Albspirit

Media/News/Publishing

Botimet IDK sjellin në shqip romanin bestseller ndërkombëtar

SALLY ROONEY, shkrimtarja e parë vërtet e madhe e viteve 2000, vjen për herë të parë në shqip me romanin bestseller ndërkombëtar ‘NJERËZ NORMALË’

   

Titulli: Njerëz normalë

Autori: Sally Rooney

Përkthyes: Ines Ekonomi

Numriifaqeve: 322 fq

Çmimi: 900 lekë

Botues: Botimet IDK

ISBN: 978-9928-136-75-6

Konelli dhe Mariana ndjekin të njëjtën shkollë në një qytet të vogël irlandez. Por përndryshe ata s’kanë asgjë tjetër të përbashkët. Në shkollë, Konelli është një tip popullor që të gjithë e duan, ndërsa Mariana një tip i vetmuar, që të tjerët e shohin me dyshim. Por kur njihen, mes tyre krijohet një raport sa kompleks aq dhe elektrizues, i cili ka për t’u ndryshuar jetën që të dyve. Sidoqoftë gjithçka ndryshon kur shkojnë të ndjekin universitetin në Dublin: tanimë, Mariana e gjen veten dhe ndjehet mirë në ambientin e ri social, ndërkohë që Konelli bën një jetë të mënjanuar dhe ndjehet i pasigurt. Të dy janë në kërkim të përvojave dhe mundësive të reja, por gjithnjë një force magnetike i tërheq në mënyrë të parezistueshme drejt njëri-tjetrit. Dhe kur Mariana hyn në një rrugë vetëshkatërruese, dhe ai po përjeton një periudhë të vështirë në jetë, secilit prej tyre i duhet t’i bëjë vetes pyetjen: deri ku është i gatshëm të shkojë për të shpëtuar tjetrin. “Njerëz normalë” është historia magjepsëse e miqësisë dhe dashurisë mes dy njerëzish që kuptojnë se e kanë të pamundur të jetojnë larg njëri-tjetrit.

Bazuar te ky roman, BBC ka prodhuar një film mjaft të suksesshëm televiziv me 12 seri, i cili filloi të shfaqet në prill të 2020.

The New York Times, The Times, Daily Mirror, The Oprah Magazine, Time, NPR, The Washington Post, Vogue, Esquire, Glamour, Elle, Marie Claire, Vox, The Paris Review, Good Housekeeping, Town & Country e shpallën “Njerëz normalë” librin më të mirë të vitit 2018.

Vetëm 27 vjeç dhe konsiderot talenti më i madh i një brezi.

– Jojo Moyes

Lindur në 1991, Sally Rooney është bërë sot shkrimtarja më e përfolur e letërsisë anglo-amerikane të dy dekadave të fundit. Pas romanit të saj të parë “Bisedë mes miqsh” (2017), i pritur me një entuziazëm të jashtëzakonshëm nga kritika dhe nga publiku, me romanin e saj të dytë “Njerëz normalë”, fitues i një numri të madh çmimesh letrare, ajo e afirmoi veten si përfaqësuesja kryesore e brezit letrar të viteve 2000.

Fragment nga libri

Sally Rooney ‘Njerëz normalë’

 

Janar 2011

 

Mariana shkon hap derën kur Konelli i bie ziles. Mban ende veshur uniformën e shkollës, por pulovrën e ka hequr, kështu që është vetëm me bluzë dhe me fund, pa këpucë, vetëm me geta.

Ç’kemi, thotë ai.

Hyr.

Ajo kthehet dhe ecën përgjatë korridorit. Ai i shkon nga pas, duke mbyllur derën pas vetes. Disa shkallë më poshtë, në kuzhinë, mamaja e tij, Lorena, po heq një palë doreza llastiku. Mariana ulet mbi banakun e kuzhinës dhe merr një vazo të hapur çokokremi ku ka lënë një lugë.

Mariana po më thoshte që morët notat e testeve sot, thotë Lorena.

Morëm të anglishtes, përgjigjet ai. I sjellin veç e veç. Ikim tani?

Lorena palos me kujdes dorezat e llastikut dhe i vendos ato nën lavaman. Pastaj fillon të lëshojë flokët. Konellit kjo i duket diçka që fare mirë ajo mund ta bëjë edhe në makinë.

Mora vesh edhe se dole shumë mirë, i thotë ajo.

I pari i klasës, ia kthen Mariana.

Po, thotë Konelli. Edhe Mariana mirë doli. Ikim tani?

Lorena ndalon një çast së hequri përparësen.

S’e dija që e kishim me nxitim, thotë.

Ai fut duart në xhepa dhe arrin të përmbahet që të mos lëshojë një psherëtimë acarimi, por teksa e bën këtë merr frymë thellë gjë që tingëllon prapë si një psherëtimë.

Vetëm sa të shkoj të nxjerr rrobat nga tharësja, thotë Lorena. Pastaj ikim. OK?

Ai nuk thotë gjë, por vetëm ul kokën ndërsa Lorena del nga dhoma.

Do pak nga kjo? thotë Mariana.

I zgjat vazon e çokokremit. Ai i rras duart edhe pak më thellë në xhepa, si të përpiqet të fusë aty gjithë trupin njëherësh.

Jo, falemnderit, ia kthen.

E more notën e frengjishtes sot?

Dje.

Mbështetet me shpinë te frigoriferi dhe e vështron atë teksa po lëpin lugën. Në shkollë, ai dhe Mariana hiqen sikur nuk njihen. Të tjerët e dinë që Mariana banon te ajo vila e bardhë me rrugicën për makinat, si dhe që mamaja e Konellit është pastruese, por askush nuk di gjë për lidhjen e e veçantë që ekziston ndërmjet këtyre dy fakteve.

Mora A1, thotë ai.Po ti ç’more në gjermanisht?

A1, ia kthen ajo. Po shet mend?

Ti ke për të marrë gjashtëqind, apo jo?

Ajo mbledh supet. Ti ka mundësi t’i marrësh, thotë ajo.

Epo, ti je më e zgjuar se unë.

Mos u mërzit. Unë jam më e zgjuara nga të gjithë.

Mariana tani po buzëqesh e kënaqur. Ajo s’e fsheh përbuzjen që ka për shokët e shkollës. Nuk ka miq dhe pushimin e drekës e kalon vetëm, duke lexuar romane. Janë të shumtë ata që e urrejnë. Babai i vdiq kur ishte trembëdhjetë vjeçe dhe Konelli ka dëgjuar të thonë se vuan nga një sëmundje mendorea diçka e tillë.Është e vërtetë që është më e zgjuara në shkollë. Sa herë që i ndodh të mbetet vetëm me të, si tani, ai ndjen frikë, por në të njëjtën kohë, e gjen veten duke fantazuar se ç’mund t’i thotë për t’i bërë përshtypje.

Në anglisht nuk je e para e klasës, i vë në dukje.

Ajo lëpin dhëmbët, e patrazuar.

Mbase duhet të më japësh mësime privatisht, Konell, thotë ajo.

Ai ndien t’i përvëlojnë veshët. Ndoshta ajo e tha thjesht sa për të thënë diçka, pa pasur asgjë tjetër në mendje, por nëse s’është ashtu, atëherë e bënte vetëm për ta poshtëruar në sy të të tjerëve, duke iu thënë atyre që ai kishte lidhje me atë që ata e shohin me neveri. Ajo mban veshur ca këpucë të sheshta, të shëmtuara, me shollë të trashë dhe nuk bën kurrëfarë makijazhi. Thonë se nuk i rruan as këmbët, e asgjë tjetër. Konelli kishte dëgjuar se një herë kur ajo qe bërë pis në mencë ngaqë i kishte rënë sipër akullorja me çokollatë, kishte shkuar në banjën e vajzave, ku pasi e kishte hequr bluzën, e kishte larë atënëlavaman. Ishte njëhistori e njohur, që e dinin të gjithë.Ajo, po të donte, mund të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve thjesht duke e përshëndetur Konellin kur ishin në shkollë.“Shihemi pasdite”, mund t’i thoshte, përpara të gjithëve. Padyshim që kjo do ta vinte atë vetë në pozitë të vështirë , çka ishte pikërisht një nga ato situata që zakonisht asaj i dukeshin zbavitëse. Por ajo nuk e kishte bërë kurrë.

Për çfarë po flisje sot me zonjushë Nirin? e pyet Mariana.

Oh. Asgjë. S’e di. Për provimet.

Mariana spërdredh lugën brenda vazos.

Mos të ka gjë qejf? thotë Mariana.

Konelli e vështron teksa lëviz lugën. Vazhdon t’i ketë veshët të përvëluar.

Pse e thua këtë? i thotë.

O Zot, mos ke nisur ndonjë histori me të, apo jo?

Sigurisht që jo. Mos të duket gjë për të qeshur?

Më fal, thotë Mariana.

Ka një shprehje të përqendruar, sikur të dojë tëvështrojë se çka ai brenda kokës.

Ke të drejtë, s’është për të qeshur, thotë. Më vjen keq.

Ai tund kokën, dhe për njëçast vështron përreth dhomës, duke rrëmuar me majën e këpucës në një të ndarë midis pllakave.

Ndonjëherë dhe mua më duket sikur sillet çuditshëm kur është pranë meje, thotë. Por gjëra të tilla s’para kam qejf të shkoj t’ua them të tjerëve.

Edhe në klasë mendoj se ajo flirton ca si shumë me ty.

E thua vërtet?

Mariana pohon me kokë. Ai fërkon qafën. Zonjushë Niri është mësuesja e ekonomisë. Ndjenjat e tij të supozuara për të janë bërë temë bisede në gjithë shkollën. Disa madje thonë se ai pat provuar dhe ta bënte shoqe në Facebook, gjë që ai nuk e kishte bërë dhe nuk do ta bënte kurrë. Në të vërtetë ai nuk bën dhe nuk i thotë asgjë asaj, mjaftohet duke ndenjur i heshtur, ndërsa është ajo që bën dhe i thotë gjëra. Ndonjëherë ndodh ta mbajë në klasë pas mbarimit të mësimit për t’i folur për rrugën që do marrë në jetë dhe një herë, në fakt, i kishte prekur edhe nyjen e kravatës së uniformës. Por sidoqoftë, me të tjerët ai s’flet për këtë mënyrë sjelljeje të saj, sepse do kujtonin se po iu shiste mend. Në klasë ai e ndjente veten si mbi gjemba dhe aq të bezdisur, sa s’arrinte dot të përqendrohej në mësim, mjaftohej të rrinte ulur aty me sytë e ngulur te libri derisa vijat e grafikëve nisnin t’i turbulloheshin.

Njerëzit vazhdojnë të më thonë se jam unë që e kam qejf, a diçka të tillë, thotë ai. Por në fakt, s’është ashtu, fare. Dua të them, ti s’mendon që unë i mbaj lojën kur ajo sillet ashtu, apo jo?

Nga ç’kam parë unë, jo.

Pa e kuptuar, ai fshin pëllëmbët te uniforma e shkollës. Të gjithë janë aq të bindur që atë e tërheq zonjusha Niri saqë nganjëherë edhe ai vetë nis të dyshojë për instinktin e tij në lidhje me këtë. Po sikur ai, në një farë mënyre, pavarësisht nga perceptimi që ka, ta dëshirojë vërtet? Se në fakt, ai as që di se çfarë supozohet se ndjen njeriu kur dëshiron dikë. Në jetën reale, sa herë ka bërë seks i është dukur diçka aq stresuese e përgjithësisht e pakëndshme, saqë kishte nisur të dyshonte se mos kishte diçka që nuk shkonte me të, se mos qe ai që ishte i paaftë për të krijuar intimitet me gratë, ngaqë duket do kishte njëfarë mangësie në zhvillim. Më pas, rri shtrirë e mendon: Aq shumë nuk më pëlqeu sa tani ndihem keq. Apo mos ndoshta është thjesht ai qëështë ashtu? A mos është neveri ajo që ai ndien sa herë që zonjusha Niri vjen e i përkulet mbi bankë, mënyra e tij e përjetimit të ngacmimit seksual? Si mund ta merrte vesh?

Po deshe, unë mund të shkoj te z. Lions, i thotë Mariana. S’do t’i them që më ke thënë ti gjë, do i them se e kam vënë re vetë.

O Zot, jo. Në asnjë mënyrë. Mos i thuaj asgjë askujt, ok?

OK, në rregull.

Ai e vështron si për t’u siguruar që e ka seriozisht, pastaj tund kokën.

S’e ke fajin ti që ajo sillet ashtu me ty, thotë Mariana. Ti s’po bën asgjë të gabuar.

Po atëherë, pse tëgjithë mendojnë se jam unë ai që e kam qejf? pyet ai qetësisht.

Mbase sepse skuqesh shumë kur ajo të flet.Po ti e di, ti skuqesh për çdo gjë, ashtu e ke ngjyrën e lëkurës.

Ai lëshon një të qeshur të shkurtër, të trishtë. Falemnderit, thotë.

Ashtu e ke.

Po, e kam parasysh.

Edhe tani po skuqesh, thotë Mariana.

 

Please follow and like us: