Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Fedhon Meksi: NAUM VEQILHARXHI DHE PËRPARËSIA E KOMBIT MBI FETË (10)

Prof. Dr. Fedhon Meksi

PJESA E TRETË: NAUM BREDHI – VEQILHARXHI DHE PËRPARËSIA E KOMBIT MBI FETË

HYRJE

 

Naum Bredhi-Veqilharxhi me idetë dhe veprimtarinë e tij shënoi fillimet e lëvizjes atdhetare dhe intelektuale gjatë gjysmës së parë të shek. XIX, e cila do të zgjerohej dhe fuqizohej me të shpejtë, për të dhënë atë lëvizje të ndritur dhe të fuqishme që mban emrin historik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Mendimtarë të veçantë para shekullit XIX ishin përpjekur t’i formulonin dhe t’i argumentonin idetë liridashëse kombëtare, veçse pa mundur që të paraqitnin një ideologji të plotë dhe të gjithanshme pavarësie dhe ta shpërndanin atë në popull. Kjo do të arrihej vetëm në shekullin XIX, që do të ishte edhe shekulli kur lëvizja rilindëse e popullit shqiptar do të fitojë një ndërgjegje të re, kur qëndresa do të marrë një hov të ri dhe një zgjerim në shkallë kombëtare, që do të përfundojë në vitin 1912 me Shqipërinë e lirë dhe të pavarur. Ideologjia e çlirimit kombëtar do të kërkonte përpjekjet e bashkërenduara të një vargu të tërë mendimtarësh dhe atdhetarësh të shquar. Ajo nuk mund të formohej menjëherë, por do të ishte një proces me fillimin, zhvillimin dhe kulmin e tij, si hallka të veçanta të një procesi të vetëm. Historikisht Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe ideologjia e saj fillimet i ka njohur në jetën dhe veprën e mendimtarit vithkuqas Naum Bredhi-Veqilharxhi. Naum Bredhi-Veqilharxhi, një nga korifejtë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nuk shquhet vetëm si lëvrues i gjuhës shqipe, përpilues i alfabetit të veçantë dhe i abetareve të para në gjuhën shqipe.

Në të vërtetë lëvrimi i gjuhës shqipe dhe ngjarjet historike të ndërthurura me të, që përbëjnë vetëm një pjesë të veprimtarisë së Naum Veqilharxhit, janë trajtuar me kompetencë nga gjuhëtarët dhe studiuesit tanë më të shquar si Mahir Domi, Vehbi Bala, Gjystina Shushka, Emil Lafe etj. Idetë e Naumit, fryt i inteligjencës së tij të jashtëzakonshme, i patriotizmit të flaktë, por edhe i horizontit të tij të gjerë kulturor si njohës dhe studiues i vëmendshëm i kombit shqiptar dhe i Ballkanit të trazuar, nuk janë paraqitur në masën dhe mënyrën e duhur në tekstet e historisë edhe pse ato janë theksuar nga Dhimitër S. Shuteriqi, Petraq Pepo, Kristo Frashëri, Myslim Islami etj. Shqiptarët e sotëm në përgjithësi nuk e njohin Naum Veqilharxhin si filozofin, ideologun dhe politikanin e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, edhe pse idetë e konceptet e tij për kombin shqiptar, për rolin e gjuhës shqipe në njësimin e kombit shqiptar dhe për vokacionin e tij perëndimor janë aktuale edhe sot. Naumi e kuptoi shumë herët se shqiptarët, atëherë krejt të paarsimuar (sipas tij analfabetizmi arrinte në 99%) dhe të ndarë, jo vetëm sipas feve, por edhe nga ana territoriale-dialektore, rrezikonin të zhdukeshin si komb. Por ai arriti të dallojë gjuhën shqipe si elementin jashtëfetar më të veçantë, më të qenësishëm dhe më funksional të shqiptarëve si tërësi kombëtare. Naumi ishte i bindur se gjuha shqipe e lëvruar dhe shkollat shqipe do t’i bashkonin shqiptarët dhe do të forconin qëndresën e tyre ndaj shkombëtarizimit që u kanosej. Kurse alfabeti me shkronja të veçanta, përveçse do t’u mundësonte të gjithë shqiptarëve të shkruanin gjuhën amtare me një alfabet të përshtatshëm e origjinal, do t’i ndihmonte ata për të kapërcyer dasitë fetare që pengonin bashkimin kombëtar. Nga ana tjetër, shkollat shqipe do të shërbenin edhe si një mjet i dorës së parë për zgjimin e ndërgjegjjes kombëtare, për emancipimin e popullit dhe propagandimin e ideve patriotike.

Për Naumin gjuha shqipe nuk duhej trajtuar vetëm si çështje kulture, por edhe në rrafshin politik. Jo rastësisht kërkesat kulturore kombëtare, midis të cilave një vend të veçantë zinte edhe liria e gjuhës dhe e shkollës shqipe, që nga koha e veprimtarisë së Naumit, që u zhvillua gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX, u bënë më vonë pjesë e pandarë e programeve politike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Te Qarkorja dhe Letra dërguar Jani Calit, pamfletet politike që Naumi i shpërndau gjatë viteve 1845 dhe 1846, në të cilat shpalosi programin e tij të qartë dhe largpamës kombëtar për të përballuar shkombëtarizimin si rrezikun kryesor, ai përcaktoi gjithashtu antidotin përkatës: bashkimin e shqiptarëve rreth gjuhës së tyre amtare të lëvruar dhe të njësuar, që do të luante edhe rolin e flamurit kombëtar. Në këtë mënyrë ai përcaktoi edhe drejtimin kryesor të nacionalizmit shqiptar dhe specifikën e tij, që do të mbështetej mbi gjuhën amtare dhe jo mbi fetë, si nacionalizmat e tjerë ballkanas. Si idealist, iluminist dhe racionalist, ai nuk mund të mos ishte edhe evolucionist. Shprehja e tij se: “Në natyrën njerëzore nuk shihen kërcime, por rregull gradual”, mund të jetë shprehja më e saktë dhe më e përqendruar për të përkufizuar këtë doktrinë. Naumi e kishte të qartë se theksimi i identitetit kombëtar shqiptar do të zbehte dallimet fetare dhe mbylljen e identiteteve fetare midis tyre. Për Naumin, “Kombi shqiptar i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, i përbërë nga myslimanë, ortodoksë dhe katolikë si pjesë të kombit, ka përparësi mbi fetë, të cilat janë veçori të fituara më vonë dhe si të tilla të ndryshueshme”.

Në këtë mënyrë, Naum Bredhi-Veqilharxhi është i pari që paraqiti bazën filozofike të përparësisë së kombësisë mbi fetë, si një element specifik i kombit shqiptar, që qëndron në themel të harmonisë fetare ose bashkëjetesës shqiptare. Naum Bredhi-Veqilharxhi me idetë e tij iluministe dhe me programin politik që formuloi, ishte i pari që i tregoi popullit shqiptar si pikësynim qytetërimin europian. Këtë orientim më pas e ndoqën të gjithë rilindësit e tjerë që krijuan Rilindjen Kombëtare Shqiptare, lëvizjen më progresiste deri në atë kohë në Shqipëri dhe një nga lëvizjet më europianiste në gadishullin e Ballkanit. Rilindësi i parë shqiptar gjen rastin dhe u dërgon mesazhe të vlefshme bashkëkohësve dhe pasardhësve, jo vetëm shqiptarëve të djeshëm, por edhe të sotëm. Me dashurinë, mençurinë dhe çiltërsinë e vet, ai krijoi portretin e atdhetarit shqiptar duke përdorur fjalët më të bukura dhe më të goditura, që rrallë i gjen në letërsinë shqipe. Ai u paraqet  të gjithë shqiptarëve një shëmbëlltyrë patrioti, që karakterizohet nga morali i shëndetshëm dhe nga nënshtrimi i interesit të ngushtë vetjak ndaj interesit të lartë shoqëror. Naumi i këshillon shqiptarët se “vetëm me punë mund të dalin nga gjendja e mjeruar, por gjithmonë duke vënë theksin mbi arsyen si parimin themelor që karakterizon njeriun”.

Naum Bredhi-Veqilharxhi i përket asaj plejade iluministësh të mëdhenj të Rilindjes sonë Kombëtare, që u përpoqën për Shqipërinë në kushtet e zymtësisë më të madhe të sundimit osman. Largpamësia e këtyre iluministëve është e pashoqe. Naum Veqilharxhi ka meritën se ishte pishtarmbajtësi i parë në këtë rrugë të mundimshme, heroike dhe të papërsëritshme në historinë e kombit tonë. Ai predikon qëndresën, durimin, besnikërinë, fisnikërinë dhe nxit te djemtë e rinj shqiptarë përsosjen morale, etjen për dije dhe dashurinë për njeriun dhe atdheun. Kurse prindërit i këshillon që fëmijët e tyre të kryejnë fillimisht shkollën fillore në gjuhën amtare, që do t’i ndihmojë ata edhe për të mësuar me lehtësi gjuhët e huaja. Shqiptarët e sotëm duhet të krenohen me Naum Bredhi-Veqilharxhin, kurse të rinjtë, nxënësit dhe studentët duhet të frymëzohen prej tij për ta dashuruar edhe më tepër gjuhën shqipe, e për ta mësuar e folur bukur atë. Ndaj mendoj që kjo figurë e ndritur në Historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare të ketë vendin e vet në programet shkollore mbarëshqiptare dhe që portreti i tij fisnik të zërë një vend nderi në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, krahas patriotëve të tjerë të Rilindjes.

 

KREU I PARË: HARMONIA FETARE NË THEMEL TË RILINDJES SË KOMBIT SHQIPTAR

 

Në pjesën më të madhe të vendeve ballkanike feja luajti një rol të rëndësishëm në procesin e krijimit të identiteteve të tyre kombëtare. Thirrja për fe e atdhe gjëmonte në fushat e betejave, duke shtuar vrullin e luftëtarëve kur sulmonin ose mbroheshin. Veçse këto fjalë magjike për kohën nuk mund të përdoreshin nga shqiptarët që praktikonin tri fe të ndryshme. Në prag të lëvizjeve kombëtare, te shqiptarët pritej që feja jo vetëm të mos luante një rol mobilizues, por të përbënte një pengesë serioze për njësimin kombëtar. Ndarja e shqiptarëve në disa fe shihej edhe si një mundësi më tepër e depërtimit të ndikimit përçarës të të huajve. Për këto arsye rilindësit tanë të urtë, ndryshe nga të gjitha lëvizjet  e tjera ballkanike, e ideuan dhe e zhvilluan Lëvizjen Kombëtare Shqiptare si një lëvizje në konkurrencë me fetë, si një alternativë ndaj feve. Kështu shpjegohet edhe hyjnizimi që i bëhej “shqiptarizmit”, si feja e vërtetë e shqiptarëve. Madje pati mendime që si fe e shqiptarëve të shpallej bektashizmi, ose, sipas shembullit të arbëreshëve të Italisë, të ktheheshin ortodoksët shqiptarë në të krishterë uniatë ose të konvertoheshin të gjithë shqiptarët në protestantë. Naumi, njohës dhe studiues i vëmendshëm i kombit shqiptar, qysh në vitin 1846 përsëriste pa u lodhur se kombi shqiptar, i përbërë nga myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, “…është një trup homogjen, është esenca, kurse fetë janë veçori të fituara më vonë të esencës dhe si të tilla ato janë të ndryshueshme”.

Në këtë mënyrë ai kishte zbuluar një element specifik dhe të lashtë të kombit shqiptar, përparësinë e kombit mbi fetë, që ka qëndruar në themel të harmonisë fetare ose të bashkëjetesës shqiptare, një fenomen tipik shqiptar, dëshmues i homogjenizimit të kahershëm dhe kohezionit të brendshëm kombëtar. Harmonia fetare është një realitet historik që ka luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e komunikimit dhe të lidhjeve organike mes shqiptarëve me fe të ndryshme. Konstatimin se “në luftë kundër forcave të huaja fetë pushonin së qeni një pretekst për shtimin e përçarjes së brendshme” e vërtetojnë katër luftërat e fundit kundër Perandorisë Osmane që kanë bërë myslimanët shqiptarë, të vetmit në Rumeli, së bashku me bashkatdhetarët e tyre të krishterë, nën udhëheqjen e Ali pashë Tepelenës, të Zenel Gjolekës (1847), pas Lidhjes së Prizrenit (1878), si dhe në vigjilje të Pavarësisë (1911). Por produkti më i qenësishëm i harmonisë fetare ose i bashkëjetesës shqiptare, me të cilën krenohemi edhe sot e kësaj dite, është pa dyshim rilindja e kombit shqiptar, që historia e provoi si një aliazh më të fortë dhe më të qëndrueshëm se elementet që e përbëjnë.

SHQIPTARËT DHE FETË E TYRE

Krishterimi është feja e parë që përqafuan shqiptarët pas paganizmit. Krishterimin nuk e përhapën misionarët grekë, romakë e aq më pak sllavë. Ky ishte një proces i natyrshëm historik. Krishterimi hodhi rrënjë nga apostujt dhe dishepujt e tyre që në periudhën apostolike. Janë dëshmi të pakontestueshme që e pohojnë dhe e dëshmojnë këtë. Ja një dëshmi: “Shën Pali shprehimisht thotë: “Kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe deri në Ilirik përhapa Ungjillin e Krishtit. Shën Pali, gjatë udhëtimit të tretë misionar të tij në vitet 53–58, ka qëndruar edhe në Durrës”. (Mirdita, Z.: “Gjashtë shekujt e parë të krishterimit në trevat iliro-shqiptare; te Krishterimi ndër shqiptarë”, Shkodër, 2000, f. 35). Krishterimi, edhe pse u paraqit si fuqi shpëtimtare morale me thënien e famshme duaje të afërmin tënd si vetveten, edhe pse peshkopët e parë të krishterë u dërguan në Iliri që në shek. I, feja e re monoteiste nuk gjeti një hapësirë të përshtatshme për t’u përhapur njëtrajtësisht në të gjitha trojet e banuara nga ilirët. Në fiset ilire, si në jug ashtu edhe në veri, ku sundonte tradita e lidhjeve të gjakut dhe e sistemit juridik që bazohej mbi të, ishte disi i vështirë përvetësimi i sistemit fetaro-juridik të krishterë, që predikonte një fe monoteiste, me një zot të vetëm si krijues të njerëzimit. Në atë kohë kultura ilire vijonte të ishte materiale dhe e lidhur fort me natyrën, kurse struktura fetare ndryshonte shumë nga besimet fetare helene dhe romake. Tradita e solidaritetit brenda fisit, që bazohej mbi një themel biologjik, mbi lidhjet e gjakut, kishte hyjnizuar në sytë e ilirëve familjen dhe fisin, si institucione që duheshin ruajtur me çdo mënyrë. Besimi fetar i shqiptarëve ishte dhe vijon të jetë specifik, mbasi ai trashëgoi dhe ruajti një pjesë të konsiderueshme nga besimet dhe ritet tradicionale pagane. Kultet e shenjtorëve të krishterë u pleksën me shumë motive pagane, të cilat janë përcjellë deri në ditët e sotme. Edhe Dita e Verës, që festohet në shumë krahina, veçanërisht nga të gjithë banorët e qytetit të Elbasanit, pavarësisht fesë që i përkasin, ose flijimi i një kafshe sa herë ndërtohet një shtëpi e re, apo dita e Shën Gjergjit, vëllamëria, syri i keq, simboli i diellit dhe i hënës, besimi ndaj qenieve të shumta mitologjike e demonologjike, të cilat feja nuk i ka pranuar asnjëherë, e kanë origjinën nga periudha pagane dhe disa prej tyre mbahen të gjalla edhe sot. Doket dhe zakonet e stërlashta, normat dhe ligjet kanunore të maleve, të cilat drejtonin dhe rregullonin jetën dhe veprimtarinë e vendit, janë në origjinë të një lloj plogështie dhe indiferentizmi ndaj jetës fetare të shqiptarëve. Janë pikërisht këto raporte të shqiptarëve me fetë, që Edit Durham (Mary Edith Durham, 1863–1944), e quajtur edhe “Mbretëresha e malësorëve shqiptarë”, i zbuloi vetë dhe shkroi se: “shqiptarët, si komb, për çudi nuk duan t’ia dinë për fenë. Krishterimi nuk u ngulit thellë te shqiptarët, qoftë në veri, qoftë edhe në jug”. Kur flet për forcën e zakonit të fisit, ajo zgjatet edhe më tej: “Malësorët kanë afër pesëmbëdhjetë shekuj që e njohin krishterimin, por zakonet e fisit janë ende më të forta se kanuni i kishës”. (Durham, M. E.: Brenga e Ballkanit, 1990, f. 45). “Kalimi i trashëgimisë pagane në besimin e shqiptarëve, i jepte krishterimit shqiptar tiparet e një krishterimi popullor, jo doktrinar”. (Historia e popullit shqiptar, I, Tiranë, 2002, f. 340). Duke qenë në një pozicion të veçantë gjeografik, ku puqeshin dhe përplaseshin dy perceptime të ndryshme të krishterimit, perëndimor dhe lindor, Shqipëria u bë vendi tipik i dukurive të tilla kishtare si apostazitë (braktisje e fesë dhe e jetës së krishterë), konvertimet dhe herezitë. Duket se shqiptarët nuk e gjenin veten e tyre tek ortodoksia tradicionale, derisa përqafuan në masë “Herezinë e Bogomilit”, që e quante institucionin e kishës dhe të shtetit si krijesa të Satanait. Kjo lëvizje separatiste, që tronditi kishën zyrtare të Kostandinopojës dhe të Romës për katër shekuj me radhë (shek. X – shek. XIV), kishte në Shqipëri vatrën e saj kryesore. Papët e Romës ankoheshin vijimisht mbi ritet dhe praktikat skizmatike që mbizotëronin te besimtarët vendës, kurse një udhëtar i huaj në vitin 1308 do t’i karakterizonte shqiptarët si as katolikë e as ortodoksë të vërtetë (Kishte edhe nga ata si Karl Topia dhe Gjon Kastrioti, princat e fundit shqiptarë të Arbërit, që mbajtën një profil të papërcaktuar fetar. (Xhufi, P.: “Krishterimi roman në Shqipëri”; te “Krishterimi ndër shqiptarë”, 2000, Shkodër, f. 89). Edhe faktorët gjeografikë, si largësia e vendbanimeve nga njëri-tjetri e nga kisha, nuk i nxitën shqiptarët që banonin në malësi të përqafonin fetë e reja. Për më tepër, dihet që në periudhën nga shek. XII deri në shek. XIV, kur në tokat shqiptare gjendeshin 20 peshkopata, ceremonitë fetare kryheshin gjithmonë në gjuhë të huaja (greqisht ose latinisht), të pakuptueshme nga besimtarët shqiptarë. Besoj se këta faktorë janë të mjaftueshëm për të argumentuar se pse besimet katolike dhe ortodokse te shqiptarët ishin të sipërfaqshme dhe, për pasojë, lehtësisht të ndryshueshme. Si pasojë e skizmës së vitit 1054, kur osmanët arritën në Shqipëri në shekullin XIV, gjetën veriun katolik dhe jugun ortodoks. Ata u përpoqën të përhapnin me forcë fenë islame, meqenëse Shqipërinë e pushtuan vetëm pas luftërash të përgjakshme që zgjatën gati një shekull (nga viti 1385 kur Balsha II u thye pranë lumit të Vjosës, deri në vitin 1479 kur Shkodra dhe gjithë Shqipëria ranë në duart e tyre). Sidoqoftë, feja e re nuk u përhap në mënyrë të njëjtë nga veriu në jug, si edhe nga zonat fushore në ato malore. “Gjatë shekullit XVI feja e pushtuesit nuk u përqafua nga katolikët shqiptarë. Dokumentet e kësaj periudhe tregojnë se popullata katolike ishte në raport 11/1 me myslimanët”. (Skendi, S.: “Zgjimi Kombëtar Shqiptar”, 2000, f. 20). Në shek. XVII filloi konvertimi, veçanërisht në qytetet e mëdha të Veriut, dhe popullsia katolike filloi të rrudhet. Shumica e të konvertuarve qenë burrat, ndërsa shumica e grave vijonin të mbanin fenë katolike, duke qenë në këtë mënyrë një faktor i rëndësishëm në krijimin e marrëdhënieve të mira midis anëtarëve të dy feve në përgjithësi. Për kalimin e shpejtë në fenë islame, shqiptarët u shtynë veçanërisht nga dëshira për t’i shpëtuar pagimit të taksave, si edhe nga prirja për të fituar privilegje. Një faktor i rëndësishëm që nuk luajti rolin e duhur për t’i mbajtur të lidhur malësorët e Shqipërisë së Veriut me fenë katolike, ishte edhe numri i vogël i klerikëve të aftë për të plotësuar nevojat shpirtërore të popullsisë, dërgimi në Shqipëri i klerikëve të huaj, midis të cilëve edhe sllavë, që nuk predikonin në gjuhën shqipe, klerikë pa arsim fetar, ose mungesa e tyre. Në vitin 1602, në një letër dërguar Papës, shqiptarët katolikë paralajmëronin edhe mundësinë e shkëputjes nga Roma nëse gjendja nuk do të përmirësohej. Gjatë shek. XVI-XVIII, kur filloi procesi i kthimit të kishave në xhami, u ndalua gjithashtu të ndërtoheshin kisha të reja. Në raste të tjera autoritetet osmane nuk lejonin zhvillimin e ceremonive fetare të krishtera, kurse forcat ushtarake osmane shpesh kryenin bastisje dhe grabitje të hapura ndaj besimtarëve të thjeshtë katolikë dhe “barinjve” të tyre. (Thëngjilli, P.: “Katolicizmi në Shqipëri përballë shtetit osman, te Krishterimi ndër shqiptarë”, 2000, f. 228, 229). Vlen të theksohet se shumica e katolikëve pranuan fenë e pushtuesve, veçanërisht pas raprezaljeve që pasuan luftën turko-veneciane të vitit 1645 dhe luftën turko-austriake të vitit 1699, në të cilat morën pjesë aktive edhe shqiptarët të nxitur nga kleri i lartë katolik. Në shek. XVIII presioni ndaj katolikëve u zbut disi edhe si pasojë e traktatit turko- austriak të Sistovës (1791), që konfirmoi privilegjet e Austrisë mbi katolikët e Perandorisë Osmane. Megjithatë, kalimi në fenë islame vijoi edhe gjatë shekullit XVIII, kryesisht për shkaqe tribale. Kurse shqiptarët e Kosovës përqafuan fenë islame edhe për t’i pasur osmanët si aleatë në luftërat e tyre të pafundme ndaj agresorëve gjakatarë serbë dhe për të siguruar mbijetesën e tyre. Banorët e zonave fushore të Shqipërisë Qendrore u konvertuan më shpejt në krahasim me malësorët e viseve të veriut. Banorët e këtyre fushave, që kanë përbërë prej kohësh brezin e kufirit midis katolicizmit dhe ortodoksisë, të ndikuar nga luhatjet fetare që pasonin pushtimet e dendura, ishin më të prekshëm nga propaganda islamizuese. Milan Shuflaj, albanologu i famshëm kroat dhe miku i sinqertë i shqiptarëve, në librin e tij “Serbët dhe shqiptarët” ka shkruar: “Pesëkëndëshi i madh përreth Durrësit, së bashku me udhët e tij, në këndet Lezhë–Durrës, Ohër–Berat–Vlorë, për sa u përket ndryshimeve të pushtetit politik, mbante rekordin e të gjitha vendeve që lageshin nga deti Mesdhe. Fushat e Shqipërisë së Mesme, gjatë katër shekujve (992–1392) ndërruan zot, sipas numërimit që bëra vetë, 32 herë. Shumë herë ishin bullgarë (989– 987), normanë (1042–1085), venedikas (1205–1213, 1241, 1392–1501), epirotë (1213–1258, 1266–1272), hofenstraufas (1258–1266), anzhuinë (1271–1382), serbë (1295, 1343, 1385) e shqiptarë (1368, 1386–1392)”. (Shuflay, Milan: Serbët dhe shqiptarët, 2000, f. 117–118). Në Shqipërinë e Jugut kushtet ishin të ndryshme në krahasim me pjesën tjetër të vendit. Pas rënies së Kostandinopojës (1453), Mehmeti II kërkoi besnikërinë e të krishterëve ortodoksë në Ballkan, duke e shpallur veten protektor të kishës ortodokse dhe duke i kthyer Patrikut Ekumenik të drejtat dhe privilegjet e vjetra. Gjatë shekujve të parë të pushtimit, osmanët, në kulmin e fuqisë së tyre, nuk e panë të arsyeshme përdorimin e forcës për apostasi. Kur ortodoksi shqiptar përqafoi fenë islame, ai e bëri këtë për të njëjtat arsye interesi, siç kishte bërë edhe katoliku i veriut. Faktorë të tjerë që shtynë këtë proces, ishin edhe injoranca dhe analfabetizmi i klerit, mosinteresimi i klerit të lartë, abuzimet e klerikëve që kërkonin paturpësisht të pasuroheshin në kurriz të popullsisë, mungesa e Ungjillit në shqip dhe mungesa e një kishe kombëtare shqiptare. Shqiptarët, si në jug ashtu edhe në veri, e kanë pasur për zemër proverbin romak “Ku është shpata, aty është edhe feja”, zbatimi i të cilit u ka siguruar mbijetesën dhe karrierën politike e ushtarake. Në islamizimin e 2/3 të shqiptarëve një rol të konsiderueshëm ka luajtur edhe struktura fisnore e organizimit social të shqiptarëve. Në grupimet fisnore, fjala e kreut të fisit ishte ligj për të gjithë anëtarët e tij. Anëtarët e fisit respektonin parapëlqimin fetar të kreut të fisit, duke besuar që ai ishte edhe në të mirën e tyre. Pra, përqafimi i islamit nga kreu i  fisit bënte të mundur kalimin në fenë islame të të gjithë anëtarëve të fisit. Ndërsa fshatarët serbë ose grekë, që nuk ishin të lidhur në këtë mënyrë me prijësit e tyre, mbeteshin të krishterë edhe kur këta të fundit zgjidhnin islamin.

HARMONIA NDËR SHQIPTARËT ME FE TË NDRYSHME

Në Shqipëri marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, si rregull, nuk u karakterizuan nga urrejtja e fanatizmit fetar, sidomos në shtresat e gjera të popullsisë. Kjo dukuri, që në të vërtetë ka nisur shumë herët me marrëdhëniet midis katolikëve dhe ortodoksëve, jo vetëm i ruajti, por edhe i përforcoi tiparet e veta edhe pas përhapjes  së islamizmit, sepse vijuan të veprojnë të njëjtët faktorë të brendshëm njësues, si: bashkësia territoriale, gjuhësore, historike, si edhe trashëgimia e përbashkët etnike e shpirtërore. Rëndom ky fenomen specifik i popullit shqiptar quhet harmoni ose tolerancë fetare. Veçse, në këto forma nuk del në pah protagonisti kryesor i kësaj mrekullie shqiptare, që është vetë populli shqiptar. Në të vërtetë, është vetëm shprehja bashkëjetesa shqiptare, që e vendos kombin tonë në një kuadër të njësuar, ku, edhe pse kombinohen identitete të ndryshme fetare, ndërthuren prirje të përbashkëta për shumë çështje, ndër të cilat do të veçonim, për shembull, qëndrimin e njësuar ndaj ngjarjeve të rëndësishme historike dhe shoqërore të vendit. Harmonia fetare, që do të thotë vetëm harmoni në mes feve, duhet të kuptohet si harmoni ndër shqiptarët që praktikojnë fe të ndryshme. Kurse shprehja toleranca fetare (toleroj = duroj, lejoj, tregohem zemërgjerë, mbyll një sy), e përdorur në këtë rast, nuk tingëllon shumë elegante. “Përkatësia fetare nuk bëhej pengesë kryesore për një bashkëjetesë normale midis myslimanëve dhe të krishterëve, përkundrazi ata filluan të lidheshin në krushqi. Në fshatrat e Labërisë në të njëjtën tepsi piqej byreku i gatuar gjysmë me mish derri dhe gjysmë me mish dashi, që nga njëra anë hante burri i krishterë dhe nga ana tjetër gruaja myslimane”. (Kola, A.: Arvanites, Tiranë, 2008, f. 114). Politika që ndoqi Ali pashë Tepelena, që ndryshoi botëkuptimin e shqiptarëve në pashallëkun e tij lidhur me fenë, kishte në thelb çlirimin nga konceptet shabllone fetare dhe rritjen e mëtejshme të ndjenjave kombëtare mbi ato fetare. “Në pashallëkun e Janinës nën qeverisjen e Ali pashë Tepelenës, të gjitha besimet fetare gjejnë një tolerancë të gjerë. I krishteri nuk është i shtypur nga ata mekanizma sekondarë të tiranisë që i bëjnë të padurueshëm zinxhirët që i lidhin ata”. (Holland, H.: “Travels”, 1815, f. 156–157). Nga shumë fakte të tjera zgjodha dy, që po i paraqes shkurtimisht: Dhiata e Re e shqipëruar nga dr. Vangjel Meksi, që u shtyp pjesërisht në vitin 1824, u shpërnda në të gjithë Shqipërinë. 10 kopje iu dorëzuan imzot Andrea Ikonomit, famullitar i kishave të Kavajës dhe Durrësit. I dërguari i Shoqërisë Biblike Angleze që shpërndante biblat, informoi qendrën në Londër për një fakt të jashtëzakonshëm: “Në anën e majtë të hyrjes në kishën ortodokse të Durrësit kushtuar Shën Gjergjit, ndodhet një altar i kishës latine kushtuar Luçianit, ku priftërinjtë katolikë bëjnë meshën, mbasi mbaron të vetën prifti i kishës ortodokse. Ishte një fakt i tolerancës fetare në Shqipëri. Atë që vetëm në vitin 1962 do ta pranonte si ekumenizëm (afrimi ose bashkimi i të gjithë besimtarëve të fesë së krishterë dhe të kishave të ndryshme) Koncili II i Vatikanit, shqiptarët e kishin realizuar një shekull e gjysmë më parë”. (Lloshi, Xh.: Vangjel Meksi (1770-1823), Personalitet i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2000, f. 23). Revolucioni grek ishte në kulmin e vet, kur gjatë rrethimit të qytetit Tripolica (1823), që mbrohej kryesisht nga ushtarë shqiptarë  të mobilizuar nga turqit, ndërsa nga jashtë sulmohej nga shqiptarë të bashkuar me kryengritësit grekë, të cilëve u shërbente edhe dr. V. Meksi, mjeku i Ali pashë Tepelenës, ndodhi një ngjarje e rrallë që tregohet edhe sot nga labovitët. Me ndërhyrjen e doktorit u shmang gjakderdhja e mëtejshme dhe u arrit një marrëveshje sipas së cilës shqiptarët e rrethuar e lanë kështjellën, por… bashkë me armët e tyre. Dr. Nuray Bozbora në librin e saj pohon se “Ashtu siç nuk janë vërejtur konflikte fetare midis katolikëve dhe ortodoksëve, e njëjta gjë mund të thuhet dhe për marrëdhëniet bektashizëm–sunizëm në Shqipëri, madje e njëjta gjë mund të thuhet edhe për raportet midis islamit   dhe krishterimit në Shqipëri. Pjesëmarrja e shqiptarëve me përkatësi të ndryshme fetare në ceremonitë fetare të njëri-tjetrit, dëshmon për tolerancën fetare midis shqiptarëve”. (Bozbora, Nuray: “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane”, f. 65).

FILLIMET E BASHKËJETESËS SHQIPTARE

Fillimet e “harmonisë fetare”, ose më saktë të “bashkëjetesës shqiptare”, duhen kërkuar shumë shekuj më parë, ndërsa faktorët që kanë përcaktuar këtë dukuri specifike shqiptare janë të shumëllojshëm. Shqiptarët, edhe pse e kanë pranuar menjëherë fenë e shtetit të radhës që i ka pushtuar, i kanë vendosur të gjitha fetë në një vend pak të rëndësishëm të jetës së tyre sociale. Islamizimi i shqiptarëve, ashtu siç ndodhi edhe kur ata përqafuan krishterimin, ruajti karakterin e një akti më tepër pragmatik sesa shpirtëror. Përqafimi i fesë së krishterë ose kalimi i shqiptarëve në islam u përcaktuan nga përfitimet politike dhe jo nga ato sociale. Edhe kur shqiptarët përqafuan disa nga normat e fesë islame që rregullonin marrëdhëniet sociale, ata vijuan të ruanin me xhelozi normat e brendshme të organizimit fisnor, të cilat i kishin përcjellë  të paprekura gjatë shekujve të dominimit të fesë së krishterë, qoftë katolike, apo edhe ortodokse.

Për ta ilustruar këtë, mund të themi se, me gjithë rregullat e fesë islame që nuk merrnin parasysh fisnikërinë e gjakut dhe dallimet e racave, shqiptarët vijuan t’i respektonin ato. Në Perandorinë Osmane një individ i shtresës së ulët mund të arrinte deri në postin e pashait, kurse shqiptarët myslimanë, ashtu si gjithë shqiptarët e tjerë, ende respektonin traditën e njohjes së të parit të fisit, që kalonte nga ati te biri. Norma islame, që një burrë mund të martohej me më shumë se një grua, nuk e prishi normën shqiptare të martesës dhe të jetesës vetëm me një grua. Institucioni i martesës, që në fenë islame parashikonte prishjen e kufijve midis shtresave sociale, nuk e prishi traditën shqiptare të martesës brenda së njëjtës racë dhe shtresë sociale. Këta shembuj, që mund të jenë edhe më të shumtë në numër, tregojnë se islami si doktrinë fetare, ashtu si edhe feja e krishterë më parë, nuk ishin lejuar nga shqiptarët që të rregullonin jetën e tyre sociale. Feja islame u shërbente shqiptarëve myslimanë vetëm për përfitime politike, ndërkohë që ata vijonin të bënin pothuajse të njëjtën jetë sociale si të parët e tyre ose si shqiptarët e krishterë bashkëkohës. Jeta e njëjtë sociale e shqiptarëve, pavarësisht nga feja që praktikonin, e trashëguar që nga periudha parakristiane, duhet të jetë një faktor i rëndësishëm që qëndron në bazë të harmonisë fetare ose bashkëjetesës shqiptare.

Perandoria islame i ofroi shqiptarit luftarak mundësi të mëdha. Duke përdorur fenë për të dalluar sunduesin nga i sunduari, i vendoste shqiptarët myslimanë në radhën e sunduesve, derisa ata e kishin bërë zgjedhjen e tyre. Shumica e renegatëve që arritën në pozita të larta, qenë shqiptarë, ndërkohë që në trupat jeniçere më të fortët e më të aftët vinin nga Shqipëria. Shumë nga pazhët në pallatin e sulltanit, të stërvitur jo vetëm në artet e oborrtarit, por edhe në ato të administratorit dhe të komandantit, ishin shqiptarë. Së paku tridhjetë kryevezirë kishin origjinë shqiptare. Shqiptari mysliman gjeti në perandori një fushë të gjerë ku mund të zhvillonte personalitetin dhe të impononte autoritetin e tij. Megjithatë, në përgjithësi, ai nuk harronte se ishte shqiptar. Ismail Qemali, në kujtimet e tij të botuara në vitin 1920, ka shkruar: “…gjatë sundimit turk i shërbyem Perandorisë me besnikëri, duke ruajtur në të njëjtën kohë të pastër dhe të paprekur patriotizmin tonë shqiptar”. Ismail Qemali bashkë me shqiptarë të tjerë që ishin të integruar plotësisht në jetën dhe administratën osmane, u përfshinë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare sepse qenia shqiptare e tyre mbizotëroi plotësisht mbi qenien osmane. Veçse turqit, që e njihnin këtë veçori të shqiptarëve, ishin gjithmonë të kujdesshëm me ta. Edhe pse ua besonin qeverisjen e trojeve shqiptare pashallarëve vendës, nuk ka pasur kurrë një pasha të vetëm që të sundonte në gjithë Shqipërinë në emër të sulltanit. Porta luante me ta duke nxitur njërin kundër tjetrit.

Gjatë katër shekujve të pushtimit Porta e Lartë nuk ka krijuar as edhe një herë vilajete shqiptare homogjene vetëm me shqiptarë, dhe as bëhej fjalë që t’i jepte një përcaktim të qartë e të prerë shprehjes gjeografike të paqartë Shqipëria. Me gjithë metodat e stërholluara që përdornin pushtuesit osmanë, shqiptarët, pavarësisht nga besimi fetar, jo vetëm nuk e ndryshuan karakterin e tyre etnik, por i forconin edhe më tepër ndjenjat e tyre kombëtare dhe zakonisht identifikoheshin si shqiptarë dhe jo si muhamedanë ose të krishterë, si banorët e tjerë të Turqisë Europiane. Manzur për këtë tipar shkruante: “Në të gjitha dialektet gjuha e tyre quhet shqip, vendi i tyre Shqipëri dhe nacionaliteti shqiptar”. Vangjel Zhapa dhe të afërmit e tij duket se u vendosën në Rumani gjatë vitit 1833. Menjëherë pjesëtarët e fisit Zhapa regjistrohen në zyrën e gjendjes civile të komunës së Broshenit me shtetësi otomane dhe kombësi shqiptare. (“Monitorul official, Nr. 46061”, f. 1803). Vite më vonë, kur Vangjel Zhapa rreshtohej ndër më të pasurit e Europës Lindore, ishte ndezur një luftë e egër mes Greqisë dhe Rumanisë, që vazhdon edhe sot, lidhur me origjinën e  tij. Me këtë rast labovitit të urtë iu desh ta dëshmonte edhe një herë origjinën e tij shqiptare. Në parathënien e librit të tij Trentori (Bleta mashkull), që botoi në Bukuresht në vitin 1847, ka shkruar tekstualisht: “Ne, zotërinj, jemi shqiptarë dhe Atdheu ynë është një vend që ka fituar me luftë prej kohësh disa privilegje legale nga Porta e Lartë”. Të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga besimi që praktikonin, me krenari dhe respekt kujtonin luftërat legjendare të heroit kombëtar Skënderbeu ndaj pushtuesit osman.

Myslimanët shqiptarë duket sikur e kishin harruar që Skënderbeu kishte luftuar kundër osmanëve si një i krishterë. Ajo që kishte rëndësi për ta ishte fakti që ai ishte gjaku i tyre, një shqiptar dhe kishte luftuar për çlirimin e vendit. Dhe e pranuan njëzëri si hero kombëtar. Në këtë mënyrë Skënderbeu së bashku me gjuhën shqipe dhe doket e zakonet e lashta të tyre ngelën si elemente të përbashkëta, pika e bashkimit për të gjithë shqiptarët. Udhëtarë të shumtë perëndimorë (G. C. Brougton, I. C. Hobhause, Th. S. Hughes etj.), që vizituan Shqipërinë në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX, kanë pohuar se: “…përgjërimi për atdheun e tyre ka qenë dhe është në themel të tolerancës fetare në Shqipëri”. Edhe kur u detyruan të linin fenë e krishterë, shqiptarët përpiqeshin të gjenin shtigje të tjera, që në njëfarë mënyre të ishin të lidhur me historinë, me traditat, me fenë e tyre të vjetër dhe me bashkatdhetarët që ende e praktikonin atë. Në veri dhe në qendër të Shqipërisë u shfaq një dukuri që quhet kriptokristianizëm. Kriptokristianët (laramanët), që zakonisht banonin në vise pranë myslimanëve, shpallnin islamin për fe të tyre, por e qetësonin ndërgjegjen duke ushtruar krishterimin fshehurazi. Bektashizmi, ky urdhër panteist mysliman me origjinë nga viset kufitare me Anadollin, ku bashkekzistonin krishterimi, islamizmi dhe paganizmi, u përhap në gjithë Ballkanin dhe veçanërisht në Shqipërinë e Jugut, ku 9/10 e myslimanëve ishin bektashinj. (Bozbora, N.: po aty, f. 61). Liria më e madhe dhe lidhjet me krishterimin, veçori të bektashizmit, u pëlqyen shqiptarëve, ndër të cilët nuk mbeti një urdhër, po u bë sekt. Asnjë nga fetë që praktikonin shqiptarët nuk mundi të errësojë ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Shqiptarët, krenarë për prejardhjen e tyre, ruajtën me njëri-tjetrin, për shekuj me radhë, aq sa kishin mundësi, lidhjet shpirtërore, ekonomike, shoqërore, madje edhe ato familjare. Vetëm kështu shpjegohet fakti që Shqipëria nuk njohu asnjëherë grindje dhe luftëra fetare edhe pse ato nxiteshin me zell nga fqinjët shovinistë.

KUJDES, K0MBI SHQIPTAR NË RREZIK

Pas krijimit të shtetit grek dhe shtetit serb, qeveritë e tyre kishin shfaqur prirje të frymëzuara nga ide shoviniste, që u shndërruan në vijën themelore të politikës së tyre. Megali Idea dhe Naçertanie, që jo rastësisht u shpallën në të njëjtën kohë, në vitin 1844, shprehnin hapur aspirata ekspansioniste të hartuesve të tyre. Sipas këtyre projekteve, pas vdekjes së të Sëmurit të Bosforit, tokat shqiptare ishin të destinuara të ndaheshin midis Greqisë dhe Serbisë. Megali Idea greke gjeti mbështetje të fuqishme edhe te Patriarkana e Stambollit, që pas krijimit të shtetit grek e humbi karakterin ekumenik që kishte më parë dhe u kthye në një kishë greke. Në këtë mënyrë kisha ortodokse dhe shkollat e shumta në gjuhën greke që u ngritën në trevat shqiptare, sikurse e kemi përmendur edhe më lart, u kthyen në vatra për të helenizuar besimtarët dhe nxënësit që mësonin në to. Për të kuptuar shndërrimin e Patriarkanës nga një Patriarkanë Ekumenike për të gjithë të krishterët nën tokë ose mbi tokë, në një kishë të vogël greke, mjafton të përmendim miratimin e menjëhershëm nga Patriarkana në vitin 1816 të shqipërimit të Dhiatës së Re nga dr. Vangjel Meksi dhe më pas ideimin dhe vendimin për helmimin e Naum Bredhi-Veqilharxhit, autor i abetareve të para shqipe, në vitin 1846, pasi ishte krijuar shteti grek dhe ishte shpallur ‘Megali Idea’.

Nga ana tjetër, sundimtarët osmanë shtuan përpjekjet për t’i fanatizuar fetarisht dhe për t’i turqizuar kombëtarisht shqiptarët myslimanë. Në shkollat shtetërore turke, që po ngriheshin me qindra pas mesit të shek. XIX, edhe pse quheshin formalisht shkolla laike, nuk mësohej historia e Shqipërisë dhe pjesën më të madhe të programit e zinin lëndët e fesë islame. Me gjithë barazinë e shpallur nga reformat e Tanzimatit, ndryshimi ndërmjet shqiptarëve me besime të ndryshme fetare ishte thelluar edhe më tej me zbatimin e diferencuar të detyrimit të shërbimit ushtarak dhe veçanërisht pas konfirmimit të sistemit arsimor paralel, i cili po krijonte shtresa gjithnjë e më të gjera të shoqërisë shqiptare që arsimoheshin në kultura të ndryshme. Pra, në sintoni të plotë, Patriarkana me Portën shpërthyen një fushatë helenizuese dhe turqizuese nëpërmjet shkollave greke dhe turke, që si kërpudha helmuese u ngritën për të nxitur fanatizmin e përçarjen fetare midis shqiptarëve. Ndërkohë shqipja nuk mësohej në shkolla dhe shqiptarët mbaheshin të ndarë dhe, për më tepër, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, që u quajt Rilindje, po vononte të lindte.

KOMBI DHE GJUHA NË THEMELET E BASHKËJETESËS SHQIPTARE

Në një situatë të tillë, kur Shqipëria dhe shqiptarët po mësyheshin si asnjëherë tjetër në historinë e tyre, ishte Naum Bredhi-Veqilharxhi i pari dhe i vetmi që kuptoi se shqiptarët të ndarë dhe të paditur rrezikonin të zhdukeshin si komb. Ndër fqinjët ballkanas të Shqipërisë, feja dhe kombësia përputheshin. Përderisa kjo nuk ndodhte me shqiptarët, Naumi u përpoq të zhvillonte ato aspekte të kulturës kombëtare që ishin të një natyre jofetare, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të kryhej bashkimi kombëtar. Si rrjedhim, theksin e vuri te ekzistenca e kombit shqiptar, te raportet e kombit me fetë dhe te gjuha shqipe, e cila mund të shërbente si një hallkë e qëndrueshme bashkuese ndërmjet grupeve të ndryshme krahinore dhe fetare. Naumi nisi menjëherë punën për përpilimin e alfabetit të veçantë që nuk do të ishte as arab, as grek, as latin, as edhe cirilik, duke vijuar me pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe, me gramatikën, me afrimin e dy dialekteve të gjuhës shqipe dhe së fundmi me hartimin e abetareve dhe materialeve të tjera didaktike.

Si iluminist, Naum Bredhi-Veqilharxhi mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhën e vendeve të qytetëruara. Për N. Veqilharxhin çlirimi kulturor ishte një faktor pa të cilin nuk mund të arrihej çlirimi politik. Në këto kushte ai ishte i pari që ndjeu nevojën e ngutshme të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare. Shkollat shqipe do të shërbenin gjithashtu si një mjet i dorës së parë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, bashkimin dhe emancipimin e popullit, si dhe propagandimin e ideve patriotike. Naum Veqilharxhi e kishte të qartë se theksimi i identitetit kombëtar shqiptar do të minimizonte identitetet fetare dhe dukurinë e mbylljes së identiteteve fetare ndaj njëri-tjetrit. Këtu është vendi për të paraqitur edhe idetë e Naum Veqilharxhit lidhur me kombin dhe fetë e shqiptarëve. Në manifestin e famshëm, Letra drejtuar Jani Calit më 7 prill 1846, Naum Veqilharxhi shkruan se kombi shqiptar është një trup homogjen, është esenca, kurse fetë janë veçori të fituara më vonë të esencës. Në këtë mënyrë, Naum Veqilharxhi del i pari që shtroi çështjen thelbësore të përparësisë së kombësisë mbi fetë, duke ideuar në këtë mënyrë rilindjen e kombit shqiptar, që përfshinte myslimanët, ortodoksët dhe katolikët. Populli shqiptar nuk e kishte të vështirë t’i pranonte porositë e Naum Bredhi-Veqilharxhit.

Prej 10–15 shekujsh, kur pushtuesit e njëpasnjëshëm u impononin shqiptarëve fe të huaja, ata krijuan modelin e tyre, sipas të cilit besimet fetare u praktikuan në një mënyrë të veçantë, në mënyrën shqiptare, me tone të ulura, ku nuk kishte vend ideja e përçmimit të bashkëkombasve të feve të tjera dhe duke i lënë vendin respektit të ndërsjellë. Natyrisht, çdonjëra prej feve ka pjesën e vet në ndërgjegjen historike, shpirtërore e kulturore të popullit tonë. Ato kanë sjellë vlerat e tyre dhe kanë pasuruar botën shpirtërore të shqiptarit, duke ruajtur gjithmonë një qëndrim të njësuar, veçanërisht ndaj ngjarjeve të rëndësishme historike e shoqërore që kanë përshkuar në shekuj jetën e shoqërisë shqiptare. Fenomeni i harmonisë fetare ose i bashkëjetesës shqiptare u bë tipari kryesor i kombit dhe hallka kryesore për ruajtjen e njësisë së kombit shqiptar në kushtet e ekzistencës së tri feve. Në këtë mënyrë N. Veqilharxhi, pasi shtroi faktin e njohur të përparësisë së kombit mbi fetë, që shqiptarët e kishin vënë në jetë shekuj më parë, përpunoi bazat filozofike të fenomenit të harmonisë fetare, në interes të rilindjes së kombit shqiptar dhe të luftës për pavarësi kombëtare, që do të synonte ngritjen e themeleve të shoqërisë shqiptare, pluraliste e moderne.

 

 

KREU I DYTË: NAUM BREDHI – VEQILHARXHI

(17 dhjetor 1797 – 1846)

HYRJE

Në fillim të shekullit XIX, greko-fanarjoti Aleksandër Ipsilanti (1792–1828), kryetar i Shoqërisë së Miqve (Filiqi Eteria), shoqëri politike greke e themeluar në Odesë të Rusisë më 1814, për të përgatitur shpërthimin e kryengritjeve kundërosmane të vitit 1821 në Moldavi, Vllahi dhe Greqi, u bënte thirrje ortodoksëve grekë, shqiptarë, bullgarë, rumunë dhe armenë që të ngriheshin kundër turqve në një kryengritje që do të ngjante më tepër me një kryqëzatë dhe do të synonte formimin e një shteti ortodoks me kufijtë e Perandorisë Bizantine dhe me Konstandinopojën (Stambollin) kryeqytet. Në të vërtetë shumë ortodoksë jogreqishtfolës morën pjesë aktive në këto kryengritje, që u bashkërenduan edhe me veprimet luftarake të Ali pashë Tepelenës kundër turqve. Në kryengritjen greke pati një pjesëmarrje masive të arvanitëve, ndër të cilët u dalluan veçanërisht Kolokotroni, Karaiskaqi, Laskarina, Bubulina, Kryezinjtë, Boçarët e shumë të tjerë, si edhe shqiptarët dr. Vangjel Meksi, Vangjel Zhapa etj. Numëroheshin disa mijëra kryengritës shqiptarë në Rumani, që komandoheshin edhe nga ai që do të ishte ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Naum Bredhi-Veqilharxhi. Shqiptarë të shumtë morën pjesë në kryengritjet greke dhe rumune, duke shpresuar se në shtetin e lirë që do të krijohej, do të gëzonin të drejta të barabarta me kombësitë e tjera të Ballkanit, veçse pa menduar më thellë për fatin e toskëve myslimanë dhe të gegëve në përgjithësi, si edhe për ruajtjen e tërësisë së atdheut të tyre. Ishte koha kur shqiptarët ishin të ndarë jo vetëm në të krishterë e myslimanë, por edhe në gegë e toskë dhe banonin në katër vilajete të ndryshme të Perandorisë Osmane. Në të vërtetë, pas këtyre kryengritjeve ishin vetëm grekët dhe serbët që arritën të ngrinin shtetet e tyre. “Pas formimit të shtetit grek filluan të fabrikoheshin dhe të përhapeshin teori të ndryshme antishqiptare. Veçanërisht e djallëzuar ishte teoria pellazgjike, e cila propagandonte që shqiptarët dhe grekët kishin origjinë të përbashkët, nga pellazgët, duke arritur kështu në përfundimin se shqiptarët duhej të shkriheshin me grekët” (Historia e popullit shqiptar, II, 2000, f. 105). Shpikja tjetër po aq e sofistikuar ishte “afirmimi i një identiteti të përbashkët mes grekëve dhe shqiptarëve vetëm mbi bazën e fesë dhe të kulturës”. (Clayer, N.: Fillimet e nacionalizmit shqiptar, Tiranë, 2009, f. 165.) Bëhej fjalë për ortodoksët shqiptarë që banonin në trojet e tyre në Shqipërinë e Jugut dhe praktikonin fenë e tyre ortodokse, por që predikohej në kisha të varura nga Patriarkana Ekumenike e Stambollit, ku shërbenin zakonisht klerikë grekë. Po këta priftërinj luanin edhe rolin e mësuesve në shkollat greke në Shqipëri, ku mësohej vetëm gjuha greke dhe kultura greke. Ndërkohë fëmijët shqiptarë të fesë myslimane ndiqnin shkollat turke, duke pasur si mësues hoxhallarët, kurse fëmijët e shqiptarëve katolikë ndiqnin shkollat në gjuhën italiane me mësues priftërinj katolikë. Shqiptarët nuk njiheshin zyrtarisht si popull më vete nga Perandoria Osmane dhe ishin të ndarë në tre milete (grupe). Ata quheshin grekë kur ishin të fesë ortodokse, turq kur ishin të fesë myslimane dhe latinë ata të fesë katolike. Duke vënë shenjën e barazimit ndërmjet fesë dhe kombësisë, shqiptarëve u mohohej identiteti i tyre kombëtar. Prej robërisë së gjatë shqiptarët kishin humbur kuptimin e bashkimit. Helmi i propagandës së huaj kishte brejtur fijet dhe paralizuar sinapset nervore të kohezionit kombëtar. Të ndarë dhe të përçarë në këtë mënyrë, shqiptarët, të njohur si një nga kombet më të lashta dhe më liridashëse të Europës, të fundit që u qëndruan hordhive osmane, plotësisht të çorientuar, nuk luftonin për çlirimin e atdheut të tyre, por për lirinë e vendeve të tjera (Greqi, Rumani, Itali etj.), shpesh edhe kundër njëri-tjetrit. Ky ka qenë kuadri historik ku u gjend Naum Bredhi -Veqilharxhi, i cili shumë herët kuptoi se shqiptarët, të ndarë jo vetëm nga feja, por edhe nga ana territoriale-dialektore në gegë dhe në toskë, rrezikonin të zhdukeshin si komb.

*          *          *

Me traditën që krijoi Bizanti në shekujt e kaluar si trashëgues i gjuhës dhe kulturës helene, gjuha greke u bë gjuha e kulturës së Lindjes, po ashtu si latinishtja në Perëndim. Me fillimet e përpjekjeve për shkrimin e gjuhëve amtare ndër popujt e ndryshëm të Europës, filluan edhe kontradiktat midis tyre në rrafshin e gjuhëve dhe kulturave greke dhe latine. Pas botimit të gramatikës së U. M. Likut dhe Evstrat Vithkuqarit (1814) me nxitjen e Ali pashë Tepelenës dhe të gramatikës së dr. Vangjel Meksit (para vitit 1819), mjeku i Ali pashë Tepelenës, me të cilat do të mësohej shqipja në shkolla dhe, veçanërisht, pas shqipërimit të Dhiatës së Re po nga Vangjel Meksi (1821), në terren u ndeshën dy teza: ajo greke e Fanarit (sipas emrit të lagjes në Stamboll ku ndodhet Patrikana) dhe ajo shqiptare. Përpjekjet për të futur shqipen në kisha, për mësimin e shqipes në shkolla dhe për botime shqipe sollën acarime midis kishës greke dhe shqiptarëve. Përballë kësaj situate, grekët, përveç rindërtimit të kishave të vjetra, ndërtimit të kishave të reja dhe kualifikimit të priftërinjve që shërbenin në to, përdorën një metodë të re: mësimin e greqishtes me ndihmën e shqipes. Në shërbim të këtij plani u botuan gramatika të greqishtes në gjuhën shqipe, fjalorë greqisht-shqip dhe tekste fetare, ku viheshin përbri e njëjta përmbajtje në dy gjuhë, greqisht dhe shqip, gjithmonë me alfabetin grek. Grekët duket se u tërhoqën paksa. Tashmë shqipes nuk i mohohej shkrimi në qoftë se bëhej në favor të greqishtes, mjaftonte që shqipja të mos shkruhej me shkronja të posaçme, të provuara më parë nga Dhaskal Todhri, dr. Jan Vellarai dhe Stefan Postenani. Naum Bredhi-Veqilharxhi pa me kthjelltësi se sipas këtij plani vërtet shqipja shkruhej dhe lëvrohej, por ideja e krijimit të kulturës shqiptare nuk realizohej, dhe, për më tepër, shqiptarët do të vijonin të ishin të ndarë sipas feve, ose më mirë sipas alfabeteve. Me veprën e tij Naum Bredhi-Veqilharxhi do të tejkalonte qëndrimin e dr. Vangjel Meksit, që shqipëroi Dhiatën e Re duke përdorur shkronjat greke dhe disa shkronja neolatine. Në këtë luftë të hapur në fushën e fesë dhe të gjuhës, ku bashkë me shpatat, thikat dhe pushkët, u përdorën edhe helmet e të gjitha llojeve, ishte e qartë se shqiptarët do të dilnin të humbur, derisa armët e tyre ishin vetëm librat, penat dhe fletoret. Por dinamika e shkrirjes dhe asimilimit nëpërmjet afirmimit të një identiteti të përbashkët të sajuar, pra, midis fesë dhe kulturës (feja ortodokse dhe gjuha e kultura greke), nxori në pah një dallim të rëndësishëm, që qëndronte kryesisht mbi bazën e gjuhës që flisnin shqiptarët (gjuha shqipe dhe identiteti kombëtar ose shqiptarizmi). Naum Veqilharxhi arriti të dallonte gjuhën shqipe si elementin më të veçantë, më të qenësishëm dhe më funksional të shqiptarëve si tërësi kombëtare. Mbi këtë bazë ai ideoi dhe punoi për të lëvruar gjuhën shqipe dhe për të ngritur shkollat shqipe, pasi vetëm kështu mund t’i bëhej qëndresë shkombëtarizimit të Shqipërisë së Jugut. Ishte kjo ndërmarrje e rilindësit Naum Bredhi-Veqilharxhi për gjuhën shqipe që u ndoq nga misionarë të shumtë jashtë dhe brenda hapësirës shqiptare.

Formimi patriotik dhe politik

I.JETA – HAPAT E PARË

Naumi i takon një familjeje me tradita në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të shqiptarisë në veçanti. Gjyshi i tij Llazar Bredhi ishte një nga veprimtarët e shquar për futjen e shqipes në kisha dhe shkolla. (Islami, M.: Naum Veqilharxhi, 1977, f. 24). I ati i Naumit, Panajot Bredhi-Veqilharxhi, ishte vendosur në ishullin e Itakës, njëri nga 7 Ishujt Jonianë, ku ishte martuar me Marien, një vajzë e re vendëse, në vitin 1796. (Shuteriqi, Dh. S.: Mbi N. Veqilharxhin – Fakte dhe hipoteza, Studime filologjike, 1976, 4, f. 138). Si furnitor i shkathët i garnizoneve ushtarake turke (veqilharxh), ai kishte nuhatur barut në ato anë ku ishin vendosur edhe ushtritë e Napoleonit. Në fakt, francezët u larguan pas humbjeve në frontet e tjera dhe Ishujt Jonianë u pushtuan nga anglezët (1809), të cilëve u shërbeu edhe Panajoti, gjithmonë si furnizues. Ndoshta kështu shpjegohet fakti që djemtë e tij, Naumi, Theohari dhe Kostandini, të lindur në Itakë, kishin nënshtetësi britanike. Ka shumë të ngjarë që Naumi mësimet fillore dhe një pjesë të shkollës së mesme t’i ketë kryer në Ishujt Jonianë, ku mund të ketë rënë në kontakt me përpjekjet e shqiptarëve për shkrimin e shqipes dhe përdorimin e saj në kisha dhe shkolla.

Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XIX në pashallëkun e Janinës, fare pranë Itakës, ku jetonte familja Bredhi-Veqilharxhi, po përshpejtoheshin përgatitjet për realizimin e projektit madhor të Ali pashë Tepelenës, që synonte krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Ky shtet do të kishte gjuhën e tij zyrtare, që me siguri do të ishte gjuha shqipe. Për këtë arsye Ali pashë Tepelena i kushtonte vëmendje të veçantë promovimit të gjuhës shqipe ndër të huajt e shumtë që vizitonin oborrin e tij dhe nxiste lëvrimin e gjuhës shqipe nga ata dhe nga intelektualët shqiptarë, që, pasi i përzgjidhte me kujdes, i dërgonte për studime në universitetet më të shquara të Europës. Janina e Ali pashë Tepelenës në ato kohë “ngjante me një kopsht”, ku gjuha shqipe lulëzonte me gramatika, fjalorë dhe alfabete të shumta. Ilo Mitkë Qafëzezi dëshmon: “Ali pashë Tepelena ka pasur ndjenja shqiptari për liri dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. As që mund të shpjegohet ndryshe shkrimi i aq librave, fjalorëve, gramatikave dhe ungjijve brenda periudhës 1770–1827, bile edhe 5 vjet pas vrasjes së tij”. (Qafëzezi, Ilo Mitkë: Dhaskal Gjoka, f. 96). Në të vërtetë, vetëm gjatë 20 viteve të para të shek. XIX janë paraqitur ose botuar katër fjalorë (shqip-greqisht, shqip-frëngjisht dhe shqip-greqisht-anglisht), katër alfabete (tre prej tyre të veçantë) dhe pesë gramatika.

Kjo ka qenë atmosfera në të cilën zhvillohej mendimi patriotiko- kulturor shqiptar në pashallëkun e Janinës, që përhapej me siguri edhe në ishujt përballë, ku po rritej dhe shkollohej ai që do të bëhej ideologu i parë i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Meqenëse lufta u largua nga brigjet e detit Jon, Panajoti u zhvendos në Rumani, ku vazhdonte të shërbente si furnitor në repartet turke që luftonin kundër rusëve (lufta ruso-turke e viteve 1806–1812). Duket se Naumi, në vitin 1811 ose 1812, në moshën 14 ose 15-vjeçare, pas shpërnguljes së të atit në Rumani, ndërpreu gjimnazin grek dhe bashkë me pjesën tjetër të familjes u vendos në Vithkuq. Vithkuqi ishte një fshat i madh malor në jugperëndim të Korçës, me kullota të shumta, gjë që ndihmonte zhvillimin e blegtorisë si dhe të atyre zejeve që lidheshin me përpunimin e prodhimeve blegtorale. Veçse në Vithkuq kishte një jetë shpirtërore dhe arsimore që sundohej nga disa kisha dhe nga një shkollë fillore, ku si predikimi në kishë ashtu dhe mësimi në shkollë jepeshin në gjuhën greke.

Prej kohësh predikimi në gjuhën greke konsiderohej si diçka e natyrshme, madje edhe në vende të tjera të Ballkanit gjuha greke përdorej si gjuhë e fesë, e kulturës dhe e arsimit. Por në fillim të shek. XIX popullsia ortodokse shqiptare nisi ta ndiente se predikimi në kishë dhe arsimimi në shkollë në atë gjuhë nuk ishte aq pa rrezik sa paraqitej. Për t’i bërë ballë këtij rreziku, që endej si një fantazmë kërcënuese, ngriheshin zëra proteste dhe merreshin nisma kundër përdorimit të gjuhës së huaj në kisha dhe shkolla. Një zë i tillë u dëgjua edhe në familjen e Naumit. Gjyshi i tij Llazar Bredhi kërkoi që nipi i tij i sapolindur të pagëzohej në kishë me ritin fetar në gjuhën shqipe. Kjo u kundërshtua nga prifti i fshatit dhe familjarët me djalin e porsalindur në duar, u detyruan me orë të tëra  të qëndronin jashtë kishës, në mes të acarit të një dimri të egër. Në këto kushte fëmija vdiq dhe u varros në oborrin e kishës. Vdekja e një fëmije të pafajshëm mori një domethënie të veçantë dhe u bë simbol i ndërgjegjes kombëtare që po lindte. Për këtë ngjarje tragjike u shkruan disa tregime, ndër të cilët më i godituri ishte Varri i pagëzimit shkruar nga Mihal Grameno. (Grameno, M.: Varri i pagëzimit, Korçë, 1909). Pas përfundimit të luftës ruso-turke, Panajot Veqilharxhi shkoi në qytetin e Galacit (Moldavi), ku filloi të merrej me tregti. Pasi u mëkëmb disi, mblodhi rreth tij familjen, që u largua nga Shqipëria para shkatërrimit të dytë të Vithkuqit (1819). Në qytetin e Galacit duket se Naumi përfundoi gjimnazin, që e kishte filluar në Itakë. Pra, ai frekuentoi gjatë një ose dy viteve gjimnazin grek, duke përvetësuar pjesërisht gjuhën dhe alfabetin grek dhe i përfundoi studimet e mesme në gjuhën rumune, që në ato kohë shkruhej me alfabetin cirilik. Për të mbështetur këtë hamendje lidhur me jetën e N. Veqilharxhit dhe të familjes së tij gjatë dhjetëvjeçarit të dytë të shek. XIX, ndihmojnë edhe faktet e mëposhtme:

– Vite më vonë, duke njohur edhe vetë ai përgatitjen e pamjaftueshme në greqishten korrekte letrare, meqenëse e kishte braktisur herët gjimnazin grek, Naumi, për redaktimin e Letrës… dhe të Qarkores, të shkruara në gjuhën greke, kërkoi ndihmën e mikut të tij, rilindësit bullgar dr. Ivan Seliminskit, që kishte kryer në Greqi gjimnazin dhe studimet e larta.

– Në disa shkrime, alfabeti i veçantë i Naumit është konsideruar si i bazuar te glagolitiku sllav (Geitler, L.: Die albanesischen und slavischen Schriften, 1883; cituar nga Dh. S. Shuteriqi, po aty) ose i krijuar me shkronja slavizante. (Byku, Anastas: Pellasgos, Hyrje e Grammës për shqiptarë, 1. I.1860; cituar nga Aleks Buda, po aty). Në këtë rast, nuk duhen përjashtuar ndikime krejtësisht të pandërgjegjshme edhe nga alfabeti cirilik, që Naumi e përvetësoi në klasat e larta të gjimnazit në Rumani.

II.UDHËHEQËS I SHQIPTARËVE GJATË KRYENGRITJES NË RUMANI

Në vitin 1821 mori pjesë aktive në kryengritjen kundërosmane si një nga udhëheqësit e saj së bashku me shumë shqiptarë të tjerë, të cilët shpresonin se pas çlirimit të Rumanisë do t’i vinte radha edhe atdheut të tyre. Historiani rumun Viktor Papakostea trajton hollësisht dhe me ngrohësi pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë kryengritje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë Naum Veqilharxhit, si luftëtar i ndërgjegjshëm dhe udhëheqës i mbi 5000 shqiptarëve. “Lëvizja e eteristëve, – shkruan ai, – e vuri për herë të parë Naum Veqilharxhin, udhëheqësin e lëvizjes rilindëse të popullit shqiptar, në mes të popujve të tjerë ballkanas të paraqitur në Eteri me shefat e tyre: grekët me Ipsilantin, serbët me Karagjorgjin, rumunët me Vlademireskun dhe shqiptarët me Naum Veqilharxhin”. (Papacostea, Viktor: Pjesëmarrja e shkrimtarit shqiptar Naum Veqilharxhi në revolucionin e vitit 1821, Balcania, VII, Bucarest, 1946, f. 190; cituar nga Myslim Islami, po aty). Historiani bullgar N. Todorov ka shkruar: “Kapedani Naum ka pasur një mision të posaçëm për përgatitjen e kryengritjes në prill të vitit 1821. Ai do të ishte komandanti i eteristëve të grumbulluar në rrethin Bakeu, pastaj nën urdhrat e K. Dukës do të ishte në krah të kapedanëve Anastas dhe Hoxhoglli. Repartet e përbëra vetëm nga shqiptarë ishin më të shumta. Në përbërjen e ushtrive të Ipsilantit ato formonin dy korpuse prej rreth 2500 vetash. Grupe të tjera shqiptarësh kishte edhe në ushtrinë e Todor Vladimireskut”. (Todorov, N.: Filiqi Heteria dhe bullgarët, Sofje, 1965, f. 87; cituar nga M. Islami, po aty). Me thyerjen e kryengritjes, turqit bënë kërdi dhe u hakmorën veçanërisht mbi shqiptarët. Me qindra koka të prera shqiptarësh u hodhën në trotuaret dhe në rrugët e Bukureshtit. Naum Veqilharxhi, që ndiqej nga turqit, mundi të largohej nga Rumania. Ai duket se shkoi në Austri, ku ndoqi studimet e larta për drejtësi.

III. NË VJENË PËR STUDIME NË DREJTËSI

Në Vjenë hyri në kontakt me bashkësinë e shqiptarëve të atjeshëm, e cila duhet të ketë qenë me peshë dhe përbëhej kryesisht nga tregtarë, por edhe nga studentë me prejardhje nga Korça, Elbasani, Janina, Vithkuqi dhe sidomos nga Shkodra, të cilët, siç duket, u bënë për Naum Veqilharxhin burim i rëndësishëm informacioni për gjendjen ekonomike, politike, kulturore si edhe për sistemin arsimor në mbarë Shqipërinë. Ndër shqiptarët e Vjenës duket se ndodheshin edhe intelektualë të nivelit të lartë të lidhur me fatet e atdheut, përderisa vetëm pak  vite më parë (1816) ata i kishin rekomanduar Robert Pinkertonit, përfaqësues i Shoqatës Biblike Britanike në Stamboll, që dr.Vangjel Meksi të shqipëronte Dhiatën e Re dhe, për më tepër, alfabeti që do të përdorej me këtë rast të ishte i përzier. Ata i dhanë gjithashtu argumente gjuhësore dhe praktike përse s’duhej të përdorej vetëm alfabeti grek, por një alfabet i përzier latin dhe grek. (Letra e Pinkertonit më 26 gusht 1816; cituar nga Xhevat Lloshi: Rreth alfabetit të shqipes, 2008, f. 115). Studiuesit shqiptarë janë të bindur se “Naum Bredhi-Veqilharxhi gjatë qëndrimit në Austri ishte njohur me gramatikën e Da Lecce-s (1716), përkthyer edhe në gjermanishte, dhe me gramatikën e U. M. Likut (1814) për të cilën kishte punuar edhe Evstrat Vithkuqari”. (Shuteriqi, Dh. S.: Naum Bredhi-Veqilharxhi, Tiranë, 1974, nr. 4, f. 200–201).Historiania franceze Nathalie Clayer ka shkruar se “Në Vjenë përfaqësuesit e Shoqatës Biblike, pas një takimi që patën me përfaqësuesit e kolonisë shqiptare aty, vendosën që të përkthehej Dhjata e Re në shqip”. (Clayer, N.: Në fillesat e nacionalizmit shqiptar, botime Përpjekja, Tiranë, 2009, f. 161). Në ato kohë në Vjenë jetonte gjuhëtari edhe filologu slloven Jernej Bartolomeu Kupitar (1780-1844), administrator kryesor i Bibliotekës Perandorake të Vjenës dhe njohës i shqipes, studiues i thelluar i Bardhit, Budit dhe Bogdanit. Kupitari njihej që më parë me disa shqiptarë që studionin në Vjenë, si dr. Lluka Vaja e të tjerë, por edhe “…me vëllezërit Anastas dhe Spiridon Çelo nga Gjirokastra, përkthyes dhe autorë të një alfabeti me shkronja të veçanta për gjuhën shqipe”. )Lloshi, Xh.: Përkthimi i Vangjel Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit, Onufri, Tiranë, 2012, f. 54, 55). Shqiptarët e Vjenës, ndoshta edhe me shtysën e vëllezërve Çelo nga Gjirokastra, mendonin që të mos vazhdonte përdorimi i alfabetit grek për shkrimin e shqipes. Ata tashmë mendonin se lëvrimi i gjuhës shqipe si një gjuhë e veçantë kërkonte, para së gjithash, edhe përpilimin e një alfabeti të veçantë që të ndryshonte nga alfabeti grek, turk, cirilik ose latin. Duket se në këto rrethana bashkësia shqiptare e Vjenës i besoi Naumit dhe e ndihmoi studentin e drejtësisë, tashmë i shndërruar edhe në gjuhëtar, të krijojë, me të gjitha gjasat gjatë qëndrimit në Vjenë, alfabetin e tij të veçantë me të cilin hartoi abetaren e parë shqipe, që shërbeu në shkollat shqipe në juglindje të Shqipërisë. Pasi përfundoi me sukses studimet, në vitin 1824 (ose 1825) kthehet në Rumani dhe vendoset në portin lumor të Brailës. Veçse bashkë me diplomën e avokatit, duket se ai shtrëngonte fort edhe abetaren e parë të përpiluar prej tij gjatë periudhës studentore në Vjenë, me alfabetin e veçantë të gjuhës shqipe. Këtë e dëshmon edhe vetë ai në Parathënien e Abetares së vitit 1845, ku ka shkruar: “Unë prandaj sakrifikova për aq shumë kohë, aty e 20 vjet më parë (viti 1825 – F. M.), që t’u bëj veglën (alfabetin) dhe ju tashti e tutje të vini pëlhurën”. Për më tepër, në ekspozitën Dokumente të marrëdhënieve ruso- shqiptare, Tiranë, 2012, paraqitet letra e nënës së Naumit, Maries, drejtuar në vitin 1825 carit të Rusisë, ku i kërkohej një ndihmë financiare për botimin e abetares tashmë të përfunduar. Ka të ngjarë që shuma e parave që i dërgoi cari nuk ishte e mjaftueshme për të derdhur edhe shkronjat prej plumbi që kishte kompozuar Naumi. Tashmë i burrëruar, veçanërisht nga përvoja e kryengritjes kundër osmanëve në Rumani, por edhe i shkolluar në Vjenë, Naum Bredhi- Veqilharxhit iu shuan iluzionet e ndezura nga Filiqi Eteria për kinse “barazinë e popujve të Ballkanit të çliruar nga zgjedha turke”. Naum Veqilharxhi kishte njohur tashmë bashkëpunimin e bojarëve vendës me feudalët e huaj pushtues, ndjeu gjithashtu shovinizmin e Patrikanës dhe djallëzinë e shefave eteristë. Për Naumin u bë e qartë se interesat e popullit të tij nuk përkonin me ato të fqinjëve dhe se do të ishin vetë shqiptarët që do t’i mbronin interesat e vet, veçse këtë radhë të bashkuar dhe të shkolluar. Alfabeti i veçantë i gjuhës shqipe i hartuar nga Naum Bredhi- Veqilharxhi, që do të shërbente edhe si një mjet bashkimi për të gjithë shqiptarët e përçarë në ato kohë, tregon qartë se ai tashmë kishte një mendim të kristalizuar për çështjen kombëtare dhe rolin që ai vetë do të luante në gjirin e lëvizjes kombëtare shqiptare. Për Naumin ishte e qartë se shqiptarët u rezistuan gjatë shekujve të historisë së tyre pushtimeve dhe ndikimeve asimiluese të perandorive më të fuqishme të kohës duke ruajtur identitetin e tyre si komb, kryesisht edhe falë qëndrueshmërisë dhe bukurisë së gjuhës amtare. Naumi kishte arritur në përfundimin se populli shqiptar, që ndodhej në robëri, për të dalë në dritën e lirisë duhej së pari të çlironte gjuhën e vet, ta lëvronte atë dhe të mblidhej rreth saj ashtu si rreth flamurit kombëtar. Në atë kohë gjuha shqipe nuk shkruhej, as lexohej, as mësohej në shkolla. Ajo rezistoi në shekuj, sipas U. M. Lik-ut, vetëm “…falë maleve dhe shpirtit të banorëve të tyre”. Gjuha shqipe që flitej në disa dialekte përgjithësisht të ndërkuptueshme, ishte mjaft e varfër me fjalë të sferës diturore dhe e mbushur me huazime turke, greke, italiane dhe sllave. Në ato kohë te shqiptarët dygjuhësia ose shumëgjuhësia ishin dukuri e zakonshme dhe çdonjëra nga gjuhët e përmendura më sipër përdorej në situata të veçanta edhe në varësi të pozitës gjeografike dhe të raporteve me popujt fqinjë. Shqipja ishte gjuha e zemrës dhe përdorej në jetën e përditshme, veçanërisht në shtëpi, turqishtja ishte gjuhë e administratës, ndërsa italishtja dhe greqishtja ishin gjuhë të tregtisë dhe të veprimtarive të tjera ekonomike. P.sh., gratë himarjote flisnin vetëm shqip, ndërsa burrat e tyre që merreshin me tregti flisnin edhe greqisht e italisht. Fatkeqësisht mungojnë hollësitë për jetën dhe veprimtarinë e mëvonshme të Naumit gjatë periudhës 1825-1844, veçse nëpërmjet ideve të shpalosura gjatë tre vjetëve (1844, 1845, 1846) në veprat e tij madhore mund të gjykohet për atdhedashurinë, botëkuptimin dhe dëshirat e tij. Ajo që del e qartë, është se ndriçimin e mendjes së shqiptarëve në emër të çlirimit dhe përparimit të Shqipërisë e bëri qëllimin e jetës së tij, siç e thotë shprehimisht në parathënien e abetares – 1845: “…edhe që sa vjet i madhi zot të më falnjë i kam për të tërthertur (përpjekur) duke punuar për vendin tim e tuajnë dhe për këtë gjuhën tonë”. Dihet se Naum Veqilharxhi bënte pjesë në një rreth patriotësh rilindës ballkanikë si rumuni George Lazer, i cili në vitin 1820 kishte botuar abetaren e parë për fëmijët rumunë, kurse në vitin 1821, si edhe Naumi, mori pjesë në revolucionin antiturk. Me ta ishte edhe bullgari Petër Beron, që mori pjesë në kryengritjen e popullit rumun të vitit 1821, ndërsa më pas, në vitin 1824, hartoi abetaren e parë bullgare, si dhe greku Andomantinos dhe serbi Karaxhiç etj. Në këto rrethe iluministësh e ideologësh ishin zgjuar interesat për të kaluarën historike të popujve të tyre. Naum Veqilharxhi ishte një personalitet dhe një politikan i shquar, por që ndiqej nga regjimet e ndryshme për veprimtarinë e tij, aq më tepër se, si shtetas britanik që ishte qysh nga koha kur jetonin familjarisht në ishullin Itakë, ishte marrë nën mbrojtjen e Ambasadës Britanike në Rumani. Shtetësia britanike e Naumit duket se i bezdiste disi zyrtarët e Rumanisë së asaj kohe, e cila nga vitet 1826-1859, së bashku me Vllahinë, ishte nën protektoratin e dyfishtë të Turqisë dhe Rusisë dhe vetëm në vitin 1859 këto dy principata u bashkuan dhe formuan Rumaninë e pavarur. Sido që të jetë, nga dokumentet e viteve 1832-1838 të fondeve të gjykatës së Brailës, Naum Veqilharxhi, avokat pranë gjykatës së këtij qyteti, del si njeri i rregullt, i respektuar, me arsim dhe me kulturë. (Jankoviç, S: Arkivi i Brailës, dosja 3662-1832; cituar nga Islami, M.: Naum Bredhi- Veqilharxhi, Tiranë, 1977, fq. 62).

IV.GJUHA SHQIPE E LËVRUAR SI MJET NGJIZËS I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

Naum Bredhi-Veqilharxhi nuk kishte përgatitje të veçantë linguistike, por falë intelektit, kulturës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare ai dalloi se pika e bashkimit të shqiptarëve, thellësisht të ndarë në atë periudhë historike, do të ishte gjuha amtare e lëvruar. Naum Veqilharxhi kishte arritur në përfundimin se një popull në robëri, që të dalë në dritën e lirisë, duhet, së pari, të çlirojë gjuhën e vet, ta lëvrojë atë dhe të mblidhet rreth saj, ashtu si rreth flamurit kombëtar. Naum Veqilharxhi do të shkruante më vonë: “Prapambetja e popullit lidhet, përveçse nga pushtimet e shumta të huaja dhe nga hyrjet e dogmave fetare, por kryesisht nga mos lëvrimi i gjuhë sonë kombëtare dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj” (Qarkorja – 1846). I përgatitur teorikisht dhe i ndezur nga dashuria për kombin, Naum Veqilharxhi, duke pranuar të gjitha përgjegjësitë, vazhdoi punën me qërimin (pastrimin) dhe pasurimin e fjalorit të saj, me gramatikën e gjuhës shqipe, me afrimin e dy dialekteve dhe së fundmi me hartimin e abetares së dytë dhe materialeve të tjera didaktike. Qëllimi i tij ishte lëvrimi dhe njësimi i dy dialekteve të gjuhës shqipe. Në rrethanat e Shqipërisë, drejtimi kryesor i luftës ideologjike për Veqilharxhin ishte lufta për përparimin e arsimit dhe të kulturës. Për Naumin ishte e qartë se arsimi kombëtar shqiptar do të dilte nga gjendja e mjeruar ku ndodhej vetëm kur të shkruhej gjuha amtare me një alfabet të njësuar për të gjithë shqiptarët. Për Naum Veqilharxhin, që po përgatitej “… të hidhte farat në tokë të mirë dhe pjellore dhe jo në rrugë ku shkelen ose në mes gjembave ku mbyten nga barërat e tjera”, për të kryer një ndryshim rrënjësor dhe të menjëhershëm në fushën e kulturës, ishte domosdoshmëri zgjidhja e problemit të alfabetit. Nga ana tjetër, arsimi zyrtar në Shqipëri ishte shumë i kufizuar. Ai praktikohej në gjuhë të huaja dhe ishte kryesisht arsim fetar dhe antikombëtar. Ky sistem arsimor kishte për qëllim të thellonte edhe më tepër dallimet dhe përçarjet e shqiptarëve, ndërkohë që niveli i zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit kërkonte shkrirjen në një bashkësi të vetme kulturore dhe arsimore të mbarë popullit shqiptar.

  1. Alfabeti me shkronja të veçanta për një gjuhë të veçantë

Alfabeti, dhe së bashku me të abetarja, ishin një shprehje e intuitës gjuhësore të Naumit, e lindur dhe e formuar jo aq shumë nga studimet e tij, sa nga dëshira politike dhe atdhetare për t’i dhënë popullit një dëshmi të qenies së tij kombëtare dhe një vegël për arsimimin dhe zhvillimin e tij intelektual. Këto synime ia ngrinin vlerën abetares, kurse autori i saj do të quhej një mësues dhe udhëheqës politik. Naumi nuk është i pari krijues i alfabetit të veçantë të gjuhës shqipe. Ndryshimi i alfabetit të Naumit nga gjithë të tjerët është se ai u krijua me një qëllim shumë më të gjerë, jo vetëm për të shkruar me të një libër të vetëm, si në rastin e Budit, Bogdanit ose Buzukut, por për të mësuar dhe shkruar me ndihmën e tij gjuhën shqipe. Vlerën dhe qëllimin e abetares Naumi e shkruan me germa të mëdha që në kapakun e tij: “Për çdo secilë që do të mpsojë të kënduarit e të shkruarit bukur shqip”. Si gjuhë kombëtare, gjuha shqipe duhej të shkruhej me një alfabet të veçantë që nuk do të ishte as arab, as grek, as latin, as edhe cirilik. Vetë Naum Veqilharxhi do të shkruante në Letrën dërguar Jani Calit më 1846: “…kjo nuk fitohet ndryshe veçse me shkronja të posaçme kombëtare që ishin filluar para meje, por për shkak të përzierjes me të huajt dhe intrigave të ziliqarëve, të gjitha mbetën pa fryt”.

Duket se fjala është për Theodor Haxhifilipin (Dhaskal Todhri, 1730– 1805) nga Elbasani, “…që u përpoq për futjen e shqipes në shërbesat fetare dhe për mësimin e saj në shkollë. Ai krijoi gjithashtu në Elbasan, por që u përhap edhe në Berat dhe Kavajë, një traditë të shkrimit të shqipes me alfabetin e tij të veçantë. Për ta penguar këtë, kisha fanariote shtiu njerëz dhe e vranë dhe më pas i dogjën shkrimet që kishte në Elbasan, në vitin 1827”. (Shuteriqi, Dh. S.: Shkrimet shqipe 1332–1850, Tiranë, 1965, f. 136).

Alfabeti me shkronja të veçanta

Alfabeti i Naumit kishte 33 shkronja origjinale, që u përshtateshin plotësisht veçorive fonetike të gjuhës shqipe. Këto shkronja, për dekanin e albanologjisë, gjermanin J. G. Hahn, nuk ishin primitive dhe të vrazhda, por të punuara me estetikë dhe stil elegant. (Hahn, J. G.: Studime Shqiptare, 1854, f. 292–293). Me këtë alfabet, në vitin 1844, Naumi botoi të parën abetare shqipe, që pas kërkesave të shumta që pati e ribotoi pas një viti, më 1845, të plotësuar dhe të shoqëruar me një parathënie. Ai përgatiti gjithashtu një gramatikë të gjuhës shqipe si dhe tekste mësimore dhe dorëshkrime të tjera, që nuk u botuan ose u dogjën pas botimit. Naumi shkruante në parathënien e abetares së dytë të vitit 1845: “Unë tërtherta kaqë gjëmë (shumë) kohë aty e njëzet vjet, që t’u bënj veglën dhe ju tashi e tutje të vini pëlhurën”. Ai e konsideronte alfabetin si vegël (avlëmend), me të cilin djemtë e rinj shqiptarë, të cilëve u drejtohej, do të thurnin pëlhurën, domethënë kulturën shqiptare. Alfabeti me shkronja të veçanta i Naum Veqilharxhit, përveçse do t’u mundësonte shqiptarëve të shkruanin gjuhën amtare me alfabetin e tyre, do t’i ndihmonte ata edhe për të kapërcyer dasitë fetare që pengonin bashkimin kombëtar. “Këtë e ka vënë mirë në dukje Eliade Radulesku, qysh në vitin 1846, kur bënte fjalë për alfabetin e Naum Veqilharxhit dhe shkruante: Ky alfabet ka më shumë mundësi të pajtojë mendimet që i ndajnë banorët e Shqipërisë, të cilët ndjekin tri rite të ndryshme”. (Islami, M.: Naum Bredhi-Veqilharxhi, 1977, f.72).

  1. “Abetarja e abetareve”

Në fillim të shek. XIX popujt e Ballkanit kishin filluar të ngriheshin për të formuar shtetet e tyre kombëtare. Kjo lëvizje politike u shoqërua edhe me lëvizje kulturore, ku vendin kryesor e zinte kërkesa për të alfabetizuar popullin, për të mësuar shkrim e lexim në gjuhët e tyre amtare. Prandaj dolën edhe abetaret e para të gjuhëve ballkanike. Veçse gjendja ekonomike dhe kulturore-arsimore në Shqipëri nën pushtimin osman ishte e mjerueshme. Pashallëqet shqiptare të Janinës dhe të Shkodrës, që funksiononin si shtete autonome, ishin mbytur me dhunë nga Porta e Lartë. Gjuha shqipe shkruhej rrallë, dhe kur shkruhej, përdoreshin tre alfabete sipas përkatësisë fetare. Dukej si e pamundshme që gjuha shqipe të kishte një alfabet të vetëm, i cili do t’i bashkonte shqiptarët dhe gjithashtu do të ishte hapi i parë për të arritur te një gjuhë letrare e përbashkët. Për Naumin hartimi i abetares, jo vetëm do të ndihmonte për ngritjen e vetëdijes kombëtare për mësimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, por do të krijonte bindjen se gjuha shqipe është e aftë që të bëhet gjuha e shkollës dhe e kulturës ashtu si gjuhët e tjera. “Ëvetaret” (ëve-shkronjë) e Naum Veqilharxhit njihen si të parat abetare me të cilat mori udhë historia e abetareve në gjuhën shqipe. Naumi, i sigurt për suksesin e ndërmarrjes së tij, i paraqiti te publiku shqiptar me këto fjalë të zgjedhura: “Mos i vështroni të vogëlmit e ti, koha do t’i rrëfenjë të mathtë e të rëndit të ti”. Përpara tij ishte dr. Vangjel Meksi (1775-1823) që shqipëroi dhe përshtati në trajtë tekstesh për nxënësit shqiptarë librat e shkrimtarit francez Klod Flëri (Claude Fleury, 1640-1723), “Doke të të krishterëve” dhe “Doke të izraelitëve”, për t’u përdorur në shkollat fillore. Veçse abetaret e Naum Veqilharxhit, jo vetëm janë të parat në vargun e abetareve origjinale të gjuhës shqipe, por ato zgjuan vetëdijen e shqiptarëve si komb më vete, si dhe dëshirën për të jetuar në liri. “Ëvetari i Naumit është abetarja e njësisë kombëtare, abetarja që na mëson se gjithë ai popull që flet gjuhën shqipe, është popull shqiptar, një dhe i pandarë, se ai vend ku jeton ky popull është vendlermi (atdheu) i shqiptarëve, Shqipëria një dhe e pandarë”. (Lafe, Emil: Abetarja e abetareve, Revista letrare, 1999, nr. 10, f. 31).

“Abetarja e Abetareve” – 1844

Abetaret e tij ishin lajmëtaret e para të arsimit kombëtar shqiptar dhe nxitën qytetarët e Korçës “… që të hapin një fushatë ndihmash për të ngritur një tipografi edhe shkolla, në mënyrë që mësimi të shtrihet në gjithë atdheun tonë dhe në gjithë kombin tonë”. (Letra e korçarëve dërguar Naum Veqilharxhit, 1845). Këtë ngjarje të rëndësishme të kulturës dhe të arsimit shqiptar e përshëndeti miku i madh i shqiptarëve, albanologu J. G. von Hahn dhe Jeronim de Rada, të cilit N. Veqilharxhi i dërgoi disa kopje të Ëvetarit. Arbëreshi tjetër i njohur Vinçens Dorsa u bëri jehonë alfabetit dhe librave të Naum Veqilharxhit vetëm një vit pas botimit të tyre, në vitin 1847. (Domi, M.: Mbi jehonën e botimit të Abetarit shqip dhe të veprimtarisë së N. Veqilharxhit në shtypin rumun të kohës. Me rastin e 130-vjetorit të botimit të Abetarit, Studime filologjike, 1976, nr. 4, f. 120). Si atdhetar dhe veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare, Naumi drejtonte vëmendjen kudo ku flitej dhe punohej për Shqipërinë dhe gjuhën e saj. Kështu, me t’i rënë në dorë shkrimi i De Radës, Mbi hyjnitë e pellazgëve, botuar më 1840, ai shpejtoi t’i shkruajë atij, t’i shprehë mirënjohjen dhe t’i thotë se: “… i u tund zemra në kraharor”. Entuziazmi i Naumit ishte i kuptueshëm. Ai shihte te De Rada një personalitet të shquar të atdhetarizmit dhe të kulturës shqiptare, kurse në studimet e tij mbi Hyjnitë e pellazgëve, një argument më tepër për lashtësinë e popullit shqiptar, të gjuhës së tij dhe rrjedhimisht të së drejtës së tij për të qenë komb më vete, i lirë dhe i pavarur. Përkrahje të jashtëzakonshme Naum Veqilharxhi pati nga personalitetet më të shquara të kulturës rumune dhe bullgare, të cilët shkruan artikuj të shumtë me ngrohtësi të veçantë për popullin shqiptar dhe për veprën e Naum Bredhi-Veqilharxhit, duke theksuar se: “Përpjekjet e Naumit mund të konsiderohen si një simbol kombësie rreth të cilit mund të mblidhen të gjitha pjesët e shpërndara prej aq shekujsh”. (Radulesku, Eliade: Mbi shqiptarët, Bukuresht, 1846; cituar nga Mahir Domi, po aty, f. 123). “Qarqet shkencore gjermane treguan menjëherë interes për abetaret që Naum Veqilharxhi botoi në vitet 1844 dhe 1845”. (Shuteriqi, Dh. S.: Naum Veqilharxhi, Gjurmime letrare, 1974, f. 229). Personaliteti i kulturës rumune G. H. Barit (Baricu), më 26 prill 1845, në gazetën de Transilvania të Brashovës, nën titullin Shqiptarët e gjuha e tyre, shkruan me dashuri e respekt për abetaren e Naum Bredhi- Veqilharxhit dhe u drejtohet shqiptarëve jo vetëm të Rumanisë, por edhe atyre të viseve të tjera, që ta ndihmojnë pa hezitim Naum Veqilharxhin në këtë ndërmarrje kaq të dashur dhe të vlefshme për kombin shqiptar. (cituar nga M. Islami, po aty, f. 85).

V.VANGJEL ZHAPA, BASHKËPUNËTORI I VLEFSHËM I NAUMIT

Në veprën Historia e popullit shqiptar, II, f. 99, është shkruar: “Me alfabetin e ri që sajoi qysh në vitet ‘20, ai kishte hartuar disa tekste, të cilat, siç duket, për vështirësi teknike e mungesë mjetesh mbetën për dy dhjetëvjeçarë të pabotuara”. Në të vërtetë, Naum Veqilharxhi, pasi përfundoi dorëshkrimin e materialeve të plota didaktike për shkollat fillore në gjuhën shqipe, duhej të kapërcente edhe dy pengesa:

Së pari, duhej të siguronte burimet financiare për derdhjen e shkronjave të tij origjinale, si dhe një shtypshkronjë me teknologjinë e duhur.

Së dyti, dhe më e vështira, projekti i tij nuk do të realizohej pa fermanin e sulltanit që do të mundësonte futjen e librave shqip dhe, për më tepër, hapjen e shkollave në Shqipëri, të cilat pengoheshin prej shekujsh nga një marrëveshje ndërmjet Portës së Lartë dhe Patrikanës.

Në veprën ‘Historia e popullit shqiptar’, edhe pse pranohen vështirësitë që hasi Naum Veqilharxhi për të zbatuar projektin e tij, anashkalohen faktorët që bënë të mundur arritjen e abetareve në Shqipëri dhe përdorimin e tyre në shkolla. Ato shkolla, si në fshatin Trebickë dhe besoj jo vetëm, duhen njohur, përkujtuar dhe nderuar si shkollat e para në Shqipëri ku mësohej shqipja me “abetaren e abetareve”. Për më tepër, historiografia shqiptare vijon të mos e nxjerrë në dritën e diellit faktin se mrekullia e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, ku nxënësit shqiptarë, por edhe të rriturit, mësuan gjuhën e tyre amtare dhe e shkruan atë me alfabetin e veçantë të Naum Bredhi-Veqilharxhit, u realizua edhe falë atdhetarisë, gatishmërisë dhe mjeteve financiare të filantropit të madh shqiptar Vangjel Zhapa. Nuk dihet data e saktë e njohjes së Naum Veqilharxhit me Vangjel Zhapën, por nga hulumtime serioze që janë bërë ndër vite mund të hamendësohet se me siguri ka qenë aty nga fillimi i viteve ‘40 të shek.

Ka mjaft dokumente që dëshmojnë për bashkëpunimin mes dy shqiptarëve, tashmë të vendosur prej kohësh në Rumani

Në librin Fjala shqipe (Tiranë, 1961), Skënder Petro Luarasi (1900– 1982), publicist, vijues i traditës së Fan Nolit për përkthimin e veprave klasike të letërsisë botërore, veprimtar i arsimit dhe i shkollës shqipe, ka shkruar: “Vangjel Zhapa, bashkëpunëtori i Naum Bredhi Veqilharxhit, e la pasurinë për edukimin e popullit të tij shqiptar…”. Kurse vetë Vangjel Zhapa ka shkruar në gazetën Pellazgu se: “…jo para shumë kohësh diskutuam me javë të tëra me Naum Veqilharxhin në lidhje me çështjen e alfabetit të shqipes”. (Buda, Aleks: Të dhëna mbi lëvizjen kombëtare shqiptare në vitet 1859–1861, Studime historike, 1965, nr. 2, f. 63). Naum Veqilharxhi me Vangjel Zhapën duhet të jenë njohur dhe të kenë diskutuar mbi alfabetin e veçantë të gjuhës shqipe para se të botoheshin abetaret, domethënë para vitit 1844. Në këtë periudhë V. Zhapa ka qenë një ndër pasanikët më të mëdhenj të Rumanisë, për t’u bërë pas 10–15 vjetësh pasaniku më i madh në Europën Lindore. Në fillim të viteve ‘40 të shekullit XIX, kur Naum Veqilharxhi kishte përfunduar prej kohësh përpilimin e alfabetit dhe hartimin e abetares së parë, të gramatikës së gjuhës shqipe dhe të materialeve të tjera didaktike, por që s’kishte mundësi t’i botonte ato dhe më pas t’i dërgonte në Shqipëri, më në fund gjeti njeriun e duhur që do ta ndihmonte në zbatimin e projektit të tij. N. Veqilharxhi dhe V. Zhapa, krenarë për rrënjët e tyre shqiptare, pjesëmarrës në kryengritjet e vitit 1821 dhe thellësisht të zhgënjyer nga Filiqi Eteria dhe udhëheqësit e saj, nuk u takuan rastësisht në emigracion. Ata kërkuan dhe gjetën njëri-tjetrin. Kurse bashkëpunimi i tyre do të ishte sintezë e qëllimeve dhe e idealeve të njëjta. Detyrat e Vangjel Zhapës tashmë ishin të përcaktuara. Ato qartësohen plotësisht nga dokumentet e paraqitura më poshtë, të cilat (çuditërisht!) as që përmenden në veprën Historia e popullit shqiptar. Nikolla Naço (1843–1913), atdhetar dhe veprimtar i dalluar i Rilindjes, ka dëshmuar se: “Vangjel Zhapa me dr. Arsaqin darovitën respektivisht 25.000 dhe 10.000 florinj për gjuhën shqipe dhe punuan së bashku me Naum Veqilharxhin për të shkruar gjuhën shqipe dhe për të shtypur shumë kartëra, të cilin fole e shejtanit, Patrikana, e ndoqi dhe e vrau me të pabesë”. (Naço, N.: Shqiptari, Bukuresht, 23.10.1888; cituar nga Dh. Shuteriqi: Gjurmime letrare, f. 246). Kartërat (librat – F. M.) e Naum Bredhi-Veqilharxhit, që panë dritë nëpërmjet dhurimeve të Vangjel Zhapës, janë ‘Ëvetari; (1844) dhe fare i ri ‘Ëvetar shqip’ (1845), d.m.th. dy abetaret e para të gjuhës shqipe. Me këta libra dhe me idetë e shprehura në ta nga Naum Veqilharxhi, hapet programi kulturor e gjuhësor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe hidhen hapat e parë të arsimit në gjuhën shqipe. Kurse shkrimtari dhe gazetari i njohur rumun Grigore Grandea, në parathënien që ka shkruar për librin e Andrei alu Bagavu-t Carte de alegere (Bukuresht, 1887, f. X–XI), nënvizon: “Rreth viteve 1844, V. Zhapa dhe dr. Arsaqi, të nxitur nga bashkatdhetari i tyre Naum Veqilharxhi, kishin vendosur të mbështesnin lëvizjen për kulturë kombëtare. Naum Veqilharxhi kishte përgatitur një abetare në gjuhën shqipe, një gramatikë dhe libra të tjerë didaktikë. Zhapa dhe Arsaqi e dërguan në Stamboll me letra rekomandimi për shtypjen e librave dhe nxjerrjen e një fermani, me anë të të cilit të lejohej hapja e shkollave në gjuhën shqipe. Librat u shtypën menjëherë, fermani doli dhe librat u dërguan në Shqipëri”.

VI.BOSHTI N. B. VEQILHARXHI – V. ZHAPA – A. PASKALI

Me idetë dhe veprimtarinë e tij praktike, Naumi vihet në qendër të lëvizjes atdhetare dhe bëhet frymëzuesi i saj. Abetarja e botuar tashmë duhej shpërndarë sa më gjerë në Shqipëri. Ky objektiv mund të arrihej vetëm me një organizim të mirë, në krye të të cilit do të ishin atdhetarët shqiptarë. Përveç kësaj, puna nuk duhej të kufizohej vetëm me një abetare, por të vazhdonte edhe me përgatitjen dhe botimin e veprave të tjera në gjuhën shqipe. Në fundin e gjysmës së parë të shekullit XIX, Korça po shndërrohej jo vetëm në një qendër të rëndësishme tregtare dhe zejtare, por edhe në një vatër të nxehtë patriotike, ku po lindnin elementet e para të bashkimit dhe të protestave qytetare. Thimi Mitkoja në librin Mbëleta shqiptare, dëshmon se “…aty nga vitet ‘40, tregtarë, zejtarë, por edhe intelektualë korçarë, nën udhëheqjen e Thanas Gjatës dhe Peti Mitkos (xhaxhai i Thimi Mitkos), dolën në demonstratë kundër zbatimit të dekreteve të Tanzimatit”. Ndërkohë ortodoksët korçarë po kërkonin me këmbëngulje futjen e shqipes në kisha dhe shkolla. Edhe vetë kleri ortodoks i Korçës e quante të nevojshëm leximin e disa pjesëve të shërbesës së meshës, si p.sh. ungjijtë, në gjuhën shqipe. Madje, mitropoliti i Korçës dhe i Përmetit, greku Qirili, që ishte plotësisht nën ndikimin e sekretarit të mitropolisë, patriotit përmetar Athanas Paskali, gjyshi i Artistit të Popullit Odhise Paskali, lejoi që të organizohej në godinën e mitropolisë mbledhja për formulimin e letrës që do t’i drejtohej Naum Veqilharxhit. Për më tepër, ai u solidarizua me vendimet e mbledhjes dhe dha, si të tjerët, përkrahje morale dhe kontributin e tij në të holla për të blerë shtypshkronjën. Kjo shtypshkronjë do të shtypte materialet didaktike të përgatitura nga Naum Veqilharxhi për “… shkollat e para shqipe, të cilat brenda një kohe të shkurtër do të përhapin diturinë në tërë shtrirjen e atdheut si dhe përparimin e arsimit kombëtar”. (Letra e korçarëve drejtuar Naum Veqilharxhit -1845). Për zellin e madh që tregoi, Patrikana e transferoi Qirilin në dhjetorin e vitit 1845 nga Korça në Durrës, duke e zëvendësuar me mitropolitin Neofit Kekezi nga Gjirokastra, që vijoi edhe ai traditën e leximit të ungjijve në gjuhën amtare. (Pepo, Petraq: Kujtime të grave veterane nga lëvizja për çlirimin kombëtar, Tiranë, 1962). Ilo Mitkë Qafëzezi dëshmon gjithashtu se Neofit Gjirokastriti mori nismën që “…jo vetëm të mos pengohet, por edhe të përhapet puna shqipe e Veqilharxhit”. (Pepo, Petraq: Një letër e korçarëve e vitit 1845 dërguar Naum Veqilharxhit në Rumani, Studime filologjike, 1966, 1, f. 201–208). Këtë atmosferë të nxehtë patriotike në qytetet dhe fshatrat në juglindje të Shqipërisë, Naum Veqilharxhi e njihte plotësisht nëpërmjet letërkëmbimit që kishte me korçarë të shumtë dhe veçanërisht me të riun Thimi Mitko, folkloristin rilindës të mëvonshëm, që po luante një rol të rëndësishëm në komunitetin ortodoks të Korçës për sa i përket arsimit dhe kulturës. (Pepo, Petraq: po aty). Popullsia e Korçës, sidomos në shek. XIX, e ka rrahur shumë kurbetin e Rumanisë dhe vajtja e ardhja nga Korça në Bukuresht e në Braila ka qenë e rëndomtë. Për të vajtur nga Korça në Bukuresht me kalë, banorët e Korçës llogaritnin 14 ditë. Me anë të tregtarëve të shumtë korçarë, N. Veqilharxhi dërgoi në atdhe disa letra dhe abetaret e tij të shoqëruara me fermanët përkatës, që i siguronte Vangjel Zhapa. Ndër ta ishin edhe dy tregtarë, të cilëve u dihen emrat. I pari ishte Naum H. Vasili, i cili shoqëroi për në Korçë abetaret e para të Naumit dhe një letër të tij për Athanas Paskalin, sekretari i mitropolisë. Tregtari tjetër e kishte mbiemrin Paskali dhe vinte dendur në Braila, ku jetonte Naumi. Ishte ky që e njohu Naumin me Athanas Paskalin, kushëririn e tij, që do të organizonte shpërndarjen e abetareve dhe hapjen e shkollave shqipe deri në Përmet, ku banonin prindërit e tij. Nga sa ka deklaruar nipi i tij, Artisti i Popullit Odhise Paskali, Athanasi ka lindur në Përmet dhe i ati, Paskal Paskali, ishte një intelektual i shquar i këtij qyteti, që kishte kryer në Stamboll shkollën e lartë për teologji. (Pepo, Petraq: po aty). Thanasi nderohej dhe çmohej në Korçë për patriotizmin dhe mençurinë e tij. Kjo dëshmohet nga shprehja e korçarëve për të: mendja e Thanasit, terezi e floririt. “Qe e natyrshme, vëren Dh. Shuteriqi, që Veqilharxhi të trokiste në porta pak a shumë të sigurta. Patjetër, ai nuk do të kishte trokitur pikërisht në Dhimogjerondinë e Korçës, nëse aty nuk do të dinte se ishte një njeri si Athanas Paskali” (Shuteriqi, Dh. S.: Naum Bredhi- Veqilharxhi, f. 241) dhe “i riu Thimi Mitko, i cili që atëherë njihet si përkrahës i diturisë”.( Pepo, P.: po aty). Kushtet e vështira të krijuara nga propaganda armiqësore nuk e penguan Naum Veqilharxhin dhe veprimtarët e tjerë të çështjes kombëtare shqiptare, veçanërisht në Korçë, që të vijonin rrugën e nisur. Letra që Athanas Paskali dhe patriotët korçarë i dërguan Naum Veqilharxhit është një shprehje nga më të zjarrtat për punën e patriotit vithkuqar dhe e gatishmërisë së tyre për të ndihmuar Naumin në ndërmarrjen e tij që “po i shpëton shqiptarët nga aq vjet përbuzje”. Pas vrasjes së Naumit në vitin 1846, Patrikana transferoi Athanas Paskalin në Kretën e largët, ku qëndroi të paktën deri në vitin 1874. Kjo vërtetohet nga shënimi i tij në një libër historie me titull Iperiotika, që ndodhet edhe sot në bibliotekën e Odhise Paskalit në Tiranë, ku Athanas Paskali ka lënë shënimin: “Këtë libër historie të Epirit na e dhuroi miku i ynë Zoti I. Kufaqi. Në Kane të Kretës më 15 shkurt 1874”. Më poshtë po paraqitim, pothuajse të plotë, në shqipen e sotme, letrën e patriotëve korçarë hartuar nga Athanas Paskali, drejtuar Naum Veqilharxhit që vërteton atë që u tha më sipër për Korçën dhe korçarët, e cila, bashkë me Qarkoren, Letrën drejtuar J. Calit dhe Parathënien e Ëvetarit të vitit 1845, fare mirë mund të bënte pjesë në librat e letërsisë dhe historisë për nxënësit e shkollave të mesme në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarë (Kjo letër ruhet në seksionin e dorëshkrimeve të Bibliotekës së Akademisë së Rumanisë (Pepo, Petraq: po aty).

“Korçë, 22 prill 1845 (Sipas kalendarit tonë, i përket datës 4 maj 1845)

Me përulje vëllazërore,

Me anë të zotit Naum Haxhi Vasilit mora të nderuarën letrën e zotërisë suaj dhe Ëvetarët shqipe. Sipas porosisë së zotërisë suaj, kemi shpërndarë Ëvetarët (Bëhet fjalë për Ëvetarin e parë, broshurë e pirografuar, që N. Bregu-Veqilharxhi e kishte botuar në Stamboll në vitin 1844. Një ekzemplar i tij ndodhet në bibliotekën private të prof. Kapidan në Bukuresht, kurse një tjetër ndodhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Ekzemplari i tretë, i zbuluar në vitin 1937, gjendet në bibliotekën e Korçës) në Korçë dhe në tërë krahinën e saj, ashtu si edhe në Përmet e Berat. Të gjithë bashkatdhetarët i pranuan Ëvetarët me gëzim dhe kënaqësi dhe lavdëruan zotin që ju ka ndriçuar për të paraqitur gjuhën tonë me ato shkronja, prej të cilave kombi ynë ka qenë i privuar gjatë kaq shekujsh.

Falë zotësisë së zotërisë suaj, e denjë për t’u lavdëruar, kombi ynë do të numërohet, me këtë fillim, bashkë me kombet e ndriçuara të Europës (N. Veqilharxhi përgjigjet nëpërmjet Qarkores së vitit 1846: “… shpresojmë të vihemi në radhë me kombet e qytetëruara”. Pikëpamjet e shprehura në letrën e korçarëve përputhen me ato që shtron Naumi në parathënien e Ëvetarit të dytë, 1845). Shpëtuam nga përbuzja që zgjati për shumë vjet, e cila rridhte së bashku me errësirën e paditurisë. Shpresojmë që brenda një kohe të shkurtër dituria do të përhapet në tërë shtrirjen e atdheut tonë dhe në gjithë kombin tonë (Patriotët korçarë, duke përmendur me këmbëngulje kombin dhe atdheun (fjalët komb dhe atdhe përmenden 7 herë), kanë parasysh të gjithë shqiptarët bashkë me trojet ku ata banojnë). Ne jemi të sigurt se emri juaj do të mbetet i pavdekshëm deri në fund të shekujve. Nga letrat tuaja, si dhe nga bashkatdhetarët që vijnë prej andej, mësuam me gëzim të madh se keni përgatitur edhe dorëshkrime të tjera. Ne mësuam gjithashtu se ju po përpiqeni për këtë ndërmarrje të shenjtë dhe se do të fusni libra të ndryshëm në gjuhën tonë që të shumëfishohen kur të ngrihet tipografia. Këta libra do të shpërndahen nëpër shkolla për përparimin e mësimit kombëtar (Kërkesat arsimore dhe kulturore të patriotëve korçarë përputhen plotësisht me iluminizmin e Naum Veqilharxhit). Për këtë qëllim kemi hapur këtu një fushatë megjithëse kombin tonë e ka pushtuar varfëria, dhe shpresojmë që të mblidhen diçka para. Si Hirësia e tij Mitropoliti, ashtu dhe elementët përparimtarë në Korçë, duke përfshirë këtu edhe të kombësive të tjera, banorë të qytetit tonë, kanë përqafuar me entuziazëm të madh këtë fillim të zotërisë suaj. Ata ngulmojnë të bëjnë ç’është e mundur për t’ju ndihmuar në veprën që keni nisur për ndriçimin e kombit tonë. Ju lutemi zotëri, që në rast se keni Ëvetarë si ata që na keni dërguar, na dërgoni sa më shumë, mbasi janë të shumtë edhe bashkatdhetarët që i kërkojnë vazhdimisht, pasi ata që na dërguat, u shpërndanë menjëherë. Bashkatdhetarët që i lexuan këta Ëvetarë, që janë një burim i vërtetë mrekullie, mësuan menjëherë të lexojnë dhe të shkruajnë duke lidhur letërkëmbim midis tyre. Zoti ju dhëntë jetë të gjatë, të rroni dhe të jeni i fortë për të vijuar veprën e shenjtë që keni filluar. Është për t’u çuditur zotëri që me shpirtin që ju ka frymëzuar, po ndriçoni një komb vetëm me një Ëvetar prej tetë fletësh. Pa ndihmën e mësuesve dhe të shkollave të rregullta, kemi mësuar të shkruajmë gjuhën amtare me shkronjat e Ëvetarit, po me atë lehtësi që mësojnë edhe kombet e tjera të lexojnë e të shkruajnë gjuhën e vet. Zoti bashkatdhetar i nderuar dhe i denjë për lëvdatat më të mëdha, ju njoftojmë se mësimi me shkronjat shqipe që krijuat rishtas, u përhap si rrufeja në të gjithë hapësirën e atdheut tonë, që shpresojmë të pastrohet sa më shpejt nga papastërtia dhe egërsia nën të cilat lëngonte deri tani për shkak të mungesës së librave, nëpërmjet të cilëve ndriçohen të gjitha kombet për të arritur në rrugën e vërtetë të moralit. Nënshkruar: Thanas Paskali dhe të tjerë nga Korça e Shqipërisë”. (Duket se edhe në ato vite kishte njerëz brenda dhe jashtë Shqipërisë që nuk e donin Korçën të ishte e Shqipërisë. Dhe korçarët përgjigjen).

VII.SHKOLLAT E PARA SHQIPE

Naum Bredhi-Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe çlirimin kombëtar. Pas krijimit të shtetit grek dhe forcimit të tij ekonomik, me miratimin e autoriteteve turke në Shqipërinë e Jugut filloi një fushatë e dendur për ngritjen e shkollave greke, që kishte për qëllim përhapjen e gjuhës dhe të kulturës greke në hullinë e synimeve të tyre shkombëtarizuese. Në vitet e mesit të shekullit XIX, “… statistikat hedhin dritë për gjendjen e shkollave në vilajetin e Janinës. Bashkësia ortodokse e atjeshme e përbërë nga 532.000 veta, kishte 23 mijë nxënës në 665 shkolla greke”. (Skendi, Stavro: Zgjimi kombëtar shqiptar, Tiranë, 2000, f. 131). Duhen shtuar gjithashtu edhe shkollat greke që u ngritën për ortodoksët shqiptarë që banonin në sanxhakun e Elbasanit e të Korçës, të cilat përfshiheshin në vilajetin e Manastirit, si dhe duhen zbritur shkollat greke ngritur posaçërisht për nxënësit grekë. Naum Veqilharxhi e kishte të qartë se “shkollat greke janë të organizuara për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e popullit shqiptar”. (Letra dërguar Jani Calit – 1846). Në Qarkoren e vitit 1846, që u dërgonte bashkëkombësve, Naum Veqilharxhi shkruante se “…vetëm kombet që kanë një gjuhë të shkruar, mund të hyjnë në rangun e kombeve të qytetëruara, ndërsa të tjerët do të jenë të dënuar të jenë skllevërit e tyre”. Ai vijonte: “Kombi shqiptar ka rënë në injorancë, mbasi për t’u shkolluar shqiptarët detyrohen të shkojnë në mërgim. Në këtë mënyrë largohen nga të afërmit e tyre, nuk punojnë për vendin e tyre, por për lulëzimin e kombeve të tjera”. Si iluminist, Naum Veqilharxhi mendonte se mësimi i shqipes dhe kultura mund ta vinin atdheun në radhën e vendeve të qytetëruara. Çlirimi kulturor për Naum Veqilharxhin ishte një faktor pa të cilin nuk mund të arrihej çlirimi politik. Në këto kushte Naum Veqilharxhi ishte i pari që ndjeu nevojën e ngutshme të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare. Shkollat, që duhej të ngriheshin në Shqipëri dhe kudo ku kishte shqiptarë, do të shërbenin gjithashtu edhe si një mjet i dorës së parë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, për emancipimin e popullit dhe propagandimin e ideve patriotike. Si demokrat që ishte, Naum Veqilharxhi kërkonte arsimim me shkolla laike për të gjithë, ku vendin kryesor në tërësinë e njohurive do ta zinin lëndët shkencore. “Gjuha amtare, shkruante ai, është faktor i rëndësishëm për zhvillimin mendor të fëmijës dhe për përvetësimin e shpejtë të njohurive të dhëna në shkolla”. (Parathënie e Ëvetarit-1845). Sistemi pedagogjik i Naum Veqilharxhit, i ngritur mbi baza demokratike, përbën themelin nga u nis mendimi i mëvonshëm pedagogjik i rilindësve. Ai e çmonte njeriun jo nga pasuria, por nga puna dhe virtytet. Pikërisht ky vlerësim e bën të drejtonte vëmendjen nga populli, duke kërkuar arsim edhe për “djemtë e skamësve”. Abetaret u hartuan dhe u botuan për t’u shpërndarë në Shqipëri, që të shërbenin si tekste mësimi për nxënësit e shkollave fillore. Ato, të shoqëruara me fermanët e sulltanit, u dërguan në Korçë me anë të Naum Haxhi Vasilit dhe me porosi të veçantë të Naum Veqilharxhit u shpërndanë jo vetëm në Korçë e rrethina, por edhe në Kolonjë, Përmet e Berat. Entuziazmin me të cilin u pritën abetaret e marrim vesh nga letra e paraqitur më sipër, që atdhetarët korçarë i drejtuan Naumit. Ata e përfundojnë letrën duke e njoftuar për abetaren e tij të parë që po shërben, “…pa ndihmën e mësonjësve dhe të shkollave të rregullta, për të mësuar (nxënësit) të shkruajnë gjuhën e tyre amtare me kaq shpejtësi dhe lehtësi, sa edhe një komb tjetër mëson të lexojë dhe të shkruajë gjuhën e vet”. I lumturuar nga suksesi i Ëvetares së parë – 1844, pa humbur kohë, Naumi dërgoi në Korçë edhe Ëvetaren e dytë -1845, në parathënien e së cilës (E parthënme për mbi djemt e rinj shqipëtarë) shkruan “…se mori zemër për të vijuar punën në shërbim të atdheut”. “Fletorja (libri) që dhashë vjet me këto ëve (shkronja) të reja për gjuhën tënë, që panë dritën e parë mbë shtambë (që u botuan), si pashë që pat të priturë të mirë nga an’e vendit tënë dhe që gjithë Shqipëria rrëfeu gaz të madh dhe menjëherë nxunë të këndojnë e të shkruajnë e të punohet me to, një (e para), më nxori nga gjithë të tremburat që me të drejtë mundnja të keshë, dhe e dyta, më bëri zëmrë nukë (jo) vetëm edhe këtë ëvetar të ri t’ap mbë dritë, po edhe gjithë ato që kam bërë gati; edhe që sa vjet i madhi Zot të më falnjë, i kam për të tërthertur (përpjekur) duke punuar për vendin tem e tuajnë edhe për këtë gjuhënë tënë”. Gjatë periudhës në vijim, Naumi vendosi një letërkëmbim të dendur me patriotët korçarë për t’u informuar lidhur me shpërndarjen e abetareve dhe ngritjen e shkollave shqipe: “…kemi bërë shpërndarjen e tyre si këtu në Korçë dhe në tërë krahinën e saj, ashtu edhe në Përmet e Berat”, e njoftonin atdhetarët korçarë. Plani i hartuar nga N. Veqilharxhi së bashku me patriotët korçarë do të vijonte me hapjen e shkollave shqipe, fillimisht në Shqipërinë Juglindore dhe më pas “…në tërë shtrirjen e atdheut tonë dhe në gjithë kombin”. (Letra e patriotëve korçarë dërguar N. Veqilharxhit). Në shkolla do të përdoreshin tekstet mësimore sipas dorëshkrimeve të hartuara nga Naumi. Ato do të shtypeshin në shtypshkronjën që do të blihej me paratë e mbledhura nga korçarët. Gjithmonë aktiv, “Naum Veqilharxhi u përpoq të krijonte një Shoqëri Kulturore Shqiptare, e cila do të merrej me botimin e librave në gjuhën amtare dhe me dërgimin e tyre në Shqipëri”. (Historia e popullit shqiptar, II, 2002, f. 99). Folkloristi rilindës Spiro Dine (1844–1922), pasues dhe bashkëpunëtor i Thimi Mitkos, na bën të ditur se në shkollën e fshatit Trebickë, në vitin 1854, si libër mësimi ende përdorej abetarja e Naum Bredhi-Veqilharxhit. Ai vetë kishte parë nxënësit duke dalë nga shkolla, me abetaret e Naumit në duar. (Dine, Spiro: Valët e detit, Sofje, 1908, f. 20). Kjo dëshmon se abetarja e Naum Veqilharxhit mbeti në përdorim në disa nga shkollat e Shqipërisë Juglindore të paktën për një dhjetëvjeçar, kurse programi madhështor i Naum Veqilharxhit, së bashku me atdhetarin Vangjel Zhapa për shkolla shqipe në mbarë vendin, u shua bashkë me Naumin. Por patriotët korçarë e kishin siguruar Naumin, “…se populli dhe atdheu do të arrijnë ato lartësi që synonte mendimi i tij largpamës”. Dhe më tej ata vazhdonin: “Kombi ynë do të numërohet midis kombeve të ndriçuara të Europës, kurse emri i Naum Veqilharxhit do të mbetet i pavdekshëm deri në fund të shekujve”.

VIII.QËRIMI (pastrimi) DHE PASURIMI I GJUHËS SHQIPE

Studiuesit shqiptarë të shek. XVI, Budi, Bogdani dhe Bardhi ankohen se gjuha shqipe po prishej e po bastardohej, duke humbur fjalët e veta e duke u mbushur me fjalë të huaja prej gjuhëve fqinje. Nga njëra anë turqishtja si gjuhë e administratës osmane dhe e jetës së përditshme ekonomike, nga ana tjetër greqishtja si gjuhë e shkollave të shumta për ortodoksët dhe gjuhë e kishës, e kishin rrudhur shqipen. Ajo përdorej vetëm për të kryer disa funksione të komunikimit të rëndomtë në jetën e përditshme. Në këto kushte, pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja që dëmtojnë frymën kombëtare dhe ulin vlerat estetike të saj, ishte për Naumin një nga detyrat më të rëndësishme që kërkonte zgjidhje sa më parë. Naumi e dinte fare mirë se shqipja kishte pësuar edhe ajo nga të huajt, kur theksonte në abetaren e vitit 1845, se: “gjuha jonë nga shumë të sjellat e të kthyerat e kohës edhe më fort nga që s’ka pasur dritat e të mësuarit, ka marrë shumë fjalë e kuvise të huaja”, të cilat ai nuk do t’i përdorë, por do të përpiqet t’i zëvendësojë me brumë të vendit. Siç dihet, kjo punë me gjuhën shqipe, të cilën e shohim të zërë fill me Naum Veqilharxhin, u bë një detyrë patriotike për të gjithë rilindësit shqiptarë. Naum Veqilharxhi është nismëtari për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojshme dhe pasurimin e saj me fjalë të gurrës popullore ose të formuara rishtas. Duke vlerësuar gjuhën si faktor themelor të mëvetësisë kombëtare, ai vlerësonte vetëm gjuhën e pastër të popullit, pa fjalë të huaja. Në faqet e Ëvetareve të Naumit kanë parë dritë për herë të parë fjalë si: fatkeq, fatkeqësi, fatmir, fletore, lesim (lehtësim), nismëtor, i paçmuar, detyrë, të pambaruara, vendlermi etj. Naumi gjithashtu krijoi një varg termash gjuhësore, si zëtore (zanore), e zëshme dhe e pazëshme. Ai përdori i pari: fjalë e huaj, gjuhë e huaj. Ai gjen rastin t’u këshillojë lexuesve të tij toskë që në vend të fjalëve të huaja pishmanosem (turqisht) ose metanoi (greqisht), të përdorin fjalën penohem (pendohem), të cilën e konsideron fjalë gegërisht dhe kjo fjalë nuk është i vetmi gegizëm në veprën e tij. (Lafe, Emil: Ndihmesa e Naum Veqilharxhit për terminologjinë gjuhësore shqipe, Studime filologjike, 1986, nr. 4). Në këtë mënyrë, duke kërkuar afrimin e dy dialekteve kryesore të shqipes, ai promovon idenë e njësimit të saj. Naumi, i ndërgjegjshëm se pastrimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe kërkon një punë të gjatë e të paprerë, u drejtohej djemve të rinj shqiptarë: “Gjuha jonë ka marrë shumë fjalë dhe shprehje të huaja të cilat duhet të zëvendësohen me fjalë dhe shprehje shqipe, që fillimisht mund të mos tingëllojnë ëmbël, por, kam shpresë që me kohë do të ëmbëlsohen. Unë hoqa disa fjalë të huaja dhe i zëvendësova aq sa munda, me fjalë që i krijova vetë. Disa prej tyre që s’ua gjeta sesinë (mundësinë për t’i zëvendësuar), i lashë ashtu, me shpresë që ju, o djem, do të mundohi ta përfundoni punën që kam nisur, do të vihi jo vetëm ta qëroni, por dhe sa të mundni ta shtoni”. (Parathënia e Ëvetarit -1845). “Ky program ndaj fjalëve të huaja përbën një nga pikat themelore në programin gjuhësor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Naum Bredhi- Veqilharxhi është autori i parë i këtij programi”. (Lafe, Emil: Idetë e Naum Bredhi-Veqilharxhit, për këndelljen e gjuhës shqipe, Gaz. Panorama, Tiranë, 24. 12. 2017). Në të vërtetë, edhe gjatë këtyre viteve është kryer një punë e gjithanshme sistematike dhe me afat të gjatë, veçanërisht nga gjuhëtarët dhe shkrimtarët tanë, për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe, që sigurisht duhet të vijojë pareshtur.

IX.IDEOLOGU, POLITIKANI DHE FILOZOFI

Historiani rumun Viktor Papakostea ka shkruar në revistën Balkania (Bukuresht,1945) se “Veqilharxhi me shokë që formonin grupin politik, ishin të parët në shekullin e lëvizjeve kombëtare, që u angazhuan dhe luftuan për kauzën shqiptare”. I shqetësuar për fatet e atdheut të vet, tashmë me përvojën e luftës kundër pushtuesit osman, i vendosur dhe konsekuent, ai duket se nxori konkluzionet e duhura, të cilat, pasi i përpunoi, i paraqiti të përmbledhura në Qarkoren që u drejtoi shqiptarëve, në Letrën dërguar Jani Calit në vitin1846 dhe në Parathënien e Ëvetarit të vitit 1845. Idetë dhe konceptet e N. Veqilharxnit e kanë burimin te realiteti shqiptar dhe në atmosferën e përgjithshme që sundonte atë kohë në gadishullin e Ballkanit. Ai dalloi nevojën e shkrimit të gjuhës shqipe dhe të krijimit të alfabetit të saj të veçantë, si kusht i domosdoshëm për njësimin kombëtar mbi bazën e vetëdijes kombëtare, gjë që do të përshpejtonte edhe afirmimin e mëvetësisë së kombit shqiptar. “Në parathënien e abetares së dytë, si edhe në letrat drejtuar patriotëve ortodoksë korçarë dhe Jani Calit, nipit të tij, në vitin 1846, të ngjeshura plot me ide dhe konsiderara historike e politike, Naumi shpalli botërisht dhe me vendosmëri nevojën historike dhe pashmangësinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”. Xholi, Zija: Mendimtarë të lëvizjes kombëtare, Tiranë, 1987, f. 47). Idetë dhe orientimet e tij të drejta kishin gëzuar dhe ngritur lart zemrat e atdhetarëve, kurse kishin shqetësuar dhe vënë në alarm armiqtë e kombit shqiptar.

  1. Në emër të kombit shqiptar

Ideja kryesore për Naumin, së cilës i përshtaten të gjitha të tjerat, është ideja për kombin shqiptar. Në emër të kombit shqiptar në mënyrë të qartë dhe të argumentuar ai u drejtohet shqiptarëve, në emër të kombit ai harton abetaren me alfabet të veçantë, në emër të kombit ai bën thirrje që të mësohet gjuha amtare, po në emër të kombit ai polemizon me nipin e tij bukëshkalë. Shekulli XIX do të ishte përgjithësisht shekulli i nacionalizmave dhe i gjallërimit të ndjenjave kombëtare. Në fazën e lëvizjeve kombëtare dhe luftërave çlirimtare kishin hyrë edhe popujt e tjerë të Ballkanit, dëshmitar dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i të cilave ishte edhe Naumi. Edhe populli shqiptar po shkonte drejt formimit dhe ngritjes së ndërgjegjjes kombëtare, drejt bindjes se ai ishte një komb më vete dhe se i kishte të gjitha mundësitë dhe të drejtat për të fituar lirinë dhe pavarësinë. Veçse përballë prirjes objektive drejt lindjes dhe formimit të ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar qëndronte prirja e kundërt që përpiqej ta mbyste atë që në lindje. Me mjete të ndryshme dhune shpirtërore dhe materiale, pushtuesit osmanë ishin përpjekur ta zhduknin identitetin kombëtar të popullit shqiptar. Në këtë drejtim ishin vendosur edhe përpjekjet e qarqeve shoviniste fqinje, sidomos pas formimit të shtetit grek. Në këto rrethana, lartësimi i kombit shqiptar merrte një rëndësi të veçantë parimore. Naumi shpalli para shqiptarëve, por edhe para armiqve të tij, se ka një komb shqiptar që është i patjetërsueshëm. Veçse Naumi i brengosur është i detyruar të pranojë se shqiptarët janë katandisur në “….gjendjen më të ulët të turpit”, se në Shqipëri “…është përhapur me të shpejtë barbarizma” dhe se kjo gjendje bëhet edhe më e rëndë “duke krahasuar përparimin e kombeve të tjerë me gjendjen tonë të tanishme”. Naumi përshkruan me dhimbje gjendjen e rëndë që kishte pllakosur atdheun dhe për ta ndryshuar këtë, “…duhet të mos humbim shpresën dhe të jemi të mbushur me hov dhe guxim”. (Qarkorja -1846). Por për të zhdukur prapambetjen e turpshme duhen zbuluar shkaqet e saj, të kaluarat dhe ato të sotmet. Ndër shkaqet e shumta Naumi përmend edhe hyrjet e dogmave fetare. Fenë ai e shikon si një faktor fatal për shkombëtarizimin e popullit shqiptar, për prapambetjen në përgjithësi dhe si diçka që mbjell e mban gjallë paditurinë. Në shkrimet e tij N. Veqilharxhi e përqendron vëmendjen veçanërisht në prapambetjen arsimore dhe kulturore. Ai vëren se gjuha shqipe që mbeti e palëvruar dhe e pashkruar, “…e ka ulur kombin në një gjendje të rëndë turpi, duke u bërë burim i të gjithë të këqiave të tjera”.

  1. Gjuha shqipe në rrafshin politik

Në kushtet kur faktorët e tjerë që përbëjnë bazën e krijimit të një identiteti kolektiv mund të quheshin jo bindës, kur feja, gjeografia dhe statusi shoqëror veçse i ndanin shqiptarët, i vetmi element që kishte potencialin që të luante rolin e një faktori kohezioni mbetej gjuha shqipe. Perandoria Osmane nuk donte ta njihte kombin shqiptar më vete. Edhe qarqet shoviniste fqinje kishin të njëjtim qëndrim. Përballë kësaj vale të egër nihiliste, armiqësore dhe zhbërëse, lëvizja kombëtare shqiptare duhet të paraqiste argumentet më të fuqishme që kishte, jo vetëm për të dëshmuar idealin largpamës të saj, por edhe për të triumfuar. Por për këtë kërkoheshin përpjekje titanike dhe idealistë të mëdhenj. Njëri ndër ta që e pikasi dhe e kapi këtë moment, ishte pa dyshim Naum Bredhi-Veqilharxhi bashkë me iluministë të tjerë. Dhe argumenti më i padiskutueshëm i atdhetarëve ishte ai i gjuhës kombëtare shqipe, që i bashkonte shqiptarët në një komb më vete, duke i dalluar nga kombet e tjera. Por suksesi i lëvizjes kombëtare shqiptare kërkonte formim të rëndësishëm ideologjik dhe ndërgjegje të lartë kombëtare. Naumi dhe idealistët e mëdhenj të asaj kohe e kuptuan fare qartë këtë. Një nga mjetet më të pazëvendësueshme me këtë rast do të ishte gjuha e shkruar shqipe dhe botimet e librave në gjuhën amtare. Por ishte Naumi i pari që dalloi nevojën e shkrimit të gjuhës shqipe, të krijimit të alfabetit të saj të veçantë, të ngritjes së arsimit kombëtar, të njohjes së historisë kombëtare si kushte të domosdoshme për njësimin (bashkimin) kombëtar mbi bazën e vetëdijes kombëtare, gjë që do të përshpejtonte edhe afirmimin e mëvetësisë së kombit shqiptar. Ndër fqinjët ballkanikë të Shqipërisë, feja dhe kombësia përputheshin. Përderisa kjo nuk ndodhte me shqiptarët, Naum Veqilharxhi u përpoq të zhvillonte ato aspekte të kulturës kombëtare që ishin të një natyre jofetare, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të kryhej bashkimi kombëtar. Për rrjedhojë, theksin e vuri te gjuha amtare e përbashkët, e cila mund të shërbente si një hallkë ndërlidhëse ndërmjet grupeve të ndryshme krahinore dhe fetare. Jo rastësisht kërkesat kulturore kombëtare, midis të cilave një vend të veçantë zinte edhe liria e gjuhës dhe e shkollës shqipe, që nga koha e veprimtarisë së Naum Veqilharxhit u bënë pjesë e pandarë e programeve politike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në Qarkoren e vitit 1846 Naumi theksonte rëndësinë e gjuhës amtare të lëvruar dhe të arsimimit në gjuhën shqipe: “Lënia pas dore e lëvrimit të gjuhës sonë kombëtare dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj, na sollën në gjendjen më të ulët të turpit, sepse kështu u ngul përgjithmonë padituria e kombit, u përhap me të shpejtë barbaria dhe pa kuptuar, vargonjtë e robërisë u bënë edhe më të çeliktë. Kultura, vijon ai, mund të fitohet vetëm në gjuhën amtare”. (Veqilharxhi, Naum: Parathënia e Ëvetarit -1845). Naum Veqilharxhi ua thotë shqiptarëve të gjithë të vërtetën, që t’i prekë në sedër dhe t’i nxisë që të përpiqen për gjuhën e tyre amtare. “Si ka duruar, shkruan ai, që kjo dora (populli) e shqiptarit të ketë mbetur ndënë të qeshurën (përqeshjen) e botës së huaj”. Përveçse në shkolla, gjuhën shqipe Naumi e shikonte të përdorej edhe në shërbesat fetare: “Shqiptarët jo vetëm nuk kanë mundur t’i shkruajnë njëri-tjetrit në gjuhën e vet, por as t’i falen e t’i luten Perëndisë me gjuhën që secili e mësoi duke pirë qumështin e nënës si gjithë bota tjetër”. (Parathënia e Ëvetarit-1845). Naumi nuk brengoset për fenë, për kishën dhe xhaminë, por për gjuhën shqipe. Lutjet në gjuhë të huaja ishin një nga mjetet e përdorura nga armiqtë për shkombëtarizimin e popullit shqiptar, që ta bënin atë të harronte gjuhën e tij amtare. Naum Veqilharxhi ngrihet kundër kësaj gjendjeje dhe formulon kërkesën që lutjet perëndisë t’ia bëjë populli në gjuhën shqipe. Ky do të ishte një argument shumë i fuqishëm në favor të mësimit të gjuhës amtare. Në këto rrethana lutja në gjuhën shqipe ishte një detyrë atdhetare. Këtë e kishte kuptuar më parë Ali pashë Tepelena kur nxiste dr. Vangjel Meksin për të shqipëruar Dhjatën e Re. Shkrimet e tij janë një akuzë e rëndë për gjendjen ekzistuese dhe një mbrojtje e zjarrtë e vlerave të shumta të gjuhës amtare për shqiptarët dhe kombin shqiptar. Me këtë rast ai shkruan: “Vetëm të mësuarit e gjuhës e nderon njerinë”, dhe më tej: “S’bëhet më e bukur gjë, kur çdo vend e çdo gjuhë ka shkrimet e veta”. Duke i analizuar vlerat e gjuhës në përgjithësi, ai dallon se gjuha mund të shërbejë edhe si mjet universal për marrëveshjet midis njerëzve. “Me anë të shkrimit, ne mirremi vesh me gjithë banorët e botës, kumtojmë mendimet tona dhe sipas rasteve lidhim marrëdhënie, pa të cilat jeta do të ishte e pamundur”, vëren ai. Një funksion tjetër i gjuhës së shkruar, sipas Naumit, është se ajo ruan vlerat intelektuale të krijuara nga brezat e mëparshëm dhe ua përcjell ato brezave që vijnë. “Çdo komb, vazhdon ai, me anë të shkrimit ruan edhe lavdinë e pronësisë së zbulimeve, të përsosjeve dhe të kontributeve të tij në shoqërinë njerëzore”. Naumi vjen në përfundimin se gjuha e shkruar është një mjet i fuqishëm përparimi, që e ka ndihmuar njeriun në të gjitha përpjekjet drejt qytetërimit. “Pa shpikjen e shkronjave dhe të tipografisë, shkruan ai, të gjitha do të qëndronin ende në gjendjen e tyre foshnjore”. Po aty Naumi tregon se shqiptarët kanë mbetur pas shokëve, jo sepse nuk janë të zgjuar e të zotë, por sepse nuk e kanë shkruar gjuhën e tyre dhe argumenton se populli nuk mund të dalë nga terri i padijes duke mësuar vetëm në gjuhë të huaj. Më 30.9.1879, 33 vjet pas botimit të Qarkores së Naumit, u themelua në Stamboll një shoqëri kulturore-arsimore e quajtur “Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip”. Në hyrjen e dokumentit të saj themeltar, mbështetur kryekëput mbi porositë e Naum Bredhi-Veqilharxhit të para 35 viteve, shoqëria theksonte se: “Të gjithë kombet e arsimuara, u qytetëruan me shkrime në gjuhën e tyre. Çdo komb që nuk shkruan gjuhën e vet dhe nuk ka libra në gjuhën e tij, është në errësirë dhe në barbari. Edhe shqiptarët që nuk shkruajnë gjuhën e tyre dhe që nuk kanë vepra në gjuhën e tyre, janë në të njëjtën gjendje”. (Skendi, Stavro: Zgjimi kombëtar shqiptar (1878-1912), Tiranë, 2000, f. 116).

  1. Evolucionizmi

Evolucionizmi, doktrina sipas së cilës historia e shoqërisë zhvillohet në mënyrë progresive dhe pa ndërprerje, është një koncept filozofik i Naumit. Fjalët dora-dorës, shkallë-shkallë, pak e nga pak e gradualisht janë të pranishme kudo në shkrimet e tij. Si ideologu i parë i lëvizjes kombëtare shqiptare, Naumi kërkon që mendimet dhe konkluzionet e tij të asimilohen shkallë-shkallë nga i gjithë populli shqiptar. Ai shkruante: “Vetëm kafshët që nuk gjykojnë e kanë të përcaktuar nga vetë natyra edhe fatin, edhe jetën e tyre. Kurse njeriu ka një destinacion, të cilin mund ta arrijë veçse duke filluar të ecë gradualisht nga gjërat më të vogla”, ose: “Njerëzimi që në kohët më të lashta filloi lërimin (lëvrimin) e gjuhëve dhe i zhvilloi ato dora-dorës”. Por shprehja se “…në natyrën njerëzore nuk shihen kërcime, por rregull gradual”, (Veqilharxhi, N.: Letra dërguar Jani Calit – 1846) është një konkluzion prej të dituri, një përkufizim sa i thjeshtë, aq edhe i saktë për evolucionizmin. Naumi, pasi formuloi idetë e para për rrugët e ndriçimit dhe çlirimit të kombit, u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të bëhen sa më shumë “bujq” e “mbjellës të mirë të farës së shqiptarizmit”, të cilën e shikonte si proces në evolucion të vazhdueshëm: “Le të hedhim farë të mirë dhe në tokë të sigurtë, kurse natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës, do t’i ketë pa dyshim brezi i ardhmë që do të bekojë ata bujqë dhe ata mbjellës të mirë. Kjo është detyrë e domosdoshme që duhet të bëjë çdo njeri mbi tokë për brezin e ardhmë, siç punuan për ta edhe brezat e shekujve të kaluar. (Letra drejtuar Jani Calit – 1846). Bazuar edhe në përvojën e tij si pjesëmarrës në kryengritjen rumune, përveçse në gjendjen e prapambetur ekonomike, politike, kulturore dhe arsimore në atdheun e tij, Naumi e shikonte pa vend transferimin në Shqipëri të lëvizjeve kryengritëse të vendeve të tjera ballkanike, që përfunduan me pellgje gjaku dhe koka të prera shqiptarësh. Në Shqipëri ishte e pamundur të nxitej një kryengritje e përgjithshme, ndërkohë që shqiptarët ishin thellësisht të ndarë. Prandaj Naum Veqilharxhi, komandanti trim i shqiptarëve në kryengritjen e popullit rumun kundër pushtuesve otomanë, ku ranë për liri i vëllai, Kostandini pesëmbëdhjetëvjeçar, së bashku me babanë e tyre, Panajotin, (Cacaj-Shushka, Gj.: Dokumente të arkivit të Odesës; cituar nga: Gjuha në veprën e Naum Veqilharxhit, 2000, f. 20) si iluminist, evolucionist dhe racionalist që ishte, mbështeste një veprimtari energjike në fushën e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare, derisa të rritej ndërgjegjja kombëtare e të arrihej bashkimi i popullit. Këtë qëndrim të Naumit, për të rrokur sa më parë librat e penat dhe jo menjëherë armët, teksti i HPSh e vështron, mendojmë pa të drejtë, si pavendosmëri të Naumit dhe shpreh rezerva për të. Në këtë tekst shkruhet se Naumi “…nuk e prekte, veçse në mënyrë të papërcaktuar, çështjen e qëndrimit ndaj qeverisë osmane. Megjithëse kryengritjet çlirimtare në Shqipëri kishin paraqitur kërkesën e vetëqeverisjes, Naumi, me sa duket, mendonte që më parë duheshin shfrytëzuar kushtet e krijuara formalisht nga dekreti i Tanzimatit për të zhvilluar një veprimtari energjike në fushën e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare, derisa të rritej ndërgjegjja kombëtare e të arrihej bashkimi i popullit në atë shkallë që të lejonte shtrimin e çështjes së marrëdhënieve politike me Turqinë”. (HPSh, vëll. II, f. 100-101). Këtu do pasur parasysh se dokumentet e shkruara që kemi nga Naumi (Ëvetarët, Qarkorja, Letra për nipin) u përkasin viteve 1844-1846, kurse kërkesa për vetëqeverisje mori formë sidomos me kryengritjen e vitit 1847, që zuri fill pas Kuvendit të Mesaplikut, pra një vit më vonë. Për sa i përket çështjes së marrëdhënieve me Turqinë, jo pa qëllim nuk është trajtuar asnjëherë hapur dhe drejtpërdrejt në shkrimet e Naumit. Pas krijimit të shtetit grek, u shprehën ide shoviniste dhe aspirata ekspansioniste, sipas të cilave, pas vdekjes së të Sëmurit të Bosforit tokat shqiptare në jug të vendit ishin të destinuara për t’u pushtuar nga shovinistët grekë. Naum Veqilharxhi, analisti, politikani dhe ideologu i parë shqiptar, në kushtet kur Rilindja Kombëtare Shqiptare po vononte të lindte, mendonte se për interesat e atdheut në periudhën e dhënë, status quo-ja do të ishte zgjedhja e duhur. Në të vërtetë kjo është një platformë e gjithë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për atë kohë, që madje vazhdoi deri në fazën e fundit përgatitore të Pavarësisë. Pra ishte një zgjedhje e imponuar nga rrethanat. Për t’u dhënë më shumë forcë bindëse nevojës dhe shpresës për shkrimin e gjuhës shqipe dhe ringjalljen e përparimin e kombit shqiptar, ai mundohet t’i vërë aspiratat dhe orientimet e tij në një shtrat filozofik. Nga të gjitha kategoritë filozofike ai dallon atë të evolucionit, idenë se “në botë nuk ka asgjë të pandryshueshme”. Madje ai vazhdon arsyetimin dhe shpjegon se ç’është evolucioni dhe si kryhet ai. Ai kryhet duke kaluar nga gjërat më të vogla në ato më të mëdhatë në bazë të një rregulli gradual, të pandërprerë. Ideali i Naumit ishte përdorimi nga shqiptarët i gjuhës shqipe të shkruar dhe dalja e kombit nga prapambetja e padituria. Besimin në këtë ringjallje të pashmangshme të kombit dhe të gjuhës së tij të shkruar ai e mbështet në idenë e evolucionit dhe e argumenton fare mirë me të. Me këtë rast, në parathënien e abetares së tij u drejtohet të rinjve shqiptarë dhe u shpjegon se “të shkruarit që kanë kombet e tjera nuk janë rarë qiellit”, se përpara ato ishin “hem të pakta hem të pambaruara”, se “me kohë, pak e nga pak i ndreqnë dhe i suallë në gjendjen e sotme”. Po këtë arsyetim që bën për gjuhën e shkruar, Naumi e bën edhe për kombin: “Cili komb mbin përnjëherë i madh, i fortë, i ditur dhe i lavdishëm?” Dhe vetë përgjigjet: “Kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, po njëri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe ai tjetri nesër. Fundi i fundit do të fillojë edhe ky (kombi shqiptar – F. M.)”. Në bazë të këtij arsyetimi dhe përfundimi, Naumi kalon te bindja e tij e pandryshueshme, që kërkon t’ua përcjellë edhe të gjithë shqiptarëve, se nuk ka forcë që të pengojë ringjalljen e shqipes së shkruar dhe  vetë kombin shqiptar. Për Naumin ky është një rregull që nuk njeh përjashtime. Sipas kuptimit të tij për evolucionin, Naumi mundohet të shpjegojë edhe shoqërinë njerëzore në tërësinë e saj. Sipas tij, gjatë ekzistencës së tyre dukuritë shoqërore, duke fituar veçori të reja, ndryshojnë edhe vetë ato. Veçse ndryshimi nuk merr fund me veçoritë e reja, ai vazhdon, dhe duke vazhduar mund t’i humbasë ato dhe të fitojë të tjera. “Kush mund të na sigurojë, shkruan ai, se këto veçori do të mbeten vazhdimisht në jetë të jetëve të pandryshuara”? Naumi nuk kërkon të shpjegojë përmbajtjen e konceptit të evolucionit. Por diçka më tepër. Ai kërkon të shpallë dhe të mbrojë një të vërtetë dhe një orientim politik, atë të bashkimit kombëtar, që sapo kishte filluar të ndihej në këtë fazë fillestare të lëvizjes kombëtare shqiptare.

  1. Optimizmi

Vepra e Naumit, e paktë në faqe, por e pasur në ide dhe mësime, është plot shpresa dhe besim se shqiptarët më në fund do të dalin fitimtarë dhe do të realizojnë qëllimin e tyre për rilindjen dhe përparimin e kombit shqiptar. Ai flet me krenari për abetaren e tij të parë: “…koha do të rrëfejë për të madhtë e të rëndit e tij”, dhe me entuziazëm vë në dukje “thesarin e madh kombëtar” që kanë trashëguar shqiptarët nga të parët e tyre. Ai është besimplotë për aftësitë intelektuale të shqiptarëve “që mendjen e kanë të hollë dhe të mprehtë që nga të lertuarit (që nga lindja) e tyre”, kurse shprehet me dashuri për bukurinë e gjuhës shqipe dhe lehtësinë për t’u mësuar. Mbi këto themele të shëndosha Naumi formulon këtë bindje optimiste: “Shpresoj se me të shkuar pak vjete, në mbi pesë mijë shtëpi do të gjënden më pak se njëqind njerëz që nuk mund të shkruajnë dhe të lexojnë gjuhën e tyre amtare”. Optimizmi i Naumit, para së gjithash, është i lidhur me shkrimin e gjuhës shqipe dhe me botimin e librave në shqip. Por mësimin e gjuhës shqipe ai nuk e shihte si qëllim në vetvete, por për realizimin e ëndrrës së tij, çlirimin dhe përparimin e Shqipërisë. Kësisoj optimizmi i tij merr përmasa të reja dhe më të gjera, veçanërisht kur kalon nga gjuha shqipe në kombin shqiptar dhe fatet e tij. Po i përsërisim edhe një herë fjalët lapidare të Naumit, që i kanë prekur, por edhe i kanë mobilizuar shqiptarët ndër vite: “Duke parë përparimin e disa kombeve të sotme dhe gjendjen tonë të tanishme, jo vetëm që nuk duhet të humbasim shpresën, por madje duhet të mbushemi me hov dhe guxim dhe të shpresojmë që edhe ne një ditë do të vihemi në radhë me kombet e qytetëruara”. Por ai di gjithashtu se kjo ndërmarrje do të jetë shumë e vështirë, veçse është i bindur se me punë dhe përpjekje çdo pengesë kapërcehet, pasi aftësitë e njeriut janë të pashtershme.

Optimizmi i Naumit, si shumë ide dhe orientime të tij, hyri në fondin e artë të ideologjisë së Rilindjes Shqiptare. Atë e morën dhe e përpunuan më tej mendimtarët e mëvonshëm të popullit tonë, me të jetuan dhe luftuan breza të tërë luftëtarësh të lirisë. Optimizmi historik me përmbajtje të theksuar atdhetare që ka fillimet e tij me Naum Veqilharxhin, është jehonë e atij optimizmi spontan dhe të fuqishëm që e ka karakterizuar gjithnjë popullin shqiptar edhe në momentet më të vështira të historisë.

  1. Iluministi i parë shqiptar

Iluminizmi është rryma ideore që u përhap në Europën Perëndimore në shek. XVII dhe XVIII, e cila zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë njerëzore e lidhte me zhvillimin dhe përhapjen e arsimit dhe të shkencës, në luftë me obskurantizmin mesjetar. Idetë e iluminizmit ndikuan, ndonëse me vonesë, edhe te popujt e Ballkanit, në vitet 20-30 të shek. XIX. Iluminizmi në Shqipëri lindi me Naum Veqilharxhin, në mesin e shek. XIX, duke u bërë më vonë tipari karakteristik për ideologjinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Përpjekjet për përhapjen e arsimit dhe diturisë, si kusht i qytetërimit dhe i përparimit shoqëror, Naumi i lidhi me kërkesën për shkrimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave shqipe. Naumi është vërtet një iluminist i shquar në plejadën e rilindësve tanë të mëdhenj. Nëpërmjet tri veprave të tij, jo të gjata, por të ngjeshura, ai kërkon të ndihmojë kombin shqiptar duke ndriçuar mendjet e njerëzve të errësuara nga padija dhe besëtytnitë. Ai do ta kryejë këtë detyrë nëpërmjet përhapjes së dritës së arsimit dhe të kulturës, me anë të alfabetit të veçantë të gjuhës amtare dhe të shkollës shqipe, të cilat do të jenë të pavarura nga të huajt dhe për të gjithë fëmijët e shqiptarëve. Por Naumi kërkon të gjejë shkaqet e prapambetjes së popullit dhe të gjendjes së mjeruar të atdheut, të cilat i paraqet te Qarkorja: “Pushtime shumë të shpeshta, përmbysje të gjithanshme, ndryshime politike, hyrje dogmash të reja fetare, janë shkaqet e transformimit tonë moral të tanishëm dhe sidomos lënia pas dore e lëvrimit të gjuhës sonë dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj, na sollën në gjendjen më të ulët të turpit” (Qarkorja – 1846). Në Parathënien e Ëvetarit – 1845 N. Veqilharxhi del si njohës i saktë i gjendjes arsimore të popullit shqiptar, tek shkruan: “…e vetëm të vini re, që, gjer sot s’patëm pasur, shohëmë që ndë pesëqind shtëpi ja gjënden ja s’gjënden pesëdhjetë veta mbarë-prapë (pak a shumë) që diç dinë të shënojnë (të shkruajnë), por edhe ata në gjuhë të huaj. Më tej patrioti iluminist shkruan: “O djem, duke vurë përpara syvet mi, më nxehnë e më shtrënguanë që t’i hynj kësaj ndërduarçmje (ndërmarrje) e kësaj së nisure (nisme), pa kuptuar fare mundim e të lodhur, po vetëm e vetëm të bënj e të rrëfenj detyrën që kesh e kam për Ventlermin tem e për gjuhën e mëmës”. Këto fjalë tregojnë qartë se Naum Veqilharxhi është nisur me një mendim të pjekur kombëtar. Që kur nisi lëvrimin e gjuhës shqipe, ai ndiente thellë se kryente detyrën ndaj atdheut, ndaj gjuhës amtare, me anë të së cilës do të kulturohej mbarë kombi shqiptar. Së bashku me gjuhën kombëtare dhe në lidhje të ngushtë me të, Naumi ngre lart një vlerë tjetër, diturinë. Naumi në shkrimet e tij mbron me vendosmëri diturinë dhe mendjen njerëzore dhe i quan ato si kushtin vendimtar që e ngriti njeriun mbi botën e kafshëve. Ai vë në dukje se njerëzit dolën “nga t’egrit e tyre që e patën patur që herjet” duke thelluar mendjen. Duke ecur në këtë rrugë arsyetimi, ai arriti në përfundimin se “më të mirën gjë që njohu dhe kuptoi njeriu ishte të mësuarit”. Naum Veqilharxhi i ka dhënë rëndësi të madhe edukatës, si një nga faktorët kryesorë të zhvillimit të njeriut në drejtimin e duhur. Si iluminist që është, ai i jep arsyes një rol vendimtar. Sipas tij, arsyeja është ajo që e lartëson njeriun, që e ka ndarë atë nga bota e kafshëve, duke e bërë kështu zotin e të fshehtave të gjithësisë. Këto elemente të botëkuptimit të tij filozofik janë racionaliste, mbasi çmojnë së tepërmi forcën e arsyes njerëzore dhe kanë rëndësi për kohën kur ideologjia fetare mesjetare luftonte mendimin e lirë dhe përpiqej të ruante dogmat fetare për t’i mbajtur njerëzit në errësirë. Pranë rolit vendimtar që i jep arsyes, Naum Veqilharxhi ka vlerësuar lart edhe punën. Naumi i këshillon shqiptarët, se “… vetëm me punë mund të dalin nga gjendja e mjeruar, por gjithmonë duke vënë theksin mbi arsyen si parimin themelor që karakterizon njeriun”. Ata, thekson Naumi, “duhet të punojnë vetëm për lulëzimin e kombit tonë, duke lëvruar gjuhën dhe shkrimin e saj, që janë thelbësore për botën e qytetëruar”. (Veqilharxhi, N.: Qarkorja). Duke folur me respekt për punën, ai përmend në Qarkoren e tij edhe koncepte të reja për kohën në fushën ekonomike-shoqërore, si për shembull termat industri, shkencë, arte të bukura dhe politikë dhe jep porosinë që të ruhen me kujdes dhe të zhvillohen më tej nga shqiptarët. Përveçse ideologu i parë, Naum Veqilharxhi vlerësohet edhe si iluministi i parë dhe racionalisti i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ky burrë i ndezur nga dashuria për kombin, si perfeksionist që ishte, për realizimin e objektivave të tij madhorë gërshetoi përvojat e tij me ato të iluministëve të shquar të Ballkanit. I bindur se populli shqiptar do të dilte “nga gjendja e turpshme e mjerimit, vetëm kur do të fillonte lëvrimin e gjuhës kombëtare”, Naum Veqilharxhi përcillte me interesim të madh edhe veprimtarinë arsimore që zhvillonin iluministët e kombeve të tjera të gadishullit të Ballkanit. Në qoftë se fëmijët rumunë filluan të shfletojnë abetaret e tyre të para në vitin 1820, ata bullgarë në vitin 1824 dhe fëmijët serbë në vitin 1827, me “ëvetarët” e tij, që arritën në Korçë në vitin 1844 dhe u përhapën si vetëtimë në gjithë Shqipërinë Juglindore, Naumi ngriti përmendoren me të bukur të Rilindjes sonë Kombëtare, për të cilën “ai do të mbetet i pavdekshëm deri në fund të shekujve”. Nga njeriu Naumi kalon në shoqërinë njerëzore, ku sheh se edhe ajo ka përparuar nëpërmjet mësimit dhe diturisë. Ai vë në dukje se vetëm me anën e mendimeve të përbashkëta njerëzit u lidhën dhe u bashkuan në shoqëritë njerëzore, të cilat, nga ana e tyre, me t’u formuar, u ngritën në nivele të larta. Si atdhetar që ishte, Naumi, edhe kur shkruan për shoqërinë njerëzore, ngre lart rolin e diturisë për të dalë fill në shkrimin e gjuhës shqipe. Ai përfundon: “… shohëm se njerëzit mundohen pa reshtur si të mundjën të ndërtojnë e të shtojnë gjuhën e tyre dhe të mësuarit”. Pas një arsyetimi të tillë teoriko-filozofik mbi rolin e diturisë dhe  të mësimit, Naumi kthehet edhe një herë te gjuha e shkruar shqipe: “…ato kombe që mbetën në padije, shkruan ai, u shëmbëllejnë thjesht skllevërve. Ato mund të dalin nga gjendja e mjerimit vetëm kur të fillojnë të lëvrojnë gjuhën e tyre kombëtare”.

X.QËNDRESA NDAJ SHKOMBËTARIZIMIT

Naumi ngre fuqishëm zërin tek Qarkorja e vitit 1846: “Është koha që t’i mbyllim veshët tanë për të gjithë ata që me pretekstin e miqësisë dhe të maskave të tjera të panumërta na këshillojnë të kundërtën. Është koha të hedhim poshtë të gjitha paragjykimet e vjetruara. Është koha të mbledhim veten dhe të gjykojmë më me pjekuri dhe më me burrëri, të këmbejmë taktikë duke marrë tani e tutje si shembull kombet e përparuara të botës”. Këto fraza të shkëputura nga Qarkorja janë esenca e ideve të N. Veqilharxhit. Thirrja “për të flakur gjithë paragjykimet e vjetruara” kumbon si një qortim që Naumi u bën tendencave për të qëndruar në vend ose për t’u kthyer tek e kaluara. Porosia për të “marrë shembull nga kombet e përparuara mbi tokë” zbulon synimin ku ai aspiron të arrijë atdheu. Kjo është një polemikë e drejtpërdrejtë dhe e ashpër, nëpërmjet së cilës Naumi i fton të gjithë shqiptarët të zgjohen dhe të ndahen nga paragjykimet. Naumi i akuzon disa të huaj si armiq të kombit tonë. Ata shtiren si miq nën maska të ndryshme, por në të vërtetë nuk e duan përparimin tonë. Ata “duan të na përdorin si gjer më tani”. Aluzioni është fare i qartë: shqiptarët duhet të punojnë për atdheun e tyre dhe jo për të mirën e të tjerëve. Naum Veqilharxhi e dinte fare mirë se lufta midis shqiptarëve dhe qarqeve shoviniste greke kishte filluar me kohë. Por luftën e Veqilharxhit me grekomanët, me kishën dhe shtetin grek, akuzat e forta kundër tyre do t’i gjejmë veçanërisht në letrën që i dërgon të nipit, më 7 prill 1846, në përgjigje të letrës, sigurisht të porositur nga të tjerë, që i kishte shkruar ai një muaj më parë. Në këtë letër nipi dhe ata që fshihen pas tij talleshin me shqipen dhe popullin shqiptar me tre besime dhe kërkonin që Naumi të hiqte dorë nga ndërmarrja e tij. Nuk bashkohen “të pa bashkuarat”, argumenton nipi plëngprishës, “nuk krijohet një komb me një popullsi të ndarë në tre besime fetare”. Jani Cali i mohon popullit të vet historinë dhe kulturën, pra edhe mundësinë e një rilindjeje për të cilën është hedhur në veprim Naumi. Nipi, në këtë mënyrë, u këshillon shqiptarëve të mohojnë gjuhën, kombësinë e tyre, vetveten. Dhe ungji i vërsulet me tërë mërinë që ka mbledhur kundër antishqiptarizmit. Ai nuk është aspak duke krijuar një komb, kombi shqiptar ekziston! “Kombi ynë do të ecë përpara me shpejtësi”, i përgjigjet Naumi të nipit. “Cili komb mbiu menjëherë i madh, i fortë, i ditur e i lavdishëm” – e pyet ai. “Kush tha se kombi shqiptar nuk paska një të kaluar dhe nuk paska bërë ndonjë përpjekje për të krijuar kulturën e vet”? Jani Cali nuk di asgjë nga e kaluara e atdheut të vet, sepse “… të gjitha studimet i ka bërë në shkolla të huaja”. Sidoqoftë nipi duhet të njihet me konsideratat e të huajve për shqiptarët dhe patrioti ynë i numëron: “Unë ndonëse nuk mendoj të jem një filolog aq i thellë, me gjithë këtë po të përmend se për shqiptarët kanë shkruar englezi Massi, italiani Josif Krispi, gjermani Ksilander, siçiliani Videra, kalabrezi De Rada …”. Naumi i lejon vetes këtë radhë të tallet me të nipin:”Në qoftë se bëhesh më kërkimor, këto mund t’i gjesh në një bibliotekë të atjeshme, për të mësuar se mosdija jote për një gjë, nuk do të thotë se kjo gjë nuk ekziston”. (Veqilharxhi, Naum: Letra për J. Calin). Naum Veqilharxhi, gjithmonë therës, vazhdon: “Shqiptari duhet të flakë tutje atë këshillë që e shtyn të mohojë kombin e vet, domethënë prindërit, farefisin, miqtë, bashkëkombësit, vatrën e tij atërore, gjërat e shenjta të familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar të gjitha këto gjetiu, atje ku nuk do të ketë mundësi t’i gjejë kurrë”. Dhe këtu fjala është për nipin, Janin. “Besoni në fjalët e nipit, i cili ka informata …” – e kërcënon Jani të ungjin, pra që ai “të heqë dorë nga planet e tij”. Naumi i përgjigjet se të gjithë kemi për të vdekur. N. Veqilharxhi, rilindësi i parë shqiptar, nuk i trembet as kërcënimit suprem. Ai është kryelartë për misionin e madh që i ka ngarkuar vetes, aq kryelartë sa i vendosur dhe i guximshëm dhe për këtë është i bindur se del ballëhapët përpara historisë, që një ditë do t’ia dijë për nder. Pra, atdhetarizmi i Naum Bredhi-Veqilharxhit del me forcë dhe bukuri të veçantë në polemikën që ka pasur me nipin bukëshkalë. Me bindje dhe vendosmëri që nuk lejon asnjë lëkundje, ai i shpjegon të nipit se kriteri më i sigurt i vlerësimit moral të njeriut është qëndrimi që mban ndaj interesit kombëtar. Naumi, me krenari dhe i vendosur do të deklaronte: “… edhe sa vjet i madhi zot të më falnjë i kam për të tërësjelltur (neologjizëm), duke punuar për vendin tem e tuajnë dhe për këtë gjuhën tënë”. Armiqtë nuk mundën t’ia mbyllin gojën Naumit në të gjallë, nuk mundën t’ia mbyllin as në të vdekur. Zëri i Naumit vazhdoi të jehojë me forcë nëpërmjet shkrimeve të tij. Idetë dhe mësimet e Naumit, së bashku me ato të të gjithë mendimtarëve të tjerë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Naim e Sami Frashërit, Konstandin Kristoforidhit, De Radës etj., vazhduan të qarkullojnë, të hyjnë në ndërgjegjen e mijëra e mijëra shqiptarëve, të ngrenë me një mundim titanik atë që quhet ndërgjegje kombëtare, që do të shërbente si një bazë solide për mbrothësimin e kombit shqiptar, që do t’i frymëzonte dhe përgatiste shqiptarët për ngjarjet e ardhshme që çuan në pavarësinë e vendit. Në ato kohë fëmijët e shqiptarëve nuk lejoheshin të mësonin gjuhën e nënës në shkollat e tyre dhe detyroheshin të mësonin gjuhë të nënave të tjera, të panjohura për ta. Naumi theksonte: “Fëmijët shqiptarë mundohen kot, kur detyrohen që të mësojnë gjuhë të huaja. Atyre u duhen tre vjet për të mësuar të lexojnë dhe të shkruajnë gjuhën e huaj dhe po kaq për t’a mësuar atë. Dhe me t’a mbaruar shkollën, ata s’do të dinë gjë fare. Nuk e kam fjalën për ata që janë të kamur dhe që prindërit e tyre i dërgojnë jashtë vendit për të mësuar, por për fëmijët e skamësve (të varfërve) që mbeteshin dhe mbeten sikundër thamë më sipër”. (Parathënia e Ëvetarit – 1845). “I madh është dëmi që na bën kultura e huaj, kur nuk jemi edukuar së pari në shkollat tona amtare. Të tillë janë, shkruan Naumi, pothuajse të gjithë ata që kanë bërë studimet me shkronja të kombeve të tjera, para se të përgatiten në gjuhën e kombit të vet”. Më tej ai akuzon drejtpërdrejt arsimin grek që ishte përhapur në Ballkan dhe që nuk tërhiqet përpara përpjekjeve të ballkanasve për shkollë kombëtare, por përdor çdo mjet për të penguar arsimin e tyre kombëtar. Veqilharxhi nuk mohon vlerat dhe nuk përbuz kulturën greke, por thekson se edhe kombi shqiptar i ka “shekujt e tij mitologjikë, heroikë dhe fetarë”.

XI.MESAZHE PËR SHQIPTARËT E DJESHËM, POR EDHE TË SOTËM

Rilindësi i madh gjen rastin dhe u dërgon mesazhe të vlefshme shqiptarëve të djeshëm, por që kumbojnë aktuale edhe për shqiptarët e sotëm. Me dashurinë, mençurinë dhe sinqeritetin e tij, ai krijoi portretin e shqiptarit patriot duke përdorur fjalët më të bukura dhe më të goditura, që rrallë i gjen në letërsinë shqipe. Ai u paraqet shqiptarëve një shëmbëlltyrë patrioti, që karakterizohet nga morali i shëndetshëm dhe nga nënshtrimi i interesit të ngushtë vetjak ndaj interesit të lartë shoqëror. Figura e Naumit nuk do të dilte e plotë pa njohur edhe konceptet e tij morale, ndër të cilat bien në sy detyrat ndaj atdheut, kombit, ndaj së mirës së përbashkët, ose, siç thotë ai vetë, ndaj së mirës së të tjerëve. Në Parathënien – 1845 ai u tregon nxënësve se kur hartoi Ëvetarin nuk ka marrë parasysh asnjë mundim e të lodhur, se këtë nuk e ka bërë as edhe për t’u mburrur, “…por të rrëfej detyrat që kisha dhe kam për vëndlermin tim dhe gjuhën e mëmës”. Nga kjo del edhe këshilla që ai u jepte të rinjve shqiptarë që të punojnë dhe të përpiqen para së gjithash për vëndlermin e tyre. Atdhetaria e Naumit paraqitet e plotë, me stil dhe ironi të hollë,  por edhe me forcë të veçantë në polemikën që zhvilloi me të nipin bukëshkalë. Ai i shpjegon të nipit se kriteri më i sigurt për vlerësimin moral të njeriut është qëndrimi i tij ndaj interesit kombëtar. Për Naumin njerëzit e prishur moralisht, “që dëmtojnë familjen e tyre dhe shoqërinë”, janë ata “që e kanë përqendruar të gjithë vëmendjen në veten e tyre, duke mos treguar asnjë interes për të tjerët”. Problemet e moralit, të sjelljes dhe të qëndrimeve të njerëzve ndaj njëri-tjetrit, ndaj atdheut dhe shoqërisë, ndaj interesit vetjak e atij të përgjithshëm merrnin rëndësi të veçantë në rrethanat kur populli shqiptar duhej të ngrihej në luftë për idealet kombëtare, për liri dhe pavarësi. Populli që ngrihet për luftë, ka aq nevojë për armë sa edhe për moral. Kjo është pa dyshim arsyeja pse rilindësit tanë u kushtuan një vëmendje aq të madhe problemeve të figurës morale që duhet të karakterizonte shqiptarët. Me këtë rast Naumi shkruante: “…dëmtim moral pësojnë në përgjithësi njerëzit që i sjellin dëm shoqërisë dhe familjes së tyre, si gënjeshtarët, batakçinjtë, çprishësit, turbulluesit dhe vjedharakët. Këta duke e kuptuar keq fjalën interes, përdorin çdo mjet të lejuar dhe të palejuar vetëm për të grumbulluar argjend dhe ar”. (Veqilharxhi, Naum: Letra dërguar Jani Calit – 1846). Ëvetari – 1845 përfshin edhe pjesë të ndryshme letrare me përmbajtje nga Dhiata e Vjetër, të cilat, krahas vlerës tregimtare dhe gjuhësore, plotësonin mungesën e librave edukativo-arsimorë në gjuhën shqipe. Nëpërmjet këtyre pjesëve letrare që predikojnë qëndresën, durimin, besnikërinë, fisnikërinë dhe virtyte të tjera dhe dënojnë dobësitë njerëzore, autori dëshironte të përcillte te djemtë e rinj shqiptarë pastërtinë dhe përsosjen morale, duke ngjallur tek ata etjen për dije, dashurinë për njeriun dhe atdheun.

XII. IDEIMI I NJËSIMIT TË KOMBIT, KRYEVEPRA E NAUMIT

“Në Perandorinë Osmane të pas Tanzimatit, me institucionalizimin e sistemit të mileteve, shoqëria e krahut perëndimor të Gadishullit Ballkanik nuk i shpëtoi në njëfarë mase përforcimit të identiteteve të përcaktuara nga përkatësia fetare”. (Clayer, N.: po aty, f. 40). Në fakt, me gjithë barazinë e shpallur, ndryshimi mysliman/i krishterë shihej te formimi i një rrjeti paralel arsimor, që po krijonte shtresa të shoqërisë gjithnjë e më të gjera që po arsimoheshin në kultura të ndryshme: në kulturën orientale, në atë greke dhe në atë latine. Në këtë mënyrë, në rrafshin fetar rregullat po bëheshin më të rrepta dhe ndarja fetare e popullsisë po theksohej gjithnjë e më shumë. Pashko Vasa, një nga veprimtarët e parë të shqiptarizmit, do të shkruante: “Shqyptarë! Me vllazën jeni tue vram, dhe më njiqind çeta jeni shpërndamë, sa thonë kemi fe, sa thonë kemi din, njeni thotë jam turk, tjetri jam latin, do quhen grekër, shqeh disa tjerë, por jeni vllazën gjithë, mor të mjerë”! (Pashko Vasa, Vepra letrare, I, Tiranë, 1987, f. 38). Kurse Eqrem bej Vlora, duke karakterizuar atë periudhë historike, shkruante se populli shqiptar ishte i ndarë në dy fronte. Në njërin gjendeshin tri të katërtat e popullsisë, e cila pyetjes “çfarë jeni ju?”, i përgjigjej turk (mysliman), shyqyr Zotit! Të tjerët quheshin kaurë, d.m.th. “të pafe”, që konsideroheshin element i huaj brenda popullit shqiptar. (Eqrem bej Vlora: Kujtime, 1885-1925, Tiranë, f. 152). Duket se përpjekjet e sundimtarëve osmanë për t’i fanatizuar fetarisht dhe për t’i turqizuar kombëtarisht shqiptarët myslimanë, duke i lënë dorë të lirë kishës greke dhe shtetit të sapoformuar grek që të zhvillonin të njëjtën veprimtari në drejtim të shkombëtarizimit të shqiptarëve ortodoksë po zbehnin, veçanërisht në disa krahina të Shqipërisë, bashkëjetesën e kahershme ndërfetare të shqiptarëve. Naum Veqilharxhi e kishte të qartë se theksimi i identitetit kombëtar shqiptar do të zbehte qoftë identitetet fetare, qoftë edhe dukurinë e mbylljes së identiteteve fetare midis tyre. Për Naum Veqilharxhin kombi shqiptar duhej të bashkonte në një trup të vetëm myslimanët, ortodoksët dhe katolikët. Veprimtaria atdhetare e Naumit kishte rënë në sy të të gjithë atyre që interesoheshin për çështjen shqiptare. Idetë dhe vizionet e tij kishin gëzuar zemrat e atdhetarëve, kurse kishin shqetësuar dhe vënë në lëvizje armiqtë e kombit. Nga të parët që ngritën zërin dhe u lëshuan kundër Naumit ishte i nipi i tij nga motra, Jani Cali. Si një njeri që kishte humbur çdo ndjenjë kombëtare dhe kishte rënë plotësisht nën ndikimin e qarqeve shoviniste fqinje, ai i shkruan Naumit një letër plot me qortime për veprimtarinë e tij në shërbim të atdheut. Kurse Letra… e Naumit që i drejton të nipit, Janit, student në Vjenë, më 7 prill 1846, për mendimet, dëshirat dhe optimizmin që ruan, është një nga dokumentet më të ndritshme të patriotizmit shqiptar. Naumi zbërthen këtu thelbin e programit të tij për rilindjen e kombit shqiptar. Letra e Naumit është shembull i horizontit kulturor, i pastërtisë morale dhe i vendosmërisë atdhetare të autorit të saj. Në përgjigjen e tij Naumi paraqet me këtë rast një pjesë të letrës që nipi grekoman i kish dërguar një muaj më parë: “Xhaxhai im, i shkruante nipi, kërkon të lidhë ato që s’lidhen, të sjellë në formë atë që nuk ka formë, të bashkojë në një tufë myslimanët fanatikë, të krishterët ortodoksë supersticiozë, papistët që urrejnë fetë e tjera, për të krijuar kombin shqiptar”. Por ja si i përgjigjet Naumi nipit të tij: “Kombi shqiptar, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë dhe ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe të zakoneve, shekujt e tij mitologjik, heroik, politik e fetar dhe ruan në gjirin e tij një thesar të madh kulturor”. Dhe më tej vazhdonte se “ai nuk do të merrte përsipër formimin rishtas të një kombi, por vetëm do të përpiqet që të bënte të shkruhej gjuha e kombit”. (Veqilharxhi, N.: Letra dërguar Jani Calit). “Unë të përgjigjem, theksonte Naumi: se epitetet nuk shprehin esencën, por veçori të fituara më vonë të esencës. Dhe çdo veçori e esencës e fituar më vonë, është e ndryshueshme”. Për Naumin kombi shqiptar, që është krijuar në një kohë me kombet e tjera, përbën “një trup homogjen”, “është esenca, kurse fetë janë veçori të fituara më vonë”. Në këtë mënyrë Naum Veqilharxhi del i pari që shtroi konceptin e përparësisë së kombit shqiptar mbi fetë, koncept që qëndron në themel të fenomenit të harmonisë fetare ose të bashkëjetesës shqiptare. Duke kuptuar rolin e rëndësishëm dhe unik të gjuhës amtare të shqiptarëve edhe si e para ndër shenjat dalluese të kombit, Naum Veqilharxhi përpiloi alfabetin e veçantë për të arritur te lëvrimi i gjuhës shqipe, me synim të vetëm konsolidimin e bashkimit kombëtar. Naum Veqilharxhi madje përmend edhe të tjera elemente të kombit, duke qenë në këtë mënyrë i pari në letërsinë shqipe që ka dhënë një tjetër përkufizim për kombin, duke iu qasur më shumë thelbit të konceptit për kombin: “Kombi është një bashkësi e qëndrueshme njerëzish, bashkësi në të cilën bëjnë pjesë prindërit, farefisi, miqtë, bashkëkombasit, vatra e stërgjyshërve dhe sendet e shejta të familjes”. Por shqiptarët nuk janë një bashkësi dosido, por bashkësi që i ka tiparet e një kombi, i ngjashëm me kombet e tjera. Ai i krahason shqiptarët me kombet e tjera, për të hedhur poshtë pretendimet e armiqve se gjoja shqiptarët nuk përbëjnë një njësi kombëtare më vete. Për më tepër, tiparet e popullit shqiptar, sipas Naumit, janë më të spikatura dhe më të fuqishme se tiparet e shumë popujve të tjerë. Abetaret e Naum Veqilharxhit, që u përpiluan me një alfabet të veçantë dhe u quajtën vepra të shenjta, por edhe Qarkorja, si dhe Letra dërguar J. Calit, ndriçuan popullin shqiptar me shpejtësi vetëtime, “duke u dhënë zemër edhe gjithë të tremburve”. Në shtypin rumun të kohës theksohej se veprat e Naum Bredhi- Veqilharxhit, që synonin të kapërcenin dasitë fetare, të cilat pengonin bashkimin kombëtar, u mirëpritën nga të tria pjesët e kombit. (Gaz. Curjerul rumanesc, Bukuresht, 1846; cituar sipas Domi, Mahir: Kongresi i Manastirit…). “Një vit më vonë I. E. Radulesku në Bukuresht, duke e konsideruar veprën e Naum Veqilharxhit si përpjekje për të vënë bazat e arsimit kombëtar, si boshti rreth të cilit do të arrihej bashkimi kombëtar i shqiptarëve, shkruan: Përpjekjet dhe puna e Zotit Naum Veqilharxhi vëllazërojnë shqiptarin muhamedan me atë ortodoks dhe me atë katolik, i bëjnë të jenë shtyllat e po asaj familjeje”. (Cituar te Islami, M., Po aty, f. 86). Dh. S. Shuteriqi shkruan: “Për herë të parë jo vetëm paria ortodokse e Korçës, por edhe katolikët dhe myslimanë të ndryshëm e kanë kuptuar dhe e kanë bërë të tyrin qëllimin e rilindësit. Përpjekja e tij kulturore i ka bashkuar ata si pjesë e një kombi që janë”. (Shuteriqi, Dh. S: N. Veqilharxhi, Gjurmime letrare, 1974, f. 227). Në këtë mënyrë Naum Bredhi-Veqilharxhi kishte ideuar rikonstruksionin e kombit shqiptar, që përfshinte myslimanë dhe të krishterë dhe që historia e provoi se ishte një aliazh më i fortë dhe më rezistent se elementet që e përbëjnë. Dora-dorës populli ynë e pranoi porosinë e Naumit dhe krijoi modelin e tij, sipas të cilit besimet fetare do të vazhdonin të praktikoheshin në një mënyrë të veçantë, në mënyrën shqiptare, me tone të ulura, ku nuk ka vend ideja e përçmimit të bashkëkombasve të feve të tjera, duke i lënë vendin respektit të ndërsjellë. Kjo është harmonia fetare ose bashkëjetesa shqiptare, që falë urtësisë së popullit tonë përbën një vlerë të veçantë të tij, si një model referimi edhe për popujt e tjerë ballkanikë, si mënyra e vetme për një të ardhme të përbashkët më të lumtur. Veçse gjithçka fillon me gjuhën amtare. Kur Naum Veqilharxhi thoshte se “gjuha shqipe e lëvruar do të nxirrte kombin tonë nga gjendja e turpshme e mjerimit”, (Qarkorja – 1846) si edhe shumë shqiptarë të tjerë, ai ishte dashuruar pas saj si një gjuhë e lashtë, e veçantë, dinamike, që tingëllon bukur si në gojën e grave ashtu edhe të burrave, që u ka qëndruar të gjitha rrebesheve edhe pse nuk mësohej nëpër shkolla, mbasi turqit i kishin zgjedhur vdekjen dhe e ndaluan të mësohej për pesë shekuj me radhë.

XIII. EUROPA E RIGJETUR

Naum Bredhi-Veqilharxhi përcaktoi në shkallë kombëtare programin politik me anën e të cilit aspiratat e popullit shqiptar, deri atëherë të turbullta dhe të pandërgjegjshme, u sqaruan dhe u pajisën me pikësynime konkrete. Ai e shtyu më tej lëvizjen kombëtare shqiptare, duke shënuar fillimin e një periudhe të re historike. Në këtë mënyrë, me pikëpamjet e tij që i paraqiti në Qarkoren e vitit 1846 drejtuar patriotëve shqiptarë, filloi ajo periudhë e re që i përket Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila kishte për qëllim zgjimin e popullit nga prapambetja dhe zgjimin e ndërgjegjes kombëtare për të arritur çlirimin nga zgjedha turke. “Ka ardhur koha, shkruante Naumi, që t’i flakim gjithë paragjykimet e vjetëruara, ka ardhur koha të çohemi e të mundohemi më me pjekuri dhe më me guxim, të këmbejmë udhë, duke marrë këtej e tutje si shembull kombet e përparuara mbi tokë, dhe kështu një ditë edhe ne, shpresojmë të rreshtohemi në sërën e kombeve të qytetëruara. Dhe duke synuar këtë, le të ecim pa u lëkundur, me guxim dhe me këmbëngulje” (Qarkorja – 1846). Në atë periudhë historike kombet e qytetëruara ishin Franca, Anglia, Austria, Prusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aspak Turqia, Rusia, Greqia, Serbia etj. Porosia “për të marrë shembull kombet e përparuara mbi tokë” zbulon synimin ku Naumi ka dëshirë të arrijë atdheu i tij. Në letrën e falënderimit që patriotët korçarë i dërguan Naum Veqilharxhit, pasi e njoftuan për gëzimin dhe kënaqësinë që ndien shqiptarët nga Korça, Berati, Përmeti dhe krahinat rreth tyre, kur panë shkronjat prej të cilave kombi ynë ka qenë përjashtuar ndër shekuj, shprehën bindjen se “me këtë zotësi të Zotërisë tuaj të denjë për t’u lëvdëruar, kombi ynë do të numërohet me këtë fillim, në radhë të popujve të ndritur të Europës”. Si fryt i një malli tepër të zgjatur, shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut shprehën të njëjtin mendim: Shqipëria ka nevojë për europianizim. Rilindësi vithkuqar ushqente shpresa të mëdha për të ardhmen e ndritur të shqiptarëve, ngaqë sipas tij shqiptarët jo vetëm mendjen e kanë të hollë dhe të mprehtë, por edhe më tepër, ata janë gjithë sedër. Le ta dëgjojmë të plotë krenarinë dhe optimizmin e Naum Veqilharxhit: “Shtërngohi të mësoni e të shtoni (dijen), se është e ditur që frymët e shqiptarëve, veç që mendjen e kanë të hollë e të mprehtë nga të lerturit (nga lindja) e tyre, që mund pa frikë ta them, se jo vetëm arrijnë, po edhe kalojnë shumë farë njerëzve (kalojnë edhe shumë popuj) të tjerë, po edhe më tepër janë gjithë sedrë dhe dondermjës (nderdashës), pa andaj yshqenj shpëresa të mëdha e të ndriçme që jo vetëm të hedhëm (të heqim) nga vetea jonë të përqeshurit që kishim pasur nga të huajtë që s’patmë pasur as të shkruame as ëve (shkronja) tona të veçme (të veçanta), po me pak kohë të hyjmë mbë radhë të botësë msuar e të qytetruar. (Veqilharxhi, Naum: E parathënme mbi djelmtë e rij shqiptarë -1845). Naum Veqilharxhi me idetë e tij iluministe dhe me programin politik që formuloi, ishte i pari që i tregoi popullit shqiptar si pikësynim qytetërimin europian. Këtë orientim të tij më pas e ndoqën të gjithë rilindësit e tjerë, që krijuan Rilindjen Kombëtare Shqiptare, lëvizjen më europianiste në gadishullin e Ballkanit. Naumi gjithashtu kishte përcaktuar Europën, si modelin e vetëm për Shqipërinë e lirë e të pavarur. Ishte viti i largët 1846!

XIV. VEPRAT E NAUMIT

Veprat e Naum Veqilharxhit, që kanë arritur deri në ditët tona, të rreshtuara kronologjikisht, janë: Ëvetari i parë i përfunduar qysh më vitin 1824 ose në vitin 1825, por i botuar vetëm në vitin 1844 dhe Ëvetari i dytë i vitit 1845 që ishte edhe libër leximi, Qarkorja, si dhe Letra e hapur dërguar Jani Calit. Alfabeti i veçantë i gjuhës shqipe u bë armë në duart e shqiptarëve me botimin e Ëvetarit të parë dhe Ëvetarit të dytë. Ata zgjuan vetëdijen e popullit shqiptar, ndezën dëshirën për liri dhe zjarrin e luftës për rilindjen e Shqipërisë. Ëvetari i vitit 1844 është një libër i rrallë dhe shumë i çmueshëm për historinë e arsimit shqiptar (njihen vetëm katër ekzemplarë). Abetarja ka 8 faqe me format 22×18 dhe është e pirografuar. Entuziazmi që shprehën korçarët, veçanërisht nëpërmjet letrës së datës 4 maj 1845, nxiti Naumin të përpilonte dhe të botonte, me paratë e V. Zhapës, Ëvetarin e dytë me titull: “Fare i ri Ëvetar shqip për djelm nismëtarë, nxjerrë e dhënë mbë dritë nga Naum Bredhi Veqilharxhi, moti i dytë 1845”. Ky Ëvetar me 48 fletë spikat edhe nga parathënia, që titullohet: Eparathënme mbi djelmt e rij shqiptarë. Duhet theksuar se vetë Sami Frashëri ruante me kujdes të madh  një nga pak ekzemplarët e Ëvetarit të vitit 1845, pjesa më e madhe e të cilëve u dogjën bashkë me shtëpinë e Naumit në qytetin Braila të Rumanisë. Në vitin 1846 Naum Veqilharxhi lëshon Qarkoren në gjuhën greke, drejtuar “për gjithë të pasurit e të mësuarit ortodoksë shqiptarë”. Qarkorja është një manifest në të cilin Naum Veqilharxhi paraqet me ton luftarak kërkesat kulturore dhe politike të lëvizjes sonë kombëtare për të shpëtuar popullin nga padituria dhe gjendja e mjerueshme. “Në Qarkore është përdorur një gjuhë ezopike e fshehtë kundër Turqisë, ndërkohë që sulmohen plot urrejtje planet djallëzore dhe synimet e qarqeve shoviniste greke”. (Islami, M.: po aty, f. 88). Qarkorja konsiderohet si manifesti i parë i ideologjisë së re kombëtare. Qarkorja dhe Letra janë gjetur nga P. Ciljev, bullgar me origjinë nga Vithkuqi, në dokumentet e rilindësit bullgar I. Seliminskit, i cili i kishte redaktuar ato me kërkesën e Naumit. (Pepo, P. – Maslev, S.: Fletë nga historia e marrëdhënieve bullgaro-shqiptare gjatë shek. XIX, Buletini USHT, 1961, 2, f. 196-214). Me anë të parathënies së Ëvetarit të vitit 1945, Naumi njofton shqiptarët se: “nukë vetëm edhe këtë Ëvetar të ri t’ap mbë dritë, por edhe gjithato që kam bërë gati”. M. Islami shkruan: “Megjithëse nga veprimtaria e Naum Bregu Veqilharxhit njihen vetëm katër vepra, ne mendojmë se prodhimi i patriotit tonë nuk kufizohet me kaq: ai do të ketë shkruar edhe më”. (Islami, Myslim: po aty, f. 76). Dh. S. Shuteriqi na njofton: “Naum Veqilharxhi kishte gati në vitin 1844 disa vepra për mësimin e shqipes, midis të cilave një përkthim të Një mijë e një netëve (Halima) dhe një Gramatikë. A u mbështet Naumi në ndonjërën prej gramatikave të shqipes të botuara para tij? Naumi mund të jetë mbështetur te gramatika e anglezit Lik, e vitit 1814, për të cilën punoi edhe shqiptari Evstrat Vithkuqari. Në këtë drejtim rëndësi të veçantë ka fakti që Naumi, në letrën dërguar të nipit, ndër njerëzit që kanë shkruar mbi shqiptarët përmend edhe gjermanin J. Xylander, autor i një gramatike të toskërishtes botuar më 1835. Petko Sllaveikov shkruan në gazetën Makedonia që nxirrte në Stamboll, më 21.10.1867: “Shqiptarët e Korçës kanë dashur shkolla për të mësuar në gjuhën e tyre amtare. Ata kishin shtypur edhe një alfabet, një gramatikë dhe Dhiatën e Re, po shtytësi kryesor i kësaj lëvizjeje vdiq i helmatisur”. Gazeta ‘Drita e shqiptarëve të Brailës’, e datës 25 maj 1887, shkruan se Veqilharxhi përpunoi jo vetëm abetaren e gjuhës së vet, por edhe gramatikën. Por, sipas Jani Vretos, në traktatin e tij mbi shkrimin e gjuhës shqipe Veqilharxhi kishte përkthyer Dhiatën e Vjetër dhe një Halima (Përrallat e një mijë e një netëve). Shoqëria e Stambollit në vitin 1880 deshi t’ia blejë Halimanë burrit të dytë të së shoqes së Naum Veqilharxhit, por nuk u morën vesh. Nga këto, më e qartë del që Naumi të ketë bërë gati një gramatikë, kurse për Dhiatën dëshmitë janë kontradiktore. “Jeta e Naum Veqilharxhit njihet ende pak, ndërsa pjesa më e madhe e veprave të tij nuk dimë se ç’fat pësoi. Ajo do kërkuar pa i humbur shpresat, kurse, nga ana tjetër, kërkimet e ardhshme mund të sjellin të dhëna, që studiuesit të mos jenë të detyruar të enden akoma nëpër një numër hipotezash”. (Shuteriqi, Dh. S.: Naum Veqilharxhi, Gjurmime letrare, 1974, f. 257). Veçse fati i gramatikave të Naumit ishte i njëjtë me atë të autorit të tyre. Po përsëritim edhe një herë pjesë nga shkrimi i historianit rumun Grandea: “Brenda një dite u helmua në tryezën e Patriarkut, ndërsa librat u dogjën të dielën pasuese në oborrin e Patrikanës, po ashtu siç ishte djegur edhe gramatika e rumanishtes e Boiagi-t”. (Grandea, G. H.: po aty). “Është me shumë interes shkencor për historinë e gramatologjisë shqiptare dhe të studimeve albanologjike në përgjithësi, që të gjurmohet më tej çështja e hartimit të gramatikës të gjuhës shqipe (1844) hartuar nga N. Veqilharxhi”. (Kastrati, Jup: Historia e Albanologjisë, I, 2000, f. 532).

  1. Ëvetari i vitit 1844

Ëvetari i vitit 1844 është një libër i rrallë dhe shumë i çmueshëm për historinë e arsimit në gjuhën shqipe. Në kapak dhe në faqen e parë është shkruar: “Fort i shkurtër e i përdorshim Ëvetar shqip. Për çdo si cilë që do të mpsonjë të kënduarit e të shkruarit bukur shqip”. Naum Panajot Haxhi Llazar Bredhi, që i thonë edhe Naum Veqilharxh nga Bythkuqi i Kolonjës. Mot i parë 1844”. Pas kapakut ndodhet një fletë e panumëruar, me madhësinë e fletëve të tjera, e cila në verso ka portretin në gravurë të autorit. Në fund të gravurës është shkruar me alfabetin e tij data e lindjes: “Naum P. Veqilharxhi, pjellë mbë 1797 mbë 6 të dheqembrë.

  1. Ëvetari i vitit 1845

Entuziazmi që shprehën korçarët, veçanërisht nëpërmjet letrës së datës 4 maj 1845, e nxiti Naumin të shkruante dhe të botonte me donacionet e Vangjel Zhapës Ëvetarin e dytë me titull: “Fare i ri Ëvetar shqip për djelm nismëtarë, nxjerrë e dhënë mbë dritë nga Naum Bredhi Veqilharxhi, moti i dytë 1845”. Ky Ëvetar me 48 fletë spikat edhe nga parathënia, që titullohet ‘Eparathënme mbi djelmt e rij shqiptarë’. Abetarja përmban gjithashtu një material të gjerë me vlerë gjuhësore dhe ideore. Krahas germave dhe lidhjes së tyre në fjalë, krahas një tabele të numrave dhe shumëzimit të tyre, abetarja e dytë përbëhet nga parathënia, nga disa faqe me porosi morale dhe nga një varg tregimesh të nxjerra nga Dhjata e Vjetër, të cilat, krahas vlerës tregimtare, plotësonin mungesën e librave edukativo-arsimorë në gjuhën shqipe. Në planin gjuhësor, lidhur me shkrimin e gjuhës shqipe, e gjithë abetarja nga faqja e parë deri në të fundmen ka vlera të rëndësishme, kurse në planin e ideve, me vlerë janë porositë morale dhe veçanërisht parathënia. Ato japin një ide rreth mendimeve dhe pikëpamjeve të autorit si dhe për vetë personalitetin e tij si një atdhetar i kulluar që nuk ka preokupim tjetër, veçse si të kryejë detyrën ndaj atdheut dhe gjuhës amtare. Shprehje e kësaj gjendjeje shpirtërore është një qiri i ndezur, vendosur nga autori në faqen e dytë, në rrethin e të cilit janë shkruar këto fjalë: “Digjem tretem mb’erë, të punojë (për) të tjerë”. Parathënia e këtij Ëvetari është ribotuar në Kalendarin Kombiar, Sofje, 1900. Me kalimin e kohës kopjet e abetares së dytë humbën, por njiheshin vetëm parathënia me titull E parathënme mbi djelmt e rinj shqiptarë si dhe teksti i faqes 33, i riprodhuar në klishe nga bibliografi francez Emil Legrand, sipas një kopjeje që ka pasur Sami Frashëri. Por shpresat për të gjetur ndonjë kopje të librit nuk kanë qenë asnjëherë të humbura. Ishte historiani nga Prishtina Shkëlzen Raça, që vite më vonë, në kërkimet e tij arkivore në Athinë, gjeti kopjen e vetme që ka arritur deri në ditët e sotme të Ëvetares -1845. Teksti i Parathënies së Abetares -1845, që po e paraqesim pak a shumë në shqipen e sotme, është marrë nga Antologjia e Letërsisë Shqipe për shkollat e mesme, Tiranë, 1955, f. 85-88, e përgatitur nga Dhimitër S. Shuteriqi: E PARATHËNME MBI DJELMT E RIJ SHQIPTAR.

“Më të mirën gjë që njohu dhe kuptoi njeriu është të mësuarit. Njerëzit në përgjithësi nuk iu ndanë mësimit. Kësisoj, dolën shumë njerëz jo vetëm të ditur, por edhe shumë të ditur. Edhe populli i thjeshtë duke shkuar në shkolla, u shkëput nga gjendja e egërsisë ku ishte më parë dhe tashti, siç lehtësisht mund të vihet re, sillet në mënyrë të qytetëruar. Tashmë nuk ka asnjë dyshim për të mirat që sjell drita e të mësuarit. Por ne shqiptarët jemi kaq të ndryshëm nga popujt e tjerë, mbasi nuk mund ta shkruajmë as edhe t’a lexojmë gjuhën tonë dhe për më tepër ne nuk kemi as libra në gjuhën tonë. Si i kanë duruar shqiptarët të tallurat e të tjerëve për këtë mangësi të madhe të tyre?! Shqiptarët, jo vetëm nuk kanë mundur t’i shkruajnë njëri-tjetrit në gjuhën e vet, por as edhe t’i falen e t’i luten Perëndisë me gjuhën që secili e mëson duke pirë qumështin e nënës, si gjithë bota tjetër. Fjalën time o djem, nuk e kam vetëm që nuk kemi patur libra në gjuhën shqipe. Është e vërtetë që disa prej nesh mësuan edhe gjuhë  të tjera me të cilat kemi komunikuar me njëri me tjetrin si jo më mirë, kurse të tjerët që janë shumica, dergjen në erësirën e padijes dhe vetëm ata e dinë se ç’heqin. Fare lehtë mund të njihen përfitimet që provon çdo popull, kur ai fillon të mësojë të shkruajë dhe të lexojë në gjuhën e vet. Kur mësojnë gjuhën shqipe, fëmijët do të kenë vështirësi vetëm për të njohur shkronjat, mbasi gjuhën e kanë të mësuar nga nënat e tyre dhe çdo libër që do të marrin në dorë më pas kur të rriten, do ta lexojnë dhe do ta kuptojnë menjëherë. Për më tepër, gjuha shqipe do t’i ndihmojë ata jo vetëm kur të kalojnë në klasat e larta, por edhe për të mësuar me lehtësi gjuhët e huaja. Kudo në botë dihet se është gjuha e vendit që preferohet. Gjuhët e huaja shërbejnë vetëm për disa nga vendasit që kanë të bëjnë me të huajt. Por edhe të huajt mund ta mësojnë gjuhën shqipe, në qoftë se e kanë të nevojshme. Shumica e fëmijëve shqiptarë mundohen kot, kur i detyrojnë që të mësojnë në shkolla gjuhë të huaja. Atyre u duhen tre vjet për të mësuar të lexojnë dhe të shkruajnë gjuhën e huaj dhe po kaq për ta folur atë. Por me ta mbaruar shkollën, ata s’do të dinë gjë fare. Nuk e kam fjalën për ata që janë të kamur dhe që prindërit e tyre i dërgojnë jashtë vendit për të mësuar, por për fëmijët e skamësve që mbeteshin dhe mbeten sikundër thamë më sipër. Duke patur parasysh të gjitha ato që përmendëm, o djem, vendosa që t’i futem kësaj ndërmarrje e kësaj nisme, pa llogaritur fare mundimin dhe lodhjen. Unë nuk dua të mburem para njerëzve, por vetëm e vetëm të kryej detyrën që kisha dhe kam për ventlermin (atdheun) tim e për gjuhën e mëmës. Gjuha jonë shqipe sikundër e dini, nga shumë të sjellat e të kthyerat e kohës, por edhe më fort nga që s’ka pasur dritat e të mësuarit, ka marrë shumë fjalë e shprehje të huaja. Kur u binda sa shumë shërbejnë shkronjat e veçanta për gjuhën tonë, menjëherë nisa punën për të përfunduar disa libra për nxënësit e shkollave fillore, që janë përkthime nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe. Disa nga këto fjalë dhe shprehje të huaja i zëvendësova dhe në vend të tyre krijova fjalë të tjera për gjuhën tonë. Edhe pse ato në fillim mund të mos tingëllojnë ëmbël, unë shpresoj se koha do t’i ëmbëlsojë. Në këtë mënyrë pra, aq sa munda, nxora dhe krijova të tjera në vend të tyre. Disa prej tyre që nuk ia gjeta mënyrën, i lashë pa i ndryshuar duke shpresuar, o djem, që t’a vazhdoni ju këtë punë. Unë prandaj u përpoqa për kaq shumë kohë, rreth njëzet vjet, që të bëj veglën dhe ju të vini pëlhurën. Librat që u botuan vjet me shkronjat e reja të gjuhës shqipe, u pritën mirë në gjithë vendit tonë dhe gjithë Shqipëria tregoi gaz të madh. Shqiptarët mësuan menjëherë të lexojnë dhe të shkruajnë me to. Kësisoj jo vetëm më doli frika që me të drejtë mund të kisha, por më dha zemër që jo vetëm të botojë këtë Ëvetar të ri, por edhe gjithë ato libra që kam bërë gati. Edhe sa vjet i madhi Zot të më fali, do të përpiqem duke punuar  për vendin tim dhe tuajin edhe për gjuhën tonë. Është arritje e madhe kur gjuha mund të shkruhet. Kurse sot në Shqipëri, në çdo pesëqind shtëpi zor se gjënden pak a shumë pesëdhjetë veta që diçka dinë të shkruajnë, por edhe atë në gjuhë të huaj. Unë shpresoj që pas pak kohe në pesë mijë shtëpi të gjenden vetëm njëqind njërëz që nuk dinë shkrim e këndim, edhe ata nga pakujdesia. Përpiquni të mësoni dhe të shtoni sa më shumë dijen. Është e ditur se shqiptarët mendjen e kanë të hollë e të mprehtë që nga lindja e tyre dhe mund t’a them pa frikë se në këtë drejtim, jo vetëm i arrijnë por edhe i kalojnë shumë nga popujt e tjerë. Për më tepër, shqiptarët janë me sedër dhe nderdashës. Prandaj ushqej shpresa të mëdha, se jo vetëm do të heqim nga vetja jonë të përqeshurat nga të huajt për shkak që nuk kemi pasur libra dhe alfabetin tonë të veçantë, por menjëherë do të rreshtohemi përkrah me botën e mësuar dhe të qytetëruar dhe në këtë mënyrë do të nderojmë veten tonë dhe do të tregojmë se nuk jemi të fjetur”.

3.Letra drejtuar Jani Calit

Letra e hapur që i dërgon Jani Calit – student në Vjenë, më 7 prill 1846, është një akuzë e fortë për të gjithë ata shqiptarë që kishin vënë në shërbim të të huajve dijet, energjitë dhe pasuritë e tyre dhe mohonin kombin dhe qenien e tyre shqiptare. Në këtë letër për herë të parë në histori përmendet se “…kombi shqiptar, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, zë një vend të caktuar në tokë dhe ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve, të zakoneve dhe të historisë”.

“Më 7 prill1846, nga Bukureshti në Vjenë. Mora letrën tënde të 6 marsit nga Vjena dhe menjëherë pas përshëndetjes nxiton të më qash hallin, mbasi sipas mendimit tënd punët me të cilat merrem dhe që ti i di, po më sjellin dëm material dhe moral. Më poshtë më ke bërë fajtor pse kam njohje dhe miqësi me Dhimitër Marinin, të cilin ti e neverit si të çkishëruar, duke u shprehur me habi të madhe dhe me tri pikëçuditëse. Ti pastaj çuditesh, duke thënë “…cila vallë nga Mirat deshi që të mos dalë ndonjë tjetër por xhaxhai im shumë i shtrenjtë, për të lidhur ato që s’lidhen, për të sjellë në formë atë që nuk ka formë, të bashkojë në një tufë myslimanët fanatikë, të krishterët ortodoksë supersticiozë, papistët që urrejnë fetë e tjera dhe të krijojë popullin shqiptar si një trup homogjen. Mallkoj atë orë xhaxhai im i nderuar, kur ju u dhatë pas një ideje të tillë himerike. Çu bë u bë, mori fund, por në të ardhmen hiqni dorë nga planet që nuk mund të realizohen. Duke përbuzur lajkat e të huajve, besoni në fjalët e nipit tuaj i cili ka informata…”.

Duke i shkruar vërejtjet dhe këshillat e tua, po përgjigjem me të njëjtën radhë, siç janë parashtruar edhe në letrën tënde. Së pari, të kujtoj se dëmtim material pëson ai që sheh dëm sidomos në trupin e tij. Por një dëm të tillë e pësojnë pa përjashtim të gjitha krijesat organike të krijuesit mbi tokë. Pra as edhe ti vetë me gjithë përpjekjet e tua, nuk ke për të shpëtuar nga një dëm i tillë. Por nëqoftëse ti e ke fjalën për dëmin mbi pasuritë e tundshme dhe të patundshme, akoma ca më keq, sepse këto të gjitha nuk bëhen kurrë pronë e përhershme e askujt dhe, deri sa bën pjesë në një shoqëri njerëzore, do të mund  të rrjeshtoje shëmbuj të panumurt të vjetër e të tanishëm njerëzish të panumërt, të cilët duke e quajtur veten të sigurtë nga të gjitha prapësitë e fatit, u bënë menjëherë fare të varfër dhe të tillë ke jo vetëm tregtarë të mëdhenj, por edhe mbretër. Në qoftëse ti e konsideron veten në siguri të plotë, sheh ëndrra o nipi i im. Asnjë njeri nuk e parashikon se çdo të pjellë dita e nesërme. Kjo është një e vërtetë e përjetshme. Së dyti, dëmtim moral pësojnë në përgjithësi njerëzit që i sjellin dëm shoqërisë, dhe të tillë janë ata që dëmtojnë familjen dhe shoqërinë. Të tillë janë gënjeshtarët, batakçinjtë, çprishësit, turbulluesit dhe vjedharakët. Këta, duke e kuptuar keq fjalën interes, përdorin çdo mjet të lejuar dhe të palejuar vetëm për të grumbulluar argjend dhe ar. Unë pra, me punën time kujtoj se mund të vihem vetëm në radhë me ata  që para meje kanë shpikur shkronja, si Thefshi i Finikasve, Kadmi i Tebanëve, Pallamidi i Peloponezëve, Qirili i Sllavëve… Së treti, më bëre fajtor se kam lidhje me Dhimitër Marinin që për ty është njeri i lig, por në botë krejt të ligjë janë vetëm ata që përmendëm më lart, kurse ata që rastësisht, për shkak të ndonjë rrethane të pashmangshme kanë humbur pasurinë në të holla dhe nuk kanë qenë në gjendje t’ua kthejnë borxhin huadhënësve, nuk mund të quhen njerëz të këqinj, veçse relativisht. Vij tani në pjesën më thelbësore. Duke t’u përgjegjur mund të them se njerëzit dolën nga duart e krijuesit si qënie me arsye dhe me mundësi për të përdorur sipas rrethanave edhe forcën fizike. Sa herë që mendimet e tyre përputheshin ata mundën të lidhen, të bashkohen dhe të formojnë shoqëritë njerëzore të vogla ose të mëdha, racat, fiset dhe kombet dhe pastaj mbretëritë e mëdha. Njerëzimi që në kohët më të lashta filloi gjithashtu lëvrimin e gjuhëve të tyre dhe dora-dorës u zhvillua, duke u nisur nga gjëra të vogëla dhe dalë nga dalë lidhën ato që s’lidhen, u dhanë formë atyre që nuk kishin formë. Por në çdo komb bashkë me njerëzit e tjerë, u gjendën edhe antropofagët e egër dhe barbarët. Cili ishte kombi grek para ose edhe në kohën e Omerit gjatë shekujve mitologjikë? Çfarë ishin romakët në kohën e Romulit edhe më përpara? Po amerikanët në kohën e Kolombit, rusët para Pjetrit të Madh, ose anglezët në kohën e Krishtit? Edhe këta por edhe të tjerë si këta, nuk u zhvilluan menjëherë dhe qysh në fillim. Si ne, filluan edhe ata një ditë duke ecur përpara doradorës dhe kanë arritur atje ku ne i shohim sot. Së fundi shtrohet pyetja, si filloi Konfuci në Kinë, Zoroastri tek Persët, Moisiu tek Ebrejt, Brahma tek Indusët, Thefshi tek Finikasit, Zallmoksi tek Sllavët, Likurgu tek Leqedomonasit, Karedi dhe Soloni tek Athinasit, Orfeu tek Trakët, Krishti tek të Krishterët, Muhamedi tek Muhamedanët, Luteri tek Evangjelistët dhe të tjerë ligjëvënës dhe prijës kombesh? Këto kombe në ato kohë ishin fanatikë, supersticiozë, barbarë, antropofagë dhe me gjithë këtë me kalimin e kohës dhe dora dorës, sa u përmirësuan ata! Mësimet janë si farërat, ato që bien në rrugë shkelen dhe ato që bien ndërmjet gjëmbave mbyten nga barërat e tjera, kurse ato që bien në tokë të mirë dhe pjellore japin njëqind për një dhe dhjetë mijë për një qind, dhe kështu çdo gjë duke u përmirësuar dora dorës, bëhet e plotë. Edhe fjala e urtë, kur dëgjohet nga truzbrazurit përbuzet dhe shkelet, si fara e rënë në rrugë nga udhtarët. Edhe kur dëgjohet nga ata që janë mpleksur me punët e jetës dhe me kotësitë e botës nuk rritet, si edhe fara e rënë midis barave dhe gjëmbave. Fjala lihet mënjanë edhe nga shkaku i zhurmës së madhe që shkaktojnë njerëzit që kujdesen vetëm për gjëra të pavlefshme e të kota. Mirëpo kur dëgjohet nga ata që kërkojnë mirëqënien e përbashkët të atdheut të tyre, ata e pranojnë me urtësi, e analizojnë dhe e zbatojnë në veprimet e jetës së tyre, duke arritur me kalimin e kohës dhe me durim, në realizimin e ëndërrave të tyre të përbashkëta. Kështu kanë filluar para nesh të gjithë udhëheqësit e kombeve, punët e të cilëve ishin shumë më të vështira për t’u realizuar se sa e imja. Ata morën përsipër riformimin rishtas të një kombi të ri, kurse unë përpiqem vetëm që të bëj të shkruhet gjuha e Kombit dhe jo siç e përshkruan ti. Duket se nuk ke lexuar kurrë historinë e njerëzimit që të kuptosh se asnjëherë kombet nuk e kanë filluar përparimin e tyre menjëherë, por njëri e ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër. Fundi i fundit, një herë do të fillojë edhe kombi ynë. Kur shikon përparimin e kombeve të tjera dhe gjendjen e kombit tonë shqiptar sot, mos vallë dëshpërohesh? Dhe pse? Cili komb mbiu menjëherë i madh, i fortë, i ditur dhe i lavdishëm? Ti më qan hall se jam i frymëzuar nga një mirë e xvetësuar, duke shtuar edhe mbas çdo pjese të popullit shqiptar nga një epitet. Ç’përfolësi! Por unë të përgjigjem se epitetet “fanatikë, supersticiozë, urrejtës i dogmave të tjera”, sigurisht nuk shprehin esencën, por veçori të fituar më vonë të esencës. Dhe veçoritë e fituara më vonë janë të ndryshueshme. Pra, kush mund të na sigurojë se këto do të mbeten vazhdimisht në jetë të jetëve të pandrequra? Asnjeri! Unë pra prisnja nga ti, që të marrësh për këtë temë udhëzime të shëndosha dhe jo marrëzira. O nip! Vetëm kafshët që nuk gjykojnë e kanë të përcaktuar nga vetë natyra fatin edhe jetën e tyre. Kurse njeriu ka një destinacion, të cilin mund ta arrijë vetëm duke filluar të ecë gradualisht nga gjërat më të vogla, mbasi në natyrën njerëzore nuk shihen kërcime, por rregull gradual. Kështu pra njerëzit, duke përvetësuar për ditë ato më të mirat dhe duke hequr mënjanë ato që nuk vlejnë, ecin përpara duke u përmirësuar. Prandaj, në rast se kombet në mes tyre nuk do të mirreshin vesh, kurrë gjatë shekujve nuk kishin për të dalë nga gjendja e tyre e egër dhe për këtë ke siguri matematike, gjë që provohet edhe nga historia e të gjitha kombeve. Ti, siç më thua, edhe pse ke lexuar shumë historianë, për shqiptarët nuk ke gjetur as edhe gjënë më të vogël. Veçse ti të gjitha studimet i ke bërë në shkollat greke, të cilat janë të organizuara për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar. Por ti, si një burrë me arsim që je, si nuk e kape idenë se nga krahasimi me të gjitha kombet e tjera, që një komb si kombi shqiptar, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, që zë një vend të caktuar në tokë dhe ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe të zakoneve, si ishte e mundur të mos kishte edhe dy shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë dhe fetarë, të shpërnguljeve dhe rivendosjeve të tij? Por ti u besove trashë e trashë mësuesve të tu se nga të gatuarit e njeriut dhe gjer tani, ky komb paska qënë një gur anorganik i mbetur në paveprimtari, ose si një larvë insektesh e cila nuk ka pësuar metamorfozën e saj natyrore si flutur. O nip, të gjitha këto pa tjetër duhet ta kishin prekur fantazinë tënde, të kishin vënë në lëvizje kërshërinë tënde, kjo do të ishte e mjaftë që të arrije në zbulimin e një thesari të madh kombëtar. Të tillë sikurse ti, janë pothuajse të gjithë ata që kanë bërë studimet e tyre me shkronja të kombeve të tjera, para se të përgatiten në gjuhën e kombit të vet. Nejse, ashtu qoftë! Për shqiptarët ti nuk ke gjetur as gjënë më të vogël te asnjë historian, por kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk janë të rëndësishëm. Kjo vjen nga që ti nuk di, por mosdija për një gjë nuk do të thotë se kjo nuk ekziston. Unë, ndonëse nuk mendoj të jem një filolog aq i thellë, me gjithë këtë po të përmend se për shqiptarët kanë shkruar englezi Massi, italiani Josif Krispi, gjermani Ksilander, siçiliani Videra, kalabrezi De Rada dhe gjer tani njihen tri sisteme alfabeti… Nëqoftëse bëhesh më kërkimor, këto mund t’i gjesh në një bibliotekë të atjeshme, për të mësuar më në fund, se mosdija jote për një gjë nuk do të thotë se kjo gjë nuk ekziston. Pastaj më këshillon që të ruhem nga këshillat e të huajve. Në të vërtetë nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, domethënë prindërit e tij, farefisin, miqtë, bashkëkombësit, vetë vatrën e tij atërore, gjërat e shenjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar të gjitha këto gjetiu, atje ku nuk do të ketë mundësi t’I gjejë kurrë, duke vuajtur gjatë gjithë jetës. Pra, atë që më këshillon gjëra të tilla, nuk e di se në ç’kategori ta vendos. Unë i dashur nipi im, mund të zgjatesha dhe të bënja më shumë sqarime, por mendoj se edhe këto janë të mjafta. Besoj se tashti i ke të qarta pikpamjet e mija dhe sistemin tim, në se ato janë vetëm ëndërime apo qëndrojnë mbi baza të shëndosha për të ardhmen e mirë të kombit tonë që ne shpresojmë. Të uroj shëndet dhe mos pusho të duash xhaxhanë tënd, i cili është i gatshëm të dëgjojë me vëmendje këshillat e tua dhe nga këto do të zgjedhë gjithnjë vetëm të dobishmet”.

4.Qarkorja

Në vitin 1846 Naum Veqilharxhi lëshon Qarkoren në gjuhën greke, drejtuar “për gjithë të pasurit e të mësuarit ortodoksë shqiptarë”. Vlen të theksohet se si ortodoks që ishte, Naumi mund t’u drejtohej vetëm shqiptarëve të miletit ortodoks dhe jo shqiptarëve të mileteve të tjera (mysliman, katolik etj). Qarkorja është një manifest në të cilin Naum Veqilharxhi paraqet me ton luftarak kërkesat kulturore dhe politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

“Patriotë, Ne, nga shkaku i dyndjeve të ndryshme që kanë ndodhur njëra pas tjetrës gjatë 2000 vjetëve në atdheun tonë, arritëm në një gjendje aq të mjeruar sa që u shëmtua fare qënia jonë morale e politike, e cila, e krahasuar me atë të kohës së vjetër, nuk ka asnjë ngjasim të natyrshëm. Pushtime të shpeshta, përmbysje të gjithanshme, ndryshime politike, hyrje dogmash të reja fetare, janë shkaqet e transformimit tonë moral të tanishëm. Për më tepër lënia pas dore e lëvrimit të gjuhës sonë kombëtare dhe zëvendësimi i saj me një gjuhë të huaj, na sollën në gjendjen më të ulët të turpit, sepse kështu u ngul përgjithmonë padituria e kombit, u përhap me të shpejtë barbarizma dhe pa e kuptuar, vargojnë e robërisë u bënë të çelnikët. Dhe sa nga tanët që patën fatin gjatë epokave të ndryshme të marrim arsim, detyroheshin pa dashje të mërgohen në vende të tjera për të gjetur mundësi të tjera për të jetuar. Por ata bëhen të pavlefshëm për kombin tonë, larg prindërve, farefisit dhe miqëve të tyre. Duke bashkëjetuar dhe bashkëpunuar me kombe të tjera, me aftësitë e tyre i ndihmuan ata për lumturinë e këtyre kombeve. Dhe kështu kënaqeshin të quheshin grekë, helinë, vllehë… dhe jo mirëbërës, etër e mësues të atdheut dhe të kombit tonë. Duke parë përparimin e disa kombeve të sotme dhe gjëndjen tonë të tanishme, jo vetëm që nuk duhet të humbasim shpresën, por madje duhet të mbushemi me hov dhe guxim. Le të hedhim farën e mirë dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, frutet e bukura dhe shumë të ëmbëla të së cilës do ti korrë pa dyshim brezi i ardhmë, që do të falenderojë ata bujq dhe ata mbjellës të mirë. Kjo është një detyrë e domosdoshme që duhet të bëjë çdo njeri mbi tokë për brezin e ardhmë, siç punuan për të edhe gjithë shekujt e kaluar. Nëqoftëse ata që kanë qënë para nesh nuk do të kishin kujdes për gjendjen tonë, edhe sot do të jetonim si egërsirat. Të gjitha të mirat e gjendjes sonë të tanishme i kemi nga paraardhësit tanë. Bujqësia, ndërtimi, tërë industria, politika, feja, mekanika, gjithfarë artesh të bukura dhe shkencash, të gjitha këto në fillim kishin shumë të meta, por pastaj duke u përmirësuar dalëngadalë, iu dorëzuan brezit tonë në gjendjen e sotme. Prandaj edhe ne duhet të veprojmë duke i imituar ata. Veçse pa shpikjen e shkronjave dhe të tipografisë, të gjitha do të ishin në gjendjen e tyre foshnjore. Me anën e shkrimit ne mirremi vesh me të gjithë banorët e botës, kumtojmë mendimet tona, lidhim marrëdhënie sipas rasteve, pa të cilat jeta do të ishte e pamundur. Por çdo komb siç është e natyrëshme, me anën e shkrimit dhe të gjuhës së tij, ruan edhe lavdinë e pronësisë së zbulimeve, të prefeksionimeve dhe të kontributeve të tij në shoqërinë njerëzore. Kurse ato kombe që mbeten në padije u shëmbëllejnë thjeshtë skllevërve, duke punuar çdo ditë për begatinë e kombeve të qytetëruara dhe më të fuqishme. Shqiptarët do të mund të dalin nga gjendja e turpëshme e mjerimit kur do të fillojnë të lëvrojnë gjuhën e tyre kombëtare, që nuk fitohet ndryshe veçse me shkronja të posaçme kombëtare, gjë që është filluar para meje, por për shkak të përzierjes me të huajt dhe të intrigave të ziliqarëve, të gjitha mbetën pa fryt. Erdhi dita që t’i mbyllim veshët tanë për të gjithë ata që, me pretekstin e miqësisë dhe të maskave të tjera të panumërta, paraqiten e na këshillojnë të kundërtën, gjoja për të mirën tonë, kurse qëllimi i tyre kryesor është të na mbajnë përngaherë në mjerim, që kështu të na përdorin si të duan, si gjer më tani. Është koha të hedhim poshtë të gjitha paragjykimet e vjetruara, është koha të mbledhim veten dhe të gjykojmë më me pjekuri dhe më me burrëri, të këmbejmë taktikë, duke marrë që tani e tutje si shembull kombet e përparuara të botës. Dhe duke pasur parasysh këtë gjë në radhë të parë, le të ecim pa u lëkundur.

XV.FUNDI I I NAUMIT

Veprimtaria patriotike e Naum Veqilharxhit gjeti pritje entuziaste ndër shqiptarët kudo që jetonin, por bëri kundërshtarë të egër në kishën greke dhe ndër grekomanët shqiptarë. Krahas teksteve shkollore në gjuhën amtare, që tashmë ishin botuar dhe shpërndarë, N. Veqilharxhi kishte hyrë në kontakt me Shoqërinë Biblike Angleze për të shqipëruar librat e shenjtë, në mënyrë që shqipja të dëgjohej edhe në shërbesat fetare, aty ku Patrikana dhe kleri grek e konsideronin greqishten të pazëvendësueshme. Kisha greke ndjeu rrezikun e veprës së N. Veqilharxhit dhe vuri në veprim gjithë mekanizmat që kishte, duke përfshirë edhe Jani Calin, nipin e Naumit. Por ai nuk u praps para kërcënimeve dhe shpifjeve, madje i sfidoi ata dhe shkoi në Stamboll për të ndjekur vetë nga afër botimin e gramatikave të gjuhës shqipe që kishte hartuar. Veçse ky do të ishte udhëtimi i tij i fundit. Naumi mbylli sytë në Stamboll. Sipas të thënave, që qarkullonin në mjediset e veprimtarëve shqiptarë, ai është helmuar me porosi të Patrikanës ose të qarqeve të Megali Idhea-s greke. Gazeta Drita e shqiptarëve të Brailës, qyteti ku banonte Naum Veqilharxhi, sipas informacioneve të dhëna edhe nga e shoqja e tij, shkruante: “Gjendja shëndetësore e Naumit u keqësua në mënyrë të menjëhershme, ai shtrohet në spital dhe vdes po ditën e shtrimit, pa një diagnozë të përcaktuar”. (Shuteriqi, Dh. S.: Mbi Veqilharxhin, Studime filologjike, 1976, nr. 4, f. 146). Studiues të shumtë, kryesisht shqiptarë (Th. Krej, E. Brandi, S. Ollani, N. Naço, M. Duçi, Sevasti Qiriazi, S. R. Dine, K. Dako, Sh. Kolonja, K. Luarasi, S. Luarasi, Dh. S. Shuteriqi, M. Islami, Dh. Fullani) edhe ballkanas (P. R. Sllavejkov, E. Prandi, G. Grandea, T. Kapidan, S. Jankoviç), madje edhe evropianë (A. Dozon, E. Legrand, H. N. Brailsford, N. Klejer) janë të bindur se Naum Veqilharxhi ka vdekur në Stamboll, i helmuar nga agjentët e Patrikanës.

Kush urdhëroi për helmimin e Naum Veqilharxhit?

Dijetari i njohur rumun T. Kapidan mendon se “krimi ka mundësi të jetë kryer në bashkëmarrëveshje midis Fanarit dhe Jelldizit”. (Shuteriqi, Dh. S.: po aty). Në  të vërtetë, vrasja e N. Veqilharxhit ndodhi në kulmin e një fushate të egër të organizuar nga Patrikana dhe nga disa grekomanë. Me siguri nuk qe vepër e ndonjë ekstremisti të veçantë, mbasi eliminimi i Naum Veqilharxhit u shoqërua me syrgjynosjen në Kretën e largët të patriotit Athanas Paskali, sekretar i Mitropolisë së Korçës, që organizoi shpërndarjen e abetareve dhe u kujdes për ngritjen e shkollave shqipe, si edhe me transferimin në Durrës të mitropolitit të Korçës, grekut Qirili, i akuzuar ndoshta për mungesë vigjilence. Në vijim, duhet shtuar gjithashtu edhe gjendja e frikës dhe terrorit që u vendos në Braila të Rumanisë, ku jetonte familja e Naumit dhe shumë shqiptarë patriotë, dashamirë të Naumit, që përfundoi me djegien e shtëpisë të Naumit, bashkë me librat që prisnin të shpërndaheshin. Pa dyshim edhe Jelldizi (shteti turk) ka pasur pjesën e tij, të paktën, për ideimin, përgatitjen dhe mbulimin e këtij krimi. Dihet tashmë se, sipas një marrëveshjeje me Patrikanën, autoritetet qendrore dhe vendore duhet të ruanin monopolin e Patrikanës për gjuhën greke në kishat dhe shkollat e ngritura për ortodoksët shqiptarë. Për më tepër, helmimi i Veqilharxhit ndodhi në një periudhë kur lëvizja e armatosur në Shqipëri kishte filluar të organizohej duke shfaqur shenjat e para dhe të shumëpritura të bashkimit kombëtar. Në këto kushte, qeveria osmane nuk mund të linte gjallë Naumin, që prej kohësh u dërgonte shqiptarëve mesazhe për t’u bashkuar pa dallim feje dhe krahine. Më sipër kemi paraqitur pjesë nga parathënia e shkrimtarit dhe gazetarit rumun Grigore H. Grandea, te libri i Andrei alu Bagavu-t. Shkrimi lidhur me Arsaqin, Zhapën dhe Naum Veqilharxhin vijon si më poshtë: “Arsaqi dhe Zhapa i dërguan librat në Kostandinopojë me letra rekomandimi për t’i shtypur dhe me projektin e një fermani për hapjen e shkollave shqipe. Meqë çështja u mor shpejt në shqyrtim, librat u shtypën dhe fermani doli. Patriarku, që nuk mundi ta bindë Naumin të hiqte dorë nga projekti i vet dhe as të pengonte shpalljen e fermanit, iu drejtua krimit për të shpëtuar panhelenizmin nga kjo goditje. Ai e ftoi Naumin të banonte në Patrikanë deri kur të rregulloheshin lokalet shkollore në Shqipëri. I mjeri Naum pranoi, por e pagoi me jetën e  vet këtë mirëbesim. Brenda një dite u helmua në tryezën e Patriarkut, ndërsa librat u dogjën të dielën pasuese në oborrin e Patrikanës, po ashtu siç ishte djegur gramatika e rumanishtes e Boiagi-t (Bojaxhiut)”. Vlen të theksohet se Ëvetarët ishin shtypur dhe dërguar në Shqipëri në vitet 1844–1845, kurse librat që u dogjën në oborrin e Patrikanës duhet të ishin gramatika dhe tekstet e leximit dhe të tjera tekste, që përbënin kompletin e materialeve didaktike për shkollat fillore. Një pjesë e Ëvetarëve – 1845 u dogjën kur i vunë flakën shtëpisë së Naumit në Braila, disa javë pasi e helmua.

XVI.     NAUM VEQILHARXHIT I DUHET NJË VEND I DENJË NË ALTARIN E HISTORISË SË KOMBIT SHQIPTAR

Jeta e Naum Veqilharxhit është një varg i gjatë përpjekjesh dhe aktesh vetëmohimi. Patriotin e madh e shohim me armë në dorë gjatë kryengritjes së popullit rumun (1821) dhe më pas kur i vihet punës për shkronjat e veçanta shqipe (1824–1825) dhe abetaret e para që i botoi me mbështetjen financiare dhe ndihmën e Vangjel Zhapës (1844–1845), por edhe kur shpalli Qarkoren dhe Letrën (1846), që u bënë programi i punës i lëvizjes sonë kombëtare, për të mbaruar në një mot që nuk dihet saktë, i helmuar prej kishës greke, midis viteve 1846–1866, në kulmin e punës për botime të tjera dhe për organizimin e shqiptarëve në shoqata kulturore-patriotike, që me siguri do të afronin pavarësinë e popullit tonë. Naumi nuk arriti të realizonte programin e tij të qartë dhe me synime konkrete, mbasi ishte e fortë lufta që i bënë, gjer edhe e vranë. Veçse puna dhe sakrifica e tij supreme u bënë një shembull i ndritur për lëvizjen patriotike shqiptare, që ndoqi gjurmët e tij dhe emri i Naumit u bë flamur për patriotët shqiptarë. Jeta e Naum Veqilharxhit njihet aq pak, përderisa edhe ne shqiptarët e sotëm nuk mund t’ia përkujtojmë ditën e vdekjes, ndërsa pjesa më e madhe e veprave të tij nuk dimë se ç’fat pësuan. Për shumicën e shqiptarëve të sotëm është i panjohur fakti se lëvrimi i gjuhës shqipe paraqet vetëm një pjesë të veprimtarisë së njërës prej figurave më të shquara të historisë së popullit tonë. Fushata e frikshme shkombëtarizuese nëpërmjet shkollave greke dhe turke në Shqipëri kishte për qëllim shpëlarjen e mendjeve të fëmijëve shqiptarë për të përfunduar si nipi i Naumit, Jani, i cili, duke mos njohur origjinën, traditat, historinë dhe kulturën e popullit shqiptar, të cilat nuk mësoheshin në shkollat e huaja, arrinte deri në mohimin e tij. Naum Veqilharxhi e kuptoi se shqiptarëve rreziku kryesor u vinte nga vetë ata, ashtu të ndarë siç ishin, dhe u bë nismëtar për organizimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Nëpërmjet Qarkores dhe Letrës… në mënyrë të qartë, racionale dhe bindëse, Naumi paraqiti programin e tij politik, që patriotët shqiptarë të mëvonshëm e quajtën “rruga e re për zgjidhjen politike të çështjes kombëtare”, sipas të cilit, gjuha shqipe tashmë e lëvruar dhe e pastruar nga fjalët e huaja dhe shqiptarizmi duhet të kishin përparësi ndaj feve të ndryshme që praktikoheshin në Shqipëri. Gjuha shqipe, në këtë mënyrë, do të ishte faktori themelor i njësimit kombëtar dhe mëvetësisë kombëtare. Ka qenë një zgjedhje e pëlqyeshme që njëri nga gjimnazet e Tiranës të mbajë emrin e Petro Nini Luarasit, dëshmor i gjuhës shqipe. Emrin e Naum Veqilharxhit e mban vetëm një shkollë 9-vjeçare në Korçë dhe një në Vithkuq, si dhe një rrugë në Prishtinë. Në Tiranë fare mirë mund të ketë një nga rrugët kryesore emrin e Naum Bredhi-Veqilharxhit, të politikanit largpamës që u tregoi shqiptarëve, 170 vjet më parë, rrugën për në Europë. Me nismën e disa dashamirëve dhe vlerësuesve të Naum Veqilharxhit, është formuar një shoqatë patriotike-kulturore që po promovon figurën e plotë dhe veprën e patriotit të madh. Objektivat e shoqatës janë të shumtë, duke filluar nga gjetja e datës të saktë të vdekjes, e vendit të varrimit, deri në organizimin e një konkursi për realizimin e një vepre skulpturore të dëshmorit të parë të Rilindjes, që do të ishte mirë të vendosej në Tiranë. Vetëm në këtë mënyrë do të prehen në paqe edhe patriotët korçarë që parashikonin se: “Emri i Naum Veqilharxhit do të mbetet i pavdekshëm deri në fund të shekujve”. Naum Bregu-Veqilharxhi vuri gurin e parë në rilindjen e kombit shqiptar që do të përfshinte të gjithë shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë. Populli shqiptar e pranoi porosinë e Naumit. Ai ka tashmë një frymëmarrje të lirë dhe të njësuar, dhe shqiptarët që i gëzohen gjeografisë së plotë të shtrirjes së tyre të mohuar, artikulojnë aspiratat e veta për zhvillim nga shteti amë e më tej kudo ku për gjuhën shqipe u derdh gjaku i arbrit e zunë vend themelet e alfabetit simbol.

 XVII.   MËKATET NDAJ NAUM BREDHI-VEQILHARXHIT

Naum Bredhi-Veqilharxhi (1797-1846), njohës i thellë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, hartoi programin kombëtar dhe përpunoi platformën ideologjike, që do të shërbenin për të penguar shkombëtarizimin e Shqipërisë së Jugut. Në këtë mënyrë ai përcaktoi drejtimin kryesor të nacionalizmit shqiptar dhe specifikën e tij, që do të mbështetej mbi gjuhën amtare dhe jo mbi fetë, si nacionalizmat e tjerë ballkanas. Naumi vuri gurin e parë për rilindjen e kombit shqiptar, që do të përfshinte të gjithë shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë.

  1. Porositë prej profeti të Naumit dhe idetë e tij çuditërisht nuk janë pasqyruar në masën e duhur në tekstet shkollore si edhe në veprën Historia e popullit shqiptar (HPSh). Duket se për autorët e këtyre teksteve Naumi ishte vetëm një idealist, iluminist, racionalist edhe evolucionist. Shprehja se: “Në natyrën njerëzore nuk shihen kërcime, por rregull gradual”, duket se e mbushi kupën dhe zyrtarët e kohës vendosën të pengonin që të hynte në kryeqytetin e kombit emri i tij, për t’u vendosur qoftë në pllakën e një rruge ose mbi portën e ndonjë shkolle. Sigurisht, nuk bëhej fjalë për një bust që, në mes të një lulishteje në Tiranë, të përjetësonte Naumin e Madh.
  2. Në veprën HPSh, edhe kur flitet për alfabetin e Naumit, ai cilësohet i vështirë për t’u përvetësuar. Ndërsa unë do t’i besoja patriotit bashkëkohës Athanas Paskali, gjyshi i Odhise Paskalit, që për korçarët “mendja e tij është terezi floriri”, tek i shkruante Naumit: “…edhe në mungesë të mësuesve dhe të shkollave, kemi mësuar të shkruajmë gjuhën amtare me lehtësi dhe shpejtësi, sa çdo komb tjetër mëson të lexojë dhe të shkruajë gjuhën e vet” (1845).
  3. Për sa i përket çështjes së marrëdhënieve me Turqinë, jo pa qëllim nuk është trajtuar asnjëherë drejtpërdrejt në shkrimet e Naum Veqilharxhit. Pas krijimit të shtetit grek dhe serb, u shprehën hapur ide shoviniste dhe aspirata ekspansioniste, sipas të cilave, pas vdekjes së të Sëmurit të Bosforit, tokat shqiptare në jug dhe veri të vendit ishin të destinuara për t’u pushtuar nga fqinjët shovinistë. Naumi, si të gjithë bashkëkohësit e tij, në kushtet kur Rilindja po vononte të lindte, mendonte se për interesat e atdheut në periudhën e dhënë, status quo-ja do të ishte zgjidhja e duhur.
  4. Idetë origjinale të Naumit për përdorimin e gjuhës shqipe të lëvruar e të shkruar me alfabet të veçantë, për të bashkuar shqiptarët me tri fe të ndryshme, ose gjetja e përparësisë së kombit mbi fetë që qëndron në bazë të harmonisë fetare, duhet të kishin vend në veprën HPSh, madje edhe në librat e shkollave të mesme.
  5. Kundërvënia ndaj veprës së Naumit del edhe më hapur lidhur me qëndrimin e akullt ndaj shkollave, ndër të cilat edhe ajo e Trebickës, ku sipas rilindësit Spiro Dine (1844-1922), mësohej shqipja me Ëvetaret e Naumit edhe 10 vjet pas hyrjes së tyre në Shqipëri.
Please follow and like us: