Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: HAVZI NELA DHE MORALITETI I NJË SHOQËRIE

Letërsia, filozofia, teologjia thonë se krimi është brenda nesh, qëndrimi i individit ndaj krimit është një nga problemet më të mëdha të njerëzimit. Sa të ekzistojë njeriu, do t’i duhet të pastrohet, të shlyhet nga njollat e krimit. Sot shpesh e më shpesh tronditemi nga krimet e pajustifikueshme për një hardhi a për një gardh, nga krimi brenda familjes. Ndaj trajtimi si problem human i dukurisë së çlirimit të ndërgjegjes nga krimi nuk ka rëndësi vetëm për të kaluarën, por për të sotmen ca më shumë.
Disa vjet më parë kam thënë se ka diçka prej shenjti dhe shenjtërie Havzi Nela. Prej një shenjti në tokë, një shenjt që vjen nga balta, nga mali, arat, një shenjt nga hulli dheu e shkëmbi, një zë i fortë që i thotë atij sistemi: “Ti je një sistem hipokrit. Ju që sundoni jeni gjarpërinj”.
Këto fjalë si më sipër thuhen në Dhiatën e Re…Havzi Nela nuk i ka thënë pikë për pikë kështu, ai ka thënë: “Janë tri gjilpëra helmi që ky popull nuk i duron dot: Ndërrimi i veshjes tradicionale, heqja e fesë dhe futja në kooperativë. Janë shumë për këtë popull”.
Të gjithë ata që i pranonin këto, ishin hipokritë. Ky njeri bënte të kundërtën e të gjithë të tjerëve dhe këtë mund ta bëjë vërtet një forcë prej martiri. Ai u thoshte të gjithëve: “Fund hipokrizisë. Mos u tallni me këtë popull”. Dhe popullit i thoshte: “Po tallen me ty dhe ti nga frika po tallesh me veten tënde! Dëgjojeni si është e vërteta…dhe pranojeni të vërtetën që po them”.
Askush nuk mund ta dëgjonte Havziun atëherë. Dhe e pësoi. Edhe Krishtin e vranë. Turmat thanë kryqëzojeni. “Budallenj ishim ne që të bënim si Havziu”, mund të thonë njerëzit edhe sot. Domosdo. Ai që zgjodhi atë rrugë, ai që i kundërvihet ballas dhunës, është martir. Dhe Havziu shkoi si martir gjer në fund.
Figura e tij prej martiri është me përmbajtje të lartë morale. Ajo që duhet thënë është se nuk na mjafton vetëm që t’i përkujtojmë, t’u ngremë statuja, t’i nderojmë figurat si Havzi Nela, por të synojmë që edhe t’i shpjegojmë, t’u japim kuptim vuajtjeve, martirizimit. Njeriu ynë, shoqëria jonë duhet të përballet ndershmërisht me të kaluarën, me krimet dje dhe sot. Kjo do të thotë që ne jo vetëm e kemi pësuar nga sistemi, por dhe jemi bërë pjesëmarrës me atë që ushtronte krimin. Jemi vënë në anën e atij që kryente krime. Demonët pra, nuk janë atje tej, janë dhe brenda nesh.
Shekuj më parë tragjedia e antikitetit grek shpiku një proces spastrimi të shpirtit të njeriut nga demonët që ndrynte përbrenda. Grekët e lashtë donin ta shihnin para syve në skenë atë që ndodhte me njeriun kur ai ka një problem me ndërgjegjen e vet. Dhe përgjithësisht njeriu gjithmonë, atëherë e sot, ka pasur dhe do të ketë probleme me ndërgjegjen.
Kjo çështje në Antikitet shtrohej se si një individ duhet ta pastrojë ndërgjegjen e vet, se duhet përcaktuar një raporti i prerë i ndarjes së individit dhe i shoqërisë nga krimi. Pas tragjedianëve antikë, William Shekspiri po ashtu e bëri fantazmën, hijen e ndryrë në terrin e njeriut, të dukshme në skenë para spektatorit. Njeriu duhet të përfytet me demonët e vet, me egon e vet të vrarë. Prej kësaj, pas kësaj vjen katarsisi, pastrimi nga e keqja.
Duke iu referuar letërsisë, poezisë tragjike që nga Antikiteti e deri më sot, duke dashur të propozoj vendosjen e një raporti me krimin jo në rrafshin politik, por në atë human, mendoj se i qasem kësaj teme sipas një procedure që për shkrimtarët, filozofët është e njohur ndër shekuj. Shumë vepra letrare, balada, rapsodi, romane e kanë që në titull fjalën krim, vrasje etj… ‘Krimi i Silvestër Bonarit’, ‘Krim e ndëshkim’, etj. Pyetja është pse duhet të shkojmë te Eskili, te Sofokliu, te Shekspiri, kur ligjet e rezolutat e Këshillit të Europës janë kundër krimeve të komunizmit? Pyetja tjetër është në se Papa Françesku me të drejtë i shpalli të shenjtë klerikët tanë që u ndëshkuan nga komunizmi, vetëm se ata po ushtronin misionin e tyre, ku duhet ta gjejmë një Papë, fjala vjen, të shkrimtarëve, që ta shpallë të shenjtë dhe Havzi Nelën që shkroi poezi dhe në burg, që u burgos e u ridënua, bëri 20 vjet burg derisa u var në litar për bindjet e tij, gati dy vjet para se të binte komunizmi? Dhe nuk është fjala për Havziun, por për gjithë sivëllezërit e tij shkrimtarë dhe ata që nuk ishin të tillë, por që e pësuan pak a shumë si ai.
Duke i demaskuar politikisht krimet e komunizmit, ne kemi arritur atë që shumë figura të jetës politike e juridike të së sotmes të mbajnë fjalime me qëndrime distancuese dhe denoncuese për sa ndodhi me gjyqet, me të ndëshkuarit deri dhe të pushkatuarit gjatë komunizmit. Politikisht jemi korrektë dhe kur nderojmë të varurit dhe të pushkatuarit dhe kur pranojmë që disa nga këta që kanë kryer, miratuar, realizuar varjet nën diktaturë, me që kanë ndryshuar bindje, sot duhet të ngrihen në pozicione të larta të drejtimit juridik apo politik?! Kjo duket e papranueshme, por po ta shohësh nga një largësi vitesh e ndryshimesh, prapë jemi politikisht korrektë kur, të themi, që dhe ata gjyqtarë e politikanë që e ekzekutuan Havzi Nelën, Blloshmin, Lekën, deputetët, klerikët, mund të thonë që distancohemi, jemi kundra atyre krimeve që ndodhën nën diktaturë. Personalisht, mua kjo mund të mos më duket e drejtë, por derisa ligjevënësit tanë nuk kanë miratuar ligje të tjera, duhet të pajtohem me faktet kështu siç janë. Politikisht po, por moralisht nuk mund të pajtohem. Moralisht mendoj se një veprim i tillë, rehabilitimi pa asnjë kusht i persekutorëve është rrënues për shoqërinë. Ndaj kam menduar se duhet të ndërrojmë kriterin dhe mjetet e demaskimit të krimeve të së kaluarës. Duhet që të marrim hua prej letërsisë mënyrën se si ndëshkohet krimi. Letërsia edhe pas një mijë, dymijë vjetësh nuk e fal atë që ka kryer një krim ose që ka qenë në anën e atyre që kryejnë krime. Në se dikush ka mbetur si kriminel në honet e tragjedive antike, të tragjedive shekspiriane, apo në rrathët e ‘Ferrit…’ të Dantes, qoftë dhe në baladat a këngët epike shqiptare, ai nuk mund të çlirohet së andejmi me procedura të stërholluara dhe demokratike të Këshillit të Europës, të cilat marrin në mbrojtje dhe persekutorin dhe të persekutuarin. Çlirimi nga demonët me metodën e letërsisë, të poezisë, të tragjedisë është më rrënjësor nga këto procedura të distancimit të sotëm nga krimet komuniste. Me kalimin e viteve ky problem nuk u zgjidh politikisht, nuk u vështrua as juridikisht, nuk u pa as si një problem i ndërgjegjes. Shoqëria jonë deri në një farë mase vazhdon të jetë e ndarë. Njëra palë që ka vuajtur, ruan urrejtjen e revoltën për dhimbjet që kurrë nuk mund të mbyllen. Pala tjetër e pranon, por vetëm në sipërfaqe se krimet e diktaturës duhen denoncuar. Secila nga këto palë qëndron në shinën e vet, si në ato drejtëzat paralele që nuk priten as afrohen kurrë.
Tani vjen aspekti më i vështirë për propozimin tim. Si duhet bërë trajtimi human i këtij problem? Me trajtesa filozofike, me trajtesa të plota shkencore e të faktuara prej filozofëve, sociologëve, historianëve, arkivistëve, eseistëve. Ne na duhet që të ndërtojmë një raport të moralitetit të lartë si shoqëri shqiptare. Çfarë është krim, është dhe mbetet krim dje, sot, nesër në të gjithë kohët. Relativiteti moral, konformizmi me të keqen është sëmundja më e fshehtë që gradualisht e gërryen nga brenda një shoqëri. Shoqëria shqiptare e kanuneve të lashta, mund të ketë qenë e prapambetur në shumë drejtime, por ka qenë një shoqëri me moralitet të lartë. Në saje të këtij moraliteti, shqiptari në raport me popuj të tjerë është çmuar, është respektuar nga të tjerët.
Problemi nuk është i thjeshtë edhe kur duam ta shtrijmë në arte e në letërsi. Nuk mund të gjejmë dot pena të autorëve të mëdhenj si: Shekspir, Dante, Kafka që të bëjnë art tronditës. Ç’mund të flas më shumë… mbase nuk kemi as skenaristë dhe as aktorë të mëdhenj kinematografikë…por pranohet nga të gjithë se disa nga filmat më tronditës të Hollivudit janë ata me temën e krimit të nazistëve në kampet e Holokaustit të hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Krimi komunist në kampet tona të internimit, në kampin e punës së detyruar të Spaçit ka afishuar disa nga shfaqjet më të lemerisshme, më shtazërore të shpirtit njerëzor, ka farkëtuar njerëz që kanë shfarosur vëllanë, njeriun për arsye politike…Duke vepruar si deri më tani, kur krimin ia kemi faturuar komunizmit, diçkaje që është larg, që ka rënë, që nuk ekziston, krimin kështu e kemi ndëshkuar në tym, me fjalë, së jashtmi dhe nga të gjithë. Krimi pra, është atje tej, diku larg. Ai i përket një të kaluare historike. Ne nuk paskemi punë drejtpërsëdrejti me të. Por kjo nuk është e vërtetë. Letërsia, filozofia, teologjia thonë se krimi është brenda nesh, qëndrimi i individit ndaj krimit është një nga problemet më të mëdha të njerëzimit. Sa të ekzistojë njeriu, do t’i duhet të pastrohet, të shlyhet nga njollat e krimit. Sot shpesh e më shpesh tronditemi nga krimet e pajustifikueshme për një hardhi a për një gardh, nga krimi brenda familjes. Ndaj trajtimi si problem human i dukurisë së çlirimit të ndërgjegjes nga krimi nuk ka rëndësi vetëm për të kaluarën, por për të sotmen ca më shumë.

Please follow and like us: