Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Kruja me një orë ujë çdo 48 orë!

 

Dukuria e formimit të grupeve qytetëdashëse në portale, tashmë është bërë mëse e zakonshme. Aty bëjnë pjesë qytetarë të shtresave të ndryshme, të profesioneve, moshave, besimeve fetare apo politikë nga më të larmishmet, por që kanë një qëllim të përbashkët: dashurinë për vendin ku janë rritur, për miqtë, për ngjarjet e qytetit, eventet kulturore, debatet etj. Një ndër ta, është edhe grupi i ‘Sofrës krutane’ në Krujë, ku bëjnë pjesë banorët e qytetit, ashtu si edhe ata që janë larguar kryesisht në Tiranë dhe në emigrim. Pra, është krijuar një udhëkryq ku përplasen rrëfime dhe diskutime shoqërore e politike për ngjarjet që trokasin në mënyrë të zhurmshme si për të shkuarën ashtu edhe për të tashmen.

Sot në mëngjes vëmendjen ma tërhoqi një diskutim i gjatë dhe shqetësues për ujin e pishëm.

Të gjithë bashkëbiseduesit ankoheshin ndaj Bashkisë së qytetit për mungesën e ujit në qytet. Lexova shumë revoltë në fjalët e tyre dhe me të drejtë. Furnizimi me ujë të pishëm kryhej një orë në 48 orë.

Kujtesa më dërgoi në retrospektivë, për të ma servirur të freskët këtë problem me “flokë tashmë të zbardhura nga lodhja“. Përpara 30 e kusur vjetësh, edhe pse pallatet ishin 2-3 katëshe, uji nuk kishte forcë të ngjitej. Udha e tij ndalej në katet e para dhe komshinjtë zemërgjerë ofroheshin për të dhënë mundësinë të mbushnim kovat, gjymat, legenët e kazanët me ujë. Kohëzgjatja ishte rreth 30-45 minuta. Njihnim orarin, 15.30 e sapo ora shënonte 15.00 vendoseshim në lëvizje për të zënë radhën e ujit. Jo çdo herë arrinim t’i mbushnim enët me ujë dhe nga ai moment fillonte organizimi i planifikimit të përdorimit. Fatmirësisht kishim dy kroje uji pranë (qyteti merr emrin pikërisht nga burimet e shumta qe krutanët i quajnë kroje) dhe plaçkat shplaheshin aty. Legenat e mbushur plot e përplot mbi kokë drejtoheshim buzavarur  drejt atyre. Nuk ishte e lehtë, sepse këmba shkelte mbi gurishte e ndodhte edhe që rrëzoheshe. Por paraqiste edhe nje problem tjetër: garën se kush nga gratë shplante më mirë çarçafët e kush e kush i kishte më të bardha.

Banjot ishin shndërruar në dyqane të vërteta. Ç’nuk gjeje dhe me madhësitë, ngjyrat e format nga më të  larmishmet. Bënin garë plastika dhe llamarina. Me kalimin e kohës, këto enë filluan të transformohen në depozita, të cilat vendoseshin mbi çatitë e pallateve apo të shtëpive private. Sapllaka filloi të dali nga moda e të zëvendësohej me një rubinet. Filluan të ndërtoheshin dhe dushet. Kujdesja per ujin ishte në vazhdë. Rrezikoje o të fikeshin dritat, ose të mbaronte uji i depozitës. Duhej t’i gjeje derman ndoshta kokës ende me shkumë, apo trupit ende të pashkumuar. Me kalimin e viteve e njëjta lojë, i njëjti problem, sidomos për  muajt e verës. Administratat u ndërruan, të kuq apo të bardhë, problemi mbeti po ai e faji si gjithmonë jetim.

Ky shqetësim jetik për banorët siç duket tërhoqi vemendjen e medias, nga “ABCNEËS .al”, e cila kërkoi të informohej duke  realizuar një reportazh të shkurtër.

Vemendjen ma tërhoqi përgjigja e shefit të administratës së Bashkisë në Krujë, Z.  Drini Masha, i cili me shumë qetësi, pa menduar se ndoshta duhej edhe t’iu kërkonte  ndjesë bashkëqytetarëve të tij për këtë vuajtje të përditshme, tregoi që po punohet për ngritjen e një ujësjellësi në dy linja nga Qafështama deri në depozitat e qytetit të Krujës, që përfshin 15,6 km rrugë i  cili do të mbulojë me furnizim qytetin dhe fshatrat përreth.

Përfundimimi i punimeve  parashikohet për në fund të vitit.

Kureshtare vihem në gjurmë të këtij projekti: kur ka filluar, kosto, kush do ta ndërtojë dhe afati i mbarimit.

Lexoj që Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjitikës  Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së mbetjeve, Alqi Bllako, bëjnë të ditur në muajin nëntor të vitit 2019, që më së fundi do i jipej fund vuajtjeve të 17500 qytetarëve të Krujës për ujin e pishëm. Ministria do të  investojë fonde për ndërtimin e një depoje uji me kapacitet 500 metër kub, si dhe ndërtimin e një rrjeti transmetimi prej 15,6 km. Më së fundi ky rrjet do të garantojë furnizimin me 24 orë ujë për 8-te muajt e lagësht të vitit dhe 4 muajt e periudhës së  thatë me 16 orë.

Për afate dhe kosto asnjë informacion. Kanë kaluar 10 muaj që nga ajo ditë, dhe sipas të dhënave të Zotit Masha, deri tani janë kryer 70% të punimeve. Pra, në 10 muaj që kanë kaluar është ndërtuar 1 km për muaj. Lind pyetja se sa është numri i punëtorëve që janë të angazhuar në këtë projekt? Mos vallë ndërtohet me një hap njeriu sot dhe 100 hapa të milingonës nesër?

Po ndërkohë që ndërtohet kjo linjë e ujësjellësit, si ia bëjnë qytetarët?

Ndonjë autobot a është menduar t’iu sillet në ndihmë për të furrnizuar lagjet dhe banorët e tyre me ujë të paktën një herë në 24 orë?

Njëri nga miqtë në sofrën krutane shkruans “vjet në gusht u ktheva për pushime nga Amerika. Mbas dreke u drejtova në banjë për t’u larë. Ime më, ma ndërpreu rrugën duke më thënë që uji që kishim u përdor pér larjen e enëve. Ti, lahu nesër…”.

Nuk di pse kjo  fjala nesër është kaq e dashur për klasat administruese.

Mendoj që ju ka ardhur koha t’ju jepet fund  sorollatjeve të banorëve  të urtë të qytetit të Krujës, të cilët po përballojnë edhe pandeminë Covid 19, kur nga Ministria e Shëndetësisë kërkohet një higjenë maksimale, dhe ky qytet ka qenë një nga vatrat me numër të lartë të infektuarish.

Nuk mundet të vazhdohet me thënien e vjetër “Zoti të dhashtë“. Dikush duhet të japë sqarime për paaftësi  dhe neglizhencë ndaj detyrës. Është turp që vendi që është burim uji për të gjithë Shqipërinë, shtamat e saja i ka të zhuritura. Paradoks i hidhur i kohrave  moderne që jetojmë.

Dhjetori është pranë portës dhe ne  të vemëndshëm për të njohur rezultatet dhe premtimet e mbajtura.

Please follow and like us: