, H., po aty, f. 136). Shqiptarët në shtetin e Ali Pashës, pavarësisht nga besimi, jo vetëm nuk e ndryshuan karakterin etnik, por forconin edhe më tepër ndjenjat e tyre kombëtare. Hobhauzi, që e pa vetë këtë realitet në Shqipërinë Jugore, vinte në dukje se shqiptarët e të dy besimeve dalloheshin shumë nga popujt e tjerë të Perandorisë Osmane për ndjenjën e pavarësisë dhe dashurinë e madhe ndaj atdheut të tyre.

  1. Ali Pasha, bektashizmi dhe bektashinjtë

Bektashizmi, ky urdhër panteist mysliman me origjinë nga viset kufitare me Anadollin, ku bashkekzistojnë islamizmi, krishterimi dhe paganizmi (sinkretizmi – sistem fetar që fuzionon disa doktrina të ndryshme), pas shek. XVII u përhap në gjithë Ballkanin dhe veçanërisht në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, ku sipas disa studiuesve, në periudha të veçanta 9/10 e myslimanëve ishin kthyer në bektashinj. Liria më e madhe dhe lidhjet me fetë e tjera, veçori të bektashizmit, u pëlqyen shqiptarëve, ndër të cilët nuk mbeti një urdhër, por u bë sekt. Fuqizimi i bektashizmit në Shqipëri duket se ka përfituar në mënyrë të veçantë nga mbrojtja politike e Ali Pashës. Si rrjedhojë e mbështetjes që Aliu i dha këtij urdhri, numri i ithtarëve bektashinj u rrit në mënyrë të ndjeshme deri në atë masë sa Ali Pasha të shikohej si faktori kryesor për përhapjen e bektashizmit në Shqipëri. (Doja, A.: Bektashizmi në Shqipëri: Histori politike e një lëvizjeje fetare, Tiranë, 2009, f. 56-66). Marrëdhëniet ndërmjet Ali Pashës dhe bektashinjve u vendosën qartazi për arsye politike. Ali Pasha përqafoi dhe mbështeti bektashizmin i bindur se fuqia ideologjike dhe organizative e këtij sekti do t’i shërbente si mbështetje për politikën e tij në përgjithësi. Në këtë mënyrë dervishët bektashinj, që zakonisht jetonin në fshatra, por edhe në qytete, i kanë shërbyer Aliut si propagandues të politikave të tij për t’i siguruar mbështetje nga populli dhe për t’i rritur famën. Duke përqafuar bektashizmin dhe duke mbështetur përhapjen e urdhrit, i cili mëtonte hakmarrjen e shiitëve ndaj sundimit të sunitëve që paraqisnin fenë zyrtare të Perandorisë Osmane, Ali Pasha shpalli botërisht konfliktin jo vetëm politik, por edhe fetar me sundimin osman. Një përqasje analitike që kërkon të studiojë teorinë dhe ideologjinë e nacionalizmit shqiptar nuk mund të anashkalojë lidhjet politiko- fetare të Ali Pashës me bektashinjtë. Kjo lidhje tregon se ky sekt që pretendonte mbi të gjitha ndershmëri, duket se kishte zbuluar tek Ali Pasha një model të virtyteve njerëzore. Tashmë është e qartë, Ali Pasha përhapi herezinë bektashiane në radhët e shqiptarëve myslimanë, si një instrument ndihmës për të shkëputur shqiptarët nga turqit pushtues dhe për të krijuar shtetin kombëtar shqiptar. Sigurisht, bektashizmi asnjëherë nuk është paraqitur hapur si një forcë e mundshme e aftë të krijonte një identitet shqiptar dhe një shtet shqiptar të pavarur. Veçse mbështetja jo vetëm shpirtërore, por edhe materiale, që nuk kursenin t’i jepnin Ali pashë Tepelenës, që synonte fillimisht një qeverisje të suksesshme dhe më tej pavarësinë, kryhej në dritë të diellit. Për krerët bektashinj, qëndresa kundër autoritetit qendror nga ana e Ali Pashës përkonte me qëndrimin historik të bektashinjve. Si një grup fetar që ndiqte një vijë jozyrtare të fesë islame, ata ishin në kundërvënie me autoritetet qendrore sunite dhe në mënyrë të natyrshme edhe ndaj politikës së autoriteteve osmane, e cila mbështetej te sunizmi. Marrëdhëniet gjithnjë të vështira të bektashinjve me autoritetet fetare dhe politike kanë ndikuar në zgjedhjen nga ana e tyre të një qëndrimi antiosman dhe nacionalist. Që kjo opozitë fetare të mos shndërrohej në një opozitë kulturore- fetare dhe më pas në një opozitë politiko-fetare, Sulltan Mahmudi II, katër vjet pas vrasjes së Ali Pashës, urdhëroi në vitin 1826 mbylljen  e të gjitha teqeve bektashiane. Si në gjithë Perandorinë Osmane, ata u përndoqën edhe në Shqipëri, ku u ndërmor një pastrim i pamëshirshëm i bektashinjve.

XVII.      EKONOMIA GJATË SUNDIMIT TË ALI PASHËS

  1. Ekonomia fshatare

Në zotërimet e Ali Pashës, të cilat për shkak të politikës së tij kontrolloheshin në një shkallë më të vogël nga sulltani, proceset e prishjes së sistemit feudo-ushtarak të timareve dhe krijimi i çifligjeve që kaluan në duart e feudalëve vendës u zhvilluan me hapa galopantë.

Bujqësia

Pavarësisht nga mënyrat që përdorte Aliu për shtimin e pronave të tij, ai kujdesej që gjithçka të përfundonte në formën e akteve të shitblerjes, të hartuara sipas legjislacionit në fuqi. Në zotërimet e Ali Pashës çifligjet administroheshin në mënyrë të organizuar. Mbaheshin regjistra të posaçëm ku shënoheshin emrat e çdo ferme dhe çdo fermeri. Në këto çifligje ishin ndërtuar depo të posaçme, ku prodhimet ruheshin nën kujdesin e një koçobashi. Aliu nxiste pronarët e çifligjeve për përmirësimin e kulturave bujqësore duke shfrytëzuar për këtë qëllim dhe specialistë të huaj. Në kohën e Aliut u ndërtuan vepra të shumta vaditëse dhe u dërguan njerëz të mësonin nga përvoja e përparuar e bujqësisë evropiane, të cilët kishin arritur deri në Liverpul. Ai vetë mbante vazhdimisht pranë dy specialistë italianë të kopshtarisë. Meqë në Thesali kishte mungesa të theksuara krahu pune dhe sipërfaqe të mëdha tokash djerrë, Aliu vendosi atje fshatarë nga krahinat e varfra të Shqipërisë Jugore, sidomos nga zonat e Himarës dhe trojet e tjera të bregdetit shqiptar, që ishin të varfra me toka të punueshme. Në çifligje prodhoheshin sasi të mëdha gruri, pambuku, duhani, orizi, mishi, vezësh, leshi, qumështi, zarzavatesh, arrash, lajthish dhe gështenjash. Nga pyjet grumbullohej lëndë drusore dhe deri lëvozhgat e lisit, nga nxirrej taninë për regjie lëkurësh. Botimet e huaja e cilësonin asokohe Shqipërinë Jugore si “krahina më e pasur me prodhime bujqësore e perandorisë osmane”. Zhvillimi bujqësor filloi edhe në rajonet malore e kodrinore. Spenceri pohonte se “shqiptarët e malësive njihnin mirë përparësitë e vaditjes dhe se në kopshtet e tyre s’ishin të panjohura shumica e frutave më të zgjedhura të Evropës Perëndimore”. Për këtë arsye ai sugjeronte se “Shqipëria është vendi që duhej vizituar prej botanistit dhe hortikulturistit”.

Blegtoria, gjuetia dhe peshkimi

Blegtoria zhvilloi më tej traditat e saj, deri sa zuri një ndër vendet kryesore si burim prodhimi e pasurimi për vendin. Sipas burimeve të kohës, pashallëku i Janinës kish rreth 3 milionë dhen e 6 milionë dhi, nga të cilat afro 5 milionë ishin në Shqipërinë Jugore. Vetëm në Myzeqe kishte rreth një milion dhen e po aq dhi, pa përfshirë kopetë e Ali Pashës, bejlerëve dhe agallarëve të tjerë shqiptarë që vlerësoheshin në më shumë se 1 milion dhen e po aq dhi. Për tufa të mëdha bagëtish shquhej Labëria. Vetëm në fshatrat e Tepelenës numëroheshin rreth 30 mijë krerë bagëti, ndërsa në fshatrat e Janinës dhe Kurveleshit 200 mijë dhen e 400 mijë dhi. Shqiptarët praktikonin gjerësisht gjuetinë e shpendëve dhe të kafshëve të egra të pyjeve, nga siguronin jo vetëm mish të shijshëm, por edhe lëkurë arinjsh, dhelprash, sorkadhesh, lepujsh për përdorim vetjak dhe eksport. Në trevat e pasura për peshkim ishin ngritur dajlane për grumbullimin dhe shitjen e peshkut.

  1. Zejtaria

Kalimi në sistemin e çifligut krijoi premisa zhvillimi më të mëdha të zejtarisë dhe të tregtisë, të cilat nga ana e tyre zhvilluan jetën e qyteteve e tregjeve lokale dhe së bashku me shtimin e kërkesave të brendshme për mallra dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike me botën e jashtme, i dhanë një hov të përgjithshëm ekonomisë në pashallëkun e Janinës.

Esnafet

Prodhuesit e vegjël u bashkuan në organizata të veçanta sipas zejeve që u quajtën esnafe, të cilët shfrytëzonin punën e çirakëve, kallfëve dhe mëditësve. Këto bashkime prodhuesish kishin secili statutin e vet që përcaktonte organizimin, prodhimet dhe shitjen e produkteve, luftën kundër konkurrencës, mbrojtjen e anëtarëve të organizatës e deri kryerjen e funksioneve shoqërore, politike, ushtarake e fetare. Ali Pasha miratoi një rregull fiskal i cili ndihmoi së tepërmi aktivizimin e esnafëve, që sipas burimeve të kohës arritën në rreth 75 lloje. Organizimi i esnafeve arriti deri në atë shkallë sa të realizohej një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet kishës e shkollës. Kështu esnafet e Voskopojës paguanin nga të ardhurat e tyre mësuesit e shkollës, u jepnin nxënësve bursa, mbanin kisha etj. Kazanxhijtë, argjendarët e gëzoftarët e Elbasanit paguan në vitin 1812 mësuesin Argjir, që t’u jepte fëmijëve të tyre mësim brenda mureve të kalasë. Esnafët e Kavajës mbanin me shpenzimet e veta një shkollë fetare myslimane me 4 mësues. Esnafet në përgjithësi bashkëpunonin me Aliun, i cili nuk ndërhynte në punët e tyre. Bashkëpunimi më madh i tij me esnafet u duk në luftën e Pashait kryengritës kundër sulltanit në vitin 1921. Krahas esnafeve në qytete, rol të veçantë në prodhimin e mallrave luajtën mjeshtëritë shtëpiake e zejtare fshatare, ku puna e përbashkët e anëtarëve të familjes udhëhiqej kryesisht nga gruaja. (Ushtelenca, I.: Shteti dhe Qeverisja e Ali pashë Tepelenës, f. 176-184). Në Janinë funksionin rreth 100 zeje (profesione) të ndryshme, të cilat ushtroheshin në mbi 40 punishte të mëdha. Ndër më të përmendurat ishin veçanërisht ato të gëzoftarisë, lëkurës, qëndistarisë, argjendarisë, ku prodhoheshin veshje leshi e pambuku, qëndisur me fije e kordona ari, kryesisht kostume kombëtare shqiptare. Gjirokastra, e cila në fund të shekullit XVIII kishte rreth 15 mijë banorë dhe e mbante pazarin e saj mbushur me çfarëdolloj malli, lidhej me botën e jashtme nëpërmjet portit të Vlorës. Punishtet e duhanit nuhatës (bërnoti), që ndodheshin në Gjirokastër dhe në Peshkëpi, Hobhauzi i cilësonte si më të mëdhatë në gjithë Turqinë Evropiane. Në Vlorë, në Durrës e në Korçë u krijua një sistem esnafor deri në atë shkallë sa shtiu në dorë të gjitha funksionet ekonomike-shoqërore të këtyre qyteteve.

Llojet kryesore të zejeve

Degët më të zhvilluara të esnafeve në zejtari ishin ato të tekstileve, metaleve, drurit etj., deri në ato të bujqësisë dhe të blegtorisë. Në degën e tekstileve vend të posaçëm zinin mjeshtëritë tradicionale të prerjes e qepjes së veshjeve kombëtare shqiptare, si në Janinë, Korçë e Çamëri. Përmirësimi i regjjes së lëkurës çoi në rritjen e sasisë së opingave, papuçeve, këpucëve për vend dhe eksport. Lënda drusore filloi të përdorej, jo vetëm për ndërtim e ngrohje, por edhe për orendi shtëpiake dhe mobilie. Portet frënge të Tulonit e Marsejës dhe portet angleze tërhiqnin sasi të mëdha lënde drusore shqiptare për ndërtimin e anijeve tregtare e ushtarake. Zhvillimi i zejtarisë përfshiu degët e përpunimit të metaleve, ku mori hov prodhimi i objekteve prej hekuri, çeliku, bakri e teneqeje. Armëtaria arriti kulmin. Në Janinë, Elbasan, Berat, Delvinë e Tepelenë prodhoheshin jo vetëm shpata, jataganë, kama e thika, por edhe armë zjarri të llojeve të ndryshme. Ato ishin të një cilësie të tillë që termi “pushkë shqiptare” (Albanian gun) u bë i njohur kudo në Evropë. Krijimi i aristokracisë feudale dhe i borgjezise tregtare i dha shkas edhe zhvillimit të zejeve që prodhonin artikuj luksi. Filloi për herë të parë në historinë e vendit prodhimi në masë i barutit. Në zotërimet e Ali Pashës prodhoheshin dhe armë të rënda si topa dhe gjyle. Aliu tregoi interes të posaçëm edhe për zbulimin e pasurive minerale.

  1. Ndërtimet publike

Në asnjë periudhë tjetër të mëparshme s’u bënë më shumë ndërtime se gjatë qeverisjes së Ali pashë Tepelenës. Kjo, sepse gjendja ekonomike dhe qetësia e brendshme e pashallëkut e mundësonin një gjë të tillë. Aliu ngriti fshatra të reja, saraje, fortesa, vepra publike, monumente kulture dhe institucione fetare. Aliu ndërtoi shumë rrugë të reja që lidhnin Janinën me Tepelenën, Prevezën e qytetet e tjera. Me urdhër të pashait u riparua dhe filloi nga puna pjesa e rrugës që kalonte përmes pashallëkut të Janinës dhe Via Egnatia-s. Edhe nga Berati filluan të funksionojnë dy rrugë kryesore që e lidhnin atë me gjithë Shqipërinë. Nyjë e rëndësishme rrugore u bë Elbasani, përmes të cilit kalonte rruga Durrës-Selanik. Aliut iu desh të riparonte edhe shumë ura, si dhe të ndërtonte të reja. Pashai i kushtoi rëndësi transportit detar. Ai filloi ndërtimin e anijeve tregtare e ushtarake dhe u orvat të shfrytëzonte kantieret anijendërtuese në bregdetin Jon. Pothuajse kudo ku kalonin rrugët kryesore u shtua ndërtimi i haneve, dëshmi e gjallërimit të tregtisë e komunikacionit. Pashai s’la pas dore ndërtimin e çezmave publike, ujësjellësve, kanaleve vaditëse. Në Gjirokastër në vitin 1812 ndërtoi menjëherë një ujësjellës madhështor, të mbështetur mbi arkadat e larta disakatëshe që kishin gjatësi dhjetë kilometra. Ujësjellësi i Gjirokastrës shfrytëzonte burimet ujore të Sopotit dhe ishte zbukuruar me shumë vepra arti. Rëndësi të veçantë u kushtoi pashai edhe punimeve bonifikuese. Ali Pasha i kishte pasion ndërtimet dhe ndiqte personalisht vazhdimin e punimeve.

  1. Tregtia

Rritja e prodhimeve bujqësore e blegtorale i dha shtytje të madhe shkëmbimit mall-para. Kjo shënoi kthesë në ekonominë e pashallëkut dhe prodhimet e tij filluan të kërkojnë rrugë të reja për tregje të brendshme e të jashtme. Mbi bazën e tregjeve të vogla lokale filloi lindja e tregjeve të mëdha si qendra të rëndësishme ekonomike e administrative, të cilat në kushtet e forcimit politik të Ali pashë Tepelenës u forcuan edhe më shumë. Janina, Berati, Vlora, Gjirokastra u bënë kryeqendra të një sistemi që përmblidhte në gjirin e vet veprimtaritë ekonomike  të Shqipërisë Jugore, Epirit e pjesërisht të Thesalisë. Në këtë kuadër pazaret shqiptare u bënë qendrat më të rëndësishme që përmblidhnin gjithë jetën tregtare të qyteteve, që siç pohojnë burimet e kohës, kishin furnizim të bollshëm me prodhime nga më të mirat në gjithë Turqinë Evropiane. Në zotërimet e Ali Pashës organizoheshin rreth 20 panaire në vit, që qëndronin hapur për dy javë me radhë. Ato funksiononin sipas  një kriteri e disipline të caktuar, mbështetur mbi një varg rregullash e normash. Qysh nga fundi i shekullit XVIII dhe nga fillimi i atij XIX, tregtarët shqiptarë filluan të marrin në duart e tyre tregtinë e jashtme të prodhimeve të vendit. Vlora, Saranda, Porto Palermo, Preveza, Arta e Butrinti u bënë porte për eksportet jo vetëm në vendet fqinje, por edhe më larg, në Raguzë, Napoli, Gjenovë, Marsejë e deri në Angli, Spanjë, Portugali, Egjipt dhe Rusi. Nga pashallëku i Janinës eksportoheshin sasi të mëdha leshi, pambuku, pëlhurash, stofrash, lëkurësh e lëndësh druri. Palltot e gunat e Çamërisë, Janinës e Konicës, punuar me shajak, shiteshin rregullisht në Napoli, Trieste, deri në Siri e Egjipt e pothuaj në gjithë portet e Egjeut. Nga prodhimet bujqësore eksportoheshin sasi të mëdha gruri e misri, bagëti, vaj, agrume, verë, mjaltë, prodhime blegtorale etj. Importoheshin pushkë, pistoleta, letra e qelqurina nga Italia; fije ari dhe argjendi nga Vjena; kafe, sheqer, kinkaleri e mallra të ndryshme koloniale nga Franca e Anglia; çallma, shalle, gëzof e qelibar nga Turqia; oriz nga Egjipti; prodhime lëkure, gëzofë e peliçe nga Rusia; lëkurë luanësh e panterash nga Afrika dhe barut e armë të ndryshme nga Gjermania. Transporti detar në portet shqiptare bëhej me anije të mëdha të huaja, por s’mungonin dhe të voglat vendëse nga Arta, Parga, Preveza e Vlora, të tregtarëve të pasur çamë e himariotë. Ali Pasha interesohej personalisht që të respektoheshin të drejtat e tregtarëve të huaj në zotërimet e tij dhe s’linte pas dore mbrojtjen e të drejtave të tregtarëve shqiptarë kur shkeleshin nga të huajt. Masa të rrepta mori Ali Pasha kundër kontrabandës së çfarëdo forme. Zhvillimi i tregtisë së jashtme në shtetin e Aliut bëri që bilanci i saj të ishte në favor të tregtarëve vendës. Kështu, nga Shqipëria Jugore, kryesisht nga Myzeqeja, u eksportuan më 1812 prodhime bujqësore me vlerë rreth 2 milionë piastra dhe u importuan mallra me vlerë afro 1 milion piastra, pra me fitim rreth 1 milion piastra në vit. “Për sa i përket bilancit të të ardhurave dhe shpenzimeve, të ardhurat e përgjithshme arrinin rreth 22 milionë piastra në vit, nga të cilat shpenzoheshin për likuidimin e detyrimeve të Stambollit 2 milion piastra, për shpenzimet ushtarake 2 milion piastra, për ndërtimet, ryshfetet, jetën mondane etj. 2 milionë piastra. Atëherë të ardhurat që i mbeteshin çdo vit ishin rreth 16 milion piastra”. (AMAE. AD, Turquie, 1808-1813: “Memorie e Besierit mbi Ali Pashën e Janinës”, Venetia, 1969, t. 6, f. 258-260; cituar nga Ushtelenca, I., po aty, f. 207).

 XVIII. KARRIERA E ALI PASHË TEPELENËS

Kur K. Fleming nis të paraqesë karrierën e Ali pashë Tepelenës si diplomat, ajo e fillon atë kur Britania e Madhe dërgoi Morierin (1804- 1805) dhe ushtarakun topograf Lik (1807- 1808) në Janinë për të bindur Aliun të shpallte pavarësinë e zotërimeve të tij në kundërshtim me këshillat e francezëve, vetëm në rast se qeveria e Stambollit do të humbiste kontrollin mbi territoret evropiane të Perandorisë. Në të vërtetë francezët kishin filluar të negocionin fshehurazi me Aliun shumë përpara anglezëve, qysh nga viti 1797, kur ata pushtuan për të parën herë Ishujt Jonianë. Por dimensionet ndërkombëtare të Aliut ishin shpalosur edhe disa vjet më parë, në vitin 1791, atëherë kur Aliu nëpërmjet gjeneralit rus Tamara, komandant i flotiljes ruse në Detin Mesdhe, i dërgoi princit Potjomkin, numri dy i hierarkisë së lartë ruse, projekt-marrëveshjen e bashkëpunimit me Rusinë për të formuar një shtet të pavarur nga Perandoria Osmane. Ky dokument, i përpiluar në bazë të deklaratës së të drejtave të njeriut nga revolucionarët francezë vetëm dy vjet më parë, vërteton se pashai kishte flakur ideologjinë perandorake osmane për të përqafuar një formë statizmi dhe nacionalizmi të ndikuar nga mësimet e Revolucionit Francez. Duke kërkuar ndihmën e rusëve për të ndezur së bashku me grekët një kryengritje antiosmane dhe më pas për të krijuar një shtet të pavarur, demokratik, me tolerancë fetare, me gjuhë të parë greqishten dhe gjuhë të dytë shqipen, del qartazi në pah madhështia e Ali Pashës si politikan vizionar dhe reformator i lindur, për projektimin dhe realizimin e projekteve të mëdha. Në një kohë kur Republika e Venetikut ishte pushtuese e trojeve shqiptare dhe kur mundësitë e duhura të kësaj republike për të kryer veprime politiko-ushtarake të këtyre dimensioneve mungonin, kur Anglia me Francën ende nuk ishin afruar në këto rajone, vetëm Rusia, një nga Fuqitë e Mëdha evropiane të kohës dhe tutore e ortodoksëve të Ballkanit, mund të pranonte ftesën e Ali pashë Tepelenës. Por duket se ‘ariu rus’, në të vërtetë gjeografikisht i ndodhur larg këtyre trojeve, nuk e ndiente veten ari të vërtetë. Ky aksion diplomatik i përmasave të konsiderueshme ndërkombëtare u ideua, u formulua dhe filloi të implementohej nga një ekip i përbërë nga personalite të shquara të kohës, njohës të politikave ndërkombëtare, të historisë, gjuhëve të huaja etj. Flitet vetëm për Aliun, por ndoshta duhen përmendur për kontributin që kanë dhënë që në fillimet e aktivitetit të administratës së shtetit të Aliut edhe shqiptarët Kostandin Duka nga Përmeti dhe Haxhi Shehreti nga Delvina, epirotasit Spiro Kolovo, Jani Koleti dhe Athanas Psalidha, italiani Marko Kurini (Myftar Efendi), francezi Cerfber (Ibrahim Manzur Efendi) etj. Tashmë është e qartë se që në fillimet e karrierës së tij Ali Pasha, edhe pse guvernator i një njësie administrative modeste, synonte të krijonte një mbretëri që do të ishte sipas situatave të brendshme dhe të jashtme, pak a shumë e pavarur ndaj kërkesave politike dhe ekonomike të Stambollit. Disa nga biografët e Aliut, të djeshëm dhe të sotëm, në vazhdën e baltosjes së figurës së Ali pashë Tepelenës, në mënyrë tendencioze insistojnë për “mungesën e plotë të evolucionit në personalitetin e Aliut”. Por duke shqyrtuar dokumentet konsullore lidhur me marrëdhëniet mes Janinës dhe fuqive evropiane, si edhe faktet e dokumentet e tjera të paraqitura në librat e studimet e ndryshme të udhëtarëve, historianëve dhe studiuesve të shumtë që janë marrë me figurën e Pashait të Janinës, shpaloset dukshëm evolucioni në botëkuptimin e tij politik dhe ideologjik, si edhe mënyra e sjelljes së Aliut, që po i ngjante një princi perëndimor. Përparimet e Aliut ishin të dallueshme. Ai u shfaq në skakierën e politikës ndërkombëtare ndryshe nga kolegët e tij ballkanikë, pasi kishte njohur dhe asimiluar me pasion dhe mezi priste t’i zbatonte idetë e pavdekshme të Revolucionit Francez. Merita e Ali Pashës është se ai nuk u gjend i papërgatitur para ndryshimeve politike, ekonomike dhe shoqërore që po ndodhnin kudo në Evropë. Por merita më e madhe e Aliut është se në varësi të rrethanave dhe gjeopolitikës evoluoi dukshëm nga një pasha otoman në një udhëheqës me tendenca moderniste, i aftë për të krijuar shtetin e vet autonom shqiptar dhe më pas jo të varur. Në vitet e para të shek. XIX, pasi arriti të bashkonte nën sundimin e tij të gjitha trojet shqiptare të Shqipërisë së Jugut dhe Epirin, Aliu formoi një shtet praktikisht të pavarur, me administratë të stërvitur dhe eficiente, me thesarin e tij që lakmohej nga të gjithë, me ushtrinë efektive në gatishmëri të plotë dhe me politikën e jashtme të pavarur. Ky shtet u ngrit falë politikave të suksesshme të Aliut në sferën ekonomike, administrative, diplomatike, ushtarake etj., fillimisht, me të drejtë, duke mos e shpallur hapur si shtet shqiptar të pavarur dhe më pas, gjatë viteve 1820-1822, ai u transformua në një shtet të tillë që do të kishte edhe kushtetutën e tij, të njëjtë me kushtetutat e vendeve evropiane. Sukseset e dukshme dhe të gjithanshme që burojnë drejtpërdrejt nga Aliu si ideator, reformator dhe zbatues këmbëngulës i tyre, lidhen me aftësinë e tij për të qenë më aktivi në reformën për ndryshimin e pronësisë së tokave, duke bërë të mundur që pronarë të ishin shqiptarët, grekët dhe vllehtë në tokat e tyre dhe jo spahinjtë turq që u zbuan duke përdorur të gjitha mënyrat, legale dhe jo legale, të mundshme. Në raportet e krijuara me tokën, tashmë pronë e tyre, lindi nacionalizmi shqiptar që do të konsolidohej edhe më tej me bashkimin e trojeve dhe formimin e shtetit shqiptar, me vendosjen përfundimisht të paqes dhe të qetësisë në vendin e vjedhjeve, vrasjeve dhe hakmarrjes, me zhvillimin politiko-ekonomik e kulturor, si edhe me lëvrimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave shqipe. Në këtë mënyrë, dimensionet e Ali Pashës si patriot shqiptar, politikan, ushtarak dhe diplomat u rritën dukshëm në mënyrë të menjëhershme. Karriera e Ali Pashës mund të ndahet fare mirë në katër periudha  të dallueshme njëra nga tjetra, të cilat paraqesin njëkohësisht edhe evolucionin e tij. Periudha e parë përmbledh tre dhjetëvjeçarët e ngritjes së tij në pushtet deri në vitin 1787, kur sulmoi dhe pushtoi Janinën duke hequr guvernatorin e qytetit të emëruar nga Porta e Lartë, e cila pas disa muajsh u detyrua ta njohë Aliun si guvernator. Gjatë kësaj periudhe Aliu ngjiti shkallët e burokracisë provinciale osmane nëpërmjet mekanizmave që përdoreshin në kontekstin e qeverisjes osmane të gërshetuar edhe me traditat shqiptare. Me këtë rast duhet theksuar se veprimtaria e Aliut kryhej duke respektuar skemat përkatëse të kohës. Periudha e dytë shtrihet nga viti 1787 deri më vitin 1804. Për shkaqe historike, gjeografike, politike dhe ideologjike, Aliu u gjend në vendin e takimit mes forcave ushtarake, diplomatike dhe ekonomike të pesë Fuqive të Mëdha të kohës: të Venedikut, të Turqisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Rusisë. Kjo periudhë përcaktohet me shpërthimin e Revolucionit Francez dhe infiltrimin në vendet e Ballkanit të ideve të reja që ai gjeneroi, të cilat lanë gjurmë të thella tek Aliu, dhe me fundin e hegjemonisë venedikase në detin Adriatik, Jon dhe më gjerë. Që në vitet e para të kësaj periudhe Aliu ishte i ndërgjegjshëm se sistemi i vjetër osman i qeverisjes, i diplomacisë dhe i tregtisë nuk përshtatej me rendin e ri botëror dhe me mënyrën e re të trajtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai kishte kuptuar se duke qenë pjesë përbërëse e administratës osmane do të përfundonte në një veli osman dhe asgjë më tepër. Por Aliu u vu në kërkim të një modeli të ri qeverisjeje, të një kuadri të ri politik dhe marrëdhëniesh ndërkombëtare, të afta për të arritur objektivin e tij të patjetërsueshëm për një sundim të pavarur në një shtet demokratik, që do të përpiqej të zgjidhte çështjet nacionale, shoqërore, fetare, të arsimit dhe të kulturës dhe do të shtrihej brenda kufijve etnikë të shqiptarëve, por duke luajtur, sipas rrethanave, edhe rolin e tutorit për popujt e tjerë fqinjë. Në këtë periudhë filluan kontaktet e para me francezët (1797), që morën në zotërim 7 Ishujt Jonianë. Në këtë periudhë u hodhën hapat e parë në botën e diplomacisë ndërkombëtare, veçse ende formalisht nën emrin e Portës së Lartë. Periudha e tretë, nga viti 1804 deri në vitin 1815, karakterizohet nga vendosja e lidhjeve diplomatike zyrtare të pavarura si me britanikët ashtu edhe me francezët, me të cilët formuloi qartë dhe me vendosmëri pretendimet e tij për të zgjeruar pushtetin në territoret tokësore joniane, që i konsideronte të vendosura brenda kufijve etnikë shqiptarë, por edhe në ishujt përballë tyre. Me mprehtësinë e tij politike, e gërshetuar me një përvojë jo të vogël, i mbështetur nga ushtria e tij e madhe dhe e stërvitur, si dhe me pasurinë e tij përrallore, Aliu e konsideronte veten një sundimtar praktikisht të pavarur nga shteti osman. Të tillë e konsideronin edhe qarqet politike të Europës. Ndërkohë që botëkuptimi i tij kishte ndryshuar dhe ishte zhvendosur drejt Perëndimit, Aliu po modelonte edhe veten e tij si një prijës perëndimor i një shteti autonom shqiptar, ndërkohë kur nacionalizmi po fillonte rrugëtimin drejt konsolidimit. Periudha e katërt (1815-1822) fillon me Kongresin e Vjenës, që mund të quhet edhe Kongresi i kthimit të monarkive të vjetra ose Kongresi i kufijve të pandryshueshëm, edhe pse Aliu me përfshirjen  e Pargës në shtetin e Janinës (1819) përfundoi me sukses projektin e tij të kahershëm. Në Kongresin e Vjenës u vendos gjithashtu edhe për ruajtjen e integritetit të Perandorisë Osmane, e cila në këtë mënyrë do t’i kishte të gjitha mundësitë për të shtypur pashallarët separatistë, ndër ta edhe Ali pashë Tepelenën. Në këto kushte Aliu mund të zgjidhte njërin nga këto dy opsione:

– Të pranonte ftesën e britanikëve për të gjetur strehim në Korfuz ndaj agresionit të paevitueshëm nga Porta e Lartë.

– Të sfidonte ushtritë perandorake duke shpresuar në krijimin e një fronti antiotoman panballkanik.

Aliu, si një kapiten i mirë që nuk e braktis anijen, i shpalli luftë Perandorisë Osmane dhe u vra duke luftuar në trojet e tij sipas traditës së vjetër shqiptare.

 

XIX.        SHTETI SHQIPTAR AUTONOM I JANINËS DREJT MONARKISË KONSTITUCIONALE SHQIPTARE

  1. Bilanci i realizimit të reformave

Gjatë pushtetit të Ali Pashës u shfaq dhe u forcua ekonomia e tregut, pararoja e rendit kapitalist, që nga ana historike konsiderohet si një hap progresiv. Në realizimin e këtij procesi ai u ndihmua nga terreni fushor i pashallëkut, i favorshëm për ekonominë e tregut, dhe nga kontaktet me Europën, e cila nëpërmjet Ishujve Jonianë iu afrua pashallëkut të tij. Shndërrimi i timarit shtetëror në çiflig pronë private, u shoqërua edhe me dy faktorë jetikë: bujqve u sigurohej rendi, ata mbroheshin nga bandat dhe arbitraritetet e spahiut, dhe, për më tepër, ishin të sigurt se prodhimi do të përfundonte edhe në hambarët e tyre. Lufta e pamëshirshme që Ali Pasha zhvilloi kundër bandave të hajdutëve dhe spahinjve solli stabilitet, rend dhe qetësi në jetën e brendshme të pashallëkut dhe, si pasojë, gjallërim të jetës ekonomike të vendit. Pashallëku i Janinës u kthye në një hambar që furnizonte me drithë ushtritë frënge, ruse dhe angleze, kurse Aliu ishte tepër i interesuar për t’i siguruar fshatarët gjatë punës së tyre prodhuese. Pas provës së parë për marrëveshje me rusët, që rezultoi pa sukses, Aliut i duhej që ta modifikonte dhe ta mbante për vete përkohësisht të fshehur projektin për një shtet shqiptar të pavarur. Në projektin e tij tashmë të modifikuar ai kishte parashikuar që të largohej gradualisht nga varësia e Stambollit, këtë radhë duke u besuar edhe më shumë shqiptarëve, që falë reformave që kreu ishin më të arsimuar dhe më të ditur. “Aso kohe, shkruan Finlay, fëmijët shqiptarë mund t’i shikoje në një dhomë të mësonin me mësues osmanishten dhe në dhomën tjetër një grup të rinjsh që studionin gramatikën helenike…”. (Finlay, po aty, f. 242). Në ato vite u ngritën në Janinë edhe dy akademi arsimore: Zosimea dhe Bolanu, ku filluan të shkojnë dhe të ndjekin studimet gjenerata të tëra të rinjsh shqiptarë dhe grekë. Si rezultat i reformave të kryera me sukses, Pashallëku i Janinës dallohej në mënyrë të dukshme nga të gjitha krahinat e tjera të Perandorisë Osmane që rrënoheshin çdo ditë e më shumë. Të gjithë të huajt që vizituan Janinën vlerësuan progresin e shkëlqyer dhe befasues kulturor, ekonomik dhe tregtar të këtij qyteti. Paralelisht me zgjerimin e pashallëkut, Ali Pasha ndërmori mjaft reforma për forcimin e brendshëm të pashallëkut. Që në hapat e parë Aliu zhduku plotësisht anarkinë feudale dhe vendosi rregullin e qetësinë. U vendosën në pozita kyçe të rrugëve garnizone ushtarake. Nga ana e saj ushtria, që ishte prej 15,000 vetash në kohë paqeje, mund të dyfishohej ose trefishohej në kohë lufte. Krahas ushtrisë, Aliu krijoi armën e policisë, e cila kishte një rrjet të gjerë informatorësh jo vetëm brenda pashallëkut, por edhe në oborret e sundimtarëve fqinjë, në pallatin e Sulltanit dhe në kryeqytetet e shteteve të mëdha të Evropës. Afërsisht pas dy dhjetëvjeçarësh të ushtrimit të pushtetit nga Ali Pasha në Janinë, kishte filluar konsolidimi i shqiptarëve si komb. Shqiptarët që jetonin në zotërimet e Ali pashë Tepelenës ruajtën dhe zhvilluan më tej virtytet kombëtare, e bashkë me to edhe krenarinë kombëtare. Të huajt që vizitonin asokohe pashallëkun e Janinës s’e ndanin patriotizmin e shqiptarëve nga krenaria e tyre kombëtare, si një ndjenjë e fuqishme etnike, si tipari më i theksuar i karakterit të tyre. Kjo krenari shfaqej dhe në respektin e tyre për luftërat legjendare ndaj pushtuesit osman, figurës së heroit kombëtar – Skënderbeu dhe prijësit të tyre Ali pashë Tepelena, që synonte ta shkëpuste Shqipërinë Jugore dhe Epirin nga varësia politike e sulltanit. Megjithëse në Shqipërinë e Jugut ekzistonin dy popullsi me fe të ndryshme, kjo nuk nxiti krijimin e dy kulturave materiale dhe shpirtërore të veçanta. Për shqiptarët, si të besimit mysliman, edhe të besimit kristian, ishte i përgjithshëm shpirti i pavarësisë dhe i dashurisë për vendin e tyre. Të dhëna të shumta japin mundësinë të konstatohet që aparati i pushtetit të Ali Pashës u konsolidua dhe u perfeksionua duke aplikuar metodat moderne qeverisëse të kohës dhe duke angazhuar specialistë të huaj, që rrallë gjendeshin në atë kohë në Perandorinë Otomane. Ardhja e specialistëve të huaj u mundësua falë vullnetit të Ali Pashës, por edhe në saje të krijimit të financave të pasura të pashallëkut. Veprimtaria e Ali Pashës, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme, tregoi se ai në fakt qeverisi dukshëm në mënyrë të pavarur:

-Ngriti në gjithë hapësirën nga Thesalia deri në Shkumbin një aparat administrativ e ushtarak të posaçëm që vepronte sipas vendimeve të tij dhe i përbërë krejtësisht nga përfaqësues të popullsive lokale.

-Lidhi marrëveshje politike, ushtarake dhe ekonomike me shtete të huaja pa pëlqimin dhe dijeninë e Portës së Lartë.

-Shtriu pushtetin e vet edhe në territore të qeverisura nga funksionarë të emëruar prej sulltanit.

-Realizoi barazinë e të drejtave të banorëve të pashallëkut pavarësisht nga përkatësia etnike, gjuhësore dhe fetare.

Funksioni i jashtëm i pushtetit të Ali Pashës u realizua gjithashtu edhe në aspektin e pushtimeve të trojeve të huaja greke dhe maqedonase. Megjithatë, ndonëse shteti autonom i Janinës përfshinte jo vetëm territore shqiptare, por edhe territore të vendeve fqinje, veçanërisht greke, nuk mund të mjegullohet qenësia kombëtare shqiptare e pushtetit të Ali pashë Tepelenës. Për sa i përket mbrojtjes së trojeve shqiptare nga sulmet e mundshme, mund të përmendim deklaratën që Ali Pasha i përcolli përfaqësuesit  të qeverisë angleze Lik në vitin 1808, që forca e bashkuar e gjithë shqiptarëve do të jetë në gjendje të mbrojë Shqipërinë nga sulmet e huaja. (Bagally, J.: Ali Pasha dhe Britania e Madhe, 1936, f.33; cituar nga L. Mile, po aty). Ali Pasha e përdorte ushtrinë vetëm për të forcuar pushtetin dhe e konsideronte Shqipërinë dhe një pjesë të Greqisë si trashëgim të familjes së tij, kurse qeveritë evropiane e konsideronin Janinën si kryeqytetin e Shqipërisë dhe konsujt e tyre në Janinë mbanin zyrtarisht titullin e konsullit të përgjithshëm.

  1. Drejt Monarkisë Konstitucionale Shqiptare

Kishin kaluar shumë kohë që kur kërkesave të Portës së Lartë Ali Pasha u përgjigjej vetëm nëse plotësimi i tyre nuk cenonte interesat e tij. Ai luajti me një mjeshtëri të shkëlqyer një lojë delikate dhe të vështirë me Portën e Lartë dhe me Fuqitë e Mëdha evropiane. Aliu ishte i sigurt se herët a vonë do të ndeshej me turqit. E çuditshme është koha prej 33 vjetësh që Porta toleroi forcimin e pushtetit të tij deri në goditjen përfundimtare. Kjo qeverisje e gjatë tregon edhe një herë për aftësitë e Aliut, zgjuarsinë, diplomacinë, dinakërinë e tij për t’iu shmangur goditjeve të sulltanit ose për t’i shtyrë ato deri sa të përgatitej për betejën finale, që ai besonte se do të kurorëzohej me sukses. “Në këto rrethana Turqia do të detyrohej të hynte me të në bisedime dhe ai do t’i diktonte Stambollit kushtet e Paqes dhe do t’i kërkonte të mbante dhe të qeveriste vetë Pashallëkun e Janinës – Epirin, Thesalinë dhe Morenë, si një zotërim dhe shtet të trashëgueshëm, plan që e ushqente prej kohësh”. (Remerand, Ali de Tebelen-Pacha de Janina, 1928, f. 252; cituar nga Koçollari, I., po aty. f. 459). Pas dështimit të përpjekjeve për formimin e një shteti të madh shqiptar në përbërjen e të cilit do të ishte edhe Veriu i Shqipërisë, me qartësinë e një politikani të shquar të kohës, Ali Pasha u përpoq ta bashkërendonte kryengritjen kundër Stambollit me lëvizjet çlirimtare të popujve të tjerë ballkanikë, duke e parë këtë si të vetmen rrugë drejt lirisë. Duke shfrytëzuar edhe një herë armiqësitë ruso-osmane, “Aliu kishte filluar të bashkëbisedonte me agjentin rus grekun Jan Paparigopullos, i cili shkoi në Petërsburg me mision për të përgatitur planin e një kryengritjeje të përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve që do të udhëhiqej nga Ali Pasha”. (Gabriel Meksi & Vangjel Meksi: Ali pashë Tepelena, 2014, f. 110). Në librin e S. Aravantinos Historia e Ali pashë Tepelenës, cituar po nga Gabriel Meksi, shkruhet se “shumë prej udhëheqësve ushtarakë grekë dhe arvanitas, si Aleksis Navos, Odhise Andocua etj., i sugjeruan Aliut të marrë kryesinë e lëvizjes që do të kishte për qëllim shkëputjen e Shqipërisë dhe të Greqisë nga Perandoria Osmane”. (Aravantinos, S., po aty, f. 28). “Aliu e lidhi kështu fatin e tij dhe të familjes së tij me fatet e vendit. Ai mblodhi në sarajet e veta në Janinë krerët e krahinave shqiptare e greke të pashallëkut në atë që u quajt Asambleja e posaçme dhe u kërkoi atyre si përfaqësues të popullsisë myslimane e të krishtere që ta përkrahnin në luftën kundër sulltanit. Ai shpalli më 23 maj 1820 se në rast fitoreje do të krijonte një shtet monarkik konstitucional shqiptar, të përbërë nga zotërimet shqiptare dhe nga Thesalia, në krye të të cilit do të vihej vetë. Kurse Greqia Qendrore dhe Moreja mund të formonin një shtet grek autonom, i cili do të vihej nën protektoratin e tij. Grekëve, për t’i nxitur të fillonin luftën, u premtoi një milion e gjysmë pjastra”. (HPSh, I, 2002, f. 665). Aliu e përfundoi fjalimin e mbajtur në këtë Asamble të posaçme duke shpallur qëllimin e tij: “Formimi i Shqipërisë së Madhe të pavarur e të vetëqeverisur dhe me kushtetutë sipas modelit të Mbretërive të qytetëruara evropiane”. (Aravantinos, S.: Historia e Ali pashë Tepelenës, 1895, f. 143). “Në organizimin e qeverisjes së Ali Pashës ka ekzistuar pra edhe Asamblea, forma më e lartë e organeve të shtetit me fuqi legjislative dhe ekzekutive. Nga mënyra e formimit, përbërjes dhe detyrave që i shtroi vetes kjo asamble, e cila u mblodh vetëm një herë, më 23 maj 1820, kur Aliu u shpall “fermanli” nga Porta e Lartë, mund të themi se ajo kishte njëfarë ngjashmërie me Kuvendin e princave shqiptarë të Lidhjes së Lezhës. Pjesëmarrja në të e një numri të madh nga shtresat e larta e të ulëta të popullsisë shqiptare dhe asaj greke, qëllimi që ajo i vuri vetes, që shqiptarë e grekë të luftonin së bashku kundër osmanllinjve, tregoi se ky organ, ndonëse i përkohshëm dhe i formuar në vitet e fundit të jetës së tij, i kreu më së miri detyrat që shtroi para vetes”. (Cantu, C.: Histoire Universelle, 1867; cituar nga Ushtelenca, I., po aty, f. 45). Edhe më parë, por veçanërisht kohët e fundit, shteti i Ali Pashës në disa botime, libra ose të përditshme, në mënyrë obsesive quhet shqiptaro-grek ose madje edhe greko-shqiptar. Në të vërtetë, duke përjashtuar tashmë dëshminë e mësipërme të S. Aravantinos (Formimi i Shqipërisë së Madhe të pavarur), lidhur me këtë temë është shprehur edhe Faik Konica. Në artikullin Ali Pasha i Tepelenit ai shkruan: “Në kujtimet e Princit Meternik lexohet: Ali Pasha më dërgoi më 3 mars 1822 një njeri të besës me një letër… për të bërë një konstitucion (kushtetutë) për Shqipërinë”. Në tre dokumentet e mësipërme (Aravantinos – 1895, Faik Konica – 1902, HPSH – 2002) përmendet vetëm shteti shqiptar si dhe një shtet grek autonom që do të vihej nën protektoratin e Ali pashë Tepelenës. Aktiviteti politik dhe nacional i Ali pashë Tepelenës tregon se ai ishte frymëzuar nga ideja e nacionalizmit shqiptar, që kishte përfshirë një pjesë të klasës drejtuese feudale shqiptare, e cila kërkonte të formonte një shtet shqiptar të pavarur. Sipas Vangjel Th. Meksit, “shteti i Ali pashë Tepelenës u shndërrua në një shtet shqiptar i sunduar prej shqiptarëve”. (Meksi, V. Th., f. 156). Dhe më tej Vangjel Meksi vazhdon: “Sipas historianit grek Spiros Aravantinos, Aliu kërkoi prej të madhit burrë shteti austriak Meternik (Klemens von Metternich, 1773-1859) t’i përpilonte edhe një statut themeltar, sepse Ali Pasha e donte Shtetin e tij, një Shtet të vërtetë, të sinkronizuar dhe të aftë të jetonte gjer në ditën e kijametit”. (Meksi, V. Th.; cituar në: G. Th. Meksi & V. Th. Meksi: Ali pashë Tepelena, 2014, f. 156). Ndërkohë aparati propagandistik i Aliut, si zakonisht në këto raste, shkonte edhe më tej. Poeti-këngëtar Hasan Zyko Kamberi, bashkëkohës i Aliut, e uronte Vezirin që të ndryshonte pushtetin e tij në një dinasti të trashëgueshme duke bashkuar të gjitha trojet shqiptare nën zotërimin e tij: Të uroj që këtë shtet që ke në zotërim, bashkë me gjithë Shqipërinë, t’ia lësh djalit tënd si trashëgim (Myderizi, O.: Studime historike, 1, 1965, f. 163). Sipas burimeve arkivore ruse, rezulton se dervishët e sektit bektashi propagandonin ndër myslimanët shqiptarë profecinë sipas të cilës “Ali Pasha ishte i paracaktuar të krijonte mbretërinë shqiptare të pavarur”. (Arsh, G.: po aty, f. 273). Në mesin e vitit 1820, Ali Pasha e shpalli hapur qëndresën ndaj Perandorisë, duke shpresuar se situata revolucionare që mbizotëronte në atë periudhë kudo në Ballkan do të ishte një faktor vendimtar edhe për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Por rrjedha e ngjarjeve tregoi se ai faktor nuk ishte vendimtar. Trajektorja që përshkoi procesi i formimit të shtetit të Ali pashë Tepelenës, që shënon një etapë të re në procesin e formimit të regjimit shtetëror të shqiptarëve, filloi me projektin për ngritjen e një shteti të pavarur me tolerancë fetare, me gjuhën greke si gjuhë të parë dhe shqipen gjuhë të dytë (1791) dhe vazhdoi me projektin, në fakt të realizuar, të shtetit shqiptar autonom, i cili kishte në themel idealet e Revolucionit demokratik Francez. Kurse nga vitet 1814-1815, Ali Pasha ishte bërë de facto një monark i një shteti të mëvetësuar, jashtë tutelës dhe autoritetit perandorak osman. (Beauchamp, A.: The life of Ali Pacha…, London, 1823). Pas vitit 1820, me shpërthimin e luftës kundër Perandorisë Osmane (1820-1822), shteti autonom shqiptar i Janinës u shkëput krejtësisht nga Turqia (Vangjel Th. Meksi: Ali pashë Tepelena, Plejad, Tiranë, 2014, f. 193-194) dhe pas fitores së pritshme ndaj osmanllinjve do të merrte trajtën e Monarkisë Konstitucionale Shqiptare me Ali Pashën, ose dikë tjetër, gjithmonë nga dinastia e tij, si mbret.

XX. QË E VËRTETA TË FITOJË MBI SHPIFJET DHE TRILLIMET

Kancelaritë osmane, të tronditura nga rebelimi i Ali Pashës, për të ndaluar çdo prirje separatiste apo kryengritje të ngjashme me to, shfrynë urrejtjen e tyre mbi figurën e tij me akuzat më paranojake, fyese dhe hakmarrëse si: i pabesë, i pafe, tradhtar, satrap, gjakpirës, të njëjta me akuzat që përhapën shekuj më parë kronikat osmane për Skënderbeun. Por krahas propagandës osmane, të njëjtin qëndrim mbajti edhe propaganda zyrtare franceze dhe disa shkrimtarë francezë të njohur, të cilët shkruan pa kursyer kundër Ali Pashës dhe shqiptarëve.

1.Veçse ushtria franceze e gjeneral Bonapartit, pasi shkatërroi Republikën e Venedikut dhe pushtoi Ishujt Jonianë dhe qytetet përballë tyre, po u afrohej kufijve të Pashallëkut të Janinës duke pasur qëllime të errëta. Për Ali Pashën ishte e qartë se interesat strategjike të Francës shkonin më larg, madje duke kaluar nga trojet shqiptare Napoleoni synonte të pushtonte Stambollin. Nga ana e tij Ali Pasha me ushtrinë që kishte përgatitur për këtë qëllim, lëshoi të gjitha forcat kundër ushtarëve francezë në Butrint dhe më pas në Prevezë, ku më 12 tetor 1798 masakroi ose zuri rob mbi 300 ushtarë dhe oficerë. Por pas francezëve Pukëvil dhe Ibrahim Manzur Efendi, shërbyes të politikave ekspansioniste franceze të kohës, ishte studiuesi francez A. Boppe (1862-1921) që nxori nga arkivat franceze mjaft dokumente të papublikuara më parë, të cilat vërtetonin “…veprimtarinë konspirative të francezëve kundër Ali pashë Tepelenës, organizimet ushtarake dhe financiare për përmbysjen dhe eliminimin e tij, për t’i hapur rrugë zbarkimit dhe pushtimit të trojeve shqiptare”. (Boppe, A: L’Albanie et Napoleon, Paris, 1914). Madje, kohë më parë, A. de Beauchamp (1769-1832) kishte pohuar se: “Pukëvili nuk ishte gjithmonë objektiv ndaj shqiptarëve dhe Ali pashë Tepelenës. Në veprat e tij hasen shpesh teprime, pikëpamje të hedhura a priori, tendencioze dhe qëndrime me prirje të hapura armiqësore. (Beauchamp, A.: La vie d’ Ali Pacha, visir de Janina, Paris, 1822). Në Enciklopedinë e Madhe Franceze veprat e F. Pukëvilit cilësohen “… më tepër punime të vulgarizuara, sesa shkrime të vërteta origjinale dhe shkencore”. Ndërkohë Pukëvili duhet të ketë qenë superficial dhe pa vlera intelektuale, derisa përdor gërmën x – ks (toxid – toksid) për të shkruar scype toskid (toskërisht).

  1. Një nga arritjet e rëndësishme të Ali Pashës është edhe konsolidimi i procesit të formimit të shqiptarëve si komb. Shqiptarët në kohën e Aliut identifikoheshin duke iu përgjigjur Hobhauzit (1788-1824): “Ne jemi shqiptarë” dhe jo si grekët, vllehtë e turqit që identifikoheshin sipas miletit të cilit i përkisnin (mileti ortodoks ose mileti mysliman). Në këtë mënyrë Hobhauzi përcaktoi territoret ku banonin shqiptarët si shumicë, në bazë të të cilave u hartua harta e parë e Shqipërisë (Albania – 1813).
  2. Një studim analitik i hartuar në zyrat e analistëve francezë të zbulimit, i përgatitur sipas kërkesës së posaçme të perandorit të tyre, ofron konkluzione interesante. Ky studim që do të lexohej nga vetë Perandori, pa dyshim që duhet të ishte i zhveshur nga subjektivizmat dhe të ofronte të dhëna sa më korrekte dhe të sakta në mënyrë që të ndërmerreshin qëndrime dhe politika realiste dhe racionale. Në këtë raport parashtrohet ky profil për Pashain: “Pashai edhe pse është rreth të pesëdhjetave, tek ai nuk gjendej ndonjë gjurmë e plakjes së parakohshme. Fytyra e tij fisnike dhe e çiltër karakterizohet nga tipare të theksuara të cilat shprehin në mënyrë të dukshme pasionet që e shqetësojnë. Shpesh ai sillet si mjeshtër i lojës së fizionomisë. Vështrimi i tij të magjeps, të qeshurit ritmik tregon të kundërtën e asaj që në të vërtetë e ngacmon. Kur dënon dikë, ai nuk mund të përballojë hidhërimin dhe këtë ai e shpreh me shtrembërim të theksuar të tipareve, gjë që zbulon karakterin e tij ekspresiv. Ai është trim sa s’ ka ku të vejë më! Krahët e tij dhe gjoksi janë plot me shenja plagësh të denja për t’u nderuar. Ai është i palëkundur në realizimin e qëllimeve që ka. Nëse rrethanat e detyrojnë ndonjëherë të tërhiqet nga plani, ai përsëri i kthehet atij dhe kurrë nuk e heq nga mendja atë çka synon të realizojë. Është shumë i vëmendshëm dhe shqetësohet për të pavërtetat që përhapin për të dhe ndjek me kujdes lajmet për disfatat e mundshme që pëson Perandoria Turke. Si njeri i shkathët dhe i zgjuar, ai përfiton nga pushteti i dobët i të tjerëve për të zgjeruar kufijtë e pashallëkut të tij dhe për të dominuar në terrene më të gjera dhe të rëndësishme. Ai është i fuqishëm edhe për shkak të njerëzve që mban pranë, të cilët ai vetë i përgatit dhe i promovon, apo lidhjeve të tjera dhe miqve që ai ka gjer në Portën e Lartë. Atij i pëlqen të përsërisë shpesh që është Pirrua modern. Por nëse ai nuk ka fisnikërinë dhe bujarinë e Pirros, nga ana tjetër ai ka shqetësimin e përhershëm, interesimin, mprehtësinë dhe vëmendjen për të ndjekur me kujdes çështjet e diplomacisë dhe ato ushtarake. Politika e tij është e qëndrueshme, pasi ai nuk mbështetet asnjëherë në garanci të dyshimta që e kanë riskun nga pas. Ai ndihet i sigurt dhe superior mbi pashallarët e tjerë, pasi ka informacion të bollshëm në raport me ta. Mban përherë sytë hapur për të kontrolluar gjithçka ndodh në Europë, për këtë ai vë njerëz që i përkthejnë gazetat e huaja. Rrallë ndodh të kalojë ndonjë i huaj nëpër pashallëkun e tij pa kërkuar që t’ia sjellin atij përpara, për të mësuar diçka të re nga ai. Pasi i grumbullon të gjitha këto informacione, ai i krahason ato me njëra-tjetrën për të qenë i parapërgatitur për gjithçka që mund të ndodhë”. (Beauchamp, A., po aty, fq. 104).

 

KREU I DYTË: LËVIZJET PËR VETËQEVERISJEN E VENDIT (1828-1847)

KUVENDI I BERATIT

Pas përfundimit tragjik të Ali pashë Tepelenës dhe shkatërrimit të pashallëkut të Janinës, ishte e sigurt se shteti osman nuk do të lejonte në asnjë mënyrë shkëputjen e territoreve ballkanike të banuara nga shqiptarët. Si hap të parë Stambolli shihte shfuqizimin e krerëve shqiptarë të emëruar nga Ali Pasha, duke u marrë atyre postet dhe ofiqet. Veçse më parë ata ishin të detyruar të merrnin pjesë bashkë me ushtrinë turke në luftimet kundër kryengritësve grekë (1821-1830). Veçse feudalët shqiptarë toskë, nga ana tjetër, që ushqenin simpati për çështjen greke edhe e quanin me rrezik për veten dhe për vendin e tyre pjesëmarrjen në këtë ekspeditë, nuk pranuan të angazhoheshin në luftë kundër popullit grek. Shqetësim i tyre ishte edhe që të mos tregoheshin përpara Fuqive të Mëdha sikur ndanin të njëjtët interesa me shtetin osman, veçanërisht kur të përcaktoheshin kufijtë veriorë të shtetit të ri grek. Ndërkaq, përfaqësuesit e parisë shqiptare të Jugut hynë në bisedime me komandantët e lartë të kryengritësve grekë për të përcaktuar qëndrimin që do të mbanin të dyja palët në konfliktin greko-turk si edhe pas tij. Gjatë bisedimeve të dyja palët u zotuan të mos sulmonin trojet e njëri-tjetrit. (HPSH, I, f. 678). Kështu që paria shqiptare e toskërisë, e kryesuar nga Iliaz Poda, Ismail Bej Vlora dhe Shahin bej Delvina, në vend që të paraqitej në frontin grek, u mblodh në Berat në datat 6, 7, 8 nëntor 1828, për të diskutuar se si duhej vepruar me pushtuesin otoman, ndërkohë që Greqia po finalizonte me sukses kryengritjen antiturke. Ata, pasi arritën që të bindnin pjesën më të madhe të krerëve toskë që të mos shkonin në frontin grek, një muaj më pas u mblodhën edhe një herë në Berat dhe kërkuan mëvetësi politike nga shteti osman, si hapi i parë drejt formimit të një shteti të ri shqiptar. Kjo kërkesë e avancuar me karakter nacionalist i kushtoi kokën Ismail Bej Vlorës, i cili u vra në Janinë në janar të vitit 1829, ndërsa Iljaz Poda shpëtoi mbasi nuk shkoi në Janinë. Vrasja e Ismail bej Vlorës shpërtheu një lëvizje që mori karakterin e një revolte të vërtetë, që u shoqërua me dëbimin e funksionarëve osmanë dhe me vendosjen e pushtetit të parisë shqiptare në krahinat përreth Janinës, në Zagori, Konicë dhe Meçovë. (HPSh, I, fq. 680).

MASAKRA E MANASTIRIT (9 gusht 1830)

Pasi njohu pavarësinë e Greqisë (1830), Porta e Lartë u mor tërësisht me nënshtrimin e Shqipërisë. Me këtë rast u thirrën në Manastir krerët shqiptarë, për të biseduar lidhur me çështjet e organizimit të ushtrisë dhe të pagesave të prapambetura. Pas pritjes madhështore, më 9 gusht u krye një masakër e paparë. U masakruan në vendin e ceremonisë 800-1000 oficerë të lartë shiptarë, kurse 400-500 të tjerë u zunë robër. E njëjta skenë u përsërit edhe në Janinë, ku dogjën thuajse edhe gjysmën e qytetit. Me masakrën e Manastirit dhe të Janinës turqit synonin që t’u jepnin një mësim krerëve të tjerë shqiptarë dhe t’i bënin ata që të nënshtroheshin. Kjo masakër që zhduku krerët më të rëndësishëm të lëvizjes shqiptare të Jugut, si edhe presioni i vazhdueshëm mbi popullsinë që pasoi, bënë që feudalët shqiptarë të hiqnin dorë nga lëvizja dhe të fshiheshin nëpër male për njëfarë kohe. Eliminimi fizik i Ismail Bej Vlorës dhe i krerëve të tjerë shqiptarë në Manastir ishin masa konkrete që treguan se shteti osman do të vepronte ashpër kundrejt çdo kërkese që do të vinte për shkëputje nga Porta e Lartë.

REVOLTAT E VITEVE ‘30-’40 TË SHEKULLIT XIX

Këto revolta fillimisht u karakterizuan edhe një herë nga spontaniteti dhe mungesa e perspektivës. Edhe një herë ishin vetëm fshatarët që hidheshin në kryengritje me kërkesa për të kundërshtuar taksat, reformat e Tanzimatit dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Si zakonisht kryengritjet kishin karakter lokal dhe kërkesat e tyre ishin të kufizuara nga ana politike. Këto kërkesa nuk arritën, në ato vite, të paraqiteshin në formën e një programi dhe në emër të gjithë popullit shqiptar. “Meqenëse këto kryengritje shpërthyen në të njëjtën kohë, për të njëjtat shkaqe dhe kishin kërkesa të njëllojta, ato u shndërruan në kryengritje të gjera dhe të fuqishme, duke përfshirë krahina të tëra të vendit. Në këto kushte, për herë të parë u bënë përpjekje për kapërcimin e kornizave lokale dhe për organizimin e një kryengritjeje të përgjithshme (1834), që shprehte prirjen e popullit shqiptar drejt bashkimit”. (HPSH, II, 2002, f. 81). Me zgjerimin e luftës, për të përballuar forcat e mëdha armike dhe për të bashkërenduar veprimet luftarake, u organizuan kuvende, besëlidhje, pleqësi dhe këshilla të kryengritësve. Dora-dorës, besëlidhjet e kapërcyen karakterin e ngushtë lokal dhe morën karakter ndërkrahinor, siç ishin Besëlidhja e nëntë krahinave të Shqipërisë së Jugut e viteve 1833-1834, ku u mblodhën në një kuvend përfaqësues nga krahina e Vlorës, Tepelenës, Skraparit, Tomorricës, Mallakastrës, Përmetit, Beratit, Sulovës dhe Vërçës, Këshilli i Përkohshëm në Shkodër (1833– 1835) dhe Kuvendi në fushën e Gjoricës (1844), që i bëri thirrje për t’u bashkuar me kryengritësit dibranë edhe popullsisë së krahinave të Kosovës, të Mirditës, të Gjakovës e të Elbasanit.

KUVENDI I MESAPLIKUT, KUVENDI I BASHKIMIT KOMBËTAR

Kishin kaluar katër shekuj nga koha kur në radhët e ushtrisë shqiptare qëndronin pranë njëri-tjetrit luftëtarët e besimit katolik dhe ortodoks, ndërkohë që komandanti i tyre quhej Skënderbe. Në ato kohë një grusht shqiptarësh të bashkuar dilnin gjithmonë fitimtarë ndaj hordhive të Perandorisë Osmane. Për katër shekuj me radhë shqiptarët, të ndarë jo vetëm fetarisht, por edhe nga ana territoriale, kishin harruar shijen e fitoreve. Ndërkohë elemente të spikatura të ndërgjegjes kombëtare dolën hapur në pikëpamjet e Naum Bredhi Veqilharxhit, të paraqitura për herë të parë te Qarkorja – 1846, me anë të së cilës u bëhej thirrje të gjithë shqiptarëve “për të flakur gjithë paragjykimet e vjetruara”, që do të thotë bashkimi i shqiptarëve pavarësisht nga feja që praktikojnë dhe krahinat ku banojnë. Tashmë situata në terren ishte përgatitur për ngjarje të rëndësishme. Në qershor të vitin 1847, një vit pas publikimit të Qarkores dhe Letrës… nga Naum Veqilharxhi, “krerët e krahinave të ndryshme të Shqipërisë mblodhën kuvendin e tyre në Mesaplik të Vlorës, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga mjaft krahina të Shqipërisë, kryesisht të asaj të Jugut. Shumicën dërrmuese në kuvend e përbënin përfaqësuesit e fshatarësisë. Kuvendi u shpreh kundër Tanzimatit dhe vendosi të mos jepeshin ushtarë, të mos paguheshin taksa të reja dhe të mos pranohej administrata e re osmane. Ai mori edhe vendime të tjera me rëndësi të madhe politike. Kuvendi e shpalli popullin shqiptar, mysliman e të krishter, një dhe të pandarë, bëri thirrje që të gjithë, pa përjashtim, të hidheshin në luftë kundër sundimtarëve osmanë dhe kërkoi që t’u sigurohej jeta, nderi e pasuria të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga feja. Kuvendi porositi që forcat e armatosura shqiptare, të cilat do të mblidheshin në krahina të ndryshme, të mos i shkaktonin as dëmin më të vogël popullsisë, dhe ushqimi i luftëtarëve të sigurohej nga taksat e vjetra që jepte vendi. Mbi këto baza u formua besëlidhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut ose, siç u quajt, “Lidhja Kombëtare Shqiptare”. Lidhja formoi një komitet për drejtimin e veprimtarisë politike e ushtarake, në krye të të cilit u zgjodh Zenel Gjoleka”. (HPSh, 2002, II, f. 95). Kryengritja e vitit 1847, që shpërtheu ashtu siç ishte vendosur në Kuvendin e Mesaplikut, shënon një shkallë më të lartë të lëvizjeve çlirimtare kundër Tanzimatit, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja dhe organizimi. Kjo kryengritje luajti një rol të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkët, pavarësisht nga feja e krahina. Ideja e bashkimit u shpreh edhe në këngët popullore që iu kushtuan kryengritjes. Në një nga këto këngë poeti popullor i drejtohet Zenel Gjolekës me fjalët “sos lufton për vete,/ por për gjithë vilajete” dhe vë në dukje se udhëheqësi trim nuk lufton “as për mua, as për ti,/por për gjithë Shqipëri”. Duke folur për këtë kryengritje, Sami Frashëri vinte në dukje që ajo kërkoi bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome. “I dërguan gjithashtu një letër mbretit Oton të Greqisë, me anë të së cilës i kërkonin ndihma materiale. Letra u nënshkrua nga 89 krerë që përfaqësonin krahinat në Besëlidhje dhe u dërgua në Athinë nga Stefan Celi. Letra mbante datën 15 Gusht 1847”. (Aravantinos: Kronografia e Epirit, Athinë, 1856; Cituar nga Hysenaj, Bardho: Historia e Labërisë, Tiranë, 2011, f. 135). Kryengritje të shumta kundër pushtuesve osmanë kishin marrë hov në gjithë Shqipërinë e viteve ‘40 të shekullit XIX. Ato kishin tashmë programin politik në shkallë kombëtare dhe platformën e përpunuar ideologjike që u paraqitën nga Naum Bregu-Veqilharxhi në Qarkoren e vitit 1846, një vit para Kuvendit të Mesaplikut. Duhet të shpjegohet, në radhë të parë, pse pikërisht në mes të viteve ‘40 të shekullit XIX Naum Veqilharxhi u hodh në veprimin e tij të guximshëm për çështjen kombëtare të popullit të vet? Ai, duket, e ndjeu dhe e çmoi çastin e favorshëm që ishte krijuar në atdhe, ku tashmë ishin pjekur kushtet, po forcohej ndërgjegjja kombëtare, lëvizjet kryengritëse kishin arritur deri në portat e qyteteve, kurse këngëtarët popullorë po i këndonin, më në fund, edhe Shqipërisë ose “gjithë vilajeteve”, që në fakt ishin katër. Veçse, pas mesit të shek. XIX, shteti osman do t’i zëvendësonte nëpunësit shqiptarë me nëpunës turq, që nuk dinin gjuhën dhe nuk njihnin traditat e vendit. Siç kuptohet, Portës së Lartë, më shumë se zhvillimi i vendit, i interesonte marrja e masave të ashpra që do t’u jepnin fund kryengritjeve. Pra, Stambolli përpiqej që në tokat shqiptare të mbante gjallë sundimin e tij dhe t’u jepte fund kërkesave të shqiptarëve për shkëputje politike nga perandoria.

 

 

Please follow and like us: