Albspirit

Media/News/Publishing

Për romanin ‘Dashuri e Mallkuar” të shkrimtarit Bardhyl Berberi

 

Sapo mbarova së lexuari romanin Dashuria e Mallkuar të shkrimtarit Bardhyl Berberi, dhe gjendja emocionale që më krijoi si vepër arti, po më shtyn të shkruaj.
Esteti më i madh i shekullit që kaloi, John Dewey, në veprën e tij estetike, më të famshmen e shekullit të XX-të, Arti si Eksperiencë (Art as Experience), na ka thënë se “një vepër arti do të ketë vlerë artistike atëherë kur ti, mbasi e ke lexuar apo e ke pare, ose e ke dëgjuar, ajo të ka dhënë mundësinë për të shkruar një poemë të re”.
Sigurisht, romani për të cilin po shkruaj e ka këtë veti në një nivel shumë të lartë.

Fabula e romanit është kjo: një gjerman, në vitin 1944, kish ardhur në Shqipëri si oficer me trupat pushtuese gjermane. I vetëm, ai kish mbetur në oborrin e nje mulliri, në një nga fshatrat e Jugut të Shqipërisë. Ishte gjerman, sigurisht një pushtues, dhe mullixhiu shqiptar që ishte në mulli dhe e pa, dhe e njohu nga uniforma gjermane, mori armën që kishte në mulli, doli te dera e mullirit, dhe e qëlloi për ta vrarë. Por gjermani, edhe pse i plagosur rëndë, me automatik në dorë, duke u rrëzuar përtokë, u kthye dhe e zbrazi automatikun e tij drejt njeriut që e kishte qëlluar. Nga kjo përleshje, u vra mullixhiu shqiptar, dhe u plagos rëndë oficeri gjerman. Pikërisht këtu nis novela, sepse të vdekurin e varrosën me nderime, por ndërkohë shqiptarët e familjes së të vrarit, iu kthyen dhe e morën gjermanin e plagosur për ta kuruar. E shëruan, por gjatë përkujdesjes shëndetësore në mulli, ai u dashuriua me Sofinë, një vajzë të re shqiptare. Dashuria ishte e të dyve. Dhe që të dy u martuan. Por, mullixhiu i vrarë, ishte babai i Sofisë.

Ja ky është romani. Një tragjedi e cila me mjeshtëri artistikë ndahet në dy sfera: ka një sferë të humanizmit kristian; dhe një sferë të humanizmi tragjik të tragjedisë greke. Është Sofolkiu por nuk është Shekspiri; sepse humanizmi i gjyshes se Sofisë, që ishte personazhi kryesor në shërimin e gjarmanit, ka trajtën e një humanizmi kristian; kurse humanizmi tragjik grek, ai i Sofokliut, dallon të ecë bashkë me vetë romanin dhe me ndjesitë e shqiptarëve për ngjarjen.

Në këtë atmosferë tragjikë, në roman mungon hakmarrja; sigurisht këtu shfaqet karakteri i humanizmit kristian.
Gjithsesi romani, që ka një subjekt të tillë tragjik, vjen e ndërtohet me një frazë të shkurtër, e cila mund të mbahet vetëm me gjuhën shqipe. Mendoj se kjo do të jetë risia që do të meritojë studim për këtë roman; sepse trajtimi artistik i frazës shumë të shkurtër, është një moment që të krijon një ndjesi të re për vetë romanin. Sigurisht që kjo mënyrë të shkruari është ndjesia stilistikore e romanit modern të këtij shekulli, por gjithsesi, ajo që spikat te Dashuri e Mallkuar, është një frazë e shkurtër që mban brenda vetes një përshkrim tëpër të gjatë fjalish të ndërvarura, por këtë e përjeton së brendshmi vetëm lexuesi, sepse ajo nuk është e shkruar.

Duhet të kuptohemi se, në çdo tragjedi të shkruar, si roman apo si dramë, ajo gjithmonë në thelb ka raportin e ndërsjelltë midis personazhit dhe lexuesit. Kjo dihet tani se është vetë narrativa e një romani apo e një novele. Pikërisht këtu fillon risia, sepse romani Dashuri e Mallkuar, duke qenë tragjik, lexuesi pyet: e kujt është tragjedia: është tragjedia e Sofisë, për vrasjen e babait të saj; është tragjedia e babait të Sofisë, që u vra nga një gjerman? Apo kjo është thjesht një tragjedi popullore e të gjithë fshatit, kur ky fshat e përjetoi me përbuzje dhe me revoltë të brendshme martesën e Sofisë me vrasësin e babait të saj. Për nga sjellja e fshatit, por edhe ajo e zonës së saj, Sofia kishte përjetuar një moment tragjik: ajo në gjashtëdhjetepesë vjet ka qenë e mallkuar nga fisi i vet, për dashurinë e saj me vrasësin e babait të saj. Gjithsesi, romani ka shume densitet brenda tragjikes së tij, dhe unë nuk jam një kritik i këtij romani këtu, por ndihem në përjetimin tim, që po e shkruaj. Gjithkush ka të drejtë të ngrerë shumë pyetje për dashurinë e Sofisë, humanizmin e gjyshes, familjes dhe të vetë Sofisë – por, në fakt, ky është romani me vlerë të lartë artistike: ai duhet të të shtyjë artistikisht që të bësh pyetje, derisa ti, së brendshmi, të krijosh vetë një roman të ri.
Romani gjithashtu të ngre dhe shumë pyetje të tjera për tragjiken dhe moralin që mbart brenda tij, por, si e theksova, kjo është ndjesi që duhet ta ndiejë vetëm lëxuesi, pasi të lexojë e të prekë fundin e romanit.

Please follow and like us: